LULJA E DYMBËDHJETË

LULJA E DYMBËDHJETË

0 1533

Me fjalën e fundit, që m’u duk se e mora prej saj, e vazhdova rrugën time. Një lloj kurajë më dha në veten time, se në rrugën e besimit jam duke ecur dhe në këtë rrugë jam duke i parë gjurmët që jam duke i lexuar nga lulet. Sa më tepër që dinë njeriu, aq më të sigurt e ndien veten, por jo edhe më të lumtur. Me rëndësi është që dija të bën të matur në sprova dhe të jep rrugëdalje në vështirësitë që i krijon jeta.

Me këto mendime, kur ja, një mendim që më erdhi në kokën time, nuk desha që ta zbuloj, ngase prej së largu jam duke e parë porosinë e lules së radhës dhe më duket se ajo e ka porosinë e njëjtë. Pa e marrë, por vetëm duke e shikuar, lexova: Ibën Kajimi ka thënë: “Agjërimi ka një ndikim të çuditshëm në ruajtjen e gjymtyrëve të jashtme dhe forcës së brendshme. Ai e ruan shëndetin, zemrën dhe gjymtyrët, e këtyre ua kthen atë që ua merr dora e pasionit. Ky është ndihmësi më i madh i devotshmërisë.” Çfarë fjalie, foli shpirti, kuptohet se mendimi im ishte i aspektit të përgjithshëm mbi dobinë e agjërimit, e jo në këtë mënyrë siç është kjo fjali përmbledhëse.

Kur njeriu jep diçka nga vetja, shpërblimi i vjen në bazë të qëllimit që ka pasur për veprën në fjalë. Apo vepra që kryhet sipas urdhrit do të rezultojë me marrjen e shpërblimit sipas qëllimit. Për këtë, atë që besimi ia jep zemrës reflektohet me forcën e trupit, atë që pasioni ia jep trupit pasqyrohet në dobësimin e besimit. Edhe nëse trupi qëndron larg ngrënies dhe pijes, ai mund që të ushqehet përmes ushqimit të shpirtit dhe zemrës, ngase koha në adhurime e preokupon mendjen me vepra dhe e largon nga vetja pakujdesinë. Aty ku ruhet besimi, sjellja flet pa fjalë dhe heshtja zhurmon me vepra të cilat dalin nga besimi.

Me agjërim, uria dhe etja e zëvendësojnë ngrënien dhe pijen, dhe për agjëruesin më të këndshme janë largimi prej tyre se sa futja e tyre në trup. Logjika e pranon provën kur mendja pajtohet me të, u kujtova në këtë thënie të hershme. E unë, mbi mrekullitë e agjërimit u binda duke i përjetuar vetë dobitë e tij që janë duke ndikuar te unë. Sa mrekulli të mirë na ka dhënë Zoti në këtë botë, dobinë e të cilit e dinë veç ai që e ka lënë veten të uritur dhe të etur. Po, me realizimin e urdhrit të Tij, jeta e njeriut merr kahe çfarë i nevojitet atij dhe ai bëhet një rob i Tij në jetën e kësaj bote… Shpejtë janë duke përfunduar takimet me lule, e di se çasti i mirë, kalon shpejtë. Kënaqësitë më të mira janë ato të cilat burojnë nga zemra dhe që zemra është pjesëmarrëse në to. Ndaj, e lëshova dhe vazhdova rrugën… Mos lejo shikimi të ta helmojë zemrën, por mundësoji shpirtit që ta hap zemrën dhe t’i rrëfejë sekretet.

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM