LULJA E NJËMBËDHJETË

LULJA E NJËMBËDHJETË

0 1541

Me lulen paraprake disi u ndava pa përshëndetje, edhe vetë u turpërova prej saj, nuk më erdhi mirë kjo. Më mbeti pikë në zemër, por edhe veten nuk e akuzoja dot, ngase koha ishte e tillë, momenti që pritet, vjen shumë shpejtë. Një pikë loti padashje rrëshqiti në fytyrë, kjo më qetësoi pak, ngase m’u duk vetja si një lloj kërkim faljeje po i bëjë lules për këtë lëshim timin. E ajo që më kthjelli të tërin ishte lulja që sapo e kisha parë, ku e tëra ishte kthyer kah unë, vetëm sa nuk fliste e të më thotë, unë jam e radhës.

Me të marrë në dorë, dhe me të lexuar, u bëra ai i cili isha në fillim. Aty shkruante: Ebu Hurejre dhe shokët e tij kur kanë agjëruar janë ulur në xhami, e kanë thënë: “Jemi duke e pastruar agjërimin tonë.” Unë, e ndjeva veten, sikurse jam ulur buzë lules dhe e pastrova raportin të cilin e krijova nga pakujdesia. Desha edhe ajo të ndjehet e pastër sikurse u pastrova unë nga ajo që sapo përjetova. Se aty ku ruhet zemra, mbrohet krejt trupi, nga këshilla e sinqertë më tepër ka dobi ai që është këshillëdhënës se sa i këshilluari.

Kur me majën e gjuhës e përmend Dikë që t’i nxit ndjenjat në vepër, mos harro se, besimi bën mrekulli kur vepra niset me emrin e Tij. Dihet se vepra e njëjtë afron njerëz të ndryshëm, sepse pashija e ujit i jep shije etjes. Për një copë herë, mendjen time më preokupuan llojlloj mendimesh, se çfarë shokë ka pasur i Dërguari ynë, të cilët kur janë takuar, në vend se të pyeten për shëndetin, janë pyetur për shëndetin e besimit.

Të tillët kur janë ndarë, ia kanë kënduar nga një syreje Kurani njëri-tjetrit. Më shumë është brengosur për çështjen e tjetrit se sa për nevojat e veta. “Nuk e ke plotësuar besimin derisa vëllait tënd nuk ia do atë që ia do vetes”, më erdhi si mendim i fundit kjo thënie profetike. Prandaj, njeriu sa më shumë që i largohet mëkatit, aq më shumë i përkushtohet adhurimit. Nga pastrimi i brendshëm vijnë vetëm vepra të dobishme, prej tyre “rrjedhin lumenj që çdokush mund ta shuajë etjen dhe ta vazhdojë rrugën”. Me zemër të pastër drejt zemrave të pastra për një fund të pastër, me erdhi si mendim. S’desha të më gjejë ajo që më gjeti më lulen paraprake, ta bëjë “gabimin” e njëjtë.

Besimtari s’kafshohet dy herë në të njëjtin vend. Për këtë, me lulen e bëra një vepër që me asnjë lule nuk e kam bërë deri më tani, e ajo është se para se ta lëshojë për ta vazhduar rrugën, e putha. Nuk e di as vetë se si më erdhi ky gjest, kurse prej saj m’u duk se rrodhën këto fjalë… Shija e besimit e përqendron vëmendjen në adhurim, njeriu merr nga zemra atë që e fut në të…

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 295