Kur duhet ta bëjmë nijetin për të marrë abdes?

Kur duhet ta bëjmë nijetin për të marrë abdes?

0 5065

Pyetja: A duhet që të bëjmë nijet për abdes në fillim ose gjatë larjes së fytyrës, apo mund të bëhet në çdo kohë duke marrë abdes?

Përgjigjja: Falënderimi i qoftë Allahut.

Së pari:

Nijeti (synimi për të vepruar) është thelbësor për të gjitha adhurimet, dhe asnjë adhurim – duke përfshirë edhe abdesin- nuk është i vlefshëm pa nijet.

Neveviu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Nijeti është kusht thelbësor për abdesin, guslin (larjen) dhe tejemumin, pa asnjë mospajtim mes nesh (medh’hebit) në lidhje me këtë. Ky është edhe mendimi i Malikut, Lejth ibn Sadit, Ahmed ibn Hanbelit dhe Davudit. Duke u argumentuar me fjalën e Allahut:

“Dhe ata nuk u urdhëruan, pos që ta adhurojnë Allahun ….” Sureja Bejine, 5.

Adhurimi me përkushtim të sinqertë është një veprim i zemrës; ky është nijeti dhe forma e urdhërimit këtu tregon se është i detyrueshëm (vaxhib).

Argument nga suneti është fjala e të dërguarit, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të: “Veprimet janë me qëllime”.

Argument tjetër është pjesa tjetër e hadithit: “Çdo personi i takon atë që ai ka për qëllim.” Nëse ai nuk ka nijet të merr abdes atëherë ai nuk ka abdes, dhe kështu me radhë.[1]

Së dyti:

Duhet të theksohet se vendi i nijetit është zemra, dhe se nuk shqiptohet me gojë.

Së treti:

Është më mirë që nijeti të bëhet në fillim të abdesit ose pak para, në mënyrë që nijeti të përfshijë të gjitha pjesët e abdesit. Ajo që është e detyrueshme është ta bëjmë nijetin kur të fillojmë t’i lajmë pjesët obligative të abdesit.

Shejh Ibn Uthejmini në librin e tij (Sherh al-Mumti (1/140)) thotë:

Nijeti ka dy vende:

1 – vendi i parë është në dispozitën e sunetit, që bëhet para një suneti gjatë abdesit, nëse ekziston ndonjë sunet para vaxhibit.

2 – të jetë vaxhib në fillim të një veprimi të detyrueshëm.

Bazuar në këtë, më së miri është të bëhet nijet para se të fillohet me abdes dhe është e detyrueshme të bëhet nijet me fillimin e veprimeve obligative të abdesit.

Dijetarët janë të ndarë në mendimi se cili veprim është i parë i detyrueshëm gjatë abdesit. Disa thonë është; Bismillah, të tjerët thonë është; shpërlarja e gojës – ky është mendimi më i saktë – të tjerët thonë; larja e fytyrës.

Por, nëse një person bën nijet gjatë veprimit të veprës obligative të abdesit, ai nuk do të shpërblehet për sunetet e mëhershme të abdesit, siç është; thënia Bismillah dhe larja e duarve tri herë.

Shejh Abdulaziz ibn Baz, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

Është vërtetuar nga i dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, se ai në fillim të abdesit lante duart tri herë, duke e bërë nijet abdesin, dhe thoshte Bismillah.[2]

Islamqa.info / albislam.com

Përktheu: Hoxhë Shpend Zeneli

—————

[1] Nga libri (el-Mexhmu) 1/356.

[2] Mexhmu el-Fetava nga shejh Ibn Baaz, 10/98.