LULJA E KATËRMBËDHJETË

LULJA E KATËRMBËDHJETË

0 1296

Njeriu s’di të ngopet me mirësitë e këtij Muaji, e aq më pak nga mësimet e dobishme që janë duke m’i dhënë lulet. Sa jam duke u gëzuar që po e marrë lulen e radhës, po mërzitem për lulen që jam duke e lënë, një zinxhir gëzimi e pikëllimi është duke më shoqëruar vazhdimisht.

Njëjtë sikurse është edhe kjo botë, nuk ka vazhdim të gjendjes së njëjtë, por ka vazhdimësi të sprovave të cilat e ndjekin atë. Duke qenë kështu duke menduar, e kisha kapë lulen e radhës, por që aspak nuk e kisha ndierë, e menjëherë e lexova, aty shkruante: Ebu Musa El-Eshariu ka thënë: “Allahu ia ka bërë obligim Vetes së Tij, se ai i cili veten e lë të etur në një ditë të nxehtë, është obligim i Tij që t’i japë të pijë në Ditën e Gjykimit.”

Mbeta pa frymë, çfarë mëshire ka Zoti për robërit e Tij që e respektojnë Atë. Edhe nëse e privojmë veten nga e lejuara, s’do të mbesim të mangët në këto mirësi, ngase Ai do të na i kompensojë në Ditën kur do të kemi më së tepërmi nevojë. Ditën kur shpërblimet pa masë do të na vijnë dhe kur do ta shijojmë kënaqësinë e Tij për veprat tona. Dihet se gjuha e lagur nga përmendja e Zotit dhe etja në gojë, nuk bashkohen te agjëruesi. Kur ai e angazhon veten me adhurime, e largon nga vetja kujtesën mbi ngrënien e pijen. Durimi në uri e mëshiron zemrën në bollëk, sepse fjala e butë i zbutë zemrat e njerëzve.

Me të vërtetë e madhe është mëshira e Atij i Cili na e obligoi agjërimin, se largimin nga e lejuara mund ta bëjë ai që është i mëshirshëm, ku në këtë rast e ndien vetë urinë, pastaj e mëshiron skamnorin. Sa më shumë njeriut i rri mendja te Allahu në qiell, aq më i përulur bëhet në tokë. O Mëshirues i të mëshirshmëve më bën të mëshirshëm që të mëshirojë. Disi kjo më përmalloi dhe s’munda më të vazhdojë ecjen në kopsht. Nuk u ndala vetëm unë, porse edhe zemra i ngadalësoi rrahjet, nga brendësia e së cilës rrodhën fjalët: “Fundi i urdhrit të kryer është fillimi i marrjes së shpërblimit, sepse dobia e veprës së mirë është e mira që pason pas saj.”

Ashtu i ulur e me shikim të përulur drejt lules, e lexova të tërën për të dytën herë, ku mora përshtypjen se jam duke e lexuar për herë të parë. Vapa e madhe i ngjit buzët, kurse ato i ndan përmendja e Atij që e obligoi agjërimin, ndaj mos thuaj: Zoti im! Kjo është ditë e gjatë, por thuaj: O ditë e gjatë, unë e kam Zotin e Madh!

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 301