IMORALITETI NËN KËNDVËSHTRIMIN KUR’ANOR

IMORALITETI NËN KËNDVËSHTRIMIN KUR’ANOR

0 1499

Muhamedi, -alejhi selam-, ka thënë: “Syri bën zina dhe zinaja e syrit është të shikuarit haram, dora bën zina dhe zinaja e dorës është prekja haram, këmba bën zina dhe zinaja e këmbëve është të ecurit për të bërë haram, ndërsa të gjitha këto ose i vërtëton ose i përgënjeshtron organi gjenital“. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Pejgamberi, -alejhi selam-, ka thënë: “Më e mirë për juve (meshkujve ose femrave) është ta ngulitni një hekur në kokë se sa ta prekni dorën e dikujt jo mahrem“. Transmeton Taberaniu dhe Bejhekiu, shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, e saktëson hadithin. Me prekje nënkuptohet: masturbimi, të folurit e grave për dore, me të cilat e ke hallall-të lejuar martesën, shkrimi e mesazheve të dashurisë në celular apo rrjete sociale. Andaj, prekja e dorës së një femre të huaj është zina-prostitucion. Allahu na ruajt.

Nëse prekja e dorës në sheriatin Islam nuk ka ndonjë ndëshkim të përcaktuar që njihet si “Had”-Sanksion d.m.th me citat nga Kur’ani ose Suneti, ai merr një dënim që quhet “Tazir”-Sanksion i papërcaktuar, d.m.th i lihet në dorë gjykatësit të merr vendimin, andaj kjo nuk na jep të drejtën të prekim femrat e huaja me dorë, etj. Dijetarët e katër medh’hebeve kanë përmendur se është haram puthja e femrës se huaj me epsh ose pa epsh. Imam el-Murginani -Allahu e mëshiroftë- nga dijetarët e medh’hebit hanefij në librin e tij “El-Hidaje” thotë: “Nuk lejohet që të preket fytyra apo duart e femrës (së huaj), edhe nëse je i sigurt nga epshi”.

Imam Nveviu -Allahu e mëshiroftë-, thotë: ”Çdo gjë që ndalohet shikimi në atë, ndalohet edhe prekja, bile prekja është më e rëndë, sepse lejohet të shikosh në femrën e huaj nëse dëshiron ta martosh, por nuk lejohet të prekësh diçka prej saj”. Disa dijetarë kanë thënë nëse është i ndaluar shikimi edhe më primare është ndalimi i prekjes, sepse ajo është më afër epshit. Disa dijetarë kanë thënë se: Nuk mund të paramendohet që një njeri të puthë një grua të huaj e të mos i ngritet epshi, përveç nëse ai ka humbur cilësitë e burrërisë.

O vëlla/motër! E ke obligim të largohesh nga ai\ajo, të pendohesh tek Allahu për atë që ke bërë me dije ose pa dije, nxito të martohesh sa më parë me atë që je i\e kënaqur me moralin dhe fenë e tij/saj, qëndro larg çdo vendi të dyshimit apo personi që nxitë në punë të ndyta direkt ose indirekt, zgjedhe shoqërinë e mirë dhe shoqërohu me ata që të afrojnë tek Allahu dhe të ndihmojnë të largohesh nga haramet, dhe ajo çka është me rëndësi preokupohu se si të fitosh dashurinë e Allahut, pasimin e rrugës së të dërguarit të Allahut, Muhamedit, alejhi selam. Merr për model të jetës tënde shembuj nga gratë dhe burrat e ndershëm prej të parëve tanë të mirë (selefu salih).

Pse Allahu thotë në Kur’an: “Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë)…” (El Israe:32), e nuk ka thënë mos bini në imoralitet? Sepse njeri nuk bie papritmas në imoralitet. Por, së pari është shikimi (në personin e huaj), mandej kontakti, veçimi, etj, etj. Islami gjithherë na ofron masën preventive. Për këtë ka zbritur ajetin: “Thuaju besimtarëve të ulin shikimin (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata”. (Nur: 30). Dijetarët janë argumentuar më këtë ajet të Kur’anit se puthja e gruas së huaj është haram.

Rëndojini peshojat tuaja në Ditën e Gjykimit me moralin e mirë. “Më e rënda gjë në peshore (Ditën e Gjykimit) është morali i mirë”. Muhamedi, -salAllahu alejhi ëe selem.

Përsoseni besimin tuaj me dozën e moralit. “Besimtari më i përsosur është ai me moralin më të mirë”. Muhamedi, -salAllahu alejhi ve selem.

Punoi: Hoxhë Valdet Kamberi

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM