MOSKOHERENCA E POLITIKËS KOSOVARE

MOSKOHERENCA E POLITIKËS KOSOVARE

0 1221

(Brenda pak ditësh trajtimi i dy problemeve, të cilat u shfaqën përpara politikës shqiptare të Kosovës treguan qartas standardet e dyfishta, që udhëheqin në principet bazë të saj. Në Kosovë disa janë të njerkës e disa janë të nënës! E çfarë dini ju për Dinin e Allahut,- ishte përgjigjja e hoxhë Shefqet Krasniqit për të gjithë ata që i tuten Muslimanëve.)


Shpesh politikanët tanë shqiptarë janë dalluar për moskoherencë qëndrimesh, qoftë për probleme brenda vendit, qoftë edhe për ato që i përkasin politikës së jashtme. Standardet e dyfishta apo edhe të trefishta janë ato që i karakterizojnë në shumë raste. Kjo u pa qartë edhe në qëndrimet e fundit ndaj kërkesave të xhematlinjve të Prishtinës për një “Xhami të Madhe” atje. Me shumë keqdashje dhe ligësi krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës, megjithëse kishin qëndrime të qarta për kërkesat e tyre, pa fyer apo pa sulmuar njeri, u vunë para alternativës, se ju po e kërkoni si karshillëk “Xhaminë e Madhe” ndaj katedrales së ndërtuar tashmë. Edhe shumë gazetarë të devotshëm u vunë në shërbim të këtij misioni dhe me shumë këmbëngulje kërkuan që t’i venë këto fjalë në gojën e Fuad Ramiqit (drejtues i Lëvizjes Bashkohu me ne) gjatë një interviste. Ndërsa kërkesat ishin të qarta dhe konvergonin në një: Xhaminë e Madhe të Prishtinës. Pra, i gjjithë faktori mysliman i Prishtinës kërkoi në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke nga Komuna e Prishtinës dhe kryetari Isa Mustafa, që të ndahet një vend i përshtatshëm për Xhaminë e Madhe, dhe kjo jo për inat të katolikëve kosovarë, por për nevojat në rritje të xhematit. Pamjet televizive e kanë treguar qartë, se sasia e njerëzve që falen nëpër rrugët kryesore të Prishtinës, ku gjenden edhe xhamitë e ndryshme janë shtuar. Ato nuk kanë nevojë për komente të tepërta nga drejtuesit e BIK apo edhe të Lëvizjes “Bashkohu”, të cilët janë munduar me shumë shpirt tolerance dhe harmonie të mos i japin konotacione armiqësie fetare, siç u munduan t’i japin politika dhe të gjithë ata që u përpoqën t’i kundërvihen kësaj lëvizje.

Tashmë është bërë e dukshme, se politika dhe një pjesë e madhe e medias po bëjnë rolin e tellallit, pa qenë nevoja. I zoti e jep, tellalli s’e jep,- thotë një fjalë e urtë. Një gazetë tipike anti-muslimane ka marrë flamurin e kauzës dhe me qëndrime tejet të thella shoviniste e fashiste sulmon Komunitetin më të madh në vend. Një i ashtuquajtur filozof etiketon Islamin si “fe e shkretëtirës” dhe harron qëllimisht disa breza hoxhallarësh, që luftuan dhe dhanë jetën e tyre për një Kosovë të lirë. Tashmë “jemi ata që i bezdisin”, lufta kundër terrorizmit etj. etj. Këto mendime etj., i kanë bërë politikanët tanë të ulin kokën. Ndikimi i politikës së huaj në Kosovë është i qartë dhe në shumicën e rasteve politikanët kosovarë nuk janë në gjendje të marrin vendime. Dhe kjo frikë ndaj faktorit të huaj u shpreh në qëndrimet e disa partive kosovare. Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës shprehu shqetësimin, lidhur me atë, që sipas tyre, disa individë në mënyrë të qëllimshme po keqpërdorin ndjenjat fetare. Burim Ramadani, nga Grupi parlamentar i AAK-së, në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se qëllimet e njerëzve të cilat fshihen prapa protestave janë të papranueshme. Ai, sipas Telegrafit, tha se orientimi i shtetit të Kosovës është zgjedhur qëmoti dhe është orientim i bazuar në vlerat perëndimore. Vetëm Amir Ahmeti nga Koalicioni për Kosovë të Re falënderoi komunën e Prishtinës për përpjekjet për të gjetur hapësirën për një xhami të madhe me qëllim që të plotësohen nevojat e qytetarëve. Nga mediat kosovare dhe politikanët u thirrën në kauzë disa gazeta me nam të dyshimtë amerikane, të cilat nuk i njeh njeri dhe u sollën si argument se “këta islamikët” po na prishin marrëdhëniet me Amerikën. Gjithashtu u gjet edhe një hebre, studiues i pavarur i Islamit Stefan Shvarc (alias Sulejman Shvarc për të qenë më bindës ndaj publikut), i cili volli vrer ndaj Lëvizjes “Bashkohu”, Fuad Ramiqit dhe BIK. Deri tashti asgjë nuk ka ndryshuar në politikën amerikane dhe evropiane për Kosovën. Ajo çka u pa në Prishtinë është një mënyrë të shprehuri tejet qytetare për të kërkuar të drejtat nëpërmjet akteve të mosbindjes civile, një formë të protestuari e njohur gjerësisht në Perëndim dhe e huazuar nga Perëndimi, ku edhe ne si muslimanë aspirojmë të jemi pjesë e proceseve integruese, qoftë në Kosovë, Shqipëri apo gjetkë. Tashmë shpresojmë që zgjidhja e lokacionit të “Xhamisë së Madhe” të ketë marrë drejtimin e duhur, porse me këtë rast politika kosovare tregoi standardet e saj të dyfishta. Pak ditë më pas me nënshkrimin e disa marrëveshjeve nga Edita Tahiri me Serbinë ishin po këta politikanë, që me tone të ashpra nacionaliste e sulmuan znj. Tahiri për marrëveshjet e nënshkruara. Nuk mund të themi se kjo ishte “një dritëshkurtësi” nga ana e tyre, sepse ato i dinë mirë pasojat e këtyre marrëveshjeve, që nuk kanë të bëjnë me elemente të mohuara të shtetësisë kosovare, e cila për të qenë të ndershëm nuk e ka arritur akoma njohjen e saj të plotë, jo për shkak të këtyre marrëveshjeve. Shteti i Kosovës nuk mund të quhet juridikisht i plotë, se nuk kanë mbaruar akoma njohjet e duhura në rang ndërkombëtar, si dhe të gjithë politikanët kosovarë e dinë shumë mirë, që ata nuk kanë pavarësi vendimesh në këtë drejtim dhe në shumë gjëra të tjera. Këto marrëveshje dy-palëshe që po nënshkruhen, po bëhen me nxitjen kryesore të Faktorit Ndërkombëtar, si për Kosovën po ashtu edhe për Serbinë. Arritja e marrëveshjeve të ndryshme teknike midis Kosovës dhe Serbisë është vënë si kusht për integrimet e mëtejshme për të dy vendet dhe këtë të gjithë politikanë kosovarë e dinë shumë mirë, pra, nuk kemi të bëjmë me “dritëshkurtësi”, por me politikën e momentit, kur kundërshtarin mund ta sulmosh dhe ai nuk është në gjendje të të kthejë përgjigje. Nuk po i hymë peshimit të këtyre marrëveshjeve, a ia vlen që u nënshkruan apo jo? Por këta kritikë të zellshëm duhet që ta pranojnë: ose duhet ta dëgjojmë dhe të veprojmë ashtu siç na thotë Faktori Ndërkombëtar, ose jo.

Deri tashti faktori ndërkombëtar nuk i ka kërkuar politikanëve dhe shtetarëve kosovarë të diskriminojë popullsinë kosovare dhe të mos përmbushë kërkesat e saj shpirtërore dhe materiale, porse janë komplekset e inferioritetit të klasës politike kosovare ndaj identitetit mysliman të saj. O do t’i dëgjojmë, ose jo. Përndryshe kemi standarde të dyfishta dhe do të mbetemi përherë tellallë, të cilët pretendojnë për VETËVENDOSJE.