FJALË MË ME VLERË SE ARI! ( 1 )

FJALË MË ME VLERË SE ARI! ( 1 )

0 2383
  1. Fillo takimin me njerëzit me përshëndetjen islame (selamin) dhe i buzëqeshur. Interesohu për hallet dhe dertet e tyre, ngase kështu bëhesh i dashur dhe i pranuar në zemrat e tyre.
  2. Mos u dëshpëro për sprovat e shumta, ngase sprovat të afrojnë tek Allahu, të mësojnë se ti duhet t’i lutesh Allahut më shpesh. Sprovat e shumta të largojnë mendjemadhësinë, vetëpëlqimin، kryeneçësinë dhe vetëmburrësinë. Sprovat e shumta të bëjnë më aktiv në adhurim dhe më të përulur para Allahu të Madhërishëm.
  3. Ripërtrije jetën tënde, ndrysho metodat e jetesës, largohu nga rutina e jetesës tënde me të cilën je mësuar të jetosh pa plane, pa ambicije, pa projekte, pa vullnet dhe pa punë. Kërko ndihmën nga Allahu, mbështetju Atij dhe ndërmerr masa pozitive për ta ndryshuar jetën tënde, për t’i dhënë asaj kuptimin i plotë dhe qëllimin e ardhjes tënde në këtë botë.
  4. Lukman Hakimi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Me të vërtetë dynjaja i përngjan detit të thellë në të cilin janë fundosur shumë njerëz. Le të jetë anija jote e lundrimit në te devotshmëria ndaj Allahut, ngase devotshmëria ndaj Allahut të mbron nga fundosja në det.”
  5. Katër gjëra e sjellin dhe e shtojnë riskun:
    a) Falja e namazit të natës.
    b) Shpeshtimi i istigfarit.
    c) Dhënia e sadakasë.
    d) Dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes.
  6. Katër gjëra e pakojnë riskun:
    a) Fjetja pas faljes së namazit të sabahut.
    b) Lënia e namazit të natës.
    c) Përtacia.
    d) Mashtrimi.
  7. Besimi në caktimin e Allahut e bën besimtarin që të jetë i qëndrueshëm përballë çdo sprove dhe sfide në rrugëtimin e tij drejt xhenetit.
  8. Sharjet dhe ofendimet të cilat të vijnë nga armiqtë dhe ziliqarët, tregojnë vlerën dhe pozitën tënde të madhe që ke në mesin e tyre. Ngase, ata nga xhelozia e madhe që kanë për ty, nuk dinë ta shprehin mllefin e tyre ndryshe, përveçse me sharje, ofendime, bartje fjalësh dhe përgojime.
  9. Mos u mërzit dhe mos u ndiko aspak nga fjalët e këqija dhe fyese të cilat të vijnë nga njerëzit e poshtër dhe të këqij. Ngase ato fjalë nuk të bëjnë dëm ty, por i bëjnë dëm atyre.
  10. Ruaje veten tënde nga mëkatet, ngase mëkatet janë shkak kryesorë i shfaqjes së problemeve, dëshpërimeve dhe vështirësive të shumta në jetën tënde.
  11. Mos i gëzo armiqtë e tu me nervozizëm dhe mërzi, ngase kjo është dëshira e tyre e flaktë dhe e shtrenjtë. Armiqtë e tu duan të të shohin nervoz dhe të mërzitur, duan të të nxihet jeta yte me probleme.
  12. Mos u ul me njerëz ziliqar, e që bartin fjalë, ngase ata janë helm për zemrën tënde, të ulurit me ta është sëmundje e cila bartë me vete vuajtje, mërzi dhe dëshpërime të panumërta.
  13. Dije se, ai që të ka përgojuar t’i ka dhuruar disa nga veprat e tij të mira, e t’i ka marrë disa mëkate që ti i ke vepruar më parë dhe të ka bërë të njohur në mesin e atyre që të ka përgojur. Andaj, mos u dëshpëro që të ka përgojuar, ngase kjo ështê mirësi për ty.

Nga arabishtja: Suad B. Shabani

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM