KUPTIMI I DY DËSHMIVE DHE KËRKESËS SË TYRE

KUPTIMI I DY DËSHMIVE DHE KËRKESËS SË TYRE

0 1958

Hutbeja e parë

Lavd-falënderimi i takon Allahut, i Cili nuk ka fëmijë, as ortak në sundim, e as ndihmëtar! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Një dhe i pa ortak; I Lartësuar me një lartësim të madh është nga ajo që thonë zullumqarët dhe mohuesit!

Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, e dërgoi Allahu përpara çastit të Kiametit: përgëzues, e qortues, thirrës për tek Allahu me lejen e Tij dhe pishtar ndriçues, -Allahu e lavdëroftë dhe e shpëtoftë atë, shokët e tij e të gjithë pasuesit e tij deri në ditën e fundit-!

Më tej: O njerëz, druani Allahut dhe respektojeni!

Robër të Allahut! Me të vërtetë shtylla e parë prej shtyllave të Islamit është shehadeti: Dëshmia se s’ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, dhe që Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Dhe kjo shtyllë është themeli mbi të cilin ngrihen shtyllat e tjera, mbi të ndërtohen dispozitat e fesë, e ky themel po qe i shëndoshë e i fortë, punët e tjera përqendrohen e do të jenë të pranuara tek Allahu dhe do t’i bëjnë dobi vepruesit; e kjo shtyllë po u prish, të gjithë punët e tjera shkatërrohen e bëhen “hi e pluhur” (Furkan 23), e bëhen “si mjegulla (fatamorgana) në rrafshinë, të cilën, i etshmi e konsideron ujë, por kur të arrijë tek ai vend, nuk gjen asgjë” (Nur 39),  e bëhen “si hiri, të cilin me puhi e shkapërderdh era në ndonjë ditë të stuhishme” (Ibrahim 18), bëhet vetëm lodhje për vepruesin e tyre në këtë botë, e keqardhje, qeder dhe shkatërrim në ditën e Kiametit!

Robër të Allahut! Me të vërtetë dy dëshmitë kanë kuptim, po edhe kërkesa, e patjetër shqiptuesi i tyre të njeh atë domethënie e të punojë me atë kërkesë, ngase veç shqiptimi në vete nuk i bën dobi. E, kuptimi i “La ilahe il-lAllah”, është: Pohimi se nuk meriton adhurimin askush përveç Allahut dhe se çdo i adhuruar përveç Tij është i kotë: “Kjo ngase Allahu është Ai i vërteti, dhe atë që lusin ata pos Tij është e kotë. Allahu është vërtetë Ai i larti, i madhi” (Haxh 62) E, kërkesa e dëshmisë “La ilahe il-lAllah”, është: Të njësosh Allahun me adhurim dhe të mos adhurosh askënd bashkë me Të; ngase kur thua: Dëshmoj se s’ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, ti veçse ke shpallur distancim nga çdo i adhuruar përveç Allahut dhe i je përkushtuar adhurimit të Allahut të Vetëm, veprimit të asaj që të ka urdhëruar dhe lënies së asaj që të ka ndaluar. Po pra, atëbotë kur Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, u tha mushrikëve: “Thuani: La ilahe il-lAllah”, ata e kuptuan nga kjo se ai kërkon nga ata adhurimin e Allahut të Vetëm dhe lënien e adhurimit të idhujve, andaj u ndalën nga të thënit e kësaj fjale dhe e kundështuan, e thanë: “A mendon ai t’i bëjë zotat Një Zot? Vërtet, kjo është gjë shumë e çuditshme! Paria nga mesi i tyre shkoi duke i thënë njëri-tjetrit: vazhdoni të jeni të qëndrueshëm në adhurimin e zotave tuaj, pse kjo është një gjë e kurdisur. Ne nuk kemi dëgjuar diçka të këtillë në popullin (në fenë) e fundit; kjo nuk është tjetër, pos një trillim!” (Sad 5-7) Kjo është pra kuptimi i “La ilahe il-lAllah” të bësh adhurimin për një të adhuruar (për Allahun, të adhuruarin e vërtetë, sh.p.) dhe braktisja e çdokujt përveç Tij; e, mushrikët këtë e kishin kuptuar ngase ishin arabë elokuentë, kurse sot adhuresit e varreve nuk e kuptojnë dot domethënien e “La ilahe il-lAllah”, e as që dinë për kërkesat e saj, andaj ata thonë: “La ilahe il-lAllah” e prap i adhurojnë të vdekurit. Mushrikët e parë ishin më të ditur se këta për domethënien dhe kërkesat e “La ilahe il-lAllah”. Këta adhurues varresh thonë: “La ilahe il-lAllah”, po megjithëkëtë thonë: O Alij! O Husejn! O AbdulKadër! U luten të vdekurve e u kërkojnë ndihmë atyre për kryerjen e nevojave e kërkesave dhe heqjen e vuajtjeve, bëjnë tavaf rreth varreve të tyre e presin kurbane për ta, e vallë çfarë kuptimi ka tek këta “La ilahe il-lAllah”, e ç’dobi mund të kenë nga kjo?! Me të vërtetë ata janë një popull që nuk mendojnë, “Harruan Allahun (nuk iu bindën), prandaj Ai i harroi (nga mëshira) (Teube 67) “Atyre u janë hijeshuar veprat e tyre të këqia. Po, Allahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin mohues” (Teube 37)

Robër të Allahut! Nga kërkesat e “La ilahe il-lAllah” është të falësh namazin, që është shtylla e dytë pas shehadetit. Allahu,subhanehu ve teala, ka thënë: “Po, nëse ata pendohen, e falin namazin dhe e japin zeqatin, atëherë i keni vëllezër në fe.”(Teube 11) Dhe gjithashtu, prej kërkesave të dëshmisë “La ilahe il-lAllah” është të japësh zekatin, të agjërosh muajin ramazan dhe të kryesh Haxhin nëse ke mundësit’i kryesh obligimet fetare dhe të lësh ndalesat. Sahabët, radijallahu anhum, nën komandën e Ebu Bekër Sidikut, radijallahu anhu, patën luftuar ata që kishin ndalë zekatin, e që edhe këta thoshin: “La ilahe il-lAllah”, e sahabët thanë: “Me të vërtetë zekati është hak i “La ilahe il-Allah””. I është thënë Hasan Basriut, rahimehullah: “Njerëzit po thonë: Kush thotë: “La ilahe il-lAllah”, do të hyjë në Xhennet”, e ai atëherë u tha: “Kush thotë fjalën “La ilahe il-lAllah” dhe i ka kryer hakun që ka dhe ia ka përmbushur detyrimet, po, do të hyjë në Xhennet”. Vehb ibën Munebihu i pati thënë atij që e pyeti: “A nuk është “La ilahe il-Allah” çelësi i Xhennetit?” se: “Po si jo, porse s’ka çelës veçse i ka edhe dhëmbët, e nëse vjen me çelës që ka dhëmbë atëherë ka për t’u hapur, e përndryshe jo, s’të hapet”.

Robër të Allahut! Po sikur shirku i madh që e rrënon dhe e kundërshton “La ilahe il-lAllah”, ashtu edhe mëkatet e tjera e mangësojnë kërkesën e kësaj fjale dhe ia pakësojnë shpërblimin, varësisht prej gjynahut që del nga robi; Nga muslimani është e kërkuar të thotë: “La ilahe il-lAllah”, dhe t’ia di domethënien e saj dhe të punojë me kërkesën e saj haptazi e fshehurazi, e të drejtohet në të. Allahu, subhanehu ue teala, thotë: “Ata që i adhuruan pos Tij, nuk mund të ndërmjetësojnë (të bëjnë shefat), përveç kush dëshmoi të vërtetën, e ata e dinë” (Zuhruf 86) “…kush dëshmoi të vërtetën…” d.m.th.: tha: “La ilahe il-lAllah”,“…e ata e dinë…” me zemrat e tyre se ç’fjalë shqiptuan me gjuhët e tyre. Keni frikë Allahun o robër të Allahut, njiheni domethënien e kësaj dëshmie dhe punoni me kërkesat e saj, ngase nuk është për qëllim nga ajo thjesht vetëm shqiptimi, duke mos pasur kuptim, bindje të argumentuar për të dhe vepër me të, ngase kësisoj është e padobishme, pra s’të sjell dobi. Kërkoj mbrojtje tek Allahu të më ruajë nga shejtani i mallkuar, “Ne, nuk kemi dërguar asnjë pejgamber para teje e që të mos i kemi shpallur atij: “Ska të adhuruar me të drejtë përveç Meje, andaj adhuromëni Mua!” (Enbija 25).

Hutbeja e dytë

Lavd-falënderimi i takon Allahut që e dërgoi Pejgamberin me udhëzim dhe fe të vërtetë që të dominon mbi çdo fe, e i mjaftoi Allahu për Dëshmitar; Dëshmoj se nuk të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, i Vetëm e pa ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, -Allahu e lavdëroftë dhe e shpëtoftë atë, shokët e tij e të gjithë pasuesit e tij deri në ditën e fundit-!

Më tej: O njerëz, kuptimi i “Eshhedu ene Muhameden resulullah” është: Të vërtetuarit me bindje në zemër se Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, është i Dërguar nga ana e Allahut. E, kërkesa e kësaj dëshmie përmblidhet në katër çështje: Respektimi i tij në atë që ka urdhëruar, besimi në atë që ka lajmëruar, shmangia e frenimi nga ajo që ka ndaluar dhe të adhurosh Allahun me atë që ai ka ligjësuar. Kur ti dëshmon se ai është i Dërguar i Allahut obligohesh ta respektosh në atë që ty të ka urdhëruar, e të largohesh nga ajo që të ka ndaluar dhe ta besosh në atë që lajmëron për Allahun, subhanehu ue teala, për fshehtësirat e së kaluarës e të së ardhmes, dhe të mos afrohesh tek Allahu me diçka prej adhurimeve përveç nëse është në përputhshmëri me Sheriatin e tij, pra të lësh shpikjet e risitë-bidatet, të braktisësh fjalët që janë në kundërshtimin me Sunetin e tij, sado që thënësi i atyre fjalëve të ketë arritur dije e kuptim. Çdonjërit prej nesh i merret fjala, e i lihet, përveç të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem. Imam Maliku, rahimehullah, thotë: “Çdo njërit prej nesh i merret fjala, e i kthehet (s’i pranohet), përveç pronarit të këtij varri!”, -dhe bëri me shenjë nga varri i të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem. Imam Muhamed ibën Idriz Shafiu, rahimehullah ka thënë: “Të gjithë dijetarët janë të një mendimi se secilido që i qartësohet Suneti i të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, kurrsesi nuk i takon atij ta lë atë për fjalën e ndokujt tjetër”. Imam Ahmed ibën Hanbeli, rahimehullah, thotë: “Jam i çuditur me njerëzit, e njohën isnadin (zinxhirin e hadithit) dhe saktësinë e tij, dhe megjithëkëtë shkojnë tek mendimi i Sufjanit, ndërsa Allahu,subhanehu ue teala, thotë: “…le të druajnë ata që i kundërshtojnë urdhrit të tij, që të mos i arrijë ndonjë fitne ose që të mos i godas ata dënimi i dhembshëm.” (Nur 63) Vallë, a e di ç’është fitne? Fitneja është shirku; Kam druajtjen që nëse dikush i kthen prapa disa fjalë të tij, sal-lallahu alejhi ue selem, paskëtaj të bie në zemrën e tij diç nga devijimi e të shkatërrohet, e Allahu, subhanehu ue teala, thotë: “Çka t’ju jep i Pejgamberi, atë merreni e çka t’ju ndalojë, përmbahuni prej saj… (Hashër 7) Robër të Allahut! T’i keni frikë Allahut dhe ta respektoni, e ta keni në dijeni se fjala më e mirë është libri i Allahut, e udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, e punët më të këqija janë ato të shpikurat.

Përktheu: Mirsim Maliqi

Burimi; albislam.com

Marrë nga libri: Salih el-Fevzan, “El Hutabul minberijeh fil munasebatil asrijeh”, botim i Mektebetul Mearif lin neshri uet teuzië’, vëll. 1, f. 7-11

GJITHASHTU NË ALBISLAM