NDARËSI I SHOQËRIVE DHE BASHKËSIVE – VDEKJA

NDARËSI I SHOQËRIVE DHE BASHKËSIVE – VDEKJA

0 3402

Vdekja është ajo e cila çdo herë është afër njeriut madje edhe më afër se lidhëzat e këpucëve të njeriut, ajo është prishës i kënaqësive njerëzore, ndarës i bashkësive. Këtë e kanë shijuar njerëzit të cilët kanë qenë shumë më të mirë se ne, të cilët madje gjithë jetën ia kushtuan botës tjetër-ahiretit me punën dhe veprën e tyre, për këtë arsye duhet ta përkujtojmë vdekjen dhe njëkohësisht të punojmë për atë e cila na pret pas saj, pra jeta e përhershme ahireti.

Shkaqet të cilat çojnë deri tek ngurtësimi i zemrave

Të dashurit e mi dijeni se ngurtësimi i zemrës është sëmundja e rrezikshme me të cilën jemi sprovuar në këtë kohë, e dëgjojmë Kuranin Famëlartë përsëri zemrat tona nuk ndikohen, shkojmë në varrimin e vëllezërve tanë mësim nuk marrim, dëgjojmë këshilla të ndryshme rëndë se përkujtohemi, e gjitha kjo sepse zemrat tona janë forcuar dhe ngurtësuar. Por një gjë e dimë, se çdo sëmundje që ekziston Allahu për të ka zbritur ilaçin e saj, e pa dyshim se ilaçi më i mirë i zemrës së sëmurë është leximi i ajeteve të Kuranit, duke i kuptuar ato dhe duke medituar mbi to, pasi që ky libër nëse do të shpallej apo të zbriste mbi një kodër do ta shihje kodrën të strukur e të çarë prej frikës nga pronari i këtij libri, Allahut Fuqiplotë,  Allahu në Kuran thotë: “Libër të cilën ta zbritëm ty (o Muhamed), i begatshëm që t’i studiojnë argumentet e Tij.” (Sad:29)

Sa e sa këshilla dhe mësime ka në ajetet e suret e këtij libri, mirëpo siç ka thënë vet Allahu: “Edhe pas (fakteve të qarta) zemrat tuaja u bënë të forta si guri apo edhe më të forta se guri.” (Bekare:74)

I Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) na ka këshilluar me një këshillë prekëse, e shkurtër por me kuptim të madh, madje për këtë janë të pajtimit të gjithë dijetarët se kjo këshillë është një prej këshillave më të mira të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), e kjo pa dyshim nuk është për tu habitur sepse të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) i janë dhënë “Xhevamiul kelam” – fjalë të pakta por me kuptim të madh, e kjo këshillë është:  “Përmendeni sa më shumë prishësin (shkatëruesin) e kënaqësive.”, (pra vdekjen).

Po vëlla i dashur, prej atë ditë të cilën e kemi harruar vdekjen dhe agoninë e saj, varrin dhe errësirën e tij, llogarinë dhe qortimin gjatë jetës në të, urën e siratit dhe hollësinë e saj, kur i harruam gjitha këto na u ngurtësuan zemrat tona, e na janë bërë sikur gurët, madje edhe më të ngurta. Pra për këtë arsye i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshra e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Përmendeni sa më shpesh prishësin e kënaqësive.

Nuk i përmendet vdekja një të fortit vetëm se e dobëson atë, nuk i përmendet atij i cili mburret apo krenohet vetëm se e nënçmon atë, nuk përkujtohen shumica me të vetëm se i pakëson ata, sepse VDEKJA…është VDEKJE.

Nuk mund të ikësh prej saj, e as të fshihesh diku

Ku të zbret e bën varr atë vend

Këtë e shohim me sytë tanë, e kjo është realitet

Mirëpo edhe pse e dimë së është realitet duam ta përgënjeshtrojmë

Tek Allahu ankohemi për ngurtësinë e zemrave tona

Sikur këshilluesi vdekja çdo ditë mban zi e qanë

Shpresojmë me shpresë të gjatë dhe e presim prodhimin e saj

E ndoshta vdekja është më afër se shpresat tona

Vdekja është siç kanë thënë dijetarët: Ndarja e shpirtit nga trupi apo pauzë në mes këtyre të dyjave, kalim prej një gjendje në një tjetër, kalim prej një vendi në një tjetër. Madje Allahu për këtë arsye dhe e ka quajtur fatkeqësi, ka thënë: “Nëse jeni në udhëtim dhe ju gjen fatkeqësia (telashja) e vdekjes.” (Maide:106) Mirëpo fatkeqësia më e madhe, Allahu na ruajttë është gafleti-shkujdesja ndaj vdekjes, mos përkujtimi i saj dhe mos përgatitja për të, e kjo pa dyshim se është edhe më e madhe se vet vdekja.

Nuk është e rastësishme se si komentuesit e Kuranit ajetin: “Ai është i Cili krijoi vdekjen dhe jetën për t’ju provuar se cili prej jush është më vepër mirë.” (Mulk:2)  e kanë komentuar duke thënë se e ka kuptimin: Ai i cili më shumë e përmend dhe e përkujton vdekjen ai përgatitet më shumë për të. Ebu Alij Ed-dekik (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Kush e përmend shpesh vdekjen fiton tre gjëra:

E para: pendohet shpejt, e dyta: është aktiv i disponuar në adhurime, dhe e treta: është i lumtur shpirtërisht. Kurse ai i cili e ka harruar vdekjen humbë apo dënohet në tre gjëra:

E para: vonohet në të penduarit e tij tek Allahu, e dyta: ndjen vështirësi në adhurim dhe e treta: nuk është i rehatshëm shpirtërisht.

Pra ajo e cila ndikon në zemër është të përkujtuarit e vdekjes, në gjendjen e saj, agoninë e saj, varrin dhe errësirën e tij, prandaj dhe i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Me të vërtet në fillim ua kisha ndaluar ti vizitoni varrezat, e tani ju urdhëroj t’i vizitoni sepse ato ua përkujtojnë vdekjen.”

E prej asaj dite kur njerëzit e harruan vdekjen dhe jetën e amshueshme, e lanë namazin, u zhytën në detin e mëkateve dhe harameve të ndryshme e u larguan njerëzit nga urdhrat e Allahut atëherë…

O ti i pakujdesshëm i cili nuk vepron

E të ka mashtruar shpresa e gjatë

Vdekja të vjen papritmas

Kurse varri është arkë e veprës

A ke menduar ndonjëherë kur ke dalë nga shtëpia jote herët në mëngjes se vallë a kthehesh për së dyti në shtëpinë tënde? A ke menduar vallë se kjo mund të jetë dita e fundit e jetës tënde? E në qoftë se tani në këtë moment të vjen meleku i vdekjes të ta mer shpirtin, vallë a je i kënaqur me veprat që i ke bërë? Mos u habit Allahu të ruajttë por jepi përgjigje vetvetes, sepse kjo nuk është aspak pa përgjigje , a je apo jo i përgatitur për ta takuar Allahun tënd?

Një njeri të cilin e njoh u paraqit tek familja nga ora një e drekës dhe u tha: Sot kam marrë leje për të dalë nga puna para kohe më tregoni çfarë duhet t’ju sjell në shtëpi? I thanë: Duhet kjo dhe kjo. Tha: ora një jam aty inshAllah. Kaloi një orë, dy, tre mirëpo nuk erdhi fare. Kur para namazit të akshamit u paraqit në numrin e kësaj shtëpie dikush dhe u tha: Allahu ju lashtë shëndoshë juve sepse familjari juaj sa doli nga puna bëri ndeshje me një makinë dhe ndërroi jetë.

Më trego pashë Allahun: Vallë a ka menduar ky njeri kur është nisur për në shtëpinë e tij se nuk do të mund të mbërrijë në të, apo a u ka shkuar ndërmend familjarëve të tij se ai i cili i bartë nevojat e tyre shtëpiake nuk do të mund të vijë tek ata këtë ditë?

Një njeri nga njerëzit e devotshëm i cili banonte në pjesën më të lartë të fshatit të tij ngrihej në pjesën e fundit të natës, dilte në kopshtin e tij dhe thërriste me tërë fuqinë e zërit të tij duke thënë: Përgatituni për vdekjen, përgatituni për vdekjen, përgatituni për vdekjen. I përsëriste këto fjalë vazhdimisht dhe i dilnin njerëzit të shohin  se kush e bën këtë pothuajse çdo natë, mirëpo erdhi një kohë kur ky zë mungoi për një kohë të gjatë, pra nuk dëgjohej ai zë në fundin e natës. Si pasojë prijësi i atij fshati pyeti se ku është filani, i thanë se ka vdekur. Tha: çdoherë i përkujtonte njerëzit për vdekjen derisa vdiq edhe vetë. Po ai vdiq por si vdiq? Çdoherë duke i këshilluar të tjerët për vdekjen derisa e kaploi ajo për të cilën këshillonte edhe vet ata, porse ajo kur i erdhi e gjeti të përgatitur për të, të kujdesur duke mos u mashtruar me shpresat e gjatë të kësaj jete.

Sufjan eth-Theuri (Allahu e mëshiroftë)  njëherë i kanë thënë: Nëse do të thoshin se shpejt do të vdesësh çfarë lloj veprash do të bëjë për në fund të jetës tënde? U përgjigj duke thënë: Nuk do të shtoja as një vepër më shumë edhe sikur ta dija kur do të vdisja. Pra ky njeri e ka adhuruar Allahun çdo herë sikurse me qenë dita e tij e fundit, duke mos lënë vepër të mirë pas dore gjatë tërë kohës, prandaj edhe sikurse ta dinte se kur do vdiste nuk do të mund të shtonte asnjë vepër më shumë.

Një njeri njëherë i ka thënë shokut të tij i cili ishte larg rrugës udhëzimit:

– O ti filan, në qoftë se vdes në këtë hall a do të jesh i kënaqur? – i tha:

– Jo vallahi! Atëherë i tha:

– Po a kë bërë nijet ta ndërrosh hallin në të cilin je në një gjendje në të cilën do të jesh i kënaqur me veprat e tua madje edhe në qoftë se vdes me to? – i tha:

– Nuk më ka shkuar ndërmend për këtë asnjëherë! Ia ktheu pyetësi

– Po pas kësaj bote a ka botë me shpresa?! – iu përgjigj mëkatari duke thënë:

– Jo vallahi! – atëherë i tha:

– Vallë çfarë mendon në qoftë se të vjen meleku i vdekjes e ti je në këtë gjendje që je?!

Do të shpërngul ty vdekja nga shtëpia jote

Do ta zëvendësojë ty vdekja shtëpinë me një shtëpi tjetër

Do të lësh çdo gjë për të cilën je munduar një kohë të gjatë

Prej pasurisë tënde do të biesh në varfëri

Në sytë e tu krimbat e varrit do të shoqërojnë

Ndërsa shtëpinë tënde do ta gëzojnë të tjerë në vendin tënd…

Po vëllai im shumë i dashur: Mos e harro vdekjen, sepse janë të pajtimit gjithë dijetarët se vdekja nuk ka vend të caktuar, e as kohë të caktuar e as arsye të caktuar  se kur vjen, e as jeta është e caktuar që ta dish se kur ajo do të viziton, por vjen krejt papritmas pa e diktuar, thotë Allahu në Kuran: “Thuaj: Ska dyshim se vdekja prej së cilës po ikni ka për t’ju zënë, e pastaj do të ktheheni tek Ai, që e di të padukshmen dhe të dukshmen, e atëherë Ai do t’ju njoftojë për atë çfarë keni punuar.”(Xhuma:8)

“Agonia e vdekjes është e vërtetë që do tu vjen, kjo është ajo prej të cilës ti po ikje.” (Kaf:19) Që do të thotë kur t’i vjen vdekja dikujt i thuhet: Kjo është ajo prej së cilës ti mundoheshe të ikësh. Prandaj gjatë ose shkurt një ditë do të vjen vdekja patjetër.

Njerëzit në prag të vdekjes ndahen në dy kategori:

E para:  e dëshiron takimin me Allahun dhe Allahu e dëshiron takimin me të.

E dyta: e urren takimin me Allahun dhe Allahu e urren takimin me të.

Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) ka thënë: O i Dërguari i Allahut çdo kush prej nesh e urren vdekjen?  i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) i tha: “Nuk është ajo qëllimi oj Aishe, mirëpo robit të devotshëm kur i vjen vdekja, melekët e përgëzojnë atë me xhenet, se Allahu është i kënaqur prej tij, e jo i hidhëruar, atëherë ky rob e dëshiron takimin me Allahun dhe Allahu e dëshiron takimin me të. Ndërsa robi mëkatarë i cili ka qenë i shkujdesur nga vdekja dhe nuk ka punuar për këtë ditë i vinë melekët në prag të vdekjes dhe e paralajmërojnë me hidhërim dhe dënim nga ana e Allahut, atëherë ky e urren takimin me Allahun dhe Allahu e uren takimin me të”.

Omer ibën Abdulazizi (Allahu e mëshiroftë) u ka thënë bashkëbiseduesve të tij: Kur të uleni me mua ju kushtëzoj me tri gjëra në qoftë se doni që të rini me mua në një mexhlis: E para: Mos flitni për dynjanë, e dyta: mos merrni nëpër gojë dikë, dhe e treta: mos talleni e të bëni shaka asnjëherë në mexhlisin tim. Kështu që e përkujtonin vdekjen, agoninë e saj, varrin, errësirën e tij, e kur ngriheshin nga mexhliset me Omer ibën Abdulazizin ngriheshin sikurse nga ndonjë xhenaze, çfarë këshilla të dobishme nëse do ti kishin praktikuar edhe neve sot!! Prandaj nuk është për tu habitur për këtë burrë kur në fund të jetës së tij kanë treguar se ai e ka lexuar ajetin e Kuranit në të cilin Allahu thotë: “Ky është xheneti të cilin e kemi përgatitur për ata të cilët nuk e duan mendjemadhësinë në tokë e as çrregullimin, e përfundimi i mirë u takon të devotshmëve.” (Kasas:83)

Dynjaja sa e sa të të zgjatet ajo është e shkurtër, sa më shumë që të të duket e madhe ajo është e pavlerë, do të vijë një ditë kur do të palosesh në shtrat, do të dëshirosh ta përqafosh të voglin tënd mirëpo nuk do të mundesh, të mëdhenjtë e tu por nuk do të mundesh sepse ajo do të ndan për një çast nga çdo gjë e dashur për ty në këtë botë dhe atë pa të pyetur aspak.

Mjerë për ty si do të jetë gjendja jote në ato momente, atë ditë kur sytë e tu fryhen, ftohen gjymtyrët e tua, ndahen kërcit e këmbës, dëshiron të flasësh mirëpo nuk mundesh , dëshiron të thuash diçka mirëpo nuk mundesh: “Dhe kur të vjen agonia e vdekjes hak (e vërtetë) kjo është ajo prej së cilës ti po ikje, e kur ti fryhen surit, kjo është dita e premtuar, e atë ditë çdo njeri do të vijë bashkë me dëshmitarin dhe grahësin.” (Kaf:19-21)

Llogariteni veten para se të llogariteni

Kini frikë Allahun, qani për veten tuaj para se të qajnë për ju, llogaritni veten tuaj para se të llogariteni, binduni Allahut para se t’ju mbajnë mbi supe, përgatituni për vdekjen para se të thoni: O Allah o Zoti im më kthe në dynja të bëj vepra të mira! E të mos ju dëgjojë kush. Një orë të ulesh dhe llogaritësh veten tënde është shumë mirë se ditë dhe orë të cilat ta humbin kohën kot.

Ditët po kalojnë e ku është përgatitja për vdekjen

Ku është mendjemadhësia në shtëpinë e të këqijave

Ku mbet vendosmëria jote, a u kënaqe me pak

Sepse belaja e epshit nuk i ngjan ndonjë belaje tjetër

Si dhe çështja e kohës nuk është diçka e pavlerë

O ju të cilët nuk po shihni do të zbulohen për ju të fshehurat

Meleku i vdekjes nuk pranon njohje e as ndërmjetësim

E as që pranon dhurata

O ti i ri do të pyetesh për rininë tënde

O ti plak do të përgjigjesh për jetën tënde

O ti i cili ke mbëri të tridhjetat mendo para se të të mbyllet dera

O ti i sëmurë në zemër qëndro para mjekut

O ti i pafat qaj për humbjen e të atit tënd

Për Zotin tënd, rri para derës dhe mendo gjatë

Shfrytëzo jetën para vdekjes ndërsa ti je neglizhent ndaj saj

O ti të cilit vdekja përpara të sillet

O ti i cili rrinë qetë në shtëpi e në pallate

Sikur ta mendosh veten tënde të varrosur dhe të meditosh se çfarë ka në të

Atëherë syri yt tek ai po lëviz

O ti i cili e ke zemrën në errësirë e jo në dritë

Brenda je i prishur e jashtë i ndërtuar

Mirëpo shikohet në brendësi e jo në formalitet

O ti i cili sa më shumë që jeton i shton mëkatet e tua

O ti i cili lundron me mendjen tënde në mëkate

O ti i cili  mendon shkurtë kurse të është kërrusur trupi

O ti i cili pak merr mësim ndërsa e di se varri fortë shtrëngon

Si ta këshilloj atë të cilin i ka vdekur zemra e jo truri dhe trupi i tij…

Po vëlla i dashur patjetër për udhëtimin për në botën tjetër jetove gjatë apo shkurtë, do të vijë ajo ditë kur do të ndahesh nga kjo jetë, mirëpo si do të jetë gjendja jote në ato momente, para këtij udhëtimi?!…

Vdekja e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të)

“Ti do të jesh i vdekur dhe ata do të jenë të vdekur.”

Ajo e cila i vonon njerëzit nga pendimi tek Allahu dhe përgatitja për ahiretin, është shpresa e gjatë, për këtë Allahu thotë në Kur’an:“Leri ti ata të hanë e të pinë e t’i mashtrojnë ata shpresat e gjata e pastaj do ta kuptojnë ata.” (Hixhr: 3) Çdo kush do ta shijojë vdekjen përveç Atij të cilit i takon krenaria dhe i Cili është i Gjithëfuqishëm. “Çdo gjë do të zhduket përveç fytyrës së Zotit tënd që është i madhëruar dhe i nderuar.” (Rahman:26-27)

Çdo kush do të vdes sepse Allahu ka thënë: “Ti do të jesh i vdekur (o Muhamed) dhe ata do të jenë të vdekur.” (Zumer:30) gjithashtu ka thënë: “Asnjë njeriut nuk ia kemi mundësuar të jetë i përjetshëm, edhe në qoftë se ti vdes ata (mushrikët) nuk do të jetojnë përgjithmonë.”(Enbija-34) “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen.” (Ali Imran:185)

Vdiq edhe i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) i cili pak para vdekjes tha: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi jehudët dhe të krishterët të cilët i shndërruan varrezat e profetëve të tyre në faltore.” Po ashtu një nga porositë e tij para vdekjes ishte: “Namazin, namazin dhe ata të cilët i keni nën pronësinë tuaj.” Që do të thotë se keni kujdes të veçantë ndaj këtyre dy gjërave , namazin mos e humbni në asnjë mënyrë dhe të silleni drejt ndaj atyre që i keni nën kujdesin dhe pronën tuaj.

Kur u ngjit për herë të fundit i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) në minber u tha shokëve të tij: “Kujt i kam marr diçka, ja ku e keni mallin tim merreni, kujt ia kam cenuar nderin, ja ku e keni nderim tim hakmerruni, kujt i kam rënë, goditur le të ma kthen, disa nga robërit e Allahut Ai ua bëri që të zgjedhin në mes shpërnguljes tek Ai dhe bukurive të kësaj bote e robi i Tij zgjodhi atë çfarë është tek Allahu.” Atëherë Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) filloi të qajë kurse sahabët u habitën më të se pse qante, e ai qante sepse e kuptoi shpejt se këto janë ditët e fundit të Muhamedit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) në këtë jetë.

Në çastet e fundit të jetës së tij i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) e lagte dorën e tij me ujë dhe e fërkonte me dorë fytyrën e tij dhe thoshte: “La ilahe il-Allah, vdekja paska agoninë e saj, o Allah ma lehtëso mua vdekjen dhe agoninë e saj.” Kur e pa Fatimeja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) pra vajza e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) në këtë gjendje babanë e saj se në çfarë vështirësish po kalonte ai i tha: O dhimbja e babait tim! Atëherë i dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) tha:” Oj Fatime babai yt nuk do të ketë dhimbje pas sodit.” Pastaj e ngriti shikimin drejt qiellit dhe bëri shenjë me gishtin tregues të tij dhe thoshte:” O Allah më fal mua, më mëshiro, ma prano pendimin, tek Ai Cili është më i Larti.” Pas kësaj u ndal frymëmarrja më fisnike, u ndal së punuari zemra më e mirë e njerëzimit, u shkëput përgjithmonë lidhja e qiellit me tokën-shpallja deri në kiamet, ndërroi jetë njeriu me moralin më të lartë, vdiq njeriu që është dashur më së shumti në sipërfaqen e tokës nga shokët e tij dhe nga pasuesit e tij…, e pa dyshim se kjo do të ndodhte pasi që Allahu ka thënë: “Ti do të jesh i vdekur dhe ata do të jenë të vdekur.” (Zumer:30) dhe “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen.” (Ali Imran:185) Pasi doli shpirti nga trupi më i bekuar që ka parë historia e njerëzimit nga trupi i të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), vajza e tij Fatimeja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) tha: O babai im, iu përgjigje ftesës së Zotit tënd, Firdeusi është vendi yt, o babai im Xhibrili më nuk vjen pas vdekjes tënde. Pa dyshim fjalë rrëqethëse… e si mos të jenë kur bëhej fjalë për profetin më të dashur të Allahut Fuqiplotë.

Pasi që e varrosën sahabët të Dërguarin e Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), Fatimeja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) i tha Enesit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij): O Enes si e morët guximin t’i hidhni dhe trupit të Dërguarit të Allahut?! Enesi ia ktheu: Të betohem në Allahun se nuk kishim guxim, mirëpo e detyruam veten pa dëshirë për një gjë të tillë. Vdiq i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) edhe pse këtë se besonte dot fillimisht Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), porse pas pak e qetësoi atë me disa fjalë Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) duke thënë se:  Ata të cilët e kanë adhuruar  Muhamedin (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), le ta dinë se me të vërtet Muhamedi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të )  vdiq, kurse kush  adhuron Allahun le ta dijë se Ai është gjallë nuk vdes kurrë.

Muhamedi i biri i Abdullahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) vdiq  sepse Allahu ka thënë: “Ti (o Muhamed) do të jesh i vdekur dhe ata do të jenë të vdekur.” (Zumer:30) dhe ka thënë: “Çdo gjë do të zhduket përveç fytyrës së Zotit tënd që është i madhëruar dhe i nderuar.” (Rahman:26-27)

Vdekja e Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij)

Më pas, pas dy vitesh vdiq edhe Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), kalifi i të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) të cilin e vendosi që tu prijë sahabëve në namaz kur ishte i sëmure vet me gojën e tij të ëmbël, i cili e udhëhoqi umetin me shumë përgjegjësi pas vdekjes së Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të). Ndërroi jetë ky kalif i parë i muslimanëve gjatë natës, e kur ishte në çastet e fundit të jetës së tij e pyeti vajzën e tij Aishen (Allahu qoftë i kënaqur prej saj):

– Çfarë dite jemi sot? – i tha vajza e tij:

– E hënë? – e pyeti përsëri:

– Çfarë dite ka vdekur i Dërguari i Allahut? – i tha Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj):

– Ditën e hënë.

E kishte parë të Dërguarin e Allahut në ëndërr shumë herë, kurse kur e pyetën në ato çaste se të ka vizituar ndonjë mjek për gjendjen tënde, ua ktheu duke u thënë:

– Po më ka vizituar. – e pyetën:

– Çfarë të tha? – ua ktheu Ebu Bekri (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) më tha:

– Unë do të bëj çfarë të dua!

Kur vërejti Aisheja (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) se babai i saj po kalon çastet e fundit të jetës së tij, për t’ia qetësuar gjendjen filloi t}i këndojë disa vargje të një poezie ku thuhet:

Nuk është problem për të riun në qoftë se një ditë sëmuret

Në qoftë se sot dergjet prej vdekjes e i ngushtohet gjoksi…

– Ia ndërpreu babai i vet fjalët duke i thënë:

– Mos thuaj ashtu oj Aishe, oj bija ime, po thuaj:

-“Dhe të ka ardhur vdekja e cila është hak – e vërtetë, e kjo është ajo prej së cilës ti po ikje.” (Kaf:19)

Po vëllai im i shtrenjtë: ashtu është sepse Allahu ka thënë në Kur’an:  “Thuaj: Vdekja prej së cilës ju mundoheni të ikni do t’ju kaplon, pastaj do të ktheheni tek Ai i Cili e dinte të dukshmen dhe të padukshmen dhe do t’ju njoftojë për atë që keni vepruar.” (Xhumua:8)

Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) e këshilloi Omer ibën Hatabin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) pak para vdekjes, me një këshillë sikur ta kuptonim këtë këshillë sa e sa mirë do të ishte për ne, i tha: O Omer Allahu ka një hak gjatë natës të cilën nuk e pranon gjatë ditës dhe ka një hak gjatë ditës që nuk e pranon gjatë natës.

Vdiq njeriu më i dashur tek zemra e të Dërguarit të Allahut, i sinqerti , sidiku , shoku më i ngushtë i më të dashurit të Allahut,  siç e ka thënë vet i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) në një hadith të tij, ai i cili peshonte më shumë se gjithë umeti në peshoren e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të). Vdiq Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) sepse Allahu ka thënë: “Ti (o Muhamed) do të jesh i vdekur dhe ata do të jenë të vdekur.” (Zumer:30) dhe ka thënë: “Çdo gjë do të zhduket përveç fytyrës së Zotit tënd që është i madhëruar dhe i nderuar.” (Rahman:26-27)

Vdekja e Omer ibën Hatabit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij)

Pas njëmbëdhjetë vitesh si kalif vdiq edhe Faruku – Omer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) edhe atë siç dihet më 23 Dhul hixhe të vitit 23 hixhri duke falur namazin e sabahut si imam, theret me thikë nga Ebu Lulu el Mexhusi.

Ditën kur nuk u plotësua namazi i sabahut, jo që nuk u plotësua për shkak të ndonjë moskuptimi në çështjet e sheriatit, e as për shkak të ndejës para televizorit tërë natën, por për shkak se u plagos kalifi i muslimanëve, e u vranë dhe u plagosën disa besimtarë të tjerë, nga i njëjti  person duke ikur përmes rreshtave të xhematit dhe atë në namaz të sabahut, e kur u godit me thikë ai ishte duke lexuar fjalën e Allahut: “Unë hidhërimin tim dhe pikëllimin tim ia parashtroj Allahut.” (Jusuf:56) Ra i alivanosur kalifi i muslimanëve, shpata e Allahut, shehidi i minberit. E kur erdhi në vetëdije fjalën e parë që ua tha shokëve të tij ishte:

– A u fal namazi, a u falën njerëzit!?

Medito vëlla mbi këto fjalë, dëgjoje cila ka qenë fjala e parë pasi që është therur Omer ibën Hatabi me thikë. Kurse neve duke mos na mungua asgjë nga pasuria dhe shëndeti sa kujdesemi për namazin tonë!?

Pasi që e kuptoi Omer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se ka gjakderdhje të madhe nga plaga e kuptoi se ishte në çastet e fundit të jetës së tij, por edhe në këtë gjendje atë përsëri diçka e preokuponte dhe e mundonte. E thirri të birin e vet Abdullah ibën Omerin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) dhe i tha:

– Shko te Aisheja, nëna e besimtarëve dhe thuaj se të bën selam Omeri, dhe mos i thuaj prijësi i besimtarëve sepse prej sot unë nuk jam prijësi i besimtarëve. Dhe thuaj se Omeri kërkon prej teje leje që ta lejosh të varroset bashkë me dy shokët e tij (të Dërguarin e Allahut dhe Ebu Bekrin).

Kjo të bën te mendosh se sa ka qenë i lidhur Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) me shokët e tij edhe në këtë gjendje të rëndë, e pa dyshim se këto fjalë dhe këto dëshira në këto çaste dalin vetëm se nga njerëz të mëdhenj të umetit sikurse ishte Omer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij).

Shkoi Abdullah ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) tek Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) dhe ia tregoj dëshirën e babës së vet. Iu drejtua nëna e besimtarëve Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) të birit të Omerit dhe i tha:

– Betohen në Allahun se atë vend e kisha ruajtur për vete, mirëpo nëse ajo është dëshira e fundit e Omerit do t’i jap përparësi Omerit mbi mua.

U kthye Abdullah ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) tek babai i tij, kur e pa babai i vet tha:

– Me ulni – pasi ishte shtrirë – pastaj e pyeti djalin e vet:

– Çfarë të tha Aisheja o biri im? – i tha djali i vet:

– Të përgëzoj o babai im se ajo u pajtua me mendimin tënd!

Në këto çaste shndriti fytyra e Omer ibën Hatabit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) nga gëzimi sepse iu realizua dëshira e tij e cila e brengoste në ato çaste, brenga e cila për të ishte pa dyshim e madhe, e nuk ishte si brengat tona siç janë në ato çaste për mallin e tij, për hallallëkun e tij, për familjen e tij, për pronat e tij etj, porse ishte që të varroset afër të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) që të jetë me të shokë në këtë botë dhe në botën tjetër. Pas kësaj Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) tha:

– Në qoftë se vdes ma lani xhenazen, pastaj ma qefinosni, pastaj trokitni tek dera e Aishes dhe thoni se Omeri po kërkon leje përsëri për së dyti të varroset afër të Dërguarit të Allahut dhe Ebu Bekrit, e në qoftë se u lejon atëherë më varrosni, e nëse nuk ju lejon atëherë më varrosni tek varrezat e muslimanëve. Pak para se ndërroi jetë na çastet e fundit të jetës së tij, djali i tij Abdullah ibën Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) e vendosi kokën e babait mbi kofshën e këmbës së  tij (sepse Omeri e kishte kokën në tokë) kur e pa këtë veprim Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i tha të birit të tij:

– Lere kokën time në tokë se ndoshta Allahu do ta mëshiron Omerin, ah i mjeri unë sikur të dilja nga kjo botë duarthatë pa asnjë post, as për ju e as mbi ju (d.m.th. pa këtë përgjegjësi të madhe si kalif i gjithë besimtarëve në atë kohë) , do të kisha dëshiruar që të mos më kishte lindur nëna, e sikur të kisha qenë një gjeth i cili në vjeshtë vyshket dhe kur bie në tokë bëhet copë-copë, grimcohet.

Kush ishte ky burrë me emrin Omer ibën Hatabi? Ky ishte ai i cili falej tërë natën, agjëronte shumë, të cilit nga të qarat e shumta ishin bërë dy viza në faqet e tij nga lotët si pellgu i lumit, i cili mori pjesë në gjithë betejat me të Dërguarin e Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), frikohej vazhdimisht se mos jetë nga munafikët prej të cilëve kishte paralajmëruar i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) edhe pse ishte i përgëzuar me xhenet qysh në këtë jetë…dhe përsëri i thoshte këto fjalë “Sikur të isha një gjeth i cili vyshket në vjeshtë…” që të mos merret në llogari ditën e gjykimit nga Allahu i madhëruar. Vdiq Omer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) sepse Allahu ka thënë: “Ti (o Muhamed) do të jesh i vdekur dhe ata do të jenë të vdekur.” (Zumer:30) dhe ka thënë: “Çdo gjë do të zhduket përveç fytyrës së Zotit tënd që është i madhëruar dhe i nderuar.” (Rahman:26-27)

Vdekja e Othman ibën Afanit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij)

Pastaj prijës i besimtarëve u bë Othman ibën Afani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i cili i udhëhoqi muslimanët për njëmbëdhjetë vjet. Por pas lindjes së trazirave të shumta në umet nga fraksione të ndryshme dashakeqe erdhi edhe deri tek vrasja e Othman ibën Afanit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij). Atë ditë që vdiq ky sahabi i urtë, dhëndri i të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) e pa në ëndërr të Dërguarin e Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) i cili i tha: Sonte do ta hash iftarin me neve. (d.m.th. me mua, Ebu Bekrin dhe Omerin) E pas kësaj ëndrre atë ditë ia rrethuan shtëpinë kalifit të muslimanëve i cili i refuzoi që ta ruajnë atë natë djemtë e Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) Husejni dhe Haseni (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre). Pasi që sahabët e kishin kuptuar se në ato kohëra trazirash mund ta vrasin edhe kalifin e muslimanëve dhe shumica e sahabëve nuk ishin në Medine por kishin shkuar në Mekë për në haxh. Kur hynë atentatorët në shtëpinë e Othman ibën Afanit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) fillimisht ia lënduan bashkëshorten e më pas e vranë dhe kalifin duke lexuar Kur’an. Shpërtheu gjaku i kalifit e cila ia kaploi mjekrën e tij të pastër, ishte i agjërueshëm dhe ndërroi jetë duke e bërë lutjen e tij të fundit: La ilahe il-la ent, Subhanek, in-ni kuntu minedhalimin – Nuk ka të adhuruar përveç Allahut, i lartësuar është Allahu, e unë jam nga keqbërësit. Ra i vdekur ky burrë i urtë, duke e mbaruar jetën e tij me lutjen e Junusit (paqja e Allahut qoftë mbi të), ndërroi jetë njeriu nga i cili kishin turp edhe melaiket, e kjo sipas një thënie të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të).

E kush ishte Othmani r.a.? Ai ishte sahabiu i cili qante shumë nga frika e Allahut, kur i përmendej varri dhe jeta në të, ai qante pa masë sa që ia zbutnin mjekrën lotët e tij nga të qarit e tepërt. E kur e pyetën se pse qante më shumë kur përmendej varri se sa xheneti dhe xhehenemi, u thoshte:

– E kam dëgjar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Varri është shtëpia e parë në ahiret, në qoftë se në varr gjatë llogarisë i ecin mirë punët robit atëherë çdo gjë pas saj do të jetë mirë për të, e nëse gjatë llogarisë në var nuk i ecin punët mirë robit atëherë çdo gjë pas saj nuk do të jetë mirë për të.”

Vdiq Othmani, sahabiu i cili në një luftë e ndihmoi ushtrinë muslimane me gjithë pasurinë e tij duke i dhuruar asaj përafërsisht 900 kuaj dhe 90 deve, e si pasojë e kësaj tha i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut qoftë mbi të): “Nuk i bën dëm asgjë Othmanit pas kësaj që bëri.” Ishte lexues i madh i Kur’anit të lartë, baba i jetimëve, i vejushave, i të vobektëve. Vdiq Othmani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) sepse Allahu ka thënë: “Ti (o Muhamed) do të jesh i vdekur dhe ata do të jenë të vdekur.” (Zumer:30) dhe ka thënë: “Çdo gjë do të zhduket përveç fytyrës së Zotit tënd që është i madhëruar dhe i nderuar.” (Rahman:26-27)

Vdekja e Ali ibën Ebu Talibit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij)

Pas Othmanit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) siç e dimë u bë kalif Ali ibën Ebu Talib (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), në kohën e tij ndodhën shumë trazira të brendshme të cilat Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i përballoi të gjitha me sukses. Por në një mëngjes pak kohë para namazit të sabahut në kohën e istigfarit, pasi që Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) e kishte falur namazin e natës doli për në xhami. E sulmuan rrugës për në xhami dhe e vranë dhëndrin e të Dërguarit të Allahut (paqja e Allahut qoftë mbi të). Vdekja e tij është shumë larg disa vdekjeve të tjera në këtë kohë, ku njerëzit sot në këtë kohë vdesin pasi që kanë bërë shumë mëkate gjatë natës e në mëngjes në gjendje të ndryshme i gjen vdekja, kurse të parëve tanë të mirë, vdekja u ka ardhur duke shkuar në xhami, duke luftuar në rrugën e Allahut, duke dhënë këshilla e kështu me radhë.

Kur i erdhën çastet e fundit të jetës Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) tha: Nëse unë mbetem gjallë ma leni mua në dorë personin që më lëndoi, e unë do vendos nëse do ta vras ose do ta lëshoj të lirë, por nëse unë vdes atëherë ju vriteni atë, sepse unë do t’i hakmerem atij në ditën e gjykimit përpara Allahut Fuqiplotë. Nuk shkoj shumë kohë pasi tha këto fjalë Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) vazhdoi ta përsërisë shehadetin vazhdimisht derisa ndërroi jetë. Vdiq “luani i Allahut’, muxhahidi i muslimanëve , prijësi i tyre, nipi i të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të). Vdiq Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) pasi që Allahu ka thënë: “Ti (o Muhamed) do të jesh i vdekur dhe ata do të jenë të vdekur.” (Zumer:30) dhe ka thënë: “Çdo gjë do të zhduket përveç fytyrës së Zotit tënd që është i madhëruar dhe i nderuar.” (Rahman:26-27)

Vdekja e Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur prej tij)

Ebu Hurejra, transmetuesi më i madh i haditheve, shoqëruesi më i ngushtë i të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ai i cili, pasi që e pranoi islamin nuk u nda nga i dashuri i tij Muhamedi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ai prej të cilit na transmetohet një pjesë e madhe e sunetit të të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) kur i erdhën çastet e fundit të jetës tha:

– Ah sa pak jam përgatitur për këtë ditë, rruga është tepër e gjatë kurse  furnizimi i im për këtë rrugë është shumë i vogël.

Këto fjalë dolën nga goja e atij i cili nuk iu nda të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) derisa i Dërguari ynë nuk ndërroi jetë, transmetuesi i madh i dijes, ai i cili e mësoi drejtpërsëdrejti islamin në çdo aspekt të tij nga ai mbi të cilin u zbrit kjo fe, e çfarë na mbetet neve të themi për vdekjen, kur e dimë se sa neglizhent dhe të shkujdesur jemi? Çfarë do themi ne që na kanë mbuluar mëkatet që nuk mërzitemi për kohën që na kalon kot, duke mos përfituar nga ajo?

Vdiq Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) sepse Allahu ka thënë: “Ti (o Muhamed) do të jesh i vdekur dhe ata do të jenë të vdekur.” (Zumer:30) dhe ka thënë: “Çdo gjë do të zhduket përveç fytyrës së Zotit tënd që është i madhëruar dhe i nderuar.” (Rahman:26-27)

Vdekja e Muadh ibën Xhebelit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij)

Në historinë e sahabëve nuk mundemi pa e përmendur edhe këtë sahabi të madh, këtë person për të cilin vet i Dërguari i Allahut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) tha me gojën e tij se është më i dituri mbi hallallin dhe haramin, ambasadori i të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) që u dërgua nga vetë ai në Jemen për ta përhapur fjalën e Allahut. Çastet e fundit të jetës së tij ky sahabi i bëri para sabahut, kur ishte në prag të vdekjes e pyeti djalin e tij:

– A erdhi koha e sabahut? – i tha djali i vet:

– Jo akoma. – E pyeti përsëri pas pak kohësh”

– A erdhi koha e sabahut? – i tha djali i tij:

– Jo akoma. – e pyeti për së treti:

– A erdhi koha e sabahut? – ia ktheu përsëri djali i tij:

– Jo akoma. – atëherë tha:

– Kërkoj mbrojtje nga ajo natë pas të cilës sabahu i saj të çon në Zjarr të xhehenemit. – pastaj u lut dhe tha:

– O Allah vetëm Ti e din se unë me të vërtet të kam pasur frikë Ty, ndërsa tash shpresoj vetëm prej Teje. Ti e din se unë nuk e kam dashur dynjanë për të ndenjur gjatë në të, e as për rrjedhjen e lumenjve të saj, e as për pemët e saj. Por e kam dashur për të agjëruar në ditët e nxehta të saj, për namazin e natës dhe për ndejat me dijetarët.

Medito vëlla i nderuar rreth fjalëve të këtij sahabiu dhe të tjerëve nga ata, se pse kanë qarë dhe për çfarë janë mërzitur?!

Ndërsa ne:

Epshi qanë për dynjanë edhe pse e din se shpëtimi është të bësh divorc nga ajo.

Njeriu pasi të vdes nuk ka shtëpi ku të banoj

Pos asaj shtëpie të cilën e ka ndërtuar

Ne qoftë se e ka ndërtuar më të mira lum për banimin në të

Ne qoftë se e ka ndërtuar me të këqija mjerë për banimin në të

Vdiq Muadh ibën Xhebeli sepse Allahu ka thënë: “Ti (o Muhamed) do të jesh i vdekur dhe ata do të jenë të vdekur.” (Zumer:30) dhe ka thënë: “Çdo gjë do të zhduket përveç fytyrës së Zotit tënd që është i madhëruar dhe i nderuar.” (Rahman:26-27)

Po ashtu transmetohet se një grua e devotshme e cila në vete e ndjeu se i është afruar vdekja, iu drejtua burrit të saj dhe i tha:

– Dua të shkoj në Meke, dua ta shoh shtëpinë e Allahut-Qabenë. – Para se të niset i përshëndeti të gjithë fëmijët e saj, sikurse më nuk do të ketë mundësi t’i takojë përsëri.

E bëri tavafin dhe sajin, e kreu umren, iu drejtua Allahut dhe iu lut sinqerisht. Kur morën rrugën për tu kthyer pësuan të dytë një aksident dhe gruaja u lëndua rëndë në kokë. Menjëherë pas aksidentit burri i saj e nxori nga vetura e aksidentuar në një anë të rrugës që ta qetësojë, porse gruaja ishte në çastet e fundit të jetës së saj, e ngriti gishtin tregues nga qielli dhe tha:

– La ilahe il-lAllah – pastaj iu drejtua burrit të saj dhe i tha:

– Bëju selam familjes time dhe thuaju se takimi ynë i ardhshëm do të jetë në xhenet.

Vdiq kjo grua e devotshme pas bëri umren , me këto fjalë bindëse ,vdiq pasi që Allahu ka thënë: “Ti (o Muhamed) do të jesh i vdekur dhe ata do të jenë të vdekur.” (Zumer:30) dhe ka thënë: “Çdo gjë do të zhduket përveç fytyrës së Zotit tënd që është i madhëruar dhe i nderuar.” (Rahman:26-27)

Përfundimi i keq

Dallimi mes të devotshmëve dhe mëkatarëve dallon shpesh edhe në mënyrën e vdekjes së tyre. Një djalë i ri i cili ishte shumë i paturpshëm, madje nga haramet që i bënte nuk e largonte as turpi nga njerëzit. Shpesh kur kaloja  rreth shtëpisë së tij dhe kur e takoja me shoqërinë e tij e këshilloja pasi që shpesh e takoja duke polemizuar në çështje të kota dhe duke e humbur kohën në biseda të kota. Shpesh u thosha:

– O djem, Allahut ia keni borxh namazin, faleni namazin më së paku, pastaj veproni çfarë të doni. – me shpresë t’i mëshirojë Allahu dhe t’i udhëzojë. Porse asnjëherë nuk ju përgjigjen ftesës. Më vonë na treguan se ai grup djemsh kishin vendosur të shkojnë në udhëtim në disa shtete joislame. Duke e ditur qëllimin se pse duan të shkojnë atje, përsëri i këshillova. Porse nxitjet e shejtanit ishin më bindëse se sa fjalët e këshilluesve, sikur ai kishte dalë fitimtarë me ta, duke ua zbukuruar veprat e ulëta në të cilat kishin rënë dhe nuk kishte kthim prapa, pikërisht ashtu siç e ka thënë edhe Allahu në Kur’anin famëlartë. Pasi shkuan, nuk kaloi shumë kohë u kthyen për një arsye të veçantë! U kthyen duke e bartur me vete xhenazen e shokut të tyre për të cilin flisnim. Çfarë kishte ndodhur?! Një natë pasi ishin dëfryer në mëkate dhe harame, shokut të tyre i kishte rënë infarkt në zemër dhe për shpejt kohë në spital kishte ndërruar jetë. Kur shkuan ishin shumë të gëzuar dhe të lumtur por kur u kthyen ishin të mërzitur dhe të pikëlluar se e humbën shokun e tyre.

A thua vallë ky djalë i ri kishte menduar se ky mund të jetë udhëtimi i tij i fundit? Pas gjithë kësaj që ndodhi një ditë unë vetë shkova tek varri i tij dhe i kujtoja në vete këshillat që ia kisha bërë këtij personi, sa  e sa e kam këshilluar dhe këshilluar porse pa përgjigje pozitive nga ai. Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Thash me vete: Sikur të kishte shkuar ky djalosh në luftë në rrugë të Allahut dhe të ktheheshe i vrarë, pa dyshim do ishim gëzuar të gjithë, madje do lakmonim një vdekje të tillë, sikur të na kishte ardhur i vdekur prej ndonjë vendi ku ka shkuar për të kërkuar mjekim pas që ka qenë i sëmurë, do të ishim mërzitur për të, apo të kishte shkuar në ndonjë vend për studime dhe për të nxënë dije nga dijet e kësaj botë do të mburreshim me të, porse kjo lloj vdekje e tij ishte më e keqe e mundshme dhe më pak që dëshironim ta dëgjonim.

Robër të Allahut: Kini frikë Allahun, sepse sa e sa të jetojmë jeta është e shkurtër, madje edhe sa e sa të përjetoj robi nga kjo botë ajo është e pavlerë, prandaj të mundohemi ta përkujtojmë sa më shpesh vdekjen, ajo e cila do ta ndihmoj ta përmirësojmë vetveten. T’i vizitojmë varrezat sepse ato na përkujtojnë më së miri vdekjen, të shkojmë në ndejat e dhikrit sepse ato na e zbusin zemrën me besim. Mos harro vëlla i dashur kur të të ngurtësohet zemra përkujtoje Allahun, botën tjetër, vdekjen dhe përfundimin tënd, Allahu thotë në Kur’an: “O ju që keni besuar kini frikë Allahun dhe le të shikojë secili prej jush se çfarë ka përgatitur për nesër, kini frikë Allahun sepse Allahu me të vërtetë e din se çfarë punoni, e mos u bëni si ata të cilët e harruan Allahun, e Allahu e bëri që ata ta harrojnë vetveten, mu këta janë të prishurit.” (Hashr:18-19)

O Allah o Zoti ynë, na e bën jetën tonë më të mirë se ajo që kaloi, bëre që veprat tona të fundit të jenë më të mirat nga gjithë veprat tona, na i bën ditët më të mira ditët kur do të të takojmë Ty. O Allah na i zgjatë jetët tona, na i përmirëso veprat tona, na mundëso të vdesim me pendim të sinqertë, si dëshmorët e tu, na mëshiro pas vdekjes tonë o Zot i botëve. S’ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut, më Fisniku më i Mëshirshmi Ti je o Zoti ynë, o Zoti i Arshit të madh, Zoti i qiejve dhe i tokës.

La ilahe il-lAllah ne me këtë fjalë jetojmë, me këtë fjalë duam të të takojmë Ty o Allah dhe të lutemi që të na e bësh këtë fjalë të fundit në jetën tonë. O Allah na e lehtëso vdekjen dhe agoninë e saj, jetën në varr dhe terrin e saj, si edhe nga pyetjet e vështira në të. Na mbro nga shtrëngimi në të, nga frika e ditës së ringjalljes. O Allah vepro me ne me mëshirën Tënde sepse ti je Falës, na i fal mëkatet tona, lëshimet tona, na i përforco këmbët tona dhe na ndihmo neve ndaj jobesimtarëve. Na jep siguri në vendet tona, na i përmirëso udhëheqësit tonë, pajtoi gjithë muslimanët në një rresht, na i përmirëso raportet me njëri tjetrin, na ndihmo o i Gjithëmëshirshëm, më Krenari më i Larti.

Kërkojmë prej Allahut falje, salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin, shokët e tij, familjen e tij në përgjithësi.

Burimi; albislam.com

Përktheu dhe pershtati: Nexhat Ceka

Publikimi i pare: 06/Shtator/2014

GJITHASHTU NË ALBISLAM