KRIJIMI I GJITHËSISË

KRIJIMI I GJITHËSISË

0 3436

Imran ibn Husajn, Allahu qoftë i kënaqur me të, rrëfen dhe thotë: “Isha tek i dërguari, -paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të-, kur erdhën disa njerëz nga fisi Temim, e u tha atyre: “O Beni Temim! Gëzohuni (për një sihariq për ju)!” Ata i thanë: “Na dhe sihariq, por tani na jep diçka (pasuri).” Pastaj erdhën njerëz nga Jemeni, të cilëve ai u tha: “O populli i Jemenit! Pranoni sihariqet, pasi Beni Temimët nuk i pranuan ato.” Jemenasit i thanë: “I pranuam, kemi ardhur tek ti që të mësojmë fenë, e të të pyesim për fillimin e krijimtarisë; si ka qenë?” (Ai u përgjigj): (Në fillim) ka qenë vetëm Allahu dhe nuk kishte asgjë tjetër përveç Tij dhe Arshi (Froni) i Tij ishte mbi ujë. Më pas Allahu krijoi qiejt e tokën, dhe Ai shkroi gjithçka në Libër.”1

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit

I dërguari i Allahut, -paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të-, e kishte zakon që gjatë ndejave të tija të mirret edhe me mësimdhënie shokëve të tij, sidomos të rinjtë të cilët sapo kishin pranuar fenë, apo grupet që vinin nga vendet e largëta. Kur tek ai erdhi një grup i fisit Temim, i dërguari i Allahut, -paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të-, i përgëzoi me atë që kishte përgatitur Allahu për të devotshmit, e u tha: “Pranoni sihariqin”, kështu që priste prej tyre që ta pyesin për fillimin e kësaj bote, se si ka filluar krijimi? Pos që ata ishin të interesuar për interesin e tyre afatshkurtër, shikonin vetëm për gjërat materiale, e i dërguari i Allahut, -paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të-, ua ktheu shpinën atyre, dhe iu drejtua grupit tjetër që kishin arritur nga Jemeni, e u tha atyre: “Pranoni sihariqin, o banorë të Jemenit, pasi që fisi Temim nuk e pranoi”, kështu që ata e pranuan, dhe e pyetën për fillimin e krijimit, se si ka filluar, e si është krijuar kjo botë?

I dërguari i Allahut, -paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të-, ju tregoi atyre se Allahu është Krijuesi i gjithësisë, dhe se Allahu ka qenë e nuk ka pasur asgjë para Tij, Ai krijoi çdo gjë nga asgjëja, Ai filloi krijimin e qiejve dhe të tokës, e Arshi i Tij ishte në ujë. I dërguari i Allahut, -paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të-, nuk u tregoi atyre për fillimin e krijimit të Arshit, e as për krijimin e ujit, për arsye se qëllimi i pyetësve ishte për fillimin e krijimi të botës, e jo për krijimin në përgjithësi. Dhe i dërguari i Allahut, -paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të-, sqaroi se çdo gjë që ka të bëjë me këtë botë Allahu e rreshtoi në ‘Lehvi Mahfudh’.

Disa dobi të hadithit

1. Allahu është i Pari, para të Cilit nuk ka gjë tjetër.
2. Se çdo gjë përpos Allahut është e krijuar nga asgjëja.
3. Se Arshi dhe uji i paraprinë krijimit të qiejve dhe të tokës.
4. Se Allahu nuk është i nevojshëm për Arshin, por Arshi dhe çdo gjë tjetër pos Arshit janë nevojtarë për Të.
5. Pohimi i atributit të krijimtarisë për Allahun e Madhëruar.
6. Besimi në caktimin e Allahut, se Allahu ka regjistruar me dijen e Tij për gjithë atë që ka qenë, për gjithë atë se çfarë do të ndodhë në regjistrin e Tij.

1 Transmeton Buhariu (9/124) hadithi me numër (7418).

HADITHI I PARË

DYZET HADITHE RRETH BESIMIT (AKIDES)
Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM