Përditësimi i fundit06:06:55 AM GMT

Albislam RSS
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
Tani je te: Fikh KRIZA BOTËRORE FINANCIARE (2/2)

KRIZA BOTËRORE FINANCIARE (2/2)

Email Shtyp pdf
KRIZA BOTËRORE FINANCIARE

MËSIME DHE PËRVOJA NGA EKONOMIA KAPITALISTE PA MORAL (2/2)

Nëse kthehemi mbrapa për 14 shekuj, do ta shohim se Islami e ka kufizuar atë liri, e cila nuk kultivon kujdes për të varfrin dhe të vobektin. Atë liri, e cila e respekton individin në kurriz të shoqërisë. Prandaj Islami e ka të ndaluar kamatën dhe huan me fajde, për shkak se këto të çojnë në gjëra që kanë ndikim negativ dhe që janë të rrezikshme për varfanjakët dhe për mbarë ekonominë e përgjithshme. Islami po ashtu i ka ndaluar kontratat, që përmbajnë shitblerjen e mallrave që nuk janë në dispozicion, shitblerjen përmes bixhozit, shitblerjen e mallrave të panjohura. Në anën tjetër Islami i ka lejuar shitblerjet e gjërave të njohura, që janë të lejuara. I ka lejuar shoqëritë aksionare, dhënien e mallrave në shfrytëzim me kundërvlerë në mënyrë që të materializohet drejtësia dhe solidariteti ndërmjet pjesëtarëve të shoqërisë, duke qarkulluar pasuria ndërmjet tyre dhe duke mos e monopolizuar atë një kategori e caktuar njerëzish, siç thotë Allahu: “...në mënyrë që ajo të mos qarkullojë vetëm në duart e të pasurve nga mesi juaj.” (Hashër, 7)

Ka lejuar borxhin, por nën kornizat e nevojave dhe me kritere të ligjshme që parandalojnë krizat dhe ndodhjen e kolapseve, që i dëmtojnë vet të pasurit dhe i kanoset dëmi edhe ekonomisë së përgjithshme.

Ja sot e shohim krizën e llogarive të hapura në Amerikë dhe viktimat që ka lënë në mbarë botën, pastaj shpërndarjen e kësaj krize “falas” nëpër banka, kompani dhe individë nëpërmjet famëkëqijave “letrave me vlerë”. Prandaj për këtë arsye e shohim se si Sheriati ka vendosur rregulla të shumta për huan, të cilat pengojnë rreziqet e saj. E lejon përdorimin e huas për përfitime në masë të caktuar, që nuk i sjell dëm individit e as shoqërisë. Kemi tekste të shumta nga Kur’ani dhe Suneti, të cilat sinjalizojnë rrezikun e huas, siç kemi rastin kur i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, lutej që ta ruante Allahu nga mbytja në borxhe dhe nga vështirësitë e tij. Buhariu përcjell se “i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, lutej: “O Zot, kërkoj mbrojtjen tënde nga preokupimi dhe dëshpërimi, nga pamundësia dhe përtacia, nga frika dhe koprracia dhe nga vështirësia e borxhit dhe mposhtja e njerëzve!”  Po ashtu Buhariu përcjell se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, gjatë namazit lutej:

- “O Zot, kërkoj mbrojtjen tënde nga mëkatimi dhe futja në borxhe!”

- Një njeri e pyeti: pse lutesh aq shumë që të mbrohesh nga futja në borxh?

- I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Njeriu kur futet në borxhe gënjen kur flet dhe nuk e zbaton atë që e premton.”

Nesaiu përcjell se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, lutej me këto fjalë: “O Zot, kërkoj mbrojtjen tënde për mua nga mbytja e borxhit, mundja e armikut dhe nga gëzimi i armiqve me fatkeqësinë tonë!”

Ne sot shohim se si borxhet dhe kreditë kanë përmbysur banka dhe kompani gjigante dhe i kanë futur në falimentim. Pa dyshim se fjala “mbytje” në lutjet e lartpërmendura është një fjalë e saktë, që na sinjalizon mrekullinë profetike në kuptimin e fjalës dhe në përmbajtjen e dimensioneve të saj nga ai që ishte dalluar me “fjalët e shkurtra e kuptimplote”, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Për rrezikshmërinë e borxhit sinjalizon vetë mosfalja e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, namazin e xhenazes atij që i kishin mbetur borxhe të pashlyera. Madje rrezikun e borxhit e ka treguar, kur ka bërë të ditur se ai është prej gjërave që Allahu nuk ia falë njeriut sado i mirë të jetë, ashtu siç na përcjell Muslimi fjalën e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Shehidit i falet çdo mëkat, përveç borxhit.”

Dihet përkushtimi i Sheriatit për shuarjen e pasojave të borxhit dhe për përfundimin e rezultateve të hidhura të tij mbi individin dhe shoqërinë. Bejtul Mali i muslimanëve e ka marrë përsipër shlyerjen e borxheve të individëve, që nuk kanë mundësi pagese të borxheve të tyre. Bejtul Mali sot mund të quhet edhe Ministria e Financave. Gjithë ky përkushtim i Sheriatit bëhet vetëm për t’u ruajtur pasuritë e muslimanëve nga humbja dhe për të shmangur rrezikun e falimentimit të pjesëtarëve të shoqërisë, institucioneve dhe kompanive të ndryshme. Në hadithin që e përcjellin Buhariu dhe Muslimi përmendet se: “I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur lajmërohej se një i vdekur kishte borxhe të pakryera pyeste: “A ka lënë diçka nga pasuria, që i mjafton ta lajë borxhin?”, kur ndodhte që i vdekuri të kishte lënë një masë të mjaftueshme pasurie, ia falte namazin e xhenazes, e nëse nuk i mbulonte pasuria e tij borxhet thoshte: “Faljani namazin shokut tuaj!” E kur Allahu ia hapi dyert e mirësisë me zgjerimin e shtetit islam thoshte: “Unë jam më primar për muslimanët se vetja e tyre, prandaj kush vdes dhe i mbeten borxhe, unë do t’ia shlyej ato.”

Për ta vetëdijesuar muslimanin për detyrimin e kthimit të borxhit, Sheriati detyron në përmirësimin e nijetit me rastin e kërkimit të borxhit kur është i nevojshëm. Buhariu përcjell se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush merr pasurinë e njerëzve me qëllimin për ta kthyer atë, Allahu do ta ndihmojë për ta kthyer borxhin. Ndërsa kush merr pasuri të huaj me qëllim shkatërrimin e saj, Allahu do ta shkatërrojë atë.” Në këtë hadith shohim një kërcënim për huamarrësin, i cili në vetvete ka qëllimin e keq, duke synuar të mos e lajë borxhin. Ky kërcënim bëhet për ta ruajtur pasurinë dhe për ta siguruar atë nga duart e mendjelehtëve, si dhe duke aspiruar në mos-ekspozimin e shoqërisë në trazira të vrullshme, si pasojë e borxheve të akumuluara. Për këtë arsye Sheriati Islam i ka ndaluar të aftit për pagesë zvarritjen e larjes së borxhit. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Zvarritja nga i pasuri është padrejtësi; e lejon nderin (duke u përgojuar) dhe dënimin e tij (duke u burgosur).”

Në anën tjetër Islami e ka lejuar huan me kritere të caktuara. Ka lejuar huan e mirë (pa kamatë) me qëllim që të përhapet në mesin e pjesëtarëve të tij shpirti i dashurisë dhe i solidaritetit. Prandaj edhe e ka ndaluar huan me kamatë, sepse një gjë e tillë është një zhvatje e nevojtarit, që e ka detyruar nevoja të futet në huamarrje.

Përderisa sistemi kapitalist lejon sistemin e kredive me kamatë, ai njëkohësisht e ka dëmtuar vetveten në tregjet financiare, për shkak se ato kredi me kamatë shkaktuan tërmetin më të vrullshëm që mbahet mend ndonjëherë nga kompanitë dhe bankat amerikane, pasi atmosfera në Amerikë është e ngarkuar me kredi dhe kështu ka vazhduar pamundësia e larjes së kredive dhe topi i dëborës është rrokullisur derisa është bërë shumë i madh dhe rastet e falimentimit po ndodhin njëpasnjëshëm. Kështu do të ishte natyrshme, që ekonomia njerëzore të ballafaqohej me trazira të vrullshme, me goditje të dhimbshme, të cilat bëjnë që të humbi kontrolli mbi vetveten, të lëkundeshin tregjet e tyre financiare, kompanitë dhe institucionet e tyre bankare dhe të duken me pamjen e atij, që djalli e ka çmendur me prekjen e vet: “...sepse ata thonë se tregtia është njëlloj si kamataria.” (Bekare, 275)

Ndërsa ekonomia islame i ngjason një peme të mirë, e cila e ka rrënjën të fortë në tokë, kurse degët nga qielli. Për këtë arsye ajo do të mbetet kulmore në përjetësi, përderisa të mos e njollosin atë vetë muslimanët, sepse ajo përqendrohet mbi parime dhe baza që e largojnë nga të ekspozuarit e saj para trazirave dhe e bën atë të sigurt nga rënia në krizë.

Aspekte të organizimit islam të ekonomisë

Islami e ka organizuar jetën ekonomike duke vendosur një ligj kompakt nga Krijuesi i Madhërishëm, që krijesat të gëzojnë një jetë ekonomike të sigurt, e cila e respekton të pasurin dhe të varfrin, që e ka në konsideratë interesin e përgjithshëm dhe atë individual dhe ua ruan njerëzve të drejtat e tyre. Kështu Sheriati Islam e ka lejuar shitblerjen. I ka lejuar transaksionet e ndryshme dhe vetëm disa ndalesa i ka përjashtuar, duke e zgjeruar në këtë mënyrë kufirin e së lejuarës. E ka ndaluar kamatën dhe huan me fajde, sepse kamata krijon kasta dhe ndarje në shoqëri, mbjell në mendjet e njerëzve varësinë dhe papunësinë në kurriz të tjerëve, e ngarkon atmosferën shoqërore me dashurinë e vetvetes dhe egoizmin e tepruar. Islami e ka ndaluar shitblerjen e letrave me vlerë, sepse ato ndihmojnë në ligjësimin e kamatës dhe në paketimin e saj në kallëpe letrash, në shpërndarjen e saj në numrin më të madh të mundshëm të pjesëtarëve të shoqërisë, që të njollosen të gjithë me bëzhdile dhe lëmishtet e saj. Po ashtu Islami e ndalon shitblerjen e mallrave të panjohur dhe joekzistues, shitblerjen nëpërmjet kumarit, sepse këto janë mënyra shfrytëzimi të padrejta të pasurive të njerëzve.

Islami lejon tregtinë dhe ndalon monopolizimin e mallrave, sepse monopoli ua nxjerr kafshatën e bukës njerëzve nga gojët e tyre dhe e çon deri te ngritja e çmimeve. Islami ka ndaluar që shitësi të shes prodhimin që nuk e zotëron, ose nuk e ka në pronësi, fitimin nga produkti që nuk garantohet, në mënyrë që fitimin dhe humbjen ta ndajnë të gjithë së bashku. Ka ndaluar po ashtu rrezikimin në dallimin e çmimeve të tregut të mallrave me shifra marramendëse, të cilat nuk reflektojnë realitetin e kompanisë prodhuese, në mënyrë që tregu t’i shmangë veprimet imagjinare etj. Islami ka ndaluar blerjen e mallrave të njerëzve të largët, kur arrijnë afër tregut me qëllim që t’i shesin me çmime shumë më të shtrenjta më pas në atë treg, e ka ndaluar sepse një gjë e tillë e dëmton tregun, pasi çon në dominimin e mallrave, gjë që ndikon negativisht në ngritjen e çmimeve.

Sistemet e reja po ta zbatonin këtë rregull hyjnor të drejtë, nuk do të kishin nevojë ta provonin socializmin, as kapitalizmin që po vërtetohet dështimi i tyre me kalimin e kohës, e për shkak të tyre tregjet po ballafaqohen me kolaps, kompanitë me falimentim etj., por siç thuhet “pas mosbesimit nuk ka më mëkat.”

Kritikat na takojnë edhe neve muslimanëve, kur ecim pas të tjerëve dhe i braktisim mësimet e fesë tonë, e cila na erdhi prej Zotit të Urtë e të Gjithëdijshëm.

Mësime të mëdha dhe këshilla vigane për të mençurit

1.         Mësimi i parë:

Dalja në pah e normës së Allahut lidhur me ata që punojnë me kamatë. Allahu me të drejtë ka thënë: “Allahu ia çrrënjos çdo përfitim kamatës.” (Bekare, 276) Po, për Allahun! Kjo është çrrënjosje. Çfarë çrrënjosje? Çrrënjosje materiale dhe morale. Pasuria e kamatarit mund të jetë gjigante, por begatinë e ka të humbur. Dikush tjetër mund të ketë pasuri më pak, të ardhura të kufizuara, mirëpo nga ajo që ka ndoshta edhe kursen, për shkak se bereqeti i pasurisë së tij bën që ajo t’i mjaftojë për nevojat e veta. Pasuritë e kamatarëve, tregjet e ndërtuara me kamatë, ekonomitë kamatare etj., janë të çrrënjosura pa dyshim.

Po si mos të jenë të çrrënjosura, kur kamatarët i shpallin luftë më të fuqishmit, Allahut?! Krijuesi, Furnizuesi a nuk thotë në librin e Tij: “O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë iu është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë.”? (Bekare, 278-279) A mundet pra, dikush që t’i dalë përballë Allahut? E si do të ishte epilogu, sikur të përballej me Të -Allahu na ruajttë- ? Sa madhështore është Urtësia e Allahut! E sa i ashpër është zemërimi dhe dënimi i Allahut!

A do të pendohet ai që punon me kamatë dhe punon nëpër bankat me kamatë? A ka pendim të sinqertë?! A do të pendohen shtetet që ekonomitë e tyre i kanë të ndërtuara mbi kamatë, mashtrim, kumar, liri të shfrenuar mizore dhe të përfitojnë nga ajo që ndodhi dhe të marrin mësim para se ta arrijnë atë që e arriti ekonomia më e madhe në botë? Normat e Allahut nuk e favorizojnë dikë e ta përjashtojnë dikë tjetër. Prandaj a ka dikush që merr këshillë? A ka dikush që merr mësim?

2.         Mësimi i dytë:

Ajo që ka ndodhur është epilogu i keq i padrejtësisë. Po, për Allahun! Sa i ashpër është përfundimi i padrejtësisë dhe sa i keq dhe sa i shëmtuar është përfundimi i saj! Sa padrejtësi kanë bërë këto shtete tirane, sa njerëz kanë shkelur e kanë tiranizuar?! Sa janë mashtruar kur menduan se kanë fuqinë më të madhe ndër njerëzit?! “Vallë, a nuk e dinin ata se Allahu që i kishte krijuar, është më i fuqishëm se ata?!” (Fussilet, 15)

Vallë, sa shumë i ka dalë në ndihmë Amerika shtetit sionist me mizorinë dhe dhunën e tij kundër palestinezëve. E ka ndihmuar atë me armë, të cilat i ka përdorur për t’i vrarë të pafajshmit. Është pozicionuar me të nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare, duke i dalë në ndihmë dhe duke e mbrojtur atë në mizorinë dhe armiqësinë e tij. Është diçka e ditur ajo që po bën Amerika në Irak dhe Afganistan, dhe fatkeqësitë e shumta që po ndodhin në këto vende, për shkak të saj, si vrasje, shkatërrim, zhvendosje, bonjakëri, vejëri, përhapje të imoralitetit dhe të dukurive negative, plaçkitje të të mirave, vjedhje të pasurisë, prishje të interesave të njerëzve, mbjellje të frikës dhe mossigurim të pasurisë, familjes dhe nderit të tyre etj.

Allahu ka thënë: “Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin).” (Ibrahim, 42) Po ashtu ka thënë: “I tillë është dënimi i Zotit tënd, kur ndëshkon vendbanimet që bënin gjynahe. Me të vërtetë, dënimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër.” (Hud, 102) Po ashtu ka thënë: “Askush tjetër, përveç Tij, nuk e di numrin e ushtrisë së Zotit tënd.” (Mudethir, 31)

Po kështu do të jetë përfundimi, dhe këto janë vetëm disa dënime të Allahut të Madhërishëm: “Me të vërtetë, Zoti yt dënon shpejt, por Ai është edhe Falës e Mëshirëplotë.” (Arafë, 167) dhe “Ti (o Muhamed) mos u mashtro nga bredhja e jobesimtarëve nëpër botë! Kjo mirëqenie është e shkurtër; pastaj, strehimi i tyre është Xhehenemi. Eh, sa shtrat i keq është ai vend!” (Ali Imran, 196-197)

Hoxha Abdurrahman Sa'dij, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Në këtë ajet është si qëllim dhënia gajret muslimanëve kur shikojnë se si mosbesimtarët mund të kenë nga të mirat e dynjasë, begatimi me to, lëvizja e tyre nëpër vende me lloje të ndryshme tregtie, përfitime, kënaqësi, pastaj me llojet e krenarisë dhe të mbisundimit nganjëherë. E gjithë kjo është “mirëqenie e shkurtër”, e cila nuk ka stabilitet dhe qëndrueshmëri, por kënaqen me to për një kohë të shkurtër, kurse dënohen për to për një kohë të gjatë. Kjo është gjendja më e favorshme e mundshme për mosbesimtarët.”

3.         Mësimi i tretë:

Vështro lexues i nderuar, se si Allahu është hakmarrë ndaj këtij vendi të padrejtë dhe si e ka bërë ushtrinë e Tij të mbizotërojë mbi ta. Nuk ua solli ndonjë armik i jashtëm që mundohet ta zhdukë farën e tyre me armë të shkatërrimit në masë, me prodhimin dhe zotërimin e të cilave i paraprin botës e të thuhej pastaj: “U shkatërruan atëherë kur nuk kishin eksperiencë me armë nga të cilat nuk ka mundësi të shpëtosh e as nga pasojat e tyre”. Allahu nuk iu çoi atyre uragane, tërmete dhe katastrofa, të cilat zhdukin të njomin dhe të thatin, edhe pse sprovohen nga pak me këto gjëra për çdo vit, e të thuhet pastaj: “U goditën nga katastrofa natyrore e jo nga gabimet e tyre shkencore, nga sistemet e tyre apo nga politikat e tyre”. Jo, por Allahu me urtësinë e Tij dhe me fuqinë e Tij i goditi nëpërmjet asaj që ata i mburreshin botës, u bënin marketing dhe e qarkullonin ndërmjet vetes. Madje premtonin dhe kërcënonin për shkak të saj. Luftonin dhe okuponin shtete, i lejonin vetes të mirat e tyre me pretekstin e zbatimit dhe përhapjes së saj në mesin e tyre. Pastaj i dënonin, iu venin embargo, ua kufizonin lëvizjet atyre që e refuzonin sistemin e tyre kapitalist liberal, ku pamjet më të theksueshme dalin në pah në lirinë e tregut dhe të ekonomisë.

Një gjë tjetër është se fuqia më e madhe e këtij shteti të madh ishte vetë forca ekonomike. Prandaj Allahu ua solli atyre dënimin nga nuk e prisnin. Po, për Allahun. Ata mendonin – dhe supozimi i tyre ishte i rrejshëm- se ekonomia e tyre si dhe politikat e tyre fiskale do t’i forconin ata edhe nga Allahu, e të mos flasim për njerëzit. Allahu kur foli për hebrenjtë e fisit Benu Nadir tha: “Allahun e madhëron çdo gjë në qiej dhe çdo gjë në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti. Është Ai, që i nxori nga shtëpitë e tyre ata që nuk besuan midis Ithtarëve të Librit në kohën e dëbimit të parë. Ju nuk mendonit se ata do të iknin, kurse ata mendonin se fortesat e tyre do t’i mbronin prej Allahut. Por dënimi i Allahut u erdhi andej nga ata nuk e pritnin, duke mbjellë në zemrat e tyre frikën, e cila bëri që ata t’i shkatërronin shtëpitë e veta me duart e tyre, si dhe me duart e besimtarëve. Prandaj mësoni nga kjo, o ju largpamës!” (Hashër, 1 dhe 2)

Shumica e njerëzve menduan –dhe gabuan- se nuk ka mundësi që ekonomia amerikane do të shkojë në recesion, ose t’i ndodhë ndonjë krizë si kjo që i ka ndodhur “ju nuk mendonit se ata do të iknin”. Po ashtu vetë amerikanët kanë menduar se sistemi i tyre, ligjet e tyre të tregut, kapitalizmi, liberalizmi dhe liria e supozuar e tregut të tyre do t’i mbrojë nga dënimi dhe zemërimi i Allahut, prandaj “dënimi i Allahut u erdhi andej nga nuk e prisnin”. Subhanallah! Tani kanë ndërhyrë në tregjet e tyre dhe ua kanë marrë atë “lirinë” e supozuar dhe “demokracinë” që e ndërtuan vetë. E kanë kundërshtuar kapitalizmin e tyre dhe i kanë thyer ndërtesën atij me duart e veta “bëri që ata t’i shkatërronin shtëpitë e veta me duart e tyre”. I Lartësuar qoftë Allahu, Krijuesi i gjithësisë, Fuqiploti, që thotë: “Askush tjetër, përveç Tij, nuk e di numrin e ushtrisë së Zotit tënd.” (Mudethir, 31)

4.         Mësimi i katërt:

Kjo që ka ndodhur është fillimi i rënies së sistemit kapitalist liberal dhe zbardhje e defekteve dhe e dështimeve të tij. Kjo krizë ka rrënuar shumë parime të liberalizmit ekonomik, për të cilat propagandonte Amerika. Ajo po ashtu vërtetoi se lënia e lirë e ekonomisë së tregut me vetërregullim, pa kurrfarë mbikëqyrje çon në katastrofa që e godasin për vdekje mbarë ekonominë, si rezultat i dëshirave të papërmbajtura të disa kapitalistëve lakmitarë për pasuri vigane, duke mos shikuar përfundimet e mundshme. Kjo solli që mbarë bota që po bie viktimë e kumarit që po luajnë disa biznesmenë në Wall Street, në mënyrë që të mësojnë të mashtruarit realitetin e hidhur të këtij sistemi dhe ta dinë se është i paaftë për t’i kënaqur nevojat e njerëzve. Ta dinë se e vërteta, e drejta, hairi dhe mëshira janë në programin islam unik, të zbritur prej Allahut, që njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithënjoftuar. “Sikur ithtarët e Librit të besonin dhe të ruheshin nga mohimi, Ne do t’ua mbulonim veprat e këqija dhe do t’i shpinim në kopshtet e kënaqësisë. Sikur ata t’i përmbaheshin Tevratit e Inxhilit dhe asaj që u është shpallur nga Zoti i tyre, ata do të kënaqeshin me frytet (që rriten) sipër dhe poshtë tyre. Disa prej tyre janë të matur, por shumë prej tyre bëjnë vepra të këqija.” (Maide, 65-66)

Me besim në Allahun dhe në atë që ka ligjësuar, me realizimin e devotshmërisë ndaj Allahut dhe pasimin e Sheriatit të Tij, arrihen mirësitë, përfshijnë begatitë dhe zbret përdëllimi. Allahu thotë: “Sikur të qëndronin në rrugën e vërtetë, Ne do t’u jepnim ujë të bollshëm, për t’i vënë ata me këtë në sprovë. Por këdo që largohet nga këshillat e Zotit të tij, Ai do ta hedhë në një dënim të ashpër.” (Xhin, 16-17)

5.         Mësimi i pestë:

Autoritetet islame nëpër bankat islame, ose ato që kryejnë veprime të pjesshme islame të kenë kujdes dhe ta kuptojnë rrezikun e qartë dhe mëkatin e madh, që përmbajnë shumë prej transaksioneve kreditore të reja dhe të mos tolerojnë në emërtimin e tyre, si letra apo çeqe islame. Po ashtu mos të tolerojnë në lejimin e disa mënyrave të transaksioneve, të cilat i kanë ndaluar shumica e dijetarëve islamë bashkëkohorë, e të shkaktojnë –mos dhëntë Allahu- fatkeqësi ekonomike ose humbjen e pasurisë së njerëzve apo falimentimin e saj, në kohën kur disa ekspertë perëndimorë të ekonomisë po bëjnë thirrje për ndjekjen e ekonomisë islame dhe të praktikuarit e saj.

O Zot, zbute gjendjen e muslimanëve në çdo vend!

O Zot, nxirri muslimanët nga kjo sprovë të shëndoshë, fitimtarë, të penduar dhe drejt Allahut të kthyer!

O Zot, kërkojmë mbrojtjen tënde nga sprovat e dukshme dhe ato të padukshme!

O Zot, largoje nga ne dhe nga gjithë muslimanët shtrenjtësinë, epideminë, recesionin dhe shkatërrimin dhe na mëshiro me mëshirën tënde, që ka përfshirë çdo gjë, o i Lartësuar!

Nga arabishtja: Muhamed DËRMAKU

Google könyvjelzőLink megosztása: Del.icio.usTwitterAjánlás a linkter.hu-raFacebookDigg
JP-Bookmark