I kanë bërë magji dhe është ndarë nga i fejuari?

I kanë bërë magji dhe është ndarë nga i fejuari?

0 5980

Pyetje:Kryesisht bëhet fjalë për disa simptome që janë paraqitur pas fejesës. Ato simptome janë një hije e zezë e cila paraqitet, vjellje, refuzimi i teshave që janë dërguar si dhuratë etj.. Për magjinë është akuzuar… Vajza pastaj ka përjetuar diçka që përshkruhet si një  formë të komës dhe pasi që në fillim vajza ka ndier siguri në prani të fejuarit të saj ajo në fund të refuzon të takohet me të dhe ka refuzuar martesën me të.

Përgjigje:

Allahun e falënderojmë ashtu si i përkon madhërisë së tij dhe dërgojmë salavate mbi të Dërguarin mëshirë për botët.

Gjëja me të cilën do ta këshilloja vëllanë është të jetë durimtar dhe të pajtohet me caktimin e Allahut i cili me diturinë e Tij absolute dhe me urtësinë e Tij të pakufishme i cakton gjërat.  Allahu e ka caktuar që kjo botë të jetë vend i sprovave, ndërsa shpërblimi i pakufishëm i pret durimtarët në ahiret.

Duhet ta dish vëlla i nderuar se magjia (sihri) është një realitet i cili është shumë i përhapur në shumë shoqëri. Ajo që vazhdimisht duhet ta kemi në dijeni është të mundohemi ta mbrojmë veten prej sihrit, duke e forcuar imanin, duke lexuar Kuran, duke i lexuar lutjet që i ka bërë i Dërguari i Allahut në situata të ndryshme, duke qëndruar me abdest, etj.

Për parandalimin e sihrit duhet të kemi parasysh këto veprime:

1. Besimi i shëndosh që nuk është njollosur me shirk apo ndonjë formë të risisë (bidatit). Bindja dhe besimi i fortë janë kështjella mbrojtëse e besimtarit, prandaj besimtari duhet të ruhet nga gjërat që e dobësojnë imanin e tij, që shkaktojnë dyshime që i shpijnë njerëzit të kërkojnë ndihmë prej magjistarëve.

2. Mbështetja e plotë tek Allahu (tevekul-li) dhe bindja se Allahu është i Vetmi që mund të sjell dobi dhe dëm. Mbështetja tek Allahu është prej shkaqeve më të mëdha për parandalimin dhe largimin e sprovave. I Lartësuari thotë: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” (Talak, 3)

Atij që i mjafton Allahu, dhe atij që mbrojtje vetëm prej Allahut kërkon, atij nuk do ti bëj dëm asgjë përpos gjërave me të cilat Allahu i sprovon gjithë njerëzit si ftohti, nxehtësia, uria dhe etja, thotë Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë.

Allahu, subhanehu ue teala, për shejtanin dhe pushtetin e tij thotë: “Pushteti i djallit është vetëm mbi ata,që i binden atij dhe adhurojnë zota të tjerë veç Allahut.” (Nahl, 100)

3. Frika e vetme e jonë duhet të jetë frika prej Allahut, Sunduesit me botën e dukshme dhe atë të padukshme.

4. Shmangja prej zhytjes thellë në çështjet dhe temat rreth iluzioneve dhe fantazmave.

5. Kërkimi i strehimit tek Allahu në vazhdimësi.

6. Pastrimi i zemrës, synimi fisnik dhe mosmashtrimi i muslimanëve.

7. Kujdesi i veçantë për faljen e namazit, në kohë, në xhemat, me përulje dhe përkushtim. Moskujdesi për namazin e hapë rrugën e forcimit të ndikimit të shejtanit.

8. Përmendja e shpeshtë e Allahut dhe kujdesi ndaj lutjeve të mëngjesit, mbrëmjes si dhe lutjeve që i ka bërë i Dërguari i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ue selem, në situata të ndryshme.

9. Kërkimi i mbrojtjes prej Allahut për fëmijët dhe familjen.

10. Pendimi dhe kërkimi i faljes. Gjërat që i ndodhin njeriut janë pasojë e mëkateve të tij. Me pendim fshihen gjurmët e mëkatit.

11. Pastrimi i shtëpisë prej fotografive, statujave, qenve, aleteve muzikore dhe të gjitha mjeteve që vëmendjen e njeriut e drejtojnë tek gjërat e dëmshme ose tek ato të padobishmet.

12. Pastërtia – abdesti, guslli dhe pastrimi i gjërave që në Islam konsiderohen papastërti. Vendet e papastra janë vendtubimi i djajve.

13. Duaja e sinqertë që vazhdimisht të jemi nën mbrojtjen e Allahut, subhanehu ue teala.

14. Leximi i Kuranit në shtëpi, në veçanti leximi i kaptinës El Bekare.

15. Kur të sheh diçka të bukur tek vetja ose tek tjerët le të thotë: Mashalla, tebarekallah la kuvete il-la bil-lah.

16. Devotshmëria e cila nënkupton zbatimin e urdhrave të Allahut dhe largimi prej gjërave dhe veprimeve që ika ndaluar.

17. Durimi, shpresa për shpërblim për çdo sprovë e cila na ndodh dhe mendimi i mirë për Allahun e madhëruar.

Nëse ndodh që dikush të sprovohet me sihr atëherë duhet të kërkon shërimin e lejuar tek ata që shërojnë me Kuran dhe me sunnetin e të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem. Nuk lejohet që shërimin ta kërkojmë tek ata që përdorin nuska, shkrijnë plumb, që bashkëpunojnë me xhin etj.

Gjithashtu nuk duhet tu besojmë atyre që akuzojnë dikë me emër se ai e ka bërë magjinë. Kjo gjë është shenjë e qartë se bëhet fjalë për magjistar e jo për dikë që u ndihmon të shërohen njerëzit me Kuran dhe Sunnet. Këshilloje vëlla familjen e vajzës që të kërkojnë shërim prej Allahut dhe të shkojnë tek ai i cili njerëzve u ndihmon me lexim të Kuranit dhe me Sunnetin e Muhammedit, sal-lallahu alejhi ue selem.

Ti vëlla mundohu ta stolisësh veten me durim dhe devotshmëri dhe lute Allahu që pas kësaj sprove të vjen lehtësim prej Allahut dhe një rast tjetër i volitshëm për martesë.

Allahu e di më së miri.

Burimi; albislam.com