Katër medhhebet a janë përçarje?

Katër medhhebet a janë përçarje?

0 1301

Pyetja: Në një hadith nga i Dërguari i Allahut, që po ua transmetoj me kuptim, unë lexova se umeti do të ndahet/përçahet në 73 grupe dhe se të gjithë këto grupe do të dënohen me zjarr përpos asaj që është në Sunet. Sot ne shohim se katër medhhebet nuk pajtohen mes vete prandaj pyes në këtë hadith a janë të përfshira edhe shkollat juridike?

 Përgjigja: I falënderuar është Allahu…

Hadithi i njohur për ndarjen e umetit në shtatëdhjetë e tre grupe është hadithi i Muavisë, birit të Ebu Sufjanit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tha: I Dërguari i Allahut, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u ngrit dhe na tha: Me të vërtetë ithtarët e Librit para jush u ndanë në shtatëdhjetë e dy grupe dhe me të vërtetë ky umet do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe, shtatëdhjetë e dy do të jenë në zjarr, ndërsa njëri do të jetë në xhenet, ai grup është xhemati (bashkësia).

Tirmidhiu (2641) e përcjell hadithin në këtë formë: “Umeti im do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe, të gjithë do të dënohen me zjarr përpos njërit. Thanë: Kush është ai grup, o i Dërguari i Allahut? Tha: Ai që është në atë në të cilin jam unë dhe shokët e mi”. Pjesa e hadithit në të cilin thuhet se umeti im do të ndahet në shtatëdhjetë e tre milete (fjala milet arabisht përdoret për fe) tregon se mospajtimi, i cili do të rezultojë me ndarje është mospajtimi rreth bazave dhe çështjeve të besimit e jo rreth dispozitave dhe gjykimeve, që kanë të bëjnë me çështjet e fikhut.

Edhe pjesët e hadithi “ai grup është xhemati (bashkësia)” dhe “Ai që është në atë në të cilën jam unë dhe shokët e mi”aludojnë për këtë gjë. Ai që ka mendim ndryshe në çështjet dytësore nuk del jashtë bashkësisë e as nga udhëzimi i të Dërguarit, bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e as jashtë udhëzimit të sahabëve. Sahabët kishin mendime të ndryshme për shumë çështje dytësore dhe ato nuk përfunduan me ndarje dhe përçarje. Askush nuk ka pohuar, se me këto mospajtime ata hyjnë në hadithin që flet mbi përçarjen. Ata ngelën një xhemat, të bashkuar në metodologji, të unifikuar rreth çështjeve bazë të besimit. Ky është edhe realiteti i katër imamëve të pasuar dhe realiteti i dijetarëve të tjerë. Ata janë xhemati, grupi i shpëtuar, Ehli Suneti dhe kush shmanget nga rruga e tyre dhe nga themelet e tyre në besim është më meritor të quhet bidatçi i lajthitur.  Për këtë shkak imam Shatibiu shkruan: Këto sekte meritojnë të quhen me atë emër, e jo me emrin e grupit të shpëtuar, për shkak të kundërshtimit në ndonjë çështje kryesore të fesë, bazë prej bazave të sheriatit, jo për shkak të kundërshtimit në ndonjë çështje më pak parimore. Nga kundërshtimi në çështje më pak parimore nuk përfundon në mospajtim, që të përfundojë me përçarje në parti. Një mospajtim i tillë ndodh kur ka kundërshtime rreth çështjeve të përgjithshme, që konsiderohen baza (themele)… (El I’tisam, 2/200)

Me këto që u tha u vërtetua padrejtësia e cilësimit të katër imamëve me cilësinë e përçarjes, si dhe padrejtësia e cilësimit të pasuesve të tyre, që mbetën unik me Ehli Sunetin në çështjet themelore, me këtë emër përçarës. Kjo pafajësi nuk vlen për ata që braktisën rrugën e drejtë dhe u bashkuan me kundërshtarët në çështjet parimore si mutezilet, shiitët, murxhitë dhe sektet e tjera të ndryshme, që u binden pasioneve (epsheve) të tyre. Me këtë kriter Ehli Suneti vlerëson dhe gjykon, se kush është përçarës dhe kush bën pjesë në grupet e devijuara, që meritojnë dënimin në xhehenem.

(Muhamed Salih El Munexhid)

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM