kam bërë zina, tash nuk di si t’ia bëj

kam bërë zina, tash nuk di si t’ia bëj

0 4294

Pyetja: Unë kam qene i martuar, por ajo martesë nuk kishte qenë jetëgjatë dhe jemi ndarë.
Më vonë kam njoftuar një vajzë, që në ditën e pare ia kam treguar asaj vajze gjithë historinë time. Kam qene shumë i sinqertë sa i përket historisë sime. Kurse nga ana e saj kam marrë fjalë te mira dhe pëlqim për vazhdimin e lidhjes.  Por shejtani na mashtroi dhe ndodhi edhe më e keqja, kemi bere marrëdhënie intime, dhe mbas kësaj me ka treguar historinë e vet e cila nuk me ka pëlqyer aspak. Në anën tjetër e dua at vajzë shumë se është e sinqertë,  me respekton  dhe i ka ca veçori te cilat me pëlqejnë por, nganjëherë po më vjen mendimi nga shejtani qe te ndahem për arsye se historinë e saj e ka mbajtur fshehtë deri atë ditë kur kemi bere marrëdhënie intime, apo mos është ai zhgënjim rezultat i gjynaheve që kam bëre. Sidoqoftë ne jemi penduar për gabimin që kemi bërë. Kisha pasur dëshirë që të më këshilloni diç rreth kësaj çështje.

Përgjigje: Vëlla i nderuar, Allahu të faltë dhe të udhëzoftë!

Së pari: Dija Islame është e dobishme vetëm atëherë kur zbukurohet me praktikum përndryshe është shtim i argumenteve kundër nesh në Ditën e Kiametit, Allahu na ruajttë!

Së dyti: Divorci është një gjë e urryer, por e lejuar, madje është nga veçoritë e Islamit sepse me divorc parandalohet një problem shumë më i madh që mund të ndodhë më vonë.

Së treti: Asnjë i ri dhe e re besimtare nuk guxon aq lirisht të shkelë ligjet e Zotit i cili ka ndaluar lidhjet mes gjinive, përveçse me niqah (martesë).

Allahu e ka ndaluar shikimin me fjalët “Thuaju besimtarëve t’i ulin shikimet e tyre, kjo është më e pastër për ta”, e çfarë mund të themi për diçka më tepër sikurse prekja, ledhatimi apo – Zot na ruaj – marrëdhëniet intime!? Ai na ka tërhequr vërejtjen t’i afrohemi zinasë (kurvërisë) me fjalët “Mos iu afroni kurvërisë”, sepse njeriu që afrohet nuk mund të përmbahet. Duhet ditur se kurvëri quhet çdo marrëdhënie intime jashtëmartesore edhe nëse arrihet me pëlqimin e të dy palëve. Nuk guxon askush të lejojë nëpërkëmbjen e nderit të tij, sepse ashtu prishet nderi i gjithë popullit tonë dhe pastaj as nga pasardhësit nuk mund të kërkojmë të jenë më të mirë.

Së katërti: Megjithëse lidhja juaj ka filluar me haram, gëzohem që ndjeni keqardhje për gabimin dhe që keni bërë teube, por dijeni se prej kushteve të teubes është largimi i menjëhershëm nga harami. Kështu që, lidhja juaj nuk guxon të vazhdojë në asnjë mënyrë përderisa ta përfundoni më kurorë ashtu siç Allahu do të jetë i kënaqur. Nëse e do atë vajzë dhe i beson, atëherë merr hapin që të bëhet gruaja e jote sipas ligjeve të Zotit.

Burimi; albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM