Kujdes nga ueb-faqja xhamiashqiptare.net!

Kujdes nga ueb-faqja xhamiashqiptare.net!

Pyetja: Selam alejkum, desha t’ju pyes në lidhje me këtë web faqe: xhamiashqiptare.net Para disa ditësh më ka ardhur një letër nga kjo ëeb faqe dhe fillova ta lexoj, por kam disa dyshime. Titulli është: XHAMIA SHQIPTARE, kurse brenda kuptimi i saj është: PËRKTHIMI I AUTORIZUAR I KURANIT NË GJUHËN SHQIPE  Ju lutem me tregoni a duhet t’i besojmë kësaj ëeb faqe apo jo? Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigjja: Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Webfaqja xhamiashqiptare.net është një faqe e cila duke pretenduar se promovon Islam, synon devijimin e muslimanëve nga besimi i saktë. Nuk është e qartë se kush qëndron pas kësaj, por nëse shikojmë mundin që është bërë në përkthimin e Kuranit me devijime dhe heqje të ajeteve, pastaj edhe në përkthimin e videove, atëherë kuptojmë se ekziston një mobilizim për këtë dhe qëllimi i tyre është që ta paraqesin Islamin në një formë tjetër me anë të së cilës do të arrihet futja e dyshimeve në mesin e muslimanëve të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme rreth fesë së tyre, ashtu si është realiteti i shumë muslimanëve shqipfolës.

Ideologjia dhe personi i cili promovohet në atë faqe është Rashad Halifa, i cili edhe njëkohësisht konsiderohet shpikësi i këtyre ideve devijante. Ai lindi në vitin 1935 në Egjipt, emigroi në SHBA dhe në vitin 1959 morri doktoraturën në fushën e kimisë dhe fitoi nënshtetësinë e Shteteve të Bashkuara. Një kohë punoi në UNESCO, mirëpo më pastaj filloi të merret me çështje të fesë. Ai filloi të banojë në qytetin Tucson të shtetit të Arizonës dhe në xhaminë e këtij qyteti e promovoi veten si imam xhamie. Fillimisht ai fliste rreth mrekullive numerike të Kuranit dhe kështu e bëri një libër që e quajti “Mrekullia e Kuranit Fisnik”. Në këtë libër Rashad Halifa pretendoi se numri 19 është numër i shenjtë dhe mrekulli e Kuranit, duke i bërë disa përpjesëtime brenda Kuranit, sikurse numrin e shkronjave të besmeles, numrin e sureve, numrin e ajeteve brenda sureve, etj.

Më vonë filloi të deklarohet më qartë për disa vërejtje brenda Kuranit dhe pretendimit se ky libër ka pësuar ndryshime dhe kështu kur u bënë të qarta idetë e tij, muslimanët e xhamisë e përzunë atë nga xhamia.

Pas kësaj ai hapi një qendër në të cilin thërriste në idetë e tij. Ai filloi devijimin e tij duke refuzuar tërësisht Sunetin, bazën e dytë të jurisprudencës islame dhe përfundoi në pretendimin e tij se është i dërguar nga Zoti (profet).

Nga fundi i viteve të shtatëdhjeta dhe viteve të tetëdhjeta ishte shumë aktiv dhe përdorte të gjitha metodat e mundshme për t’i përhapur dyshimet dhe mashtrimet e tij; u shkruante revistave dhe të përditshmeve që botoheshin nëpër vendet islame duke i thirrur në pasimin e tij, prodhonte video në të cilat promovonte ideologjitë e tij, disa nga të cilat tani i gjejmë të përkthyera edhe në gjuhën shqipe, etj. Menjëherë pas fillimit të thirrjes devijante të tij, ai u bë milioner dhe kishte informacione se mbante kontakte me qarqe të cilat mundoheshin ta zmbrapsin Islamin. Gjithashtu ai u ballafaqua edhe me akuza dhe u gjykua dy herë, një here për përdhunim e një vajze shtatëmbëdhjetëvjeçare.

Paraqitja e tij u ballafaqua me një kundërshtim dhe refuzim nga ana e dijetarëve islamë të kohës së tij, të cilët me argumente sqaruan rrezikun e ideve devijante të këtij njeriu.

Jeta e këtij njeriu i cili pretendonte se ishte i dërguar dhe se atij shpalljen po ia sillte Xhibrili, përfundoi me 31 janar 1990. Ai u gjet i vrarë në qendrën e tij dhe nuk u arrit të kuptohet se kush e kishte kryer këtë vrasje. Sido që të jetë, me vrasjen e tij u kuptua edhe realiteti i tij, ndërsa veprimet dhe pretendimet e tij të trilluara mbetën të shënohen në histori ashtu si janë shënuar historitë e të gjitha atyre që në të kaluarën mashtruan njerëzit duke pretenduar se janë të dërguar, për të cilët edhe paralajmëroi Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të. Ai në një hadith thotë:

“Nuk do të ndodhë dita e kiametit derisa fise nga umeti im do t’u bashkëngjiten idhujtarëve dhe derisa ata të adhurojnë idhujt. Gjithashtu do të ketë nga umeti im tridhjetë mashtrues që do të pretendojnë se janë Nebij (të dërguar), ndërsa unë jam vula e Profetëve dhe nuk ka të Dërguar pas meje.” (Shënon Termidhiu, ndërsa Albani e cilëson të saktë)

Devijimi i këtij personi dhe i tërë këtij sekti mund të përmblidhet në këto pika, ku secila tregon se sa janë larg Islamit:

1.      Pretendimi se Kurani është i devijuar dhe i shtuar, kështu që ai Kuran i përkthyer në gjuhën shqipe, i cili gjendet në ëebfaqe, është i njëjti Kuran të cilin e ka përkthyer Rashad Halifa në gjuhën angleze, duke ia shtuar disa komente devijante të trilluara dhe duke mënjanuar disa ajete, me pretendimin se janë të shtuara. Sikurse ajetet 128-129 të surës së nëntë (Teube).

2.       Refuzimi i tërësishëm i Sunetit të Dërguarit dhe haditheve të tij dhe thënia se duhet të kufizohemi vetëm me Kuranin. Kjo i ka bërë ata që të njihen edhe si sekti i emërtuar me “Kuranijun”. Dihet qartë se baza e dytë e legjislaturës islame është Suneti, rruga e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, dhe refuzimi i kësaj është refuzim i tërësishëm i Islamit.

3.       Refuzimi dëshmisë në formën si qëndron në Islam “La Ilahe il-la Allah, Muhamdu resulullah”-“Nuk ka Zot që meriton të adhurohet me të drejtë, përveç Allahut dhe Muhamedi është i dërguar i Zotit”, duke u kufizuar vetëm me frazën e parë, pa përmendur dëshminë se Muhamedi është i Dërguar i Zotit.

4.      Ndryshimi i mënyrës së këndimit të ezanit duke hequr disa fjalë që thuhen.

5.      Falja e namazit në një formë tjetër nga ajo si duhet falur, duke mos lexuar suret etj.

6.      Pretendimi se Rashad Halife është i dërguar i Zotit dhe kështu i bënë shpifje Zotit të Madhërishëm.

Pas këtij sqarimi i këshillojmë muslimanët e sinqertë, të cilët dëshirojnë që besimi i tyre të jetë larg çdo ideologjie të trilluar, që të largohen nga kontakti me faqen e lartpërmendur pasi ata janë njerëz qëllimkëqij, të cilët duke veshur petkun e Islamit tentojnë t’i humbin muslimanët nga Islami burimor. Lusim Allahun e Lartësuar të na mbrojë ne dhe të gjithë muslimanët nga intrigat e armiqve!

Burimi; albislam.com