LINDJA DHE JETA PARA PROFETËSISË

LINDJA DHE JETA PARA PROFETËSISË

0 5973

I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) lindi te njerëzit e fisit Beni Hashim në Mekë. Ishte mëngjesi i ditës së hënë, dita e nëntë (thuhet edhe dita e dymbëdhjetë) e muajit Rabiul Euel, në vitin e ngjarjes së Elefantit.


 Data 9 është më e saktë, ndërsa data 12 është më e dëgjuar. Data e dytë bie më 22 prill të vitit 571, të erës sonë. Qe Shifaja, bija e Amrit, e ëma e Abdurr Rrahman ibn Aufit, ajo që e priti foshnjën. Kur e lindi Profetin (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli prej së ëmës një dritë, prej së cilës shndritën edhe pallatet e Shamit. Pastaj i dërguan fjalë gjyshit të Muhamedit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), Abdul Muttalibit për t’i dhënë sihariqin e lindjes së Muhamedit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Abdul Muttalibi erdhi menjëherë shumë i gëzuar, e mori foshnjën, e futi në Qabe, e falenderoi Allahun, i bëri lutje Atij dhe ia vuri foshnjës emrin Muhamed (i Falenderuar), sepse shpresonte që të falenderohej. Pastaj theri kurban për lindjen e tij dhe në ditën e shtatë të lindjes e bëri synet dhe sipas zakonit të arabëve, shtroi një darkë për të. Qumështi i gjirit

E para grua që i ka dhënë gji Muhamedit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pas nënës së tij, është Thuvejbja, robëresha e Ebu Lehebit, e cila kishte ende qumësht. Asaj i pati lindur një djalë, Masruhi. Thuvejbja i kishte dhënë gji më parë edhe Hamzait, birit të Abdul Muttalibit dhe më pas Muhamedit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe Selemit, birit të Adil El Mahzumiut. Pra, këta të tre (Hamzai, Muhamedi, dhe Selemiu) ishin vëllezër qumështi, sepse kishin pirë qumësht nga e njëjta grua. Kur mori vesh për lindjen e Muhamedit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) Ebu Lehebi u gëzua shumë dhe e liroi robëreshën e vet. Mirëpo, kur Muhamedi filloi t’i ftonte njerëzit për në Islam, Ebu Lehebi u bë nga armiqtë e tij më të egër. Muhamedi në fisin Benu Sa’ad Arabët e kishin traditë që për fëmijët e porsalindur të kërkonin gjidhënëse në zonat malore. Ata vepronin kështu për t’i larguar foshnjat nga sëmundjet e qyteteve, për t’i forcuar fizikisht dhe për t’ua mësuar gjuhën arabe në djep të pastër. Allahu kishte vendosur që disa gra nga fisi Beni Sa’ad bin Bekr Hauazin, të vinin për të kërkuar foshnje gjiri. Të gjithave ia paraqitën profetin Muhamed (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), por ata nuk pranuan ta merrnin, sepse ishte jetim. Njëra nga gratë, që kërkonte fëmijë për t’i dhënë gji, meqënëse nuk gjeti të tjerë, mori Profetin (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ajo ishte Halimja, bija e Ebu Dhuejbit. Ajo pati aq mirësi prej tij, sa e patën zili të tjerët. Emri i vërtetë i Ebu Dhuejbit, babait të Halimes, ishte Abdullah ibn el Harith. Emri i të shoqit ishte Harith, biri i Abdul Uzzas. Kurse fëmijët e Harith ibn Abdul Uzzas dhe vëllezërit e qumështit të Profetit Muhamed ishin: Abdullahu, Unejsja dhe Xheddameja, e cila quhej edhe Shimae, por më shumë njihej me mbiemrin se sa me emrin. Ajo kujdesej për të Dërguarin e Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Begatitë në shtëpinë ku i jepej gji

 Gjatë kohës që Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndroi në atë shtëpi, erdhën shumë mirësi për njerëzit e asaj shtëpie. Kur Halimja erdhi në Mekë, ishte kohë thatësire. Ajo kishte një gomaricë, e cila ecte shumë ngadalë, sepse ishte shumë e dobët dhe e rraskapitur. Kishte edhe një deve, që nuk i jepte asnjë pikë qumësht. Halimja kishte edhe një djalë të vogël, i cili tërë natën nuk i pushonte së qari e së bërtituri, sepse kishte uri e nuk i linte prindët të flinin. Kur erdhi Halimja me Profetin (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe e vuri në prehër, i erdhi gjiri e iu shtua qumështi; foshnja piu dhe u ngop. Piu edhe djali i saj i vogël, derisa u ngop dhe fjetën gjumë. I shoqi shkoi te deveja dhe pa se ajo kishte tërë atë qumësht. E moli, pinë të dy sa u ngopën, fjetën dhe kaluan një natë shumë të mirë. Halimja me të shoqin dolën për të shkuar te stepat e Beni Sa’adit. Ajo i hipi gomaricës e mori me vete edhe Profetin. Gomarica ecte aq shpejt, sa ia kaloi varganit dhe asnjë nga gomerët nuk mund ta arrinte dot. Halimja me të shoqin arritën në vendin ku banonte fisi Beni Sa’ad, një nga vendet më të thata. Për habi, panë se delet e tyre vinin në mbrëmje të ngopura, me gjinj plot qumësht. I milnin delet dhe pinin qumësht me bollëk, në një kohë kur bagëtitë e të tjerëve nuk jepnin asnjë pikë qumësht. Kështu, Halimja me të shoqin panë shumë mirësi prej Allahut gjatë kohës që Muhamedi (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndroi tek ata. Pasi u plotësuan dy vjet, Halimja ia ndërpreu gjirin. Tashmë ai ishte zhvilluar dhe forcuar fizikisht. Qëndrimi në fisin Beni Sa’ad Halimja shkonte te nëna e Muhamedit dhe familja e tij në çdo gjashtë muaj. Pastaj kthehej me të tek fshati i saj, në Benu Sa’ad. Pasi e plotësoi afatin e dhënies gji dhe ia ndërpreu atë, erdhi bashkë me Muhamedin (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) edhe nëna e tij, Eminia dhe u përpoq që ta mbante përsëri foshnjën, sepse kishte parë shumë begati e mirësi. Iu lut së ëmës që ta linte edhe ca kohë tek ajo. Halimja i tha Emines: “Meqënëse në Mekë ka rënë sëmundja e kolerës, kam frikë se mos sëmuret po ta lë Muhamedin këtu në Mekë. Prandaj, ma jep ta mbaj edhe ca kohë.” Eminia pranoi. Kështu, Halimja u kthye e gëzuar në shtëpinë e saj bashkë me Muhamedin. Ai qëndroi tek ajo edhe dy vjet të tjera. Pastaj, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme, e habitshme. Halimja dhe i shoqi i saj patën frikë ta mbanin Muhamedin (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), prandaj e kthyen atë te e ëma. Ngjarja e habitshme qe çarja e gjoksit të Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Enes ibn Maliku ka kumtuar se kur i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) po luante me djemtë e tjerë, i erdhi Xhibrili, e mori dhe e shtriu për tokë, ia çau zemrën dhe ia nxori atë jashtë, pataj i nxori një copë të vogël mishi dhe i tha: “Kjo ishte pjesa e djallit.” Pastaj ia lau zemrën në një tas ari me ujë zemzemi. Më pas e bashkoi dhe e vuri në vend ashtu siç ishte. Djemtë erdhën me nxitim te nëna e tij e qumështit, Halimja dhe i thanë: “Muhamedi u vra.” U kthyen menjëherë e i dolën përpara dhe panë se atij i kishte ndryshuar ngjyra e fytyrës. “Unë e kam parë shenjën e asaj qepjeje në gjoksin e tij”,- përfundon Enesi. Te nëna e vet e dashur Pasi ndodhi kjo ngjarje e jashtëzakonshme, Profeti Muhamed (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kthye në Mekë dhe qëndroi tek e ëma rreth dy vjet. Pastaj, Eminia u nis bashkë me të për në Medine. Në këtë udhëtim atë e shoqëronin kujdestari i saj, Abdul Muttalibi dhe shërbyesja e saj, Ummu Ejmeni. Ajo qëndroi në Medine një muaj, pastaj u kthye në Mekë. Aty qenë varrosur babai i Muhamedit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe dajat e gjyshërit e tij, Benu Adji ibn En Nexhar. Gjatë rrugës Eminia u sëmur. Më tej gjendja u keqësua dhe ajo vdiq në Ebua, midis Mekës dhe Medines. Aty edhe u varros. Gjyshi e shoqëroi deri në Mekë Muhamedin (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), duke ndjerë thellë në zemër dhembjen e madhe që i kishte shkaktuar fatkeqësia e re. Ai sillej me Muhamedin me një butësi, të cilën nuk e njihnin as djemtë e vet. Abdul Muttalibi e vlerësonte shumë Muhamedin dhe e nderonte dhe e preferonte më shumë se djemtë e vet. E vinte në dyshekun e vet, ku nuk ishte ulur tjetërkush deri atëherë. I fërkonte shpinën dhe gëzohej nga ajo që bënte ai. Abdul Muttalibi besonte se ai djalë do të kishte një të ardhme të madhe. Mirëpo pas dy vjetësh, Abdul Muttali vdiq, në moshën 80 vjeç dy muaj dhe dhjetë ditë. Te xhaxhai i vet i dashur Kujdestarinë për Muhamedin (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e mori përsipër xhaxhai i tij, Ebu Talibi. Ai tregoi shumë mëshirë dhe dashuri ndaj tij. Ebu Talibi nuk ishte i pasur, por Allahu, ia shtoi atë pasuri të pakët që kishte: një ushqim i vetëm ngopte të gjithë familjen e tij. I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte shembull flijimi dhe durimi. Ai mjaftohej me atë që i kishte caktuar Allahu i Madhëruar. Udhëtimi për në Sham dhe takimi me priftin Ebu Talibi do të shkonte për tregti me një vargan të Kurejshve deri në Sham (Siri). Muhamedi në atë kohë ishte dymbëdhjetë vjeç. Dikush ka thënë se ishte dymbëdhjetë vjeç e dy muaj dhe dhjetë ditë. Ebu Talibi nuk duronte dot që të largohej nga Muhamedi (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Nga dhembshuria që kishte për të, e mori me vete. Kur vargani arriti afër qytetit Basra, në kodrat e Shamit, u doli përpara një nga priftërinjtë e mëdhenj të krishterëve, që quhej Behira. Ai hyri midis varganit, shkoi te Muhamedi (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), e mori për dore dhe i tha: “Ky është më i madhi i njerëzimit. Ky është i dërguari i Zotit të botëve. Këtë e dërgon Allahu mëshirë për të gjithë botët.” Ata që qenë aty, e pyetën: “Ku e di ti këtë?” “Kur ju dolët prej qafës së malit,- tha prifti, nuk mbeti gurë e dru pa rënë në sexhde. E, gurët e drurët bëjnë sexhde vetëm për profetët. Unë, e njoh atë, sepse ka vulën e profetësisë pas shpine, nën shpatull; ajo është sa një mollë; e kemi të shkruar në librat tanë.” Pastaj, prifti Behira i nderoi ata me mikpritjen e tij. Ai i tha Ebu Talibit që ta kthente Muhamedin dhe të mos shkonte me të në Sham, sepse kishte frikë mos i ndodhte gjë nga jehudinjtë dhe romakët. Ebu Talibi e ktheu Muhamedin (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Mekë. Lufta e Fuxharit

 Kur Muhamedi (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte njëzet vjeç, në vendin e quajtur Pazari i Ukadhit filloi një luftë midis fiseve Kurejsh dhe Kinan nga njëra anë dhe fisit Kajs Ajlani nga ana tjetër. Patën ndodhur katër grindje në katër vjet midis atyre fiseve. Tri të parat përfunduan vetëm me grindje dhe me një acarim të lehtë. Vetëm në të katërtën ndodhi lufta. Lufta u ashpërsua shumë. U vranë disa veta nga të dy palët. Pastaj, bënë armëpushim, që të numëronin të vrarët. Ajo palë që do të kishte të vrarë më tepër do të merrte shpagimin e gjakut që ishte derdhur më shumë. Kështu vendosën, e pushuan luftën e i hoqën armiqësitë dhe sherrin që ishin krijuar midis tyre. Në atë luftë mori pjesë edhe i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ai i përgatiste shigjetat xhaxhallarëve të vet që luftonin. Kjo luftë është quajtur Lufta e Fuxharit, sepse fiset ndërluftuese shkelën shenjtërinë e Mekës dhe të muajit të shenjtë. Pakti i drejtësisë Në muajin Dhul Ka’ade, fill pas luftës së Fuxharit u vendos Pakti i Drejtësisë (Hilful Fudul) ndërmjet pesë barqeve të fisit Kurejsh: Benu Hashim, Benu el-Muttalib, Benu Esed, Benu Zehre dhe Benu Temim. Cila qe arsyeja e vendosjes së paktit? Një burrë nga Zebidi erdhi në Mekë me një plaçkë, të cilën ia bleu Asib Uail es-Sehmiu, por ai nuk i dha atë që i takonte. Burri kërkoi ndihmë nga fiset Benu Abdu Dar, Benu Mahzum, Benu Xhemeh, Benu Selim dhe Benu Adj, por ata nuk ia vunë veshin. Atëherë, ai hipi në majë të malit Ebu Kubejs dhe tha me vjershë padrejtësinë që i kishin bërë. Pastaj bëri thirrje që ta ndihmonin të merrte të drejtën që i takonte. Menjëherë shkoi atje Zubejr ibn Abdul Muttalibi dhe qëndroi aty, derisa ato barqe që përmendëm më lart, u mblodhën në shtëpinë e Abdullah ibn Xhed’anit, kryetar i fisit Benu Temim. Dhanë besën dhe bënë paktin që të ndihmonin në Mekë çdo njeri që do t’i bëhej padrejtësi. Atij duhej t’i kthehej e drejta që i takonte, qoftë vendas a i huaj. Pastaj u çuan dhe shkuan tek Asi, i biri i Uail es-Sehemiut dhe ia morën me forcë atë që i takonte Zubejdiut e ia dhanë atij. Në këtë pakt mori pjesë edhe vetë i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bashkë me xhaxhallarët e vet. Pasi Allahu e nderoi me mesazhin profetik, tha: “Në shtëpinë e Abdullah ibn Xhed’anit kam marrë pjesë në një pakt, që për mua ishte më i dashur sesa pasuria më e shtrenjtë. E sikur të bëhej thirrje për një pakt të tillë në Islam, unë do ta pranoja.” Jeta dhe puna Dihet se Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) lindi jetim dhe u rrit nën kujdestarinë e gjyshit e më pas të xhaxhait dhe nuk trashëgoi nga babai i vet ndonjë pasuri. Kur u bë në moshën, kur mund të punonte, zakonisht ruajti delet bashkë me vëllezërit e vet nga qumështi të fisit Benu Sa’ad. Kur u kthye në Mekë, ruajti delet e vendasve, me njëfarë pagese të vogël, që në kohën tonë mund të jetë dhjetë rijal4. Ruajtja e deleve është një traditë profetike, në fillim të jetës së tyre. Pasi e nderoi Allahu me misionin profetik, Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Cdo profet ka ruajtur delet.” Kur u rrit e u bë burrë, Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) filloi të merrej ca e nga ca me tregti. Eshtë kumtuar se ai ka pasë bërë tregti me Seib ibn Ebu Saibin, të cilin e kishte bashkëpunëtorin më të mirë, që nuk bënte padrejtësi dhe nuk grindej. Në marrëdhënie me njerëzit, Profeti Muhamed (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është njohur dhe shquar për besnikëri, për çiltëri dhe ndershmëri. E tillë ka qenë sjellja e tij në çdo hap e në të gjitha fushat e jetës, ndaj e mbiquajtën El Emin (Besniku). Udhëtimi për në Sham dhe tregtia me pasurinë e Hatixhes Hatixhja, bija e Huuejlidit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka qenë më e mira e grave të fisit Kurejsh, si për nga nderi, ashtu edhe për nga pasuria. Ajo u jepte pasuri tregtarëve, që të tregtonin me të përkundrejt një pjese fitimi. Kur dëgjoi për Profetin (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i propozoi që të shkonte në Sham, të tregtonte për të dhe t’i jepte atij më shumë nga ç’u kishte dhënë të tjerëve. Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u nis për në Sham bashkë me shërbëtorin e Hatixhes, Mejserin. Në Sham shiti e bleu dhe pati një fitim të madh. Kështu pasuria e Hatixhes pati një begati që nuk e kishte pasur kurrë. Pasi bënë tregti në Sham, i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u kthye në Mekë dhe çoi në vend amanetin. Martesa me Hatixhen Hatixhja pa te Muhamedi (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) besnikëri dhe mirësi, që nuk e kishte parë asnjëherë dhe u habit. Shërbëtori, Mejseri i tregoi çfarë kishte parë te Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Thuhet edhe për ndodhi të jashtëzakonshme; për shembull, kur ishte vapë e madhe, atij i jepnin ujë dy engjëj. Hatixhja e kuptoi që do të ishte lumturi e madhe të martohej me të. Iu propozua Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për martesë dhe ai pranoi. Për këtë bisedoi edhe me xhaxhallarët e vet. Ata i dërguan fjalë xhaxhait të Hatixhes, Amir ibn Esedit. Xhaxhai e martoi Hatixhen me Profetin (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në prani të njerëzve nga fisi Benu Hashim dhe të kryetarëve të fisit Kurejsh, me një prikë prej 20 deve ose 6 deve të reja. Fjalën e martesës e mbajti xhaxhai i Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), Ebu Talibi. Ai e falenderoi dhe e lavdëroi Allahun. Pastaj përmendi prejardhjen e nderuar dhe të mirat e Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Pastaj shpalli lidhjen e martesës dhe tregoi sasinë e prikës. Martesa e Muhamedit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me Hatixhen u bë dy muaj e ca ditë pas kthimit të Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga Shami. Atëherë, Muhamedi (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte 25 vjeç, ndërsa Hatixhja (sipas versionit më të njohur) ishte 40 vjeçe. (Thuhet edhe se ka qenë 28 vjeçe; dikush ka thënë edhe ndryshe). Ajo qe martuar më parë me Atik ibn Aidh El Mahzumiun, por ai vdiq. Pastaj u martua me Ebu Halid Timinun, por edhe ai vdiq. Me të pati një djalë. Më pas kryetarët e mëdhenj të fisit Kurejsh deshën të martoheshin me të, por ajo nuk pranoi, derisa u martua me të Dërguarin e Allahut. Martesa me të qe një lumturi, që e kishin lakmi të gjithë njerëzit. Hatixhja është gruaja e parë e Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe deri sa vdiq ajo, ai nuk ka marrë tjetër për grua. Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i pati të gjithë fëmijët me Hatixhen, përveç Ibrahimit, të cilin e pati me Marien, që ishte nga Koptet e Egjiptit. Fëmijët që pati me Hatixhen Fëmijët që pati Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me Hatixhen janë: Kasimi, Zejnebja, Rukija, Ummu Kulthumi, Fatimja dhe Abdullahu. (Ka edhe thënie të tjera përsa i përket numrit dhe radhës së tyre.) Djemtë kanë vdekur të vegjël, ndërsa vajzat kanë jetuar të gjitha. Ato u bënë myslimane dhe u shpërngulën nga Meka në Medine. Tri vajza vdiqën para se të vdiste Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Fatimja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) jetoi edhe gjashtë muaj pas vdekjes së Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ndërtimi i Shtëpisë së Shenjtë Kur Muhamedi (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte në moshën 35 vjeç, ndodhi një furtunë e madhe. Ajo i çau dhe i mbuloi muret e Qabes. Muret qenë dobësuar edhe më parë për shkak të një djegieje. Kurejshët u detyruan që ta ndërtonin atë rishtaz. Ata vendosën që të përdornin pasuri të pastër në të. Nuk do të hynte në ndërtimin e Qabes asnjë lloj pasurie e grabitur a e fituar me kamatë ose me padrejtësi. Ata i trembeshin dënimit të Allahut. U çua Uelid ibn Mugira dhe tha: “Allahu nuk i dënon ndërtuesit.” Dhe nisi të shembë muret. E ndihmuan edhe të tjerët. U shembën muret dhe arritën te themelet e Ibrahimit. Pastaj filluan ndërtimin. Secilit fis i caktuan pjesën që do të ndërtonte. Vetë kryetarët e fiseve mbartnin gurë. Ndër ta, edhe i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe xhaxhai i tij, Abbasi. Ndërtimin e Qabes e mori përsipër një ndërtues romak, që quhej Bakum. Meqënëse pasuria e pastër nuk u mjaftonte për ndërtimin e Qabes mbi themelet e Ibrahimit, lanë pa ndërtuar 6 kutë nga veriu. Në kufirin e 6 kutëve ndërtuan një mur të vogël për të treguar se është prej Qabes. Kjo pjesë njihet me emrin “Guri” dhe “Hatimi”. Kur, ndërtimi arriti në vendin e Gurit të Zi, secili prej kryetarëve donte të ishte vetë i nderuari, duke vënë Gurin e Zi në vendin e tij. Ata filluan të grindeshin. Kështu vazhduan 4 ose 5 ditë. Për pak grindja desh u kthye në një luftë të përgjakshme në Haram5. Vetëm se Ebu Umejje ibn Mugire el Mahzumiu arriti ta kalojë situatën me urtësi. Ai ishte më i vjetri i kurejshëve. Ai propozoi që i pari që do të hynte në derën e xhamisë, të gjykonte. Të gjithë e pranuan dhe ranë në një mendje për këtë. Ishte vendimi i Allahut që i pari që do të hynte në xhami pas vendimit të kurejshëve të ishte i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Posa e panë atë, kurejshët brohoritën dhe thanë: “Ky është i Besueshmi, ne jemi të kënaqur.” Kur ai arriti tek ata, i shpjeguan ngjarjen. Atëherë, i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mori një velencë dhe e vuri Gurin e Zi në të. Pastaj urdhëroi secilin prej kryetarëve të kapë një cep të velencës dhe ta ngrinin atë të gjithë së bashku. Kur e afruan Gurin te vendi ku do të vihej, e mori në dorë i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe e vendosi në vendin e vet. Kjo qe një zgjidhje e zgjuar dhe e arsyeshme e të gjithë u kënaqën me të. Gurin e zi e ngritën nga toka një metër e gjysmë, ndërsa derën e Qabes e ngritën rreth 2 metra nga toka, me qëllim që të mos hynte askush tjetër aty përveç atij që donin ata. Muret i ngritën tetëmbëdhjetë kutë, kurse më parë patën mbetur përgjysmë. Brenda Qabes bënë gjashtë shtylla në dy rreshta dhe tavanin e vunë në një lartësi prej pesëmbëdhjetë kutësh. Më parë, Qabja ka qenë pa tavan dhe pa kollona. Jeta e Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) para se të bëhej Profet Që i vogël, Muhamedi u rrit me mendje të shëndoshë, i zhvilluar fizikisht dhe i pastër shpirtërisht. Ai u rrit, u burrërua dhe u zhvillua duke trashëguar tërë cilësitë e mira. Muhamedi karakterizohej nga largpamësia, mendimi i drejtë dhe zgjuarsia e rrallë. Ishte shembull i përkryer në mor al. Dallohej për çiltëri, për mbajtjen e amanetit, për sjellje të njerëzishme, për moral të lartë, urtësi, durim, mirënjohje, sedër, thjeshtësi dhe dashamirësi. Ai ishte në majën më të lartë të mirëbërësisë e të humanizmit. Për këtë, xhaxhai i tij Ebu Talib ka thënë: “Ai e ka fytyrën të bardhë, ndihmon jetimët dhe mbron të vejat.” Ai shikonte farefisin. Ai e mbante vetë atë që rëndonte shpatullat e njerëzve. Ai ndihmonte ata që nuk kishin, derisa të mëkëmbeshin; ai ndihmonte më të dobëtit; ai ndihmonte atë që i kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi. Allahu e kishte rrethuar me ruajtjen dhe kujdesin e Vet. E kishte bërë që t’i urrente ato vese dhë gjëra të kota e të këqija që gjallonin në popullin e tij. Prandaj, Muhamedi (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk merrte pjesë në festat e paganëve dhe të idhujtarëve. Ai nuk hante kurrë nga ai mish që therej për idhujt ose për dikë tjetër përveç Allahut. Ai nuk i duronte dot as betimet në Latin dhe Uzzanë, as prekjet me dorë a afrimin tek ata. Ai u qëndronte pijeve alkoolike më larg se të gjithë njerëzit dhe nuk shkonte për të dëgjuar muzikë. Ai nuk ka shkuar asnjëherë në vendet ku kalohej koha me gjëra të kota a në klube ku mblidheshin të rinjtë e ku takoheshin të dashuruarit në Mekë.

Safijurrahman el-Mubarekfuri