Kushtet e ngrënies nga therorët e çifutëve dhe të krishterëve

Kushtet e ngrënies nga therorët e çifutëve dhe të krishterëve

0 6021

Pyetja: Unë e di që përmendja “Në emër të Allahut” gjatë therjes së kafshëve që u hahet mishi është e detyruar dhe se nuk lejohet ngrënia e asaj që nuk është përmendur emri i Allahut, mirëpo, ndonjëherë personi që është mysliman detyrohet gjatë udhëtimit në vendet jo islame dhe qëndrimit atje me vite për të punuar apo studiuar, pra, a ndalohet tërësisht ngrënia e mishit gjatë gjithë kësaj periudhe apo e konsideron këtë gjendje të detyruar të hajë mishin apo i lejohet që të përmend “në emër të Allahut” gjatë ngrënies?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut…

Një: Përmendja e Allahu gjatë therjes është kusht që kafsha e therur të konsiderohet e lejuar, sipas mendimit  më të saktë të dijetarëve.

Dy: Therja e ithtarëve të Librit (çifutëve dhe të krishterëve) lejohet me dy kushte:

1-Të ther kafshën në të njëjtën formë si e ther myslimani, të prenë fytin dhe ezofagun, të derdhet gjaku. Por, nëse e vret duke i zënë frymën, apo e qëllon me rrymë ose e fundos në ujë, në këtë rast nuk lejohet ngrënia e atij mishi. Gjithashtu, edhe myslimani nëse e vepron këtë nuk lejohet ngrënia e kafshës (mishit) të therur.

2-Të mos përmend gjatë therjes emër tjetër pos emrin e Allahut, si emrin e mesihut etj, mbështetur në fjalën e Allahut: “Dhe mos hani nga ajo që (para therjes së saj) nuk është përmendur emri i Allahut, vërtet ajo(ngrënia) është mëkat.” En’am – 121. Dhe fjala e Tij për ndalesat: “(Allahu) Ua ndaloi juve vetëm të ngordhtën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që theret (ngrihet zëri me të) jo në emër të Allahut”. Bekare, 173.

Shejh ibn Uthejmini Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Këtu ka për qëllim përmendjen e emrit tjetër jo të Allahut gjatë therjes, sikur të thotë “Në emër të mesihut”, ose “Në emër të Muhamedit”, ose “Në emër të Xhibrilit”, ose “Në emër të Latit (një prej putave gjatë kohës së injorancës në Meke)”, etj. Përfundoi nga tefsiri i sures Bekare.

Në ndalesë përfshihen edhe therjet që bëhen për tu afruar afër mesihut, etj, edhe pse nuk përmendet ndonjë emër tjetër pos Allahut, edhe kjo gjithashtu është e ndaluar.

Tre: Nëse myslimani apo një prej ithtarëve të Librit ther një kafshë, e nuk dihet se a përmend emrin e Allahut gjatë therjes apo jo, në këtë rast lejohet të hahet nga ai mish, dhe e përmend Allahun gjatë ngrënies, ngase Buhariu ka transmetuar hadithin e Aishes radijallahu anha se një grup i thanë të dërguarit salallahu alejhi ue selem: O i dërguar i Allahut, ne jemi një popull që na sjellin mish, nuk dimë se a kanë përmendur emrin e Allahut gjatë therjes apo jo. I dërguari salallahu alejhi ue selem ju tha: “Përmendeni Allahun dhe hani”.

Shejh ibn Uthejmini Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Nuk është patjetër të pyetet për therjen që e a kryer myslimani apo ithtari i Librit, dhe mënyrën se si e ka therur, a ka përmendur emrin apo jo? Bile edhe nuk duhet, ngase kjo është prej teprimit në fe, e i dërguari salallahu alejhi ue selem ka ngrënë prej kafshës së therur nga çifuti e nuk e ka pyetur atë. Në sahihun e Buhariut dhe të tjerë nga Aisheja radijallahu anha përcillet se një grup njerëzish i thanë të dërguari salallahu alejhi ue selem: Ne jemi një popull që na sjellin mish, dhe nuk dimë se kanë përmendur emrin e  Allahut apo jo, e ju tha: “Përmendeni Allahun dhe hani”. Aisheja tha: Ata ishin që sapo kishin pranuar Islamin. I dërguari salallahu alejhi ue selem i urdhëroi të hanë pa pyetur (për mishin) edhe pse këta  që kishin ardhur mund t’ju mungonin dispozitat islame, ngase ishin të rinj në islam”. Përfundoi nga libri “Dispozitat e kurbanit dhe të therjes” të shejh ibn Uthejminit Allahu e mëshiroftë.

Katër: Sipas asaj që u përmend më herët, kush udhëton në vendet jo islame, dhe shumica që therin atje janë të krishterë apo çifutë, atij i lejohet të hajë prej therjeve të tyre, përpos nëse e di se ata i godasin kafshët apo përmendin emër tjetër pos Allahut, siç cekëm më herët.

Nëse personi që ther është pagan apo ateist, nuk është e lejuar mishi nga therori i tij.

Pasi që therja e tyre nuk lejohet, nuk lejohet edhe ngrënia e saj me argument se është i detyruar, përderisa njeriu gjen se me çka të mban jetën e tij, me ngrënien e peshqve apo perime, etj.

Shejh AbduRrahman Berak Allahu e ruajt thotë: “Mishi që shitet në vendet e jobesimtarëve është disa lloje: Sa i takon peshkut, është hallall në çfarëdo mënyre ngase lejueshmëria e saj nuk bazohet në mënyrën  e therjes e as në përmendjen. Ndërsa llojet tjera, nëse ata që prodhojnë mishin janë firma apo individë nga ithtarët e librit prej çifutëve dhe të krishterëve, dhe nuk dihet mënyra e therjes se ata i vrasin kafshët qoftë me rrymë, më zënie të frymës, duke i goditur në kokë siç është e njohur në perëndim, në këtë rast ai mish është i lejuar, Allahu thotë: “Sot u lejuan për ju ushqimet e mira, edhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall)për ju, edhe ushqimet (të therurat) tuaja janë të lejuara për ta (u janë lejuar)”. Por, nëse i vrasin kafshët në një prej këtyre mënyrave atëherë ai mish është haram, ngase në këtë rast është prej “e furmja, e mbytura”.

Nëse ata që prodhojnë mish janë dikush tjetër e jo çifutë e të krishterë, mishi i tyre që e shesin është i ndaluar (haram), Allahu thotë: “Dhe mos hani nga ajo që (para therjes së saj) nuk është përmendur emri i Allahut, vërtet ajo (ngrënia) është mëkat”. Pra, myslimani duhet të mundohet të largohet nga harami i qartë dhe të ketë frikë gjërat e dyshimta, duke u kujdes të jetë i pastër në fenë e tij, në trupin e tij nga ushqimi me haram”.

Në Komisionin e Përhershëm për Fetfa është përmendur se: “Në origjinë lejohet ngrënia e kafshëve të therura prej Ithtarëve të Librit, fjala e Allahut: “edhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju”. Ibn Abasi radijallahu anhuma komenton fjalën “ushqim” me kafshët e therura, ky është një prej dy komenteve të këtij ajeti. Nëse ithtari i librit e ther kafshën dhe e dimë se ka përmendur emrin e Allahut lejohet të hahet, e nëse e dimë se ka përmendur emër tjetër pos Allahut, atëherë nuk lejohet të hahet, bazuar në fjalën e Allahut “Dhe mos hani nga ajo që (para therjes së saj) nuk është përmendur emri i Allahut, vërtet ajo (ngrënia) është mëkat”. Dhe fjala e Allahut për ndalesat: “ajo që theret jo në emrin e Allahut”. Nëse nuk dimë se a është përmendur emri i Allahut ose emri i dikujt tjetër, në origjinë lejohet ngrënia”.

Islam.info/ albislam.com

Përgatiti: Shpend Zeneli