NDËRPRERJA E LIDHJEVE FAREFISNORE ËSHTË PREJ MEKATEVE TË MËDHA

NDËRPRERJA E LIDHJEVE FAREFISNORE ËSHTË PREJ MEKATEVE TË MËDHA

0 431

HADITHI:

Xhubejr ibn Mut’im, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell dhe thotë: “I dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk hyn në xhenet ndërprerësi (i lidhjeve farefisnore).”[1]

KOMENTI:

Fjala e tij (Nuk hyn në xhenet ndërprerësi i lidhjeve farefisnore) është një kërcënim shumë i madh, së bashku me fjalën e Allahut: “Këta janë ata, të cilët i ka mallkuar Allahu dhe i ka bërë të shurdhër (ndaj së vërtetës) dhe ua ka verbuar sytë (për të parë rrugën e vërtetë).” Sureja Muhamed, ajeti 23.

Dhe fjalën e Allahut: “E, ata që prishin obligimin ndaj Allahut, pasi që janë zotuar për atë, e që këputin atë që ka urdhëruar Allahu të ruhet, dhe bëjnë çrregullime në Tokë – për ata ka mallkim dhe përfundim të keq!.” Sureja Rad, ajeti 25.

Andaj, ndërprerja e lidhjeve farefisnore është një prej mëkateve të mëdha, e prej kërcënimeve në lidhje me këtë mëkat është mos hyrja në xhenet, që vlen si një kërcënim, e nuk nënkupton se personi konsiderohet jobesimtar, por, kuptimi i tij është se ai nuk do të hyjë në xhenet, por do të dënohet në zjarr për shkak prishjes së raporteve, e që është një prej mëkateve të mëdha. Dihet që, ata që bëjnë mëkate të mëdha do të dënohen në zjarr, e nuk do të hyjnë në xhenet në formë direkte, por hyrja e tyre do të vonohet, së pari do të dënohen në zjarr, e më pas do të nxirren prej zjarri.

Kështu që, kuptimi i hadithit nuk domethënë se personi është jobesimtar (Kafir), apo se ai nuk do të hyjë në xhenet asnjëherë, por nga ky hadith kuptohet se nuk hyn në xhenet që në fillim, por njëherë do të dënohet në zjarr siç do dënohen ata që kanë bërë mëkate të mëdha, mbi të cilat mëkate është theksuar dënim, dënimi me zjarr, apo se do të hyjnë në zjarr edhe pse janë prej muslimanëve e llogariten besimtarë, ata hynë në zjarr për një kohë të caktuar e jo përgjithmonë, ky është kuptimi i fjalës së tij “Nuk hyn në xhenet”.

Lidhjet farefisnore arrihen qoftë duke shpenzuar për të afërmit nëse ata janë të varfër, duke vepruar me ta mirë, me vizita dhe ndeja me ta, mund të jetë me pasuri apo me fjalë të mira, me ndihmë të ofruar për gjërat që u bëjnë dobi dhe janë për të mirën e tyre, e gjithë kjo llogaritet lidhje farefisnore.[2]

Autor: Salih ibn Feuzan el Feuzan

HADITHE MBI MORALIN DHE ETIKËN TË PËRMBLEDHURA NGA LIBRI (BULUG EL MERAM)

HADITHI I DHJETË

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

[1] E shënon Buhariu me numër (5984) dhe Muslimi me numër (2556).

[2] Selman ibn Amir, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të ka thënë: “Sadakaja (lëmosha) që i jipet një të varfëri është (vetëm) sadaka, e ajo që i jipet një të afërmi llogaritet sa dy; edhe sadaka edhe lidhje farefisnore.” E shënon Tirmidhiu me numër (658) ibn Maxheh me numër (1844). Nesaiu me numër (2582). Teksti i hadithit është përmendur nga Imam Ahmedi në (Musnedin e tij, 4/17).

Dijetari i njohur Albani, Allahu e mëshiroftë, ka thënë hadithi është hasen – i mire në librin e tij (Irvaul Galil, 3/387).

Dijetari eminent Muhamed ibn Salih el Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, në shpjegimin e tij të librit (Rijadu Salihin, 3/185) thotë: “Lidhjet farefisnore zhvillohen sipas zakonit dhe adetit të njerëzve, ngase nuk është sqaruar në Kuran e as në sunet lloji, mënyra e as sasia; ngaqë i dërguari, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, nuk e përcaktoi me një gjë të veçantë…por, e la të përgjithshme, për këtë, kthehemi në zakonin e popullit, atë që zakoni e njeh si lidhje farefisnore, llogaritet si lidhje, dhe atë që populli e njeh se është ndërprerje e lidhjeve farefisnore llogaritet ndërprerje.”

GJITHASHTU NË ALBISLAM