LULJA E PARË

LULJA E PARË

0 2321

Lulja e parë

Vetëtimthi më përshkruan një stuhi ndjenjash ku vendin e shfaqjes e gjetën pikërisht përmes fytyrës. Gëzimi i cili më përfshiu, jo vetëm që më lumturoi, por më bëri të mos dijë ta përshkruajë atë. Shpeshherë ndodhë që fjalët të jenë të paafta ta thonë krejt atë që e përjeton zemra. E unë, duke e ditur se kush po vjen, po mundohem t’i afrohem para se të më përfshijë.

Një mik i rrallë e i përmallë po vjen, të cilit para se t’ia hap derën që ta pranojë, po e hap zemrën ta fus brenda. Njeriu duhet mysafirin ta nderojë në atë mënyrë, që edhe ndarja të bëhet një urë bashkimi i tyre. Më kujtohet se i Dërguari ka qenë shumë bujar me njerëzit gjatë vizitës së këtij mysafiri, bile edhe më bujar se sa ka qenë në përditshmëri. Njeriu sa më tepër jep, më shumë lumturohet dhe sa më tepër i mëson të tjerët, aq më i ditur bëhet. Besoj se e njihni këtë mysafir, ngase na ka vizituar edhe më herët.

Ka jetuar në mesin tonë, mirëpo ja, i ka ditët e numëruara, dhe koha që pritet, vjen shumë shpejtë. Emrin s’po dua t’ia përmend unë, por do ta përmend një thënie të Ibën Abasit ku përmendet emri i tij. Ibën Abasi ka thënë: “I Dërguari i Allahut ishte më bujari nga njerëzit. Kjo e arrinte kulmin gjatë muajit të Ramazanit, kur vinte dhe e takonte Xhibrili. Ai e takonte atë çdo natë gjatë Ramazanit dhe i mësonte Kuranin. Kështu, i Dërguari i Allahut ishte më shpirtgjerë nga njerëzit në mirësi, edhe më bujar se sa era e lehtë (e çuar nga Allahu me përgëzime për shiun, në gatishmëri e nxitim për të bërë vepra mirësie).”

Tani, e kuptuat se për kë bëhet fjalë. Ne ta zhveshim nga vetja petkun e pakujdesisë dhe t’i përvjelim krahët në vepra që kohën më të mirë e kanë në këtë Muaj. Zemra e butë i grumbullon krejt mirësitë afër vetes dhe secilin e ëmbëlson me fjalët e mira që thotë. Ta nxëmë kohën para se të na ikë, dhe të stolisemi me durim që t’u largohemi ligësive. Me atë që e preokupon veten, me atë e mbush edhe mendjen, e kur mendja është e qetë me mendimet e saj, aty zemra gjen qetësinë. Ta fitosh bekimin e dikujt duhet një brengë t’ia largosh nga zemra, e çka i duhet zemrës të jap nga vetja që ta fitojë bekimin e Tij? Një lutje e sinqertë e thënë me zemër të hapur, i hap dyert e qiellit dhe bëhet rrugëdalje e robit në tokë. U mjaftova me kaq, fitova diçka që s’e dija dhe u nisa rrugës që më prisje…

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 286