FJALË TË ARTA NGA GJENERATAT E ARTA

FJALË TË ARTA NGA GJENERATAT E ARTA

0 1076

Pejgamberi, – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem !-, ka thënë: “Allahu e ndriçoftë fytyrën e atij që dëgjon një hadith nga ne, e mëson përmendsh dhe e përcjell ashtu siç e dëgjon.” [1]

El-Hasen (el-Basri),Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Fekih (ai që zotëron kuptimin e Fesë) është vetëm ai që tërhiqet larg jetës së kësaj dynjaje, dëshiron jetën e botës tjetër, ka një kuptim të thellë në fenë e tij dhe është vazhdimisht i paepur në adhurimin e Zotit të tij.”[2]

Pejgamberi, -sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem !-, thoshte pas namazit të sabahut, pasi jepte selam (në të djathtë dhe në të majtë) këtë dua:

“Allahumme inni es’eluke ‘ilmen nafi’an, ue rrizkan tajiban ue ‘amelen mutekabelen.”
“O Allah, unë të kërkoj dije të dobishme, furnizim të mirë dhe vepra të pranuara.”[3]

Prej Ebu Dherrit Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë:
“Miku im (Pejgamberi alejhi selam) më ka porositur të mos i shikoj ata që janë më lartë se unë (me pasuri, pozitë, shëndet etj.), por t’i shikoj ata që janë më poshtë se unë.
Më ka porositur t’i dua të ngratët dhe të rrij me ta.
Më ka porositur të sillem mirë me të afërmit dhe t’i vizitoj ata, edhe nëse ata më kthejnë shpinën.
Më ka porositur që të them të vërtetën, po edhe nëse ajo është e hidhur.
Po ashtu më ka porositur që sa më shumë të them:
LA HAULE VE LA KUVVETE IL-LA BIL-LAH, sepse ajo është një arkë me gjëra të çmuara nga arkat e Xhennetit”.[4]

Nga kjo porosi mësojmë se besimtari duhet të jetë mirënjohës ndaj të mirave të All-llahut dhe të sillet mirë ndaj njerëzve.

Hamad el-Ensari, -Allahu e mëshiroftë!-, ka thënë: “Është obligim për studentin e dijes që të njohë biografitë e Selefëve dhe t’i pasojë ata sepse koha në të cilën jetojmë është sprovuar nga mungesa e studimit të biografive të Selefëve”.

Abdullah Ibn Mes’udi , -Allahu e mëshiroftë!-, ka thënë: “Mësoni! Dhe kur të keni mësuar, atëherë punoni.”

Jusuf Ibnul-Hunejn , -Allahu e mëshiroftë!-, ka thënë: “Me sjelljet e mira ju kuptoni dijen, me dijen korrigjohen veprat tuaja, me veprat arrihet urtësia, me urtësinë ju kuptoni zuhdin dhe përfitoni prej tij, me zuhdin vjen braktisja e dynjasë, me braktisjen e dynjasë vjen përmallimi për Ahiretin dhe me përmallimin për Ahiretin fitohet Kënaqësia e Allahut Azze ue Xhel.”

Malik Ibn Dinar , -Allahu e mëshiroftë!-, ka thënë: “Kur një rob kërkon dije për ta praktikuar atë, dija e bën atë modest (të përulur) dhe kur e kërkon atë për diçka tjetër, ajo do t’i shtojë moralin e poshtër dhe mendjemadhësinë.”

Ebu Hurejra, -Allahu qoftë i kënaqur me të !-,  ka thënë: “Shembulli i dijes e cila nuk vihet në zbatim është si puna e pasurisë e cila nuk shpenzohet në rrugën e AllahutAzze ue Xhel.”

Ebu Derda, -Allahu e mëshiroftë!-,  ka thënë: “Unë nuk kam frikë se do më thonë: O Amir çfarë ke mësuar? Por më tepër merakosem se do më thuhet: O Amir, çfarë ke bërë me atë atë që ke mësuar!”

Omer Ibn Abdul-Aziz, -Allahu e mëshiroftë!-, ka thënë: “Kushdo që nuk e konsideron fjalën si pjesë të punës së tij do të bëjë gjynahe tej mase; dhe kushdo që punon pa dije do të bëjë më shumë keq sesa mirë.”

Pejgamberi, -sal-lAllahu alejhi ue sel-lem !-, ka thënë: “Kush mëson diçka prej diturisë me të cilën kërkohet Fytyra e Allahut, por ai nuk e mëson atë përveç se për të arritur disa qëllime të kësaj dynjaje, ai nuk ka për ta nuhatur aromën e Xhenetit në Ditën e Gjykimit.[5]

Imam Shafiu,- Allahu e mëshiroftë !-, thotë: “Nëse je nisur rrugës kah Allahu atëherë vrapo, nëse të vjen rëndë atëherë nxito, nëse lodhesh atëherë ec dhe nëse nuk mundesh atëherë shko zvarrë. Mjerë për ty nëse kthehesh mbrapa”.

Kur përmendeshin vlerat morale të Selefëve, Ibnul-Mubaraku, – Allahu e mëshiroftë!-, thoshte vargjet e mëposhtme poetike:

Mos na përmendni përkrah atyre që kanë kaluar, ngase ai që ecën drejt nuk është njësoj me një të gjymtuar.

Ebu Sulejman ed-Daranij, -Allahu e mëshiroftë !-, ka thënë: “Kush merret me vetveten e tij nuk ka kohë të merret me të tjerët.”

Ibn Kajimi Allahu e mëshiroftë !-, ka thënë: “Kush e nënçmon dikë për mëkatin që ka, nuk do të vdesë pa rënë vetë në atë mëkat”.

”Po ta dëgjoje gërvishtjen e lapsit të melaqeve duke ta shënuar emrin në regjistrin e personave që përmendin Allahun do të vdisje nga gëzimi dhe qejfi ”.

Njëri prej Selefëve ka thënë: “Njeriu që ka dije duhet të hedhë baltë mbi kokën e tij nga përulësia para Zotit të tij.”[6]

Fjalë e urtë Arabe:

“Çdo gjë që shtohet me bollëk (mallra apo diçka tjetër) i ulet çmimi i saj, përpos edukatës(moralit). Ajo aq më shumë kur shtohet e ngrit vlerën dhe çmimin e besimtarit”.

Ebu Hatim el Ahmesh, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Ngutia është prej shejtanit, përveç në pesë raste:

  1. Pritja dhe gostia e mysafirit me ushqim.
  2. Përgatitja dhe larja e xhenazes e atij që vdes, duke mos e vanuar atë.
  3. Shpejtimi i martesës kur hyn në moshën madhore.
  4. Obligimet Fetare të kryhen në kohën e caktuar, e jo të vonohen.
  5. Shpejtimi i pendimit nëse vepron një mëkat.

Është e pëlqyer për personin  i cili dëshiron të studion shkencën e hadithit që të jetë beqar(nëse ka mundësi), në mënyrë që gjatë kërkimit të hadithit mos të ketë preokupime dhe angazhime ndaj gruas së tij, e kjo pastaj të ia dobësoj dhe marrë kohën gjatë asaj periudhe.

Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nëse e sheh kërkuesi i diturisë që ka mundësi të bëjë sabër që të mos martohet gjatë kërkimit të diturisë dhe ka mundësi të ruaj shikimin nga harami le ta bëj. Mirëpo nëse  e sheh që nuk mund të bëj sabër dhe nuk mund të ruaj shikimin nga harami, atëherë e ka vaxhib(obligim) që të shpejtojë martesën”.

Një ditë Rebi ibën Hejthem, i tha shokëve të tij: “A e dini se çka është sëmundja,ilaçi dhe shërimi? Ata(shokët) thanë jo. Ai u tha:Sëmundja është të bërit gjynahe,ilaç është pendimi, dhe shërimi është të pendohesh prej një mëkati dhe të mos kthehesh më në te.

Sufjan eth Theuriu,-Allahu e mëshiroftë,- ka thënë: “Patjetër duhet të pajiset me  këto tre cilësi,ai i cili dëshiron të ndalojë të tjerët nga punët e këqija:  Të pajiset me; dituri, butësi dhe me sabër”.

Përktheu dhe Përshtati nga arabishtja: Suad Shabani

Burimi: albislam.com

[1] Transmetuar nga Ahmedi (5/183), Darimi (1/75), Ebu Davud (3/438), Ibn Maxheh (1/84), Tirmidhi (10/124) dhe Ibn Hibban (1/225) etj.

[2] Transmetuar nga Ahmedi në ez-Zuhd (fq. 267), Darimi (1/89), Axhurri në Ahlakul-‘Ulema (fq. 74) dhe Ebu Nu’ajmi në Hiljetul-Eulija (2/147) dhe zinxhiri i transmetimit është i mirë (Hasen).

[3] Ky hadith është mbledhur nga Ahmedi në ‘Musned Bakil-Ensar’ (n. 25982), Ibn Maxheh në Sunenin e tij në Librin e Faljes së Namazit dhe Sunetet e tij, kapitulli: “Çfarë duhet të thuhet pas Selamit”. E ka transmetuar edhe Bejhakiu në ‘ed-Da’uetul-Kebir’. Ka thënë el-Albani (rahimehullah): “Taberani e ka mbledhur atë në ‘el-Mu’xhemus-Sagir’ me një zinxhir të saktë.” Shiko ‘el-Mishkat’ (n. 2498).

[4] Transmetojnë Taberaniu dhe Ibni Hibbani në Sahihun e tij.

[5] Transmetuar nga Ebu Davudi me një zinxhir të mirë transmetimi.

[6] Transmetuar nga Axhurri në Ahlakul-‘Ulema (fq. 71) dhe el-hatib el-Bagdadi në el-Fekih uel-Mutefekkih (2/113) si një thënie e Ejubit dhe zinxhiri i transmetimit është i saktë (Sahih).

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 238

0 259