HASEDI – ZILIA

HASEDI – ZILIA

0 7122

Zilia është sëmundje nga sëmundjet e shpirtit, e cila paraqitet ndërmjet ortakëve disa herë, dhe kjo nisur nga shkaku i urrejtjes së njeri-tjetrit, ose ngase njëri është më i shkathët se tjetri në ndonjë aspekt të jetës e kështu me radhë. Ndërmjet kësaj vrime depërton shumë shpejt shejtani në trupin e njeriut. Gjithashtu kjo cilësi është cilësi e poshtër dhe e ulët e çifutëve. Allahu thotë: “A u kanë zili atyre njerëzve për atë që Allahu u dha nga mirësitë e Tij? Ne u patëm dhënë pasardhësve të Ibrahimit librin e sheriatin dhe u patëm dhënë atyre pushtet të madh.”[1] Është zjarr i ndezur fortë kush sprovohet me të, e ai që është sprovuar me këtë ves ka rënë në dënimin e Allahut. Poeti thotë:

 

Për Allahun nuk ka diçka më të keqe se zilia

Fillon me poseduesin e saj, derisa në fund e mbyt edhe pronarin e saj!

 

Është thënë: Mëkatet e para që janë bërë në tokën e Allahut ndaj Tij janë tre: “Ëndja, mendjemadhësia dhe zilia. Ëndja ishte nga Ademi, paqja e Allahut qoftë mbi të, mendjemadhësia nga Iblisi, kurse zilia nga Kabili, djali i Ademit i cili e vrau vëllain e vet Habilin.”

Zilia është lloj armiqësie e shfaqur ndaj Allahut, sepse ziliqari i urren mirësitë e Allahut mbi robërit e Tij, kurse Allahu e ka dashur një gjë të tillë, ndërsa ky dëshiron që kjo gjë të zhduket nga robi i Tij. Madje ky person bije ndesh me caktimin e Allahut, pra kjo është të mos jesh i kënaqur me atë që e ka caktuar Allahu, si dhe kundër asaj që është e dashur tek Allahu. Poashtu një gjest i tillë është mohimi i vëllazërisë në islam.

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të,  thotë: “Mos keni zili njëri tjetrin, mos e mashtroni njëri tjetrin në tregti, mos e urreni njëri tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri tjetrit, mos i ndërhyni njëri tjetrit në shitblerje, por bëhuni robër të Allahut të vëllazëruar.”[2]

Ziliqari urren mirësitë e Allahut ndaj robërve të Tij, ndërsa nga ana tjetër njerëzit atë e urrejnë. Ai e donë vetëm vetveten, nuk dëshiron tu bëjë mirë të tjerëve pasi që nuk posedon mëshirë dhe dashuri për të tjerët në zemrën e tij.

Muavije ibn Ebi Sufjani, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Çdo njeri mundem ta kënaq, përveç ziliqarit ndaj begative që i posedojnë të tjerët. Atë e kënaq vetëm mbarimi i mirësive që kanë të tjerët.”

Ibn Kajjimi ka thënë: “Ziliqari është armik i begative të Allahut ndaj robërve të Allahut. Ky njeri është i urryer tek Allahu dhe te njerëzit, nuk udhëheq asnjëherë e as që pajton dikë, njerëzit shkojnë tek ai vetëm për interes.”[3]

Njeriu me vlera nuk është ziliqar. Ziliqari e urren atë që ka merita e Allahu mund ti japë meritorit nga begatitë e shumta të Tij, madje edhe t’ia shtojë ato. E ziliqari s’ka çka bën, pos që ta dëmtojë vetveten.

Ibn Tejmije thotë: “Ai i cili e urren begatinë e Allahut ndaj dikujt tjetër, kjo është sëmundje, ngase begatia mund ti shtohet atij të cilin e ka dikush zili edhe më shumë ose ngjashëm me zilinë që i bëhet atij.”[4]

Ai i cili në zemrën e tij ndjenë zili për dikën, le ta luftojë zilinë me devotshmëri dhe me durim.

Rexha ibn Hajvete thotë: “Çdoherë që njeriu e përkujton vdekjen, nga ai largohet zilia dhe mburrja me vetveten.”

Prandaj o rob i Allahut nxito ta largosh zilinë nga zemra yte, bëni mirë atij të cilin e ke zili si dhe bën dua për të me qëllim që ta shërosh sëmundjen tënde me këtë gjest. Përmende personin për të mirë, derisa ta arrish atë gradë sa që të mirën që e donë për vete ta duash edhe për të, madje edhe me tepër se sa e donë për veten tënde.

Ibn Rexhebi ka thënë: “Ta duash për të tjerët diçka ashtu siç e donë për vetveten është gradë më e lartë e besimit. Personi me këtë besim është besimtarë i plotë, i cili e donë për vëllain e tij atë që e donë për veten e tij.”[5] Atë të cilin e kanë zili të tjerët, këtij personi i bëhet padrejtësi, ky person duhet të bëjë durim, të ketë frikë Allahun, të durojë ndaj dëmeve të ziliqarëve, t’ua falë atyre, ngase kështu ngrihen gradat tek Allahu Fuqiplotë.

Ibn Kajjimi thotë: “Prej gjërave më të rënda mbi njeriun që me të të ketë sukses nga Allahu është shuarja e zjarrit të ziliqarit dhe atij që i ka bërë padrejtësi, duke i bërë mirë atij. Sa i shtohet këtij e keqja, dëmi e teprimi, ky ia kthen me mirësi, këshilla dhe mëshirë ndaj tij.”[6]

 

Përgaditi: Nexhat Ceka

[1] Nisa: 54.

[2] Transmeton Muslimi.

[3] “Bedaiul-fevaid“ 2/462.

[4] “Mexhmu fetava“ 10/112.

[5] “Xhamiul-ulumi vel-hikem“ 2/263.

[6] “Bedaiul-fevaid“ 2/468.

GJITHASHTU NË ALBISLAM