MADHËRIMI I SIMBOLEVE TË FESË

MADHËRIMI I SIMBOLEVE TË FESË

0 1889

Hutbeja e parë

Falënderimi i takon Allahut zotit të botëve, i Cili e bëri islamin fe të vetme të pranuar. Fe sipas së cilës do të peshohen veprat në Ditën e Kiametit.

Salavatet dhe përshëndetjet më të mira qofshin për të dërguarin e Allahut sal-lallahu alejhi ue selem, të cilin Allahu i Madhëruar e dërgoi mëshirë për botët, me të cilin Allahu i ka ndriçuar zemrat pasi që ishin errësuar, i ka udhëzuar shpirtrat pasi që kishin devijuar. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin edhe mbi familjen tij, mbi shokët e tij sahabët të cilët i pasuan gjurmët e të dërguarit të Allahut sal-lallahu alejhi ue selem.

Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë edhe mbi ata e mbrojtën të  vërtetën dhe flijuan për te.

Allahu i Madhëruar ka thënë: “E kush madhëron dispozitat e Allahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave” Haxh 32.

Kjo fe madhështore, feja islame është përplot dispozita të Allahut. Ka gjëra që na i ka lejuar dhe ka gjëra që na i ka ndaluar. Për disa tjera ka heshtur duke na mëshiruar neve. Në këtë fe i kemi disa gjëra që janë simbole të kësaj feje dhe ne ato simbole duhet t’i ruajmë dhe t’i madhërojmë. Prej tyre janë xhamitë ku e falim namazin dhe të gjithë së bashku e falim në ditën e xhuma namazin e përbashkët të xhumasë. E kemi muajin e ramazanit ku agjërojmë të gjithë bashkërisht. E kemi Qabenë ku e bëjmë Haxhin me ceremonitë që i ka. Gratë tona dallohen me hixhabin e tyre që është simbol i fesë tonë. Si dhe shumë gjëra me të cilat ne dallohemi mes feve tjera.

“Pra, kështu: Kush madhëron atë që Allahu e bëri të shenjtë, ajo është më e dobishme për te Zoti i vet” Haxh 30.

Në mesin e të gjithëve Allahu e ka çmuar besimtarin, gjakun, nderin, pasurinë e tij. Allahu i Madhëruar ka thënë: “…kurse ndaj besimtarëve uli krahët” Hixhër 88. Allahu i Madhëruar e porositë pejgamberin e Tij të jetë modest ndaj besimtarëve dhe i butë.

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ta shkatërrojë Allahu dynjanë më lehtë i kishte ardhur se sa të vritet ndonjë besimtarë musliman”. (Hadith sahih, shënon Tirmidhiu dhe Nesaiu).

Allahu na bëftë prej atyre besimtarëve që e ruajnë fenë dhe sakrifikojnë për te.

“Allahu thërret për në Vendbanimin e Paqes (xhenet), dhe atë që do, e vë në rrugë të drejtë”. (Junus 25)

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Salavatet dhe selamet qofshin për pejgamberin dhe të dërguarin tanë Muhamedin sal-lallahu alejhi ue selem për familjen e tij, për sahabet dhe për të gjithë ata që pasuan rrugën e tij me sinqeritet.

Vërtetë Allahu e bekon pejgamberin (me nderime) dhe melekët i luten Allahut për bekimin e tij. O ju që keni besuar, dërgoni salavat atij (lutne Allahun për bekimin e tij) dhe përshëndeteni atë me nderim (me përshendetjen Esselamu alejkum).  Ahzab 56

O Zot, ki mëshirë ndaj Muhamedit dhe fa­miljes së tij, siç pate mëshirë ndaj Ibrahimit dhe familjes së tij, se vërtet Ti je i Lavdëruar dhe i Madhëruar.

O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, se vërtet Ti je i Lavdëruar dhe i Madhë­ruar.

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kini drojë lutjen e atij që i kanë bërë zullum (padrejtësi), se nuk ka mes saj dhe Allahut pengesë”. Buhariu

Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je Dhuruesi i madh

Zoti ynë Ti je ai që në një ditë do t’i tubosh njerëzit, ditë që për të cilën nuk ka dyshim. Allahu nuk e shkelë premtimin e vet

Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit me zjarr

Zoti ynë! Më fal mua edhe prindërit të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria.

Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë!

Zoti ynë, mos na ngarko neve barrë të rëndë siç i ngarkove ata që ishin para nesh!

Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën ne nuk kemi fuqi!

Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqijat, na mëshiro.

Ti je mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër popullit pabesimtar.

Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.

Burimi; albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM