ISAU, ALEJHI SELAM (HAVARIJUNËT)

ISAU, ALEJHI SELAM (HAVARIJUNËT)

0 3410

Allahu i Lartësuar e dërgoi profetin e Tij, Isaun, alejhi selam, tek beni israilët, si thirrës në të vërtetën e qartë, udhërrëfyes për në rrugën e drejtë. Edhe pse ai nuk gjeti njerëz që e dëgjojnë, e as zemra të ndërgjegjshme, kur ai kuptoi se shumica të vërtetën po e refuzojnë, e rrugën e drejtë po e harrojnë, iu drejtua atyre me fjalët: “Kush janë ndihmëtarët e mi në rrugën e Allahut?.” Ali Imran, 52.

Kurani Fisnik rrëfen për një grup të vogël të cilët kishin besuar në atë me të cilën kishte ardhur Isau, alejhi selam, e nuk kishin dyshime aspak, e as që ishin vonuar në përgjigje ndaj thirrjes së tij, fjalët e tyre ishin: “Na jemi ndihmëtarët e fesë së Allahut, na besojmë Allahun, e ti Isa bëhu dëshmitar se na jemi muslimanë.” Ali Imran, 52.

Dhe në ajetin tjetër: “dhe kur i urdhërova Havarijjunët (Apostujt): “Besomëni Mua dhe Pejgamberin Tim!” Ata u përgjigjën: “Na besojmë, e ti bëhu dëshmues që ne jemi muslimanë!.” Maide, 111.

Allahu i Madhëruar i emërtoi ndihmëtarë të Isait (Havarijun), ngase ata ishin besnik ndaj Allahut, kishin pastruar shpirtrat e tyre nga hipokrizia e tradhtia, e ishin të pastër si një gjë e bardhë, e shkëlqyer, e dëlirë nga çdo njollosje, ata për nga fuqia e besimit dhe pastërtia e tyre shpirtërore, iu përgjigjën thirrjes së vërtetë, e braktisën të kotën, e lan atë pas shpinave, nuk kishin frikë qortimit të asnjë qortuesi, në këtë i shtyri ndihma e fesë së Allahut, mbrojtja e së vërtetës me të cilin erdhi Isau, alejhi selam, këtë e dëshmon edhe fjala e tyre: “na besojmë Allahun, e ti Isa bëhu dëshmitar se na jemi muslimanë.”

Ata e pohuan besimin në Allahu Një,  e kuptuan me bindje se atë që e fliste Isau është e vërteta e qartë, dhe kërkuan prej tij të dëshmon për ta ditën kur do të dalin njerëzit para Zotit të botëve.

Thënia e tyre e mëhershme aludon që ata ishin në një gradë të lartë të imanit, ishin besnik, me ndërgjegje të pastër, përkushtimi i tyre për thirrje në të vërtetën, dhe mbi të gjitha, Kurani tregon se ata kanë shfaqur pohimin e tyre në njëshmërinë e plotë të Allahut, iu nënshtruan plotësisht asaj që Allahu i zbriti të dërguarit të Tij, konfirmuan realizimin e së vërtetës, e më pas kërkuan prej Allahut t’i bëjë nga robërit e Tij të zgjedhur, dhe kjo është ajo që tha Allahu në Kuran: “Zoti ynë! Na besojmë ate që na ke shpallur dhe pasojmë Pejgamberin (Isanë). Regjistrona neve bashkë me dëshmitarët!.” Ali Imran, 53.

Më pas Kurani na tregon se çfarë kishin bërë beni israilët, Allahu thotë: “Dhe ata (mohuesit) përgatitën dinakëri (dredhi të keqe); por Allahu ua ktheu më me dinakëri. Se Allahu është më i përsosuri në dinakëri (për qëllime të mira).” Ali Imran, 54.

Çifutët, prej të cilëve Isau kishte mësuar kufrin, kishin përgatitur një hile për ta mbytur Isain, alejhi selam, dhe kishin marrë të gjitha procedurat e nevojshme për ta realizuar këtë krim të shëmtuar, por që Allahu është në dijeni të plotë për kurthet e tyre, i shkatërroi planet e tyre, dhe e shpëtoi të dërguarin e Tij.

Në vazhdim Kurani Famëlartë na rrëfen për havarijunët të cilët kishin kërkuar prej Isaut, alejhi selam, që t’u zbriste atyre një tryezë nga qielli, e mes tyre dhe Isaut, alejhi selam ishte zhvilluar një bisedë si në vazhdim: “E, kur apostujt thanë: “O Isa, i biri i Merjemës, a mundet Zot’i yt të na zbresë një sofër prej qielli?” Ai tha: “Druani Allahut, nëse jeni besimtarë!.” Maide, 112

Transmetohet nga Aisheja, radijAllahu anha, të ketë thënë: Havarijunët nuk kishin dyshim se Allahu ka mundësi të zbret tryezë.

Përgjigjja e Isait, alejhi selam, ishte duke i urdhëruar ata që të kenë dro Allahun, të mos i tejkalojnë kufijtë, të kenë frikë, përulje, e të mos kërkojnë prej tij gjëra që mund të jenë sprovë për besimtarët, e u tha atyre: “Druani Allahut, nëse jeni besimtarë!.”

Më pas Kurani na e tregon përgjigjen e havarijunëve, dhe atë në fjalët: “Ata thanë: “Na dëshirojmë ta hamë nga ajo (sofër), dhe të na qetësohen zemrat, dhe ta dimë (konkretisht) që na ke thanë të vërtetën dhe për atë të jemi dëshmitarë.” Maide, 113.

Kështu ata sqaruan shkakun përse kishin kërkuar tryezë. Ishte që të arrijnë bereqetin, ngase kishin nëvojë të ushqeheshin pasi beni israilët ua kishin ndaluar atyre frunizimin me ushqim, e që t’u shtohej besimi në zemrat e tyre, për ta vërtetuar mesazhin e Isait, alejhi selam , dhe gjithashtu që të jenë dëshmitarë për të tjerët, për këtë mrekulli të vërtetë që ua kishte sjellur Isau, alejhi selam.

Havarijunët i treguan Isait, alejhi selam, -siç edhe përmendi Kurani-, se ata nuk kishin kërkuar zbritjen e tryezës nga qielli, se ata po dyshonin në fuqinë e Allahut, apo në profetësinë e Isait, alejhi selam, por kërkuan një gjë të tillë që t’u shtohet besimi, për të ritur bindjen. Dijetarët kanë thënë: “Havijunët ishin shokët e të dërguarve, ndihmëtarët e përkrahësit e tyre, ata ishin në dijeni për mundësinë e Allahut për të zbritur një tryezë e edhe për gjëra tjera, ishin të informuar, kishin dije të mjaftueshme, pasqyrim të qartë, por dëshironin që edhe të shohin, siç tha Ibrahimi, alejhi selam: “por po dëshiroj të më qetësohet zemra (duke e parë mënyrën e ringjalljes).” Bekare, 260.

Ibrahimi, alejhi selam, kishte dijen, njohurinë, teorinë, mirëpo dëshironte të sheh, kjo do largonte çdo pikë dyshimi, për arsye se atë që sheh syri nuk mund t’i shfaqet dyshim, për këtë havarijunët thanë: “të na qetësohen zemrat.”

Siç tha Ibrahimi, alejhi selam: “por po dëshiroj të më qetësohet zemra (duke e parë mënyrën e ringjalljes).”

Më pas Kurani Famëlartë na tregon lutjen e Isait, alejhi selam, pasi që dëgjoi fjalët e havarijunëve: “Isai, i bir’i Merjemës tha: “O Allahu, o Zoti ynë! Zbritna neve një sofër nga qielli, që të na jetë festë për bashkëkohanikët dhe pasardhësit tonë; dhe të jetë mrekulli prej Teje dhe furnizona, se Ti je më i miri furnizues.” Maide, 114.

Isau, alejhi selam, kërkoi nga Allahu që të zbret për shokët e tij furnizim nga qielli, e të jetë kjo ditë feste, në të cilën ditë do gëzohen, e do adhurojnë Allahun për furnizimin dhe mirësitë që ua dha, dhe njashtu të jetë festë edhe për ata që vijnë më pas, prej atyre që nuk e përjetuan këtë mrekulli hyjnore.

Selman Farisiu, radijAllahu anhu, në kuptimin e këtj ajeti ka thënë: “Këshillë për ne dhe për ata që vijnë më pas.”

Dhe në fund Allahu e përfundoon tregimin rreth tryezës dhe asaj që kishte ndodhur mes Isaut, alejhi selam, dhe havarijunëve, me fjalën e Tij: “Unë do t’ju zbres sofrën, e kush nga ju, pas kësaj nuk beson, Unë do ta dënoj me një dënim, me çfarë nuk do ta dënojë askënd në botë.”

Allahu tregoi se Ai do zbret këtë tryezë si përgjigje të lutjes së Isait, alejhi selam, dhe ua tërhoqi vërejtjen se kush mohon pasi të zbret, Ai do ta ndëshkon me një dënim të dhembshëm.

Në fund të sures “Saf” Allahu lavdëroi havarijunët, dhe thërriti besimtarët që t’i përngjasojnë e t’i pasojnë ata, Allahu thotë: “O besimtarë, bëhuni ndihmësit e besimit të Perëndisë, ashtu siç u ka thënë Isai, i biri i Merjemës, nxënësve (apostujve të tij): “Kush janë ndihmësit e mi te Perëndia? Apostujt, u përgjegjën: “Ne jemi ndihmësit e Allahut!” – Dhe, kanë besuar një grup nga bijtë e Israelit, e një grup tjetër kanë mohuar; – andaj Ne i kemi forcuar (ndihmuar) besimtarët kundër armikut të tyre dhe ata u bënë fitues.” Saf, 14.

Ky ajet është një vërtetim i ajetit në suren Ali Imran, ku Isau thërret besimtarët nga beni israilët ta ndihmojnë, t’i përkushtohen fesë, duke u thënë, në formë provokuese: Kush janë ushtarët e sinqertë, tek të cilët mund të mbështetem pas Allahut në ndihmë të fesë së Tij, në adhurim ndaj Tij dhe kumtimin e mesazhit hyjnor? Ata iu përgjigjën: Ne jemi ndihmëtarët e fesë së Allahut, ne jemi gati që të sakrifikojmë shpirtrat tonë, e pasuritë për hir të përhapjes së thirrjes së Allahut, dhe për të ngrit fjalën e Allahut.

Të tjerët nga beni israilët u ndanë në dy grupe; një grup i cili besoi me atë që erdhi Isau, alejhi selam, dhe një grup i cili e mohoi atë dhe mesazhin e tij, e Allahu e ndihmoi grupin të cilin besuan nga beni israilët.

Kurani Famëlartë flet në suren Hadid për tre grupet nga pasuesit e Isait, alejhi selam, një grup i cili shpiku në fenë e Allahut gjëra që s’janë prej saj, një grup i cili vazhdoi në besimin e vërtetë, të pastër nga risitë dhe epshet, dhe grupi i tretë i cili devijoi nga e vërteta, këta tre grupe Allahu i përmendi në ajetin: “Pastaj pas gjurmëve të tyre – ju kemi dërguar profetët Tonë, dhe pastaj kemi dërguar Isanë, të birin e Merjemës, të cilit ia dhamë Inxhilin, kurse në zemrat e ithtarëve të tij kemi mbjellë (frymëzuar) butësi dhe mëshirë, ndërsa, ata vetë e kanë trilluar jetën (lutëse – të tërhequr prej shoqërisë dhe jetës normale), për të arritur kënaqësinë e Allahut. Ne nuk i kemi obliguar ata për këtë, por ata nuk u kujdesën për atë si duhet. Ata të cilët kanë besuar si duhet – i shpërblejmë, e shumë prej tyre janë ngatërrestarë.” Hadid, 27.

Grupin e parë, Allahu vendosi në zemrat e tyre: “butësi dhe mëshirë.” Por, përkundër kësaj  shpikën në fe adhurime : “ata vetë e kanë trilluar jetën (lutëse – të tërhequr prej shoqërisë dhe jetës normale).” Duke treguar asketizëm në gjërat e dynjasë, në formë adhurimi ndaj Allahut të Madhëruar, e Allahu nuk i urdhëroi për një gjë të tillë, që me kalimin e kohës nuk ruajtën adhurimet, por edhe ato që i shpikën u shndërruan në rite të kota larg adhurimeve të vërteta, që nuk patën durim ndaj vështirësive dhe obligimeve të tilla, pos një pakice të vogël.

Grupi i dytë vazhduan në pasimin e Isait, alejhi selam, duke i besuar me besnikëri të pastër nga çdo njollosje, të shëndoshë nga çdo gjë që mund ta dëmton, e këtyre Allahu u dha shpërblimin e plotë: “. Ata të cilët kanë besuar si duhet – i shpërblejmë.”

Grupi i tretë të cilët dhuntinë e Allahut e mohuan, dhe thanë: “Perëndia është njëri prej treve.” Maide, 73. Poashtu thanë: “Me siguri perëndi është Mesihu, i biri i Merjemës!.” Maide, 17 si dhe: “të krishterët thonin: “Isai është i biri i Perëndisë!.” Teube, 30

Do të ballafaqohen me ndëshkimin dhe dënimin që e meritojnë.

Allahu i Madhëruar në fund të ajetit thotë: “e shumë prej tyre janë ngatërrestarë.” Që tregon se ata të cilët dolën nga feja e vërtetë, dhe kundërshtuar urdhërin e Allahut janë më shumë në numër se ata të cilët besuan dhe ndoqën dritën të cilën u zbriti.

Në suren Zuhruf është përmendur në veçanti thirrja e Isaut, alejhi selam, drejtuat popullit të tij: “E, kur Isai i solli argumentet e qarta, tha: “Ju kam sjellë dijeni të mrekullueshme dhe do të ju shpjegoj disa gjëra, me të cilat nuk po pajtoheni. Andaj, druajuni Allahut dhe bëhuni të dëgjueshëm ndaj meje! Me të vërtetë, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, andaj adhuronie Atë. Kjo është rrugë e drejtë!  Grupet e ndryshme u grindën në mes tyre. Mjerë ata që kanë bërë zullum – nga dënimi i Ditës së dhembshme!.” Zuhruf, 63-65.

Allahu dërgoi Isain, alejhi selam tek populli i tij, e ai iu drejtua atyre me këshilla e udhëzime: O popull! Unë ju erdha me mrekulli të qarta, që dëshmojnë për vërtetësinë e asaj që u kam sjell juve nga Inxhili, që përmban urtësi hyjnore, rregulla, ligje, e këshilla. Më pas kërkoi prej tyre që ta dëgjojnë atë me çfarë u erdhi, e t’i binden urdhërave të tij, ngase aty gjendet shpëtimi, edhe pse përkundë kësaj populli i tij kundërshtuan urdhërin e tij në mënyrë më të vrazhdë.

Grupet.” Të cilat patën mospajtime rreth Isait janë çifutët dhe të krishterët, sepse ata ishin umeti të cilëve iu drejtua me thirrje. Thuhet se janë për qëllim të krishterët, sepse ata iu përgjigjën thirrjes së tij, e më pas u ndanë në grupe, thanë për të gjëra të kota, dhe Allahu u ka premtuar atyre të cilët kundërshtuan urdhërin e tij, dënim të dhembshëm, për shkak kundërshtimit dhe padrejtësisë, si dhe për gjërat të cilat ia përshkruan Isaut, alejhi selam, prej të cilave ai është shumë larg tyre.

Kjo ishte e tëra që përmendet për ndihmëtarët e Isait, alejhi selam, për pasuesit dhe popullin e tij, por tregimi rreth Isaut, alejhi selam, ende vazhdon.

Burimi: albislam.com

Përktheu: Shpend Zeneli