KËNAQU ME CAKTIMET E ALLAHUT

KËNAQU ME CAKTIMET E ALLAHUT

0 2174

Abdullah Ibn Mes’udi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: ” Me të vërtetë Allahu me diturinë dhe drejtësinë e Tij ka bërë që freskia dhe lumturia të jenë tek bindja dhe kënaqësia, kurse pikëllimi dhe mërzia të jenë tek dyshimi dhe hidhërimi.”

Alkame,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- duke komentuar ajetin Kur’anor:

مَا أَصَابَ مِنْ مُصِيبَةٍ إِلَّا بِإِذْنِ اللَّهِ ۗ وَمَنْ يُؤْمِنْ بِاللَّهِ يَهْدِ قَلْبَهُ ۚ وَاللَّهُ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ

” Nuk ngjan kurrfarë fatkeqësie pa lejen e Allahut, e ai që i beson Allahut, ia udhëzon (në rrugë të drejtë) zemrën e tij. Allahu di mirë çdo gjë.” (Tegabun: 11).

Thotë: Këto janë sprovat të cilat e godasin njeriun . Njeriu e dinë që sprovat janë nga Allahu, prandaj i dorëzohet sprovave dhe është i kënaqur me to.

Muhamedi,- salallahu alejhi ue selem!,- ka thënë: ” E ka shijuar ëmbëlsinë e imanit-besimit ai i cili është i kënaqur që Allahun të jetë Zoti i tij, islami të jetë feja e tij dhe Muhamedi alejhi selam të jetë i dërguar i tij.” (Shënon: Muslimi: 2/2(kapitulli mbi imanin) dhe Tirmidhiu: 10/90( kapitulli mbi imanin).

Kuptimi i hadithit: Nuk i kërkon dikujt tjetër asgjë përveç prej Allahut, nuk shkon në ndonjë rrugë tjetër veçse rrugës së islamit, si dhe nuk ndjek asgjë pos asaj që përputhet me sheriatin e Muhamedit alejhi selam. Nuk ka dyshim se ai i cili posedon këto, ai do ta ndjejë ëmbëlsinë e imanit tek zemra e tij dhe do të arrijë ta shijoj imanin e vërtetê.

Kadi Ijadi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- thotë: ” Besimi i vërtetë të jep qetësi shpirtërore dhe të mbush me iman. Kur depërton besimi i vërtetë në zemrën e besimtarit, atëherë besimtari e ka shumë më të lehtë adhurimin e Allahut dhe shijimin e kënaqësisë së imanit.”

Muhamedi,- alejhi selam!,- ka thënë: ” Kush thotë kur dëgjon ezanin: Jam i kënaqur që Allahu është Zoti im, Feja ime është Islami dhe i dërguari im është Muhamedi alejhi selam, do t’i falen atij mëkatet.” (Shënon: Muslimi: 4/86(kapitulli mbi namazin), Ebu Davudi: 521(kapitulli mbi namazin), Tirmidhiu: 2/11,12).

Aliu,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- e takoi Adij Ibn ebi Hatimin dhe e pa se ishte i pikëlluar dhe i tha: Çfarë ke, pse je i pikëlluar dhe i mërzitur? Çfarë më ndalon të mos jem i mërzitur, më janë vrarë dy djemtë e mi dhe më janë nxjerrë sytë. Aliu ia ktheu: Kush kënaqet me caktimet e Allahut (nuk ka dyshim se ato do të ndodhin) do ta fitoj shpërblimin për to, dhe kush nuk kënaqet me caktimet e Allahut (nuk ka dyshim se ato do tê ndodhin) ai nuk do të shpërblehet për to.

Ebu Darda,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- e vizitoi një njeri i cili ishte në çastet e vdekjes dhe e pa se njeriu e falënderonte Allahun. Ebu Darda i tha: Ia ke qëlluar, sepse Allahu kur cakton një kader (vendim) Ai dëshiron që të jemi të kënaqur me vendimin e Tij.”

Hasan el Basriu,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- thotë: ” Kush kënaqet me caktimet e Allahut, Allahu do t’i zgjerojë riskun (pasurinë) dhe do t’i dhuroj bereqet në te. Kush nuk kënaqet me caktimet e Allahut, Allahu nuk do t’ia zgjeroj riskun si dhe nuk do t’i dhuroj bereqet në te.”

Abdul Uahid Ibn Zejdi ka thënë: “Kënaqësia është dera më e madhe e Allahut, është xheneti i dynjasë dhe pushimorja e adhuruesve.”

Disa të tjerë kanë thënë: ” Nuk do të shihet në botën tjetër gradë me e lartë sesa grada e atyre që janë ndarë të kënaqur me Zotin e tyre në çdo gjendje (mirësi apo vështirësi). Atij që i dhuron Allahu kënaqësinë ai mund të arrij gradat më të mira dhe më të larta në botën tjetër.”

AUTOR: SHEJH DR. AHMED FERID

NGA ARABISHTJA: SUAD BURHAN SHABANI.

GJITHASHTU NË ALBISLAM