LULJA E TRETË

LULJA E TRETË

0 1466

I zhytur në mendime rreth bukurisë së luleve dhe urtësisë së fjalëve të tyre, m’u duk vetja sikurse të jem futur në një botë krejtësisht tjetër prej kësaj ku jetoj. Disi një botë e mbushur me përjetime dhe ndjenja të cilat më shumë të bëjnë që të heshtësh se sa të flasësh. Vetë e ndien urinë dhe etjen, por përkushtimi në të bërit adhurime, e largon prej teje lodhjen dhe në ty e ngjallë freskinë e ndikimit të besimit. Ah, sa e ëmbël kjo shije dhe sa i shijshëm ky angazhim! E mora në dorë lulen e radhës prej Hasan El-Basriut, i cili ka thënë: “Allahu e ka bërë Muajin e Ramazanit mjet të përfitimit për krijesat e Tij.

Në këtë muaj, robërit e sinqertë të Allahut garojnë ta arrijnë kënaqësinë e Tij përmes nënshtrimit ndaj Tij.” Në jetën e besimit, kënaqësia vjen nga qëllimi, ndaj për ku je nisur, të tregon caku kur do të arrish. I dhënë pas veprave, më duket vetja më i fortë përkundër tërë mundit që jam duke e bërë në to. Ekziston një vullnet i brendshëm i cili me nxitjet e tij nuk më lë të qetë, por më mundëson që qetësinë ta gjejë në kryerjen e adhurimeve.

S’ka lodhje në adhurime, ka plogështi në të lënit e tyre, kisha dëgjuar më herët nga të diturit. Veprat e tyre flasin me gjuhën e adhurimit dhe këto dëgjohen me zemrën e shëndoshë. Vepra e cila nuk shihet, kuptohet vetëm kur do të dalë në shesh, sepse fara mbillet, por pa rënë shi, ajo nuk mbinë. Kur njeriu e angazhon veten me adhurime, ngjallet në brendinë e tij një dritë që këtë e mbulon të tërin, e tjetri prej anash s’sheh asgjë, përveç lumturisë që shkëlqen në pamjen e tij. I varfër është ai që s’e përjeton këtë dhe i pasur është ai që jeton me këto ndjenja.

Bota e angazhimit me vepra të mira është bota e Parajsës që jetohet në këtë botë dhe se kjo është enkas vetëm për ata që e përjetojnë këtë. Një zemër do veç diçka që i shkon për shtati asaj dhe e respekton atë që e rehaton këtë. Ecja e zemrës në adhurime është burimi i vetëm që ajo gjithnjë të ndjehet e lumtur dhe t’i bëjë të lumtur edhe të tjerët që e ndjekin atë…

As vetë s’di si me lule e preka hundën dhe më doli “gjumi” nga kjo “ëndërr” që më kishte kapluar. Një mori mendimesh më kishin përfshirë në këto çaste duke e mbajtur lulen në dorë, e unë thuajse asgjë nuk kisha ndier, sepse i vërtetë është fakti se të gjitha thuhen me fjalë, por krejt burojnë nga zemra. Ndaj, edhe njeriu sa më shumë di ta zbërthejë dijen, aq më shumë i bindet asaj. Vepra është dëshmitari më i mirë i dijes, kurse nxënia e dijes është orientuesi më i mirë për të kryer vepra. E njeriu i cili ka zemër të pastër dhe ka qëllim të kryejë një vepër, atëherë duhet të dijë se shpirti s’e lë të qetë derisa ta kryejë atë… Në largim e lashë siç edhe e mora…

BLERIM MUHAXHERI

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM