LARGOHUNI NGA SHTATË MËKATET SHKATËRRUESE

LARGOHUNI NGA SHTATË MËKATET SHKATËRRUESE

0 14049

Transmetohet nga Ebu Hurejra,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Muhamedi,- salallahu alejhi ue selem!,- ka thënë: “Largohuni nga shtatë mëkatet shkatërruese. Thanë: Cilat janë ato, o i Dërguar i Allahut? Pejgamberi,- alejhi selam!,- tha: Shirku, magjija, vrasja e njeriut që ka ndaluar Allahu (vrasja e njeriut pa të drejtë), ngrënia e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, ikja nga beteja e luftës, dhe shpifja për imoralitet ndaj besimtareve të ndershme.” [1]

Dy fjalë rreth transmetuesit të hadithit:

Ebu Hurejre ed Deusi, sahabiu i nderuar, ai i cili u përkujdes më së shumti për hadithet e pejgamberit, alejhi selam, njëherit është sahabiu i cili më së shumti transmetoi hadithe nga Muhamedi, alejhi selam. Ka mospajtime mes ulemave rreth emrit të tij të saktë: disa thanë: Emri i tij është: Abdurrahman ibn Sahr, disa thanë: Abdurrahman ibn Ganem, etj. Mendimi më i saktë është se emri i tij është: Abdurrahman ibn Sahr. Vdiq në vitin 59 hixhrij, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:

Pejgamberi, alejhi selam, e paralajmëroi umetin e tij për rrezikun e veprimit të këtyre mëkateve shkatërruese. Dhe veprimi i secilit nga këto mëkate është shkatërrim për muslimanin, qoftë edhe veprimi i vetëm i njërit nga këto mëkate shkatërruese.

E para nga mëkatet shkatërruese: Shirku:

– Shirku ëdhtë mëkati më i madh, më i rrezikshëm, më shkatërrues, përmes të cilit njeriu e humb dynjanë dhe ahiretin. Shirku është mëkati i cili nuk falet nga ana e Allahut, nëse njeriu vdes dhe e takon Allahun duke e bartë me vete këtë mëkat shkatërrues (shirkun).

Shirku pengon pranimin e veprave të mira, të cilat njeriu i vepron në dynja.

Allahu,- xhele ue ala!,- në lidhje me rrezikun dhe pasojat e shirkut na paralajmëron në librin e tij, ku thotë: ” Nuk ka dyshim se Allahu nuk e falë shirkun, e përpos këtij mëkati (shirkut) Allahu i falë kujt do. Kush i bën shirk Allahut, ai ka trilluar një mëkat të madh.” (En Nisa: 48).

Kush bën (ther) kurban, ose bën sexhde, ose kërkon ndihmë nga të vdekurit, ose kërkon gjëra nga krijesat, gjëra të cilat nuk ka mundësi t’i ofrojë askush pos Allahut, ai veçse i ka bërë shirk Allahut dhe ka dalë nga Islami.

Nga llojet e shirkut, është edhe shirku i fshehtë: Veprimi i veprave për syefaqësi. Psh. Zbukurimi i faljes së namazit me qëllim që njerëzit të thojnë filani e falë namazin si duhet.

Nga llojet e shirkut është edhe shirku i vogël: Shirk i vogël është: Betimi jo në Allahun. Shirk i vogël është të thuhet: Dashti Allahu dhe filani (ajo që duhet të thuhet është: dashti Allahu, pastaj filani.

E dyta nga mëkatet shkatërruese është: Sihri:

– Sihri është realitet i cili ndodh, ndikon në zemrën e njeriut, trupin e tij. Përmes sihrit njeriu sëmuret, por edhe mund të vdes. Përmes sihrit ndahet burri nga gruaja, etj. Të gjitha këto ndodhin vetëm nëse don Allahu, pa lejen dhe dëshirën e Tij asgjë nuk mund të ndodhë. Sihri përpos se është kufër, ai shkakton edhe dëme të mëdha në shoqërinë dhe rrethin ku jetojmë.

Nuk duhet harruar se pa lejen e Allahut nuk ka mundësi të ndodhë asgjë, në lidhje me këtë Allahu,- xhele ue ala!,- thotë: ” Por, pa lejen e Allahut nuk mund t’i bënin askujt dëm.” (El Bekare: 102).

Kanë rënë në pajtim  të gjithë dijetarët islam se të mësuarit e sihrit është haram.

Nëse dikush mëson fjalë të sihrit, fjalë të cilat shpiejnë në kufër, atëherë ai që i mëson ka bërë kufër.

Të këtij mendimi janë: Imam Ahmedi, Maliku, disa nga sahabët dhe nga tabiinët se të mësuarit e sihrit dhe fjalëve të sihrit (fjalë kufrit), e nxjerr njeriun nga islami dhe dënohet me vdekje dhe nëse mbytet vdes si jobesimtar.

Mendimi tjetër i ulemave; Ai i cili mëson sihrin ka bërë mëkat të madh dhe duhet të mbytet, dhe nuk e gjykojmë me kufër, por vdes si mysliman (mendimi i imam Shafiut), por me një kusht: nëse nuk pretendon se ai ka fuqi me sihrin e tij mund të ndryshon krijesat e Allahut, ose mund t’i sjell lumturi dhe t’i bëj dëm krijesave, zakonisht ky është pretendimi i sihribazëve në çdo kohë dhe në çdo vend.

Omeri,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- urdhëroi vrasjen e sihribazes.[2]

Nëna e besimtarëve Hafsa,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- e dënoi me vdekje një grua të afërme e cila banonte afër saj, grua e cila ishte sihribaze.[3]

E treta nga mëkatet shkatërruese: Mbytja e njeriut pa të drejtë:

Allahu,- xhele ue ala!,- thotë: “Kush vret ndokënd që nuk ka vrarë njeriu(pa hak) ose nuk ka bërë çrregullime në tokë, është njësoj sikur t’i kishte vrarë të gjithë njerëzit.” (El Maide: 32).

E katërta nga mëkatet shkatërruese është: Ngrënia e kamatës

Allahu thotë në Kur’an: “Ata që marrin kamatë, do të ringjallen Ditën e Gjykimit, sikur ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet.” (El Bekare: 275).

“O besimtarë! Mos pranoni kamatë…” (Ali Imran: 130).

Allahu e ka mallkuar ngrënësin e kamatës, marrësin, pronarin, atë i cili e shkruan kamatën, dëshmitarin e kamatës, si dhe është i hidhëruar me ta në dynja dhe ahiret. Allahu na ruajtë nga ky mëkat i shëmtuar dhe i cili është përhapur me hov të madh në mesin e muslimanëve.

E pesta nga mëkatet shkatërruese është: Ngrënia e pasurisë së jetimit:

Prej hakut të jetimit është që muslimanët ta marrin nën përkujdesin e tyre, ta edukojnë, të kujdesen për ushqimin, veshmbathjen, pasurinë, deri në kohën kur ai bëhet i aftë të përkujdeset për veten e tij.

Allahu i ka paralajmruar dënim të rëndë atyre që ia shpenzojnë pasurinë e jetimit pa të drejtë, duke thënë: “Nuk ka dyshim se ata që shpenzojnë pasurinë e jetimit me pa të drejtë, at veçse mbushin barkun e tyre me zjarr, dhe ata do të digjen në zjarrin flakërues.” (Nisa: 10).

E gjashta nga mëkatet shkatërruese është: Ikja nga fushëbeteja kur takohet me armikun:

Nuk i lejohet muslimanit të ikë nga fushëbeteja, sepse ai është fitues në çďo aspekt, qoftë marrja e plaçkave të luftës, ose fitorja e luftës, dhe ajo që është më e rëndësishmja është rënia shehid dhe pranimi i shehidllëkut nga ana e Allahut, xhele ue ala.

E shtata nga mëkatet shkatërruese është shpifja për imoralitet ndaj grave të ndershme:

Kush shpifë për imoralitet një grua të pastër dhe nuk i posedon katër dëshmitarë, ai llogaritet gënjeshtarë, nuk i pranohet dëshmia kurrë, obligohet të dënohet me tetëdhjetë rrahje me kamxhik.

“Ata që i akuzojnë gratë e ndershme për imoralitet dhe nuk i sjellin katër dëshmitarë, rrihni ata me tetëdhjetë të rëna dhe kurrë mos ia pranoni më dëshminë, ata janë njerëz ngatrrestarë.” (Nurë: 4)

Ky është dënimi që meriton në dynja. Kurse, dënimi në ahiret: “Nuk ka dyshime se ata që shpifin për gratë e ndershme ,zemërdëlira dhe besimtare, ata janë të mallkuar në dunja dhe ahiret, për ta ka një dënim të madh. Atë ditë, do të dëshmojnë kundër tyre: gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për atë që kanë bërë.” (Nurë: 23-24).

Andaj, ti o musliman, ke frikë Allahun, mos bën çrregullime në tokë, largohu nga mëkatet shkatërruese.

Mëkatë shkatërruese nuk janë vetëm këto që i përmendëm, por ka edhe tjera, ashtu siç ka thënë Ibn Abasi. Largohu nga mëkatet e mëdha, mësoi se cilat janë ato dhe distancohu nga ato.

Allahu,- xhele ue ala!,- ka thënë: “Nëse ju largoheni nga mëkatet e mëdha që ju janë ndaluar, atëherë ne do t’u falim mëkatet e vogla, si dhe do t’ju shpiejm në një vend të nderuar.” (Nisa: 31).

Çka përfitojmë nga kjo hytbe:

Nga kjo hytbe përfitojmë:

  1. Mëshira, dashuria dhe kujdesi i Pejgamberit,- alejhi selam për umetin e tij, duke i lajmruar dhe mësuar ata se çfarë është e lejuar të veprohet si dhe duke ua tërhekur vërejtjen atyre nga gjërat e ndaluara.
  2. Obligohet muslimani të distancohet nga këto mëkate shkatërruese.
  3. Muslimani obligohet t’i mësoj edhe mëkatet tjera shkatërruese që kanë ardhur në Kur’an dhe Sunet, si dhe të largohet nga veprimi i tyre.
  4. Mëkati më i madhë është Shirku, mëkat të cilin nuk e falë Allahu.
  5. Shirku e nxjerr njeriun nga Islami dhe ia hudh në humnerë të gjitha veprat e mira të vepruara para shirkut.
  6. Sihribazi duhet të dënohet.
  7. Vlera e moralit në mesin e muslimanëve.
  8. Shpifja ndalohet në islam.
  9. Obligohen katër dëshmitarë për akuzimin e dikujt për imoralitet, nëse nuk sillen katër dëshmitarë, dënohet shpifësi me tetëdhjetë të rëna, largim nga shoqëria islame dhe mos pranim të dëshmisë.
  10. Kujdesi i islamit për jetimin.

Autor: Ebu Abdilah Umejr el Mekkij

Nga arabishtja: Suad B. Shabani.

[1] (Shënon: Buhariu: 2766- 6857 , Muslimi: 145, Ebu Davudi: 2873, Nesaiu: 6/215).

[2] (Ahmedi në musnedin e tij: 1/190, Ebu Davudi: 3043- 3/431, Abdurrezaku në musanefin e tij: 10/190, Bejhekiu në sunenin e tij: 8/136, zingjiri i trasnmetimit të këtij hadithit është sahih).

[3] (Imam Malikun në muvetan e tij: 2/871 dhe Abdullah ibn Ahmed(djali imam Ahmedit) në fetvat e babait të tij e cekë ketë transmetim: 1043).

GJITHASHTU NË ALBISLAM