NAMAZI ME XHEMAT

NAMAZI ME XHEMAT

0 8910

Namazi me xhemat është vaxhib për çdo besimtarë dhe nuk arsyetohet lënia e tij përveçse me arsye. Argumentet që të tregojnë për obligueshmërinë e tij janë të shumta, prej tyre :

  1. Nga Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcillet se ka thënë: erdhi tek i Dërguari i Allahut  –  paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, një njeri i verbër dhe i tha:  O i Dërguari i Allahut, nuk ka kush të më sjellë në xhami! Pra, kërkoi leje prej të Dërguarit të Allahut  –  paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, që të mos prezantojë në xhami, t’ia lehtësojë që ta falë namazin në shtëpi. I Dërguari i Allahut  –  paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ia lejoi këtë gjë dhe i verbëri u drejtua që të dalë nga xhamia, por në ato momente e thirri i Dërguari i Allahut  –  paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, dhe i tha: “A e dëgjon ezanin për namaz? “– Tha i verbëri: Po. – I Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të i tha: “Atëherë përgjigju thirrjes ”.[1]

  1. Nga Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet gjithashtu se i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Namazi më i rëndë për munafikët është namazi i jacisë dhe i sabahut, e sikur ta dinin se çfarë vlere kanë këto dy namaze do të vinin në to duke u zvarritur. Dëshiroja që të urdhëroj dikë që t’i prijë njerëzit në namaz e unë me vete të marr disa burra të cilët me vete kanë togë me drunj dhe tua djeg shtëpitë me to atyre personave që nuk kanë dalë në namazin e sabahut me xhemat.[2]

  1. Nga Ebu Derda – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, duke thënë: “Nuk ka tre vetë që janë në ndonjë fshat apo shkretëtirë të cilët nuk e falin namazin me xhemat vetëm se i mposht shejtani ata, ju porosis që t’i përmbaheni xhematit sepse me të vërtet ujku e ha delen e cila është ndarë nga kopeja.[3]

  1. Nga Ibën Abasi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Kush e dëgjon ezanin dhe nuk i përgjigjet nuk ka namaz përveçse me arsye.[4]

  1. Nga Ibën Mesudi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se ka thënë: “Kush dëshiron ta takojë Allahun i kënaqur nesër si besimtar në ditën e Kiametit le t’i ruaj (falë) këto namaze ku thërret ezani për t’i falur ato, sepse Allahu ia ka bërë të ligjshme të Dërguarit të Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, sunetet e udhëzimit e këto janë prej suneteve të udhëzimit. E sikur ju të faleshit në shtëpitë tuaja sikur falet një kundërshtar në shtëpinë e tij do ta kishit lënë sunetin e të Dërguarit të Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e sikur ta linit sunetin e të Dërguarit tuaj do të shkonit në dalalet – humbje dhe e kemi parë se nuk e lente namazin me xhemat në kohën tonë vetëm se munafiku i cili ishte i njohur me nifak – hipokrizi. Kishte ndonjë person të cilin e mbanin dy persona derisa të qëndroj në saf vetëm të mos i ikë namazi me xhemat. – Në një transmetim tjetër qëndron: Me të vërtet i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, na i ka mësuar sunetet e udhëzimit e prej tyre është namazi në xhamitë në të cilat thirret ezani.[5]

Vlera e namazit me xhemat :

Vlera e namazit me xhemat është e madhe dhe shpërblimi i saj është gjithashtu i madh, sepse shumë hadithe aludojnë në të, si:

  1. Nga Ibën Omeri – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Namazi me xhemat është më i vlefshëm se namazi vetë, për njëzet e shtatë shkallë.[6]

  1. Nga Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Namazi i personit me xhematë shtohet nga namazi i atij që e bën në shtëpi apo në treg njëzet e ca shkallë, kështu që kur ndonjëri merr abdes dhe e merr abdesin siç është më mirë pastaj vjen në xhami duke mos e shtyrë gjë tjetër përveçse namazi dhe e ka të vetmin qëllim namazin, nuk e bën një hap përveçse me të i ngrihen shkallët (në xhenet) e me hapin tjetër i fshihet një mëkat derisa të hyjë në xhami, ndërsa në namaz është sa e ka kapluar namazi dhe melaiket luten për ndonjërin prej jush derisa është në atë vend që është falur. Ata (melekët) thonë: O Allah mëshiroje, o Allah fale, o Allah pranoja pendimin, përderisa nuk i bën dëm dikujt apo e prish abdesin.[7]

Xhemat llogaritet qoftë edhe një person me imamin :

Xhemat llogaritet qoftë edhe një person me imamin, edhe në qoftë se xhematliu me imamin është fëmijë apo grua kurse çdoherë kur shtohet numri i njerëzve gjatë namazit me xhemat kjo është më e dashur për Allahun :

 –  Nga Ibën Abasi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se ka thënë: “Bujta një natë tek tezja ime Mejmuneja – Allahu qoftë i kënaqur prej saj, gruaja e të Dërguarit të Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kështu që u çua i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, natën për të falur dhe u çova edhe unë me të të falem, u lidha nga ana e majtë e tij e ai më kapi për kokën time dhe më nxori nga ana e djathtë e tij .[8]

 –  Nga Ebu Seid Hudriu dhe Ebu Hurejra – Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, transmetojnë se i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Kush ngrihet natën dhe e zgjon edhe gruan e tij dhe i falin dy rekate bashkë shkruhen tek Allahu prej atyre që e përmendin Allahun shumë .[9]

 –  Ebu Seid Hudriu – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton se një njeri ka hyrë në xhami dhe i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, me shokët e tij e kishin falur namazin. Atëherë, kur i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e pa këtë person tha: “Kush jep sadaka mbi këtë e të falet me xhemat me të.”  –  U ngrit njëri prej të pranishmëve dhe u fal me të.[10]

 –  Ubej ibën Kabi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “… Namazi i njeriut me një tjetër është më mirë se namazi i tij vetë, kurse namazi i dy personave me një person tjetër është më i mirë se namazi i një personi me një person tjetër dhe çdoherë që është më shumë kjo është më e dashur tek Allahu.[11]

Prezantimi i grave në xhami dhe vlera e namazit të tyre në shtëpitë e tyre

Grave u lejohet të dalin në xhami dhe të prezantojnë në namazin me xhemat me kusht që tu largohen gjërave që e ngacmojnë epshin apo diçka që i shtyjnë në sprovë – fitne të tjerët, siç është zbukurimi dhe parfumimi i tyre, pasi që i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Mos i ndaloni robëreshat e Allahut nga xhamitë mirëpo le të dalin të paparfumuara.[12]

Gjithashtu ka thënë: “Çdo grua e cila parfumohet le të mos prezantojë me ne në jacinë e fundit.[13]

Çdo grua që parfumohet pastaj del për në xhami nuk i pranohet asaj namazi derisa të pastrohet.[14]

 “Mos i ndaloni gratë tuaja nga xhamitë mirëpo shtëpitë e tyre janë më të mira për to.[15]

 “Namazi i gruas në shtëpinë e saj është më i mirë se namazi i saj në dhomën e ndejës, namazi i saj në dhomën e fjetjes së saj është më i mirë se namazi i saj në shtëpinë e saj.[16]

 “Xhamitë më të mira për gratë janë vendet më të fshehura në shtëpitë e tyre.[17]

[1] Transmeton Muslimi.

[2] Mutefekun alejhi.

[3] Transmeton Ebu Davudi, Ahmedi, Nesaiu kurse hadithi është hasen.

[4] Ebu Davudi, Ibn Maxhe kurse hadithi është sahih.

[5] Transmeton Muslimi.

[6] Mutefekun alejhi.

[7] Mutefekun alejhi.

[8] Mutefekun alejhi.

[9] Transmeton Ebu Davudi, Hakimi kurse hadithi është sahih.

[10] Transmeton Ahmedi, Tirmidhiu Ebu Davudi kurse hadithi është sahih.

[11] Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu kurse hadithi është hasen.

[12] Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Hakimi kurse hadithi është sahih.

[13] Transmeton Muslimi.

[14] Transmeton Ibn Maxhe kurse hadithi është sahih.

[15] Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Hakimi kurse hadithi është sahih.

[16] Transmeton Ebu Davudi, Hakimi kurse hadithi është sahih.

[17] Transmeton Ahmedi, Bejhakiu kurse hadithi është sahih.

GJITHASHTU NË ALBISLAM