KËSHTU ISHIN TË PARËT E UMETIT

KËSHTU ISHIN TË PARËT E UMETIT

0 1497

Abdullah ibën Mesudi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: ”Nuk ndodh që në një vend të përhapet kamata e imoraliteti e që Allahu mos t’i jep leje atij vendi për t’u shkatërruar”.

Historianët kanë cekur se Kisrau, mbreti i Persisë, kishte dërguar një letër tek prijësi i muslimanëve, Omeri,- Allahu Allahu qoftë i kënaqur me të!,-  dhe kur i dërguari i mbretit të Persisë arriti në Medine pyeti për pallatin e Omerit se ku gjendet? I treguan se Omeri nuk ka pallat. Njeriu u çudit, si është e mundur një gjë e tillë!? Së bashku me një musliman dolën për ta kërkuar Omerin, dhe kur e panë një njeri duke fjetur në hije të një peme në periferi të Medines, muslimani po i thotë persianit: Ja, ky është Omeri. Persiani u çudit edhe më shumë me njeriun, të cilit iu ka nënshtruar perandoria bizantine dhe ajo persiane, se si flinte pa asnjë roje, dhe tha: ”Ke gjykuar drejt, andaj edhe po fle i qetë, o Omer!”.

Omeri,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë:”Urrej të shoh ndonjërin nga ju o musliman duke ndenjur së koti, e duke mos u angazhuar me çështje të dynjas apo ahiretit”.

Omer bin Abdulazizit,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,-  i kishte ardhur një mysafir, dhe përderisa në mbrëmje ishin duke biseduar llampa u fik, Omeri u ngrit dhe e ndezi llampën. Mysafirit i erdhi keq që u ngritë halifja i muslimanëve dhe i tha: O prijësi i muslimanëve, po sikur të më kishe urdhëruar mua të ngritem, pse u ngrite! Omeri me plot modesti e thjeshtësi ia ktheu: Kur u ngrita isha Omeri, edhe kur u ula tani përsëri jam Omeri, asgjë nuk më gjeti. Nuk u bëra tjetër që e kreva një punë të vogël”.

Ibën Kajim el Xheuziu,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë:  ”Takova njerëz kur netët ishin të gjata ata i kalonin në biseda të kota, njashtu takova njerëz kur ditët ishin të gjata ata i kalonin duke fjetur, mirëpo shumë pak takova njerëz të cilët ia dinin vlerën kohës”.

Njëherë disa kurejshit (mekas), ishin ulur dhe po bisedonin mes vete, secili nga të pranishmit krenohej me diçka; dikush me pasuri,  familje, pozitë, e kështu me radhë. Aty në atë mexhlis ishte prezent edhe Selman Farisiu,- Allahu i kënaqur me të!,-    shoku i Pejgamberit,- alejhi selam!,- i cili ishte emir (koordinator-guvernator), e kur i erdhi radha atij të flasë, ai tha: Sa i takon për mua se kush jam unë? Unë jam ai që fillimi im është nga një pikë e trashë e gjakut që njeriu gërditet prej saj, ndërsa fundi im është një kufomë që i vjen era e keqe e s’mund t’i afrohesh. Pastaj më sjellin te peshoja e veprave (në Ditën e Kiametit), e nëse aty kaloj mirë, atëherë unë vërtet jam dikush, ndërsa nëse aty nuk kaloj mirë, atëherë unë jam askushi.

Ebu Darda,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Çdo njeri ka një papërsosuri të dijes dhe urtësisë, nëse pasuria e tij rritet, ai gëzohet shumë edhe pse dita dhe nata po punojnë për të shkatërruar jetëgjatësinë e tij. Pra çfarë vlere ka pasuria që rritet ndërkohë që jetëgjatësia ulet?”.

Omeri,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- kur e kuptoi se në periferi të Medinës jeton në një kasollë një familje e varfër dhe nuk kanë çfarë të hanë, e as me çka t’i ushqejnë fëmijët e tyre, nxitoi që t’u ndihmonte. Shkoi me vrap dhe mori një thes me miell, e barti në shpinë dhe ia solli asaj familjeje, madje me duart e veta u përgatiti ushqim dhe ndejti me ta derisa hëngrën bukë e u qetësuan, e pastaj u largua bashkë me shërbëtorin e tij, i cili i tha Omerit: Ma jep mua ta bart thesin në shpinë, sepse ti je halife i muslimanëve, je i pari i muslimanëve. Omeri iu përgjigj: Nëse ti ma bart barrën në këtë dynja, por kush ma bart barrën time në Ditën e Kiametit?! Kush është që përgjigjet për mua nesër, kur të dal para Allahut, nëse unë nuk i shërbej si duhet popullit tim që Allahu më ka bërë të parin e tyre?.

Ibën Kajjimi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- thotë se: Vendet ku do të jetojnë robërit e Allahut janë tre:

  1. Dunjaja.
  2. Jeta në varreza.
  3. Jeta pas ringjalljes.

Ebu Bekri,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- përderisa nuk ishte halife, ua milte delet disa familjeve, e kur u bë halife i muslimanëve i thanë: Tashmë Ebu Bekri nuk na sheh neve, të varfërve. Por, ai i bekuar nuk e ndërpreu atë punë dhe vazhdoi edhe më tej t’ua mjelë delet atyre familjeve.

Ai, bile vazhdoi deri në vdekje t’i shërbejë një plake të vjetër në punët e shtëpisë, e cila ishte e vetme, nuk kishte askënd, e jetonte në periferi të Medinës. Ia përgatite ushqimin, ia fshinte shtëpinë, dhe krejt këtë e bënte fshehurazi pa e ditur askush. Vetëm kur vdiq, atëherë e morën vesh se kush kishte qenë, ngase pas vdekjes së tij nuk shkonte më askush tek ajo plakë, dhe e kuptuan se ai paska qenë Ebu Bekri, ngase edhe vet plaka nuk e njihte se kush ishte Ebu Bekri.

Ibën Kajjimi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- thotë se: Dijetarët e selefus salih edhe kur ishin të sëmurë lexonin libra dhe ishin të etur për t’u pajisur me dituri, ndërsa në momentet kur iu keqësohej gjendja shumë ata shtriheshin dhe pushonin”.

Adij Bin Hatem Ettaiju, ishte një prijës i një fisi i quajtur “Tajj” në Arabinë Qëndrore. Kishte pranuar krishterimin para ardhjes së Muhamedit,- salallahu alejhi ve selem!,- kurse më vonë, pasi u shpall islami, motra e tij e pranoi islamin dhe ftoi edhe vëllanë e saj të bëjë të njëjtën gjë, por ai nuk e bëri këtë para se të takohet me Muhamedin,- salallahu alejhi ve selem!,-  dhe ta dëgjojë atë me veshët e tij. Adij thotë se: “Një nga gjërat që më shtyri të besoj se ai është profet sapo e takova, ishte edhe ajo se kur arrita në Medinë në xhaminë e tij, nuk e njihja cili është Muhamedi,- salallahu alejhi ve selem!,- , sepse nuk dallohej nga shokët e tij aspak, e pasi më njoftuan me te, më morri për dore për te shtëpia e tij, por në rrugë i doli një plakë e shtyrë në moshë, e cila filloi ta pyeste gjatë për disa çështje të saj personale, kurse ai, qëndronte pranë saj me një modesti të çuditshme, derisa përfundoi plaka atë që pati. Tha Adiu: “Thash me vete – ky nuk mund të jetë mbret, sepse mbretërit nuk rrinë në këmbë pranë njerëzve të dobët.” Pastaj tha: “Më morri me vete në shtëpinë e tij dhe kur hymë brenda nuk kishte asgjë në dhomë pos një jastëku për t’u ulur dhe atë ma ofroi mua që të ulem, dhe filloi të më pyes për gjëra të ndryshme…  Thash me vete: “Kështu nuk janë mbretërit, ata ndryshojnë tërësisht nga ky njeri dhe jeta e tij. Ky njeri nuk pretendonte pushtet, pra vërtetë ky qenka profet, andaj edhe nuk hezitova dhe e pranova islamin.” Jo vetëm kaq, por, i Dërguari i Allahut,- salallahu alejhi ve selem!,-  me modestinë e tij, nuk nguronte të bëjë edhe punë të shtëpisë, duke i ndihmuar gruas së tij. E në anën tjetër, stimulonte shokët e tij që të pajisen me këtë cilësi ku mes tjerash ju thoshte: “Allahu më ka shpallur mua që ju të bëheni sa më modest dhe askush mos të lavdërohet para tjetrit, dhe mos t’i bëj asnjë të ligë tjetrit”.

Pejgamberi,- salallahu alejhi ve selem!,-  kur shkoi në Tiaf për t’i thirrur në Islam ata, jo që nuk e pranuan por edhe e shanë dhe e rrahën, e rrugës duke u kthyer i mërzitur, i lodhur dhe deri diku i dëshpëruar ulet për të pushuar pranë një vreshti rrushi. Në atë vresht punonin dy veta me një shërbëtor, panë se pranë vreshtit është ulur dikush të pushonë dhe po i thonë shërbëtorit te tyre: merre një kalavesh rrush dhe çoja atyre njerëzve atje. Shërbëtori e këputi një kalavesh të gjelbër të pa pjekur mirë, kur e pa pronari i tha: Pse nuk e këpute kalaveshin e pjekur, por të pa pjekur?! Shërbëtori ja ktheu: Unë zotëri nuk di cili është kalaveshi i pjekur e cili i pa pjekur.

Zotëriu ia ktheu: Pse, a nuk punon ti këtu që sa kohë?! Shërbëtori ia ktheu: Po zotëri, por ti më ke caktuar mua për të punuar e jo për të ngrënë rrushin. Pra sa kohë ka punuar në atë vresht por nuk e ka provuar rrushin, vërtet sinqeritet dhe besnikëri e madhe nga ai djalosh të cilin e nderoi Allahu dhe pasi ia dha këtë kalavesh rrush Pejgamberit,- salallahu alejhi ve selem!,-  dhe u njoftua me të pranoi Islamin.

Disa nga selefët tanë të nderuar kanë thënë: ”Me të  vërtetë un jam i pabindur ndaj Allahu! Unë e kuptoj këtë prej sjelljes së gruas sime dhe kafshëve përreth meje”.

Imam Dhehebiu për Hatib El Bagdadin,- Allahu qoftë i kënaqur me të dy!,- ka thënë: ” Imam Dhehebiu edhe kur ishte duke ecur mbante në dorën e tij mbante një libër e lexonte dhe shfletonte gjatë ecjes”.

Imam Ahmedi,- Allahu e mëshiroftë!,- ka thënë: “Kur urdhëron në të mirë, njerëzit kanë nevojë për sjellje të mira e të buta e jo të vrazhda.”

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë!,- ka thënë: “Sinqeriteti nënkupton të harruarit e krijesave si pasojë e të kujtuarit e vazhdueshëm të Krijuesit.”

Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë!,- ka thënë: “Ai, që para teje i përgojon të tjerët, edhe para të tjerëve do të përgojon ty”.

Halifja Omer,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- njëherë duke shkuar nga Medina për në Meke takon një bari me një tufë delesh dhe e provokon paksa, e i thotë: O bari apo na e shet një dele ta hamë se jemi udhëtarë e jemi të lodhur. Natyrisht, bariu nuk e njihte Omerin që ishte i pari i muslimanëve, por nga sinqeriteti i tij ndaj pronarit të vet tha: Delet nuk janë të miat zotëri. Omeri ia ktheu: Po, ani s’ka dert, thuaj pronarit kur të kthehesh në shtëpi e ka ngrënë ujku. Bariu ia ktheu: Pronarin ndoshta mund ta mashtroj, po Allahut çka ti bëjë?  Omeri,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,-  (qeshi dhe falënderoi Zotin që ka rini të tillë të sinqertë).

Transmetohet se Muhamed ibën Hasan Esh Shejbani,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- e porositi familjën e tij dhe i tha: ”Ju lutem, veproni çfarë të doni, hani e pini çfarë të doni, merrni çfarë të doni, leni çfarë të doni, vetëm mos më pengoni mua dhe mos ma merrni kohën në të cilën merrem me studimin dhe mësimin e diturisë së Sheriatit të Allahut,- xhele veala!.

Ibën Rushdi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- thotë se: Kam pyetur njërin nga dijetarët e selefit në lidhje me atë se sa e ka shfrytëzuar kohën dhe se a ka pas momente në jetën e tij ku nuk e ka shfrytëzuar kohën: Ai ma ktheu: ”Dy net në jetën time më kanë kaluar pa i shfrytëzuar: Natën kur më vdiq nëna ime e dashur dhe natën kur u martova”.

Imam Kurtubiu,- Allahu e mëshiroftë!,- ka thënë:“Ajetet Kur’anore na mësojnë se lidhja me prindërit duhet të mbahet sa të jetë e mundur, edhe nëse ata janë mosbesimtarë. Nëse janë të varfër duhet t’i ndihmosh materialisht, t’i thuash fjalë të mira e ledhatuese si dhe të bësh dua që Allahu t’i udhëzoj ata drejt nurit dhe dritës së imanit- besimit”.

Transmetohet se Ibën Asakiri,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- 40 vite radhazi nuk u merrte me asgjë tjetër jashta kërkimit dhe pajisjes me dituri të dobishme”.

Ibën Kajim el Xheuziu,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: ”Ai që turpërohet prej Allahut ndonjë harami kur i afrohet, Allahu turpërohet që ta dënoj atë ditë kur  takohet me të”.

Imam Shafiu,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: ”Gjërat më të shtrenjta dhe më me vlerë janë:

  1. Bujaria në varfëri dhe skamje.
  2. Devotshmëria në vetmi.
  3. Thënia dhe shpalosja e hakut (të vërtetës) para kujtdo qoftë.

Përzgjodhi dhe Përshtati: Suad Shabani

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM