NAMAZI EM RASTIN E ZËNIES SË DIELLIT APO HËNËS

NAMAZI EM RASTIN E ZËNIES SË DIELLIT APO HËNËS

0 1949

Falënderimi i qoftë Allahut të madhëruar, Krijuesit të qiejve dhe tokës, Dhuruesit të territ dhe të dritës, Ai i cili krijoi diellin dhe hënën si dy argumente të fuqisë së Tij dhe na urdhëroi që mos ti bëjmë sexhde as diellit as hënës por t’i bëjmë sexhde Atij.

Salavati e selami qofshin mbi Muhamedin, salallahu alejhi ve sel-lem. Krijimi i tokës dhe qiejve, harmonia e ligjeve qe ekzistojnë në të janë prej argumenteve më të qarta për fuqinë e Tij. Sikur të mos ekzistojë një Krijues dhe Rregullues i tyre do të ndodhnin shumë çrregullime në Univers. Koordinatat e lëvizjes së planetëve dhe largësisë së yjeve janë aq precize sa që një ndryshim i vogël në të do të shkaktonte shkatërrime të mëdha në kozmos. Me gjithë atë Allahu i madhëruar, me urtësinë e Tij ka caktuar disa ndryshime për ta përkujtuar njerëzimin se sa e madhe është fuqia e Tij dhe sa i dobët dhe i pafuqishëm është njeriu ndaj ligjeve të cilat i ka vendosur Sunduesi i kësaj gjithësie, Allahu, qoftë i lartësuar Ai.

Prej këtyre shenjave është kur dielli apo hëna, për një kohë të caktuar, humbin shkëlqimin e dritës për shkak të qëndruarit të hënës apo tokës në mes njërit trup dhe diellit.

Kjo gjë ka qenë e njohur në kohën e Muhamedit, salallahu alejhi ve sel-lem, dhe ka qenë një rast i rëndësishëm se ka ndodhur në kohë kur vdiq djali i tij Ibrahimi. Në atë rast njerëzit akoma ishin nën ndikimin e besimeve të kota dhe disa menduan se kjo gjë ndodh për ndonjë ngjarje të madhe. Resulullahu, salallahu alejhi ve sel-lem, shpejtoi që të shpjegojë se kjo gjë nuk ka ndodhur për atë shkak të cilin menduan ata dhe tha:

“Më të vërtetë dielli dhe hëna janë dy prej argumenteve të Allahut (të fuqisë së Tij) dhe ato nuk e humbin dritën për shkak vdekjes së ndonjë personi as për shkak gjallërimit të tij dhe kur të ndodhë kjo shpejtoni për t[u falur dhe lutur Allahun (me frikërespekt) deri sa të largohet ajo qe ju ka ndodhë” (transmeton Buhariu në Sahihun e tij 2\529 Muslimi 2\618 dhe tjerë)

Hadithet e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem gjithashtu na tregojnë mënyrën se si falet ky namaz:

1 – Thirrja për këtë namaz bëhet me fjalët (ESSALATU XHAMIATUN) e cila d.m.th Tubohuni për namaz. Këta na e transmeton Abdullah ibn Amr ibën As, radijallahu anhuma, në hadithin të cilin e trasmeton Buhariu (11\6382) dhe Ebu Davudi(4\1524) dhe tjerë.

2- Mënyra e të falurit është transmetuar në hadithin të cilin e përcjell Aisheja, radijallahu anha, e cila thotë: “Kur ndodhi kjo, Resulullahu, salallahu alejhi ve sel-lem, doli në xhami dhe i radhiti njerëzit në safe, pastaj mori tekbirin fillestar dhe lexoi Kur’ an gjatë, pastaj mori tekbir dhe shkoi në ruku ku qëndroi gjatë por më shkurtë se sa qëndrimi i tij në këmbë. Pastaj u ngrit nga rukuja duke thënë: semia All-llahu limen hamideh dhe përsëri lexoi Kur’an gjatë, por më shkurt se sa leximi i Tij para rukusë. Pastaj mori tekbirin dhe shkoi në ruku ku qëndroi gjatë por më shkurt se sa qëndrimi i Tij në rukunë e parë, pastaj u ngrit duke thënë: semia All-llahu limen hamideh, Rabbena lekel hamd e pastaj shkoi në sexhde. Në rekatin e dytë veproi si në rekatin e parë. Pra, fali dy rekate me katër ruku dhe katër sexhde. Para se të përfundojë namazin, ndriçoi përsëri drita e diellit. Transmeton Buhariu 2/1046; Muslimi 2/619 dhe tjerë.

Ky namaz mund të falet edhe vet, pa imam ose xhemat.

3-Hutbeja pas namazit:

Prej sunetit është këshillimi i njerëzve pas namazit siç ka vepruar Muhamedi, salall-llahu alejhi ve sel-lem. Këtë e shohim prej haditheve të cilët i kanë transmetuar shumë shokë të Pejgamberit, salall-llahu alejhi ve sel-lem, si Ebu Musa el-Esh’ari, Esma dhe Ajsheja, radijall-llahu anhum.

4- Hukmi i namazit të kusufit:

Thotë ibn Haxheri: “Shumica e dijetareve janë të mendimit se është sunet i fortë edhe pse ka dijetar te cilët kanë thënë Vaxhib (Ebu Avene dhe Ibën Huzejme) 2/525

Mendimi më i vërtetë është se kjo është sunnet i fortë sepse Pejgamberi, alejhis-selam, nuk e ka cekur me namazet e obliguara të cilët ia ka treguar Beduinit dhe ka dëshmuar se do të jetë prej të shpëtuarve nëse i falë pesë kohët e namazeve të obliguara. Allau e di më mirë.

Përfundimisht e lus Allahu azze ve xhel-le që të na udhëzojë në rrugën e drejtë të na përforcojë në të dhe të na mundësojë ta përhapim sunetin në tokën e Tij.

GJITHASHTU NË ALBISLAM