NDJESË O RAMAZAN!

NDJESË O RAMAZAN!

0 2891

Një nga begatitë e Allahut mbi këtë Umet dhe nga mirësitë e Tij është se e ka begatuar me festa (muaj) të mirë. Besimi i muslimanit shtohet varësisht nga devotshmëria e tij dhe afrohet tek Allahu me vepra të cilat të afrojnë tek Allahu.

Prej këtyre rasteve është muaji i Ramazanit, muaji në të cilin është një natë më e vlefshme se një mijë muaj, muaji në të cilin lidhen shejtanët, hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit, mirëpo për fat të keq i shohim disa muslimanë të cilët nuk e njohin këtë muaj ashtu siç e meriton të pritet dhe të kalohet, disa herë duke bërë punë të cilat e zemërojnë Allahun, apo vepra të cilat nuk kanë kurrfarë dobie kurse i mençur është ai i cili e ka shfrytëzuar kohën duke punuar vepra të mira.

Falënderimi i takon Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetes dhe veprave tona. Cilin e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe cilin e largon nga rruga e vërtetë s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut, i cili është Një pa ortak dëshmoj se Muhammedi alejhi selam është rob dhe i dërguar i Tij.

“O ju që besuat, kinie frikë Allahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, po vetëm duke qenë muslimanë” (Ali Imran, 102)

“O ju njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën (shoqën) e saj, e prej tyre dyve u shtuan shumë burra e edhe gra. Dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se Allahu është Mbikëqyrës” (Nisa, 1)

“O ju besimtarë, kini frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta. Ai ju mundëson të bëni vepra të mira, ju shlyen mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai ka arritur një sukses të madh” (Ahzab, 70-71)

Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mire udhëzimi i Muhammedit sal-lallahu alejhi ue sel-lem. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat në fe, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është devijim nga rruga e vërtetë, e çdo devijim përfundon në xhehenem.

Të nderuar dhe të dashurit e mi, ju të cilët jeni prezent dhe ju të cilët dëgjoni, Allahu ju bëftë të buzëqeshur çdoherë dhe ju dhëntë jetë të hairit duke na i bërë hapat tona të qëlluara për nga rruga e vërtetë. E lus Allahun e madh, Zotin e Arshit fisnik të na bashkojë në xhenetin e Tij si vëllezër duke qëndruar pranë njëri tjetrit, gjithashtu e lus Allahun të na ruajë neve prej sprovave (fitneve) të dukshme dhe të padukshme dhe të na bëjë udhëzues në rrugën e drejtë e jo për në rrugën e gabuar.

Tema e kësaj ligjerate ështëNdjesë o Ramazan”, pse kjo temë? Çfarë ka në brendësinë e saj? Janë disa tituj: Pse po kërkojmë ndjesë; Ndalu dhe mendo para filimit; Muaji i Ramazanit; Ju është bërë obligim agjërimi gjatë tij; Çfarë kërkohet prej teje dhe prej meje; Ka filluar i huaj dhe do të kthehet i huaj; Të huajt me agjërimin; Lajme nga agjëruesit; Llojet e agjëruesve; Na vjen keq Ramazan; Thirrja e fundit…

Pse kërkojmë ndjesë?!

Kërkojmë ndjesë dhe falje nga shkaku se çdo vit po i përsërisim të njëjtat gabime gjatë Ramazanit. Para Ramazanit bëjmë pregatitje, themi për veten tonë me shpresë se në Ramazan do të falemi shumë gjatë natës, do të bëjmë hatme Kuranin kaq herë, do të japim sadaka, mirëpo posa të fillojë Ramazani, kalojnë vetëm ditët e para të Ramazanit, kur na prishen planet e bëra e na humbet dëshira për realizim të planeve tona. Shkaku është se dëshirojmë ta obligojmë veten tonë me vepra të cilat nuk i kemi bërë para Ramazanit, kjo është edhe shkaku pse misioni ynë në këtë muaj nuk mbaron me sukses. Andaj pyete veten :

Kur jemi falur për herë të fundit natën gjatë tërë vitit?

Kur e kemi bërë hatmen e fundit para Ramazanit?

Kur kemi agjëruar për së fundi herë, para Ramazanit?

Kurse për besimtarët e parë i tërë viti ishte sikurse muaji i Ramazanit. Kur hynte tek ata muaji i Ramazanit ngriheshin ambiciet e tyre për të bërë vepra të mira.

Prandaj prej në fillim të Ramazanit kërkojmë ndjesë pasi që shumica prej nesh do t’i përsërisin gabimet e kaluara, para këtij viti e prisnim Ramazanin njëlloj sikurse këto ditë dhe e ruanim fillimin e tij, mirëpo pastaj çfarë?

Allahu e ka thënë të vërtetën kur thotë:Dhe kush është më Fjalësinqertë se Allahu”.”Dhe kush është tregues më i mirë se Allahu”. Allahu thotë:Ne këto ditë i ndërrojmë (ua japim në përdorim) mes njerëzve”.[1] Të vërtetën e ka thënë Allahu kur ka thënë:Allahu e rrotullon ditën dhe natën , këto janë argumente për popullin e kuptueshëm”.[2]

Ibën Kethiri – Allahu e mëshiroftë, në komentin e këtij ajeti thotë: Kalojnë ditët me shpejtësi bashkë me ne drejt exhelit tonë, duke qenë në mbikëqyrje të Allahut, minutat të cilat kalojnë dhe çastet nga jeta e jonë kalojnë dhe nuk kthehen edhe ne qoftë se për t’i kthyer shpenzojmë tokën të mbushur me arë dhe argjend.

Dije i dashur, se frymëmarrjet tua janë të numëruara, se exheli është i afatizuar gjithashtu dije vëlla i dashur se nga mirësitë e Allahut mbi ne është: na ka mundësuar ta arrijmë këtë muaj të bekuar. Sa ka prej njerëzve të cilët kanë vdekur dhe nuk e kanë mbërri këtë muaj, sa prej të dashurve tanë janë nën dhe, sa ka nga ata të cilët vitin e kaluar agjëruan dhe festuan Bajramin me ne, e sot ku janë ata? I ka bërë vdekja të mungojnë prej nesh, dheu i ka kalbur kurse familjarët i kanë harruar sikur të mos kishin ekzistuar. Vëlla i dashur merr edhe ti diçka prej këtij hadithit, i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të thotë:Shfrytëzoji pesë gjëra para pesë të tjerave: Kohën e lirë para se të angazhohesh, shëndetin para sëmundjes, rininë para pleqërisë, pasurinë para varfërisë dhe jetën para vdekjes”.[3]

Mundohu vëlla i dashur të bëhesh siç ka thënë i Dërguari i Allahut- paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, kur është pyetur cili njeri është më i mirë, e ai ka thënë: “Ai i cili jeton gjatë dhe bën vepra të mira”.

Poeti thotë:

O Zoti ynë u mundova të jetoj më dikë veç Teje

mirëpo zemra ime qetësohet vetëm se me Ty o Zot.

Muaji i Ramazanit?

 

Thotë Allahu në Kuran: (ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se ju udhëzoi dhe që të falënderoni. [4]

Transmeton Ebu Hurejra -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i ka përgëzuar sahabët gjatë hyrjes së muajit të Ramazanit duke u thënë: Ju është afruar muaji i Ramazanit, muaji i bekuar, Allahu jua ka bërë obligim agjërimin e tij, në të hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe lidhen shejtanit, në këtë ka një natë e cila është më e vlefshme se një mijë muaj”.[5]

Ibën Rexhepi -Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Ky hadith është bazë për përshëndetjen e njëri tjetrit kur të hyjë muaji i Ramazanit, si të mos përgëzohet besimtari me hapjen e dyerve të xhenetit? A mos vallë të mos përgëzohet mëkatari për mbylljen e dyerve të xhenetit? Si të mos përgëzohet i mençuri për një kohë kur lidhen shejtanët, a mund t’i ngjasojë ndonjë kohë kësaj kohe?

Muala ibën Fadël -Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Selefi e lutnin Allahun gjashtë muaj të plotë ta arrijnë muajin e Ramazanit, e pas Ramazanit e lutnin Allahun gjashtë muaj tjerë t’ua pranojë Ramazanin.

Jahja ibën Kethiri -Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Prej duave të selefit ishte: O Allah ma mundëso ta arrij Ramazanin dhe mundësoma që edhe Ramazani të arrij tek unë (të ketë ndikim tek unë) dhe pastaj na i prano o Zot agjërimin tonë, o Zot i gjithë krijesave.

Mirë se vjen o Ramazan

Muaji më i mirë, muaji i bekuar, muaji bujar, i vlefshëm, në këtë muaji ka zbritur Kurani dhe librat tjerë qiellorë, në Ramazan është prezentë ndërmjetësimi (shefati) me agjërim dhe me Kuran.

Në Ramazan është namazi i teravisë, namazi i natës, në Ramazan është e pranishme teubeja – pendimi kurse nga ana tjetër është falja e mëkateve, gjatë Ramazanit lidhen shejtanët, hapen dyert e xhenetit e mbyllen dyert e xhehenemit, në Ramazan sundon bujaria, mirësia e Allahut dhe lirimi i robërve të Tij nga zjarri i xhehenemit. Ramazani është muaji i durimit, mirënjohjes, muaji i duave, është muaji i xhihadit dhe i fitoreve.

Si të mos gëzohet besimtari me këtë muaj i cili i ka të gjitha të mirat…thotë poeti:

Ndërmjet fletëve të thella ia dhamë banimin

Si mundet ti apo dikush tjetër prej njerëzve ta harrojë

Si kur ti ke qen i dashuri im kur isha fëmijë

Duke ecur më të mirat tuaja dhe veçoritë tua të ngritura

Dhe çdoherë në atmosferën tënde nuk kam tradhtuar premtimin

As nuk kanë kaluar ditët vetëm se të kam kujtuar

Është plakur trupi im nga dashuria ndaj teje

Dhe vazhdon zemra ime në dashuri ndaj teje si zemër e një djali të ri

Kurse ne dy kemi takim dashurie çdo vit

Takim në të cilin dridhen gjithë ndjenjat e mia

Syri im dëgjimi im zemra ime janë me ty

Si jo kur unë me shpirt jam njeri

Gjatë natës e kemi takimin kryesorë

Duke e shfrytëzuar natën dhe duke u kënaqur me ty

Nuri i yt e bën terrin e natës dritë mëngjesi

Nuk ka ma mirë se ky rizgjim i madh

Të takoj një muaj mirëpo në fundin tënd

Kalon si një mik i cili na duket se kalon shumë shpejt

Me pastrim në Ramazanin e hairit dhe mirësive

Na bashkon dashuria për Allahun

Jo malli jo pozita, mirëpo frika ndaj Allahut

Të njohim çdoherë me shenjat tua

E dimë vlerën tënde dhe garojmë kur je ti

Sepse garat në kohën tënde janë të lavdëruara në përfundim

Agjëruam u falëm me besim në Allahun dhe

Shpresë në shpërblimin e Tij

Me vepra vullnetare sepse nuk ka dhunë në vullnet

Gjithmonë me ajetet kuranore ndriçojmë

Sikur loti i pastër me sinqeritet

Veshi dëgjon syri loton shpirti frikësohet

Zemra dridhet ndjesë o Ramazan nuk të njohëm

Ashtu siç meriton

Ju është bërë obligim agjërimi?

 

Allahu thotë në Kuran: O ju të cilët keni besuar ju është bërë obligim agjërimi, siç ishte obligim për popujt para jush kështu që të bëheni të devotshëm”.[6]

Urtësia e agjërimit: Nuk është nga qëllimet e agjërimit që besimtari të frenohet vetëm nga të ngrënit, pirja dhe marrëdhëniet intime me nikahun e tij, mirëpo siç thotë Allahu që të bëheni të devotshëm madje për këtë jep shenjë fjala e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i cili thotë:Kush nuk i lë fjalët e këqija dhe punën me ata, dhe injorancën Allahu nuk ka nevojë që ai person ta lë ngrënien dhe pirjen e tij”.

Fjala e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, “Fjala e keqe” në hadith ka për qëllim: Çdo fjalë të ndaluar apo punë e vepër sipas asaj fjale, kurse “injoranca” në hadith ka për qëllim armiqësinë me njerëzit dhe mos përmbajtja e vetes, moskontrollimi i vetvetes gjatë ramazanit.

 

Çfarë kërkohet prej nesh:

Arritja e devotshmërisë së vërtet: Ky është qëllimi më i madh dhe cilësia e cila ka humbur te shumëkush prej muslimanëve.

Allahu në Kuran thotë: Ne u patëm sugjeruar atyre të cilëve u është dhënë libri para jush madje edhe juve që ta keni frikë Allahun”.[7] Kurse i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të ka thënë:Ki frikë Allahun kudo që të jesh, të keqen pasoje më një të mirë dhe me njerëzit sillu me moral të lartë”.

Kuptimi i devotshmërisë: Definicioni më i thjeshtë siç e kanë cekur dijetarët është: Të veprosh me çfarë je urdhëruar dhe të largohesh nga ajo çfarë je ndaluar. A thua me të vërtet e kemi arritur devotshmërinë e vërtet me agjërimin tonë apo jemi bërë prej atyre të cilët gjatë ditës u ruhen mëkateve, kurse gjatë natës bëjnë mëkate apo e kundërta?

Omer ibën Abdulazizi -Allahu e mëshiroftë, ia shkroi një letër një personit me këto fjalë: Të këshilloj të kesh frikë Allahun, sepse veç saj Allahu nuk pranon diçka tjetër, Allahu nuk i mëshiron përveçse të devotshmit dhe se nuk shpërblen përveçse nëpërmjet saj, këshilluesit e saj janë shumë (ata të cilët këshillojnë me devotshmëri) kurse ata të cilët punojnë sipas saj janë pak. Allahu na bëftë prej të devotshmëve.

Frika ndaj Allahut është sekreti, fshehtësia më e mirë dhe stolisja më e mirë e besimtarin, depoja më e madhe, Allahu në Kuran thotë:Ahireti i Zotit tënd është për të devotshmit”.[8]

Disa transmetime të njerëzve të devotshëm:

Imam Buhariu -Allahu e mëshiroftë, ka thënë:Nuk kam përgojuar ndonjë musliman prej kur kam hyrë në pubertet”.

Muhamed ibën Uasiut -Allahu e mëshiroftë, i është thënë: Pse kur rrin me ne nuk mbështetesh? – tha: Mbështetet ai i cili është i lirë i rehatshëm kurse unë akoma jam i frikësuar, e kam drojë nga dënimi i Allahut.

Abdullah ibën Vehbit -Allahu e mëshiroftë, i është lexuar ajeti kuranor ku thotë: Përkujto kur banorët e xhehenemit grinden në zjarr, e të dobëtit u thonë të mëdhenjve: Ne kemi qenë ithtarët tuaj në dynja a mund të na largoni ndonjë pjesë të dënimit në zjarr… e Abdullahut i ra të fikët nga frika ndaj Allahut.

Mesruku -Allahu e mëshiroftë, njëherë kur ka shkuar për në Haxh nuk ka fjetur përveçse në sexhde.

Njëri prej selefit ka thënë:Nuk kam gënjyer prej kur kam kuptuar se gënjeshtra e shkatërron gënjeshtarin”.

Sulejman ed Darani ka thënë: “Çdo ditë e shikoj veten time në pasqyrë se mos më është nxirë fytyra ime nga mëkatet e mia”.

Kjo pra ka qenë gjendja e tyre e atëherë t’i bëjmë një pyetje vetes tonë se si është halli ynë?! Ne jemi veshur si më mirë, hamë shumë më mirë kurse nga ana tjetër e kemi harruar premtimin e Allahut, xhenetin, e kjo si pasojë e shpresës tonë të gjatë. Mëshirën Tënde kërkojmë o Zot.

Pse o vëllai im e do aq shumë këtë botë, pse e lidh zemrën ngushtë me dynjanë? Në qoftë se sytë nuk rrjedhin lot nga frika e Allahut, nuk e falënderojmë Allahun gjatë natës, në qoftë se nuk i mbushim hallkat e dhikrit me njerëz, nuk agjërojmë ditët e nxehta, nuk japim sadaka fshehtas, a ka kuptim jeta kështu?!

Kanë thënë disa nga selefi: Në qoftë se nuk mund të falesh natën dhe të agjërosh gjatë ditës dije o vëllaiu im se me të vërtet je privuar dhe ke humbur diçka të madhe.

Allahu në Kuran thotë: Është e vërtet se të devotshmit do të jenë në xhenete dhe lumenj, në një vend të kënaqshëm tek Sunduesi i plotfuqishëm”.[9] Këto janë vetëm disa nga lajmet e tyre, kurse Allahu gjithashtu thotë: Për atë të cilin dëshiron të përparojë në të mira apo të shkojë mbrapa”.[10]

Ka filluar i huaj dhe do të kthehet i huaj?

 

I Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:Ka filluar islami i huaj dhe do të kthehet përsëri si i huaj, mirëpo përgëzime për ata ta huajt”.

Ai i cili lexon apo dëgjon tregimet e selefit dhe pak prej të vonshmëve e kupton se kjo fe jeton e huaj tek njerëzit e vet në këtë kohë, kush dëgjon për agjërimin e tyre, namazin e tyre, xhihadin e tyre e kupton se në kohën e sotme ka nevojë të madhe për reforma brenda muslimanëve dhe kthimin në atë në të cilin ishin të parët tanë.

Prandaj imam Maliku-Allahu e mëshiroftë thotë: “Nuk mund të rregullohet fundi i këtij Umeti përveçse me atë që u rregullua fillimi i tij”. E ajo pa dyshim se është kapja fortë për teuhidin e Allahut dhe për sunetin e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, pra ta kuptojmë fenë ashtu siç e kanë kuptuar të parët tanë të mirë pasi që për këtë ka urdhëruar edhe vet i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: pasoni mua dhe shokët e mi” apo në transmetimin tjetërPasoni kalifët e drejtë”.

Të dashur vëllezër dhe motra ejani bashkë të shikojmë disa tregime tëtë huajve-gurabave” në raport me agjërimin e tyre në Ramazan që ta kuptojmë se pse duhet kërkuar ndjesë nga Ramazani, kur ne sot e shohim se si ka qenë qasja e tyre ndaj agjërimit.

Gurabatë dhe agjërimi:

 

Ibën Omeri -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: Omeri nuk ka vdekur derisa e ka plotësuar agjërimin e tij.

Ndërsa Othmani, prijësi i të devotshmëve dhe ekzekutuesi i të prishurve, për të Ebu Nuajmi thotë: Dita e tij ishte përplot me agjërim dhe uri, kurse nata e tij ishte me namaz dhe sexhde, i përgëzuar me xhenet, e i kapluar nga një fatkeqësi (për vrasjen e tij).

Zubejr ibën Abdullah transmeton nga gjyshja e tij e cila thotë: Othmani agjëronte shpesh, falej natën përveç se një pjesë në fillim të natës. E vranë duke qenë i agjërueshëm, Mus’hafin e kishte para vetes duke lexuar, ndërsa lotët i pikonin çdo herë mbi mjekrën dhe mollëzat e faqeve të tij. Ai ishte i dashuri i të Dërguarit të Allahut- paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ministri i drejtë, njeriu i katërt nga mirësia, i cili ka shkel në kohën tonë mbi sipërfaqen e tokës. (pas Muhamedit, Ebu Bekrit dhe Omerit -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ta).

Ebu Talha el-Ensarij -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, për të cilin i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:Zëri i Ebu Talhës në ushtri vlen sa 1000 burra”. – Enesi -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton dhe thotë: Kur ishte gjallë Ebu Talha i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ai nuk agjëronte shkaku i luftës, mirëpo kur vdiq i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, çdoherë ishte agjërueshëm përveç se në dy ditët e Bajrameve.

Ebu Derda -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, zotëria i lexuesve të Kuranit, i urti i këtij Umeti ka thënë:Kam qenë tregtarë përpara se t’i vijë shpallja të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, kur i erdhi shpallja atëherë merresha edhe me tregti edhe bëja ibadet, mirëpo nuk pajtoheshin njëra me tjetrën, atëherë iu rreka ibadetit dhe e lash tregtinë”.

Gruaja e Ebu Derdasë -Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë për të:Nuk ka pasur nevojë për dynjanë, falej natën, agjëronte gjatë ditës”. Koha e tyre ishte e gjitha në përkushtim ndaj Allahut.

Abdullah ibën Omeri -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, imami i cili meriton të ndiqet, adhuruesi i Allahut gjatë natës, mjafton për të fjala e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ku thotë:Sa i mirë është Abdullahu sikur të falej natën”.

Nafiu thotë për Ibën Omerin -Allahu qoftë i kënaqur prej tij: Ai nuk agjëronte në udhëtim, kurse kur ishte vendas rrallë herë e takoje duke mos agjëruar.

Sejid ibën Xhubejri -Allahu e mëshiroftë, thotë: Kur i erdhi vdekja Ibën Omerit tha:Nuk jam pishman nga dynjaja përveç tri gjërave: Agjërimi gjatë ditëve të nxehta, faljes gjatë natës dhe se unë nuk e kam luftuar grupin e rebelëve (fietul-bagije) të cilët na kanë sunduar d.m.th Haxhaxhin.

Rexha ibën Hajve transmeton nga Ebu Umameja -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: E përgatiti i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, një ushtri, unë ju afrova dhe i thashë: O i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, lute Allahun që të vdes si shehid. – Kurse i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, më tha:O Allah bëni të kthehen shëndoshë dhe me plotë plaçkë lufte”. – Pas kësaj ne luftuam dhe u kthyem shëndosh e mirë dhe me shumë plaçkë lufte derisa e përsëriti këtë fjalë tri herë në tri luftëra të ndryshme kur unë i thashë që ta lus Allahun që të bie shehid. – Pastaj erdha tek ai përsëri dhe i thashë: Të kam ardhur tri herë radhazi të lutem që ta lusësh Allahun që të vdes si shehid kurse ti më the: O Allah shpëtoji këta dhe jepu plaçkë lufte. – Kurse ne luftuam dhe fituam plaçkë luftë, o i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, më urdhëro me një vepër që në qoftë se e veproj do të hy në xhenet. – Atëherë ai më tha:Të urdhëroj të agjërosh sepse nuk ka vepër si ajo”. – Pastaj transmetuesi thotë: Në shtëpinë e Ebu Umames nuk ndizej zjarr gjatë ditës, vetëm se kur i vinte ndonjë mysafir, për këtë kur e shihnin se në shtëpinë e tij është ndezur zjarri e dinin se në shtëpinë e Ebu Umames kishte ndonjë mysafir.

Ebu Derda -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton dhe thotë: Dilnim me të Dërguarin e Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, në disa udhëtime të tija gjatë ditëve shumë të nxehta, derisa e vendosnim dorën mbi kokë (për tu mbrojtur nga dielli i fuqishëm) prej nxehtësisë së madhe, nuk agjëronte askush prej nesh përveç Abdullah ibën Revahës-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të.[11]

Mesruk ibën Abdurahmani -Allahu e mëshiroftë, i cili ishte i njohur me diturinë e tij dhe lavdërohej shumë nga besimtarët,  e mbante besën e dhënë, e adhuronte Allahun me dashuri të plotë, tregon Shabiu për të dhe thotë:

“E vizitova një ditë Mesrukun në një ditë kur ai ishte agjërueshëm, Aisheja bashkëshortja e tij e kishte adaptuar një vajzë të cilës i kishte vendosur emrin Aishe të cilës nuk ia prishte qejfin kurrë. Një ditë vajza e saj i drejtohet dhe i thotë:

O babai im ha pak dhe pi diçka. – i tha ai: Çfarë dëshiron të thuash me këtë oj bija ime? – Ajo i tha: Të mirën tënde. – Tha Mesruku: Oj vajza ime unë të mirën time e kërkoj në atë ditë, kur dita është e gjatë sa 50 000 vjet (d.m.th. ai ka punuar pikërisht për këtë ditë).

Si është puna e këtyre njerëzve tek Allahu dhe çfarë ka përgatitur Allahu për ta?

Allahu në Kuran thotë: Po Allahu i ruajti ata prej sherrit të asaj dite dhe u dhuroi shkëlqim në fytyra e gëzim të madh. Dhe për shkak se ata duruan, i shpërbleu me xhenet dhe me petka mëndafshi. Aty janë të mbështetur në kolltukë dhe aty nuk shohin as diell (vapë) e as të ftohtë. Hijet e tyre (të pemëve) janë afër mbi ta dhe kalaveshët e pemëve janë shumë afër tyre”.[12] – Derisa thotë Allahu në fund për shpërblimin e tyre: Ky është shpërblimi juaj, sepse angazhimi juaj ka qenë i pranishëm”.[13]

Ala ibën Zijad, i përmalluar, i përgatitur për ta takuar Allahun, ishte i devotshëm, e punonte atë çfarë e fliste, qante shumë prej frikës së Allahut. Nga Hisham ibën Hasan transmetohet se ka thënë:Ushqimi i Ala ibën Zijadit ishte një regife (copë) buke për një ditë të tërë, agjëronte derisa të vinte nata, falej derisa rrëzohej prej namazit të gjatë”.

Një ditë hyri tek ai Enes ibën Malik dhe Hasen ibën Ali -Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, dhe i thanë: Allahu nuk të ka urdhëruar kështu. – Tha: Unë me të vërtet jam rob, nuk lë ndonjë vepër pa bërë derisa kam mundësi ta bëj.

Dikush i tha Ala ibën Zijadit: Të pash në ëndërr sikur ishe në xhenet. – Tha: Mjerë ti, a nuk gjeti shejtani përveç meje dhe teje dikë tjetër për ta tallur.

Selme ibën Seid thotë: Është parë në ëndërr Ala ibën Zijadi nga dikush se është në xhenet, jetoi pas asaj dite edhe tri ditë, e në ato ditë vetëm se ka qarë. As që ka fjetur as ka ngrënë diçka, dikur iu afrua Haseni dhe i tha: O vëllai im a do ta vrasësh veten tënde, se je përgëzuar me xhenet? – Atëherë Alau filloi të qajë edhe më shumë, hëngri diçka atë natë pasi që ishte agjërueshëm kur erdhi iftari.

Allahu për këta në Kuran thotë: E atyre të cilëve u priu e mbara nga ana jonë, do të jenë larg tij (Xhehenemit). Ata nuk do të dëgjojnë as zhurmën e tij, dhe ata do të jenë përgjithmonë të kënaqur me atë që e dëshirojnë vetë. Ata nuk do t’i shqetësojë ajo frika e madhe (e fyerjes së Surit), dhe do t’i presin engjëjt (duke u uruar): “Kjo është dita e juaj që u premtohej”. (Përkujto) Atë ditë kur Ne e palosim qiellin sikurse palosja e fletëve në libër. Ashtu sikundër e kemi filluar krijimin (tuaj), e rikthejmë. Ky është obligimi ynë, e Ne e bëjmë këtë. Ne e kemi shënuar në Zebur (në librat e shenjtë) pas shënimit (në Levhi mahfudh), se me të vërtetë tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë. Në këtë (që u përmend) ka mjaft për një popull të dëgjueshëm. E Ne të dërguam ty (o Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat”.[14]

Poeti thotë:

Lëreni të qetë e mos e pengoni

Sepse e ka kuptuar atë që ju nuk e keni kuptuar

E pa flamurin e udhëzimit dhe vrapoi pas tij

Dhe kërkoi diçka që ju nuk e kërkuat

Ju përgjigj thirrjes së tij kur e thirrën

I çoi në vend urdhrat e tij

Kurse ju i latë mangët ata

Ku është njeriu i mençur dhe i zgjuar

E shijoi ushqimin të cilin nuk e shijuat

Allahu në Kuran thotë: Ato janë Xhenetet që do t’ua trashëgojnë robërve Tanë që ishin të ruajtur”.[15] Koha e tyre ishte vetëm për Allahun, sa të mëdha ishin ambiciet e tyre, çfarë fjalësh mund t’i përshkruajnë veprat e tyre, tani të dëgjojmë disa lajme të grave të devotshme.

Aisheja e bija e Ebu Bekrit:

Abdurahman ibën Kasimi tregon për Aishen -Allahu qoftë i kënaqur prej saj, se ajo agjëronte çdoherë ndërsa Urveja transmeton dhe thotë se Aisheja agjëronte vazhdimisht. Kurse Kasimi thotë: Agjëronte tërë vitin përveç ditëve të Bajrameve.

Njëherë Muaviju -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i dërgoi 1000 dërhem Aishes -Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila kur i mori këta para ua shpërndau të varfërve dhe në fund nuk i mbeti për vete asgjë. – Berira, shërbëtorja e saj i tha: Ti je me agjërim, sikur të na kishe lënë një dërhem të kishim blerë mish. – i tha Aisheja- Allahu qoftë i kënaqur prej saj: Mos ma merr për të madhe sikur të ma kishe kujtuar më herët do të veproja ashtu. – Kjo është e sinqerta e bija e të sinqertit, e dashura e të dashurit tonë paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, e pastër nga punët e këqija.

Hafsa e bija e Omerit:

Hafsa e bija e Omerit -Allahu qoftë i kënaqur prej saj, falej natën dhe agjëronte gjatë ditës, transmeton Kajs ibën Zejdi se: i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, e divorcoi Hafsën -Allahu qoftë i kënaqur prej saj, dhe një ditë hyrën tek ajo dy dajallarët e saj Kudameja dhe Othman ibën Mat-uni kurse ajo filloi të qajë dhe tha: Vallahi nuk më ka lënë nga shkaku i ngrënies tepër. – Kur erdhi i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të,  ajo u mbulua, tha i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të:Më tha Xhibrili ktheje Hafsën sepse ajo me të vërtet falet shumë dhe agjëron, madje ajo është gruaja jote në xhenet”. – Cila dëshmi është me e madhe se dëshmia e Allahut dhe Xhibrilit për Hafsën -Allahu qoftë i kënaqur prej saj, kurse begatia më e madhe për të është se ajo do të jetë gruaja e tij në xhenet.

Nafiu tregon dhe thotë: Vdiq Hafsa -Allahu qoftë i kënaqur prej saj, pa bërë iftar duke qenë agjërueshëm.

Rahla, robëresha e Muavijut

Seid ibën Abdulazizi tregon dhe thotë: Nuk ka as në Sham e as në Irak ndonjë grua më të mirë se Rahla. Njëherë atë e vizituan disa lexues të Kuranit dhe i folën ta merr veten me të mirë, të ketë kujdes për veten e saj. – E ajo u tha: Çfarë kam unë dhe trupi im për ta marrë veten me të mirë, ngase ditët janë të shkurtra, kush nuk bën sot diçka nesër nuk mund të bën asgjë. Vallahi o vëllezërit e mi do të falem derisa të më punojnë gjymtyrët e mia, do t’i agjëroj tërë ditët e jetës sime, do të qaj për Allahun sa të kenë lot sytë e mi. – U ndalë pak dhe përsëri tha: Cili prej jush do ta urdhërojë robin e tij diçka e ai mos ta dëgjon zotërinë e vet? Allahu e mëshiroftë atë, ka agjëruar derisa është nxirë, është falur derisa ka pasur fuqi, ka qarë derisa janë tharë lotët.

Transmetohet gjithashtu se ka thënë: Dituria për veten time ma shpon zemrën dhe ma ngrin zemrën, vallahi do të dëshiroja sikur Allahu të mos më kishte krijuar e të mos kisha qenë e përmendur kurrë. Puna e asaj ishte: shkonte në bregdet dhe i merrte me vete rrobat e muxhahidëve e i lante për hir të Allahut.

Allahu për këta njerëz thotë: “Ata përpiqeshin për punë të mira, na luteshin duke shpresuar dhe me frikë dhe ishin të përkulur ndaj Nesh”.[16] Gjithashtu kur ata do të hynë në xhenet thotë: Dhe njëri-tjetrit i qasen duke i pyetur (për punët e tyre në dynja).(Këta) Thonë: “Ne edhe kur ishim në familjet tona, ishim ata që frikësoheshim. E Allahu na dhuroi të mira dhe na ruajti prej dënimit të erës (flakës) së nxehtë të zjarrit. Ne më parë ishim ndër ata që lutëm Atë, e Ai është Bamirës, Mëshirues”. Pra ti përkujto (me Kur’an) se me dhuntinë e Zotit tënd ti nuk je as fallxhor, as i çmendur”.[17] Na fal Ramazan…

Llojet e agjëruesve:

 

Vëlla dhe motër e dashur, këto janë cilësitë e agjëruesve sot, i ceki nga shkaku se të kthehemi në vetvete e të marrim ndjesë duke thënë: Na fal Ramazan.

Ai i cili agjëron vetëm duke ndenjur i uritur dhe i etur – agjërimi i tij është traditë.

Ai i cili agjëron duke u larguar nga gjithë haramet, kamatës – agjërimi i këtij është adhurim dhe traditë.

Ai i cili agjëron duke u larguar nga mëkatet dhe gjynahet madje edhe iftarin e bën për hir të Allahut – agjërimi i këtij është për të arritur kënaqësinë e Allahut.

Ai i cili agjëron duke u larguar nga të këqijat ndërsa iftari i tij është teubeja tek Allahu – agjërimi i këtij personi e bën atë të devotshëm.

Ai i cili agjëron duke u larguar nga përgojimi, shpifja, bartja e fjalëve kurse iftarin e bën me lexim të Kuranit – agjërimi i këtij është agjërim i vërtet.

Ai i cili agjëron duke u larguar nga veprat e këqija kurse iftarin e bën duke medituar – agjërimi i këtij e bën atë të lumtur.

Ai i cili agjëron duke u larguar nga syefaqësia dhe bën iftar me sinqeritet vetëm për Allahun – agjërimi i këtij është i shëndoshë.

Ai i cili agjëron duke i kundërshtuar epshet e tij dhe bën iftar duke e falenderuar Allahun – agjërimi këtë person e bën fitues.

Ai i cili agjëron duke luftuar të mos bëj vepra të shëmtuara dhe bën iftar duke i parë veprat e tij të dobëta – agjërimi këtë person e bën muxhahid.

Ai i cili agjëron, e din se jeta është e shkurtër dhe e bën iftarin duke e pritur exhelin, vdekjen e tij – agjërimi këtë person e bën asket, zahid.

Ibën Kajimi -Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Agjërimi është mbulesa e të devotshmëve, xheneti i luftëtarëve, kopshti i bamirësve, atyre që janë afër Zotit të botëve, u mjafton për këtë argument fjala e Allahut në hadithin kudsi kur thotë:Agjërimi është i imi dhe Unë shpërblej për të”.

Thotë poeti:

O ti i cili vjen për devotshmëri, në sytë e tu është dashuria

Jam përmalluar për ty dhe sa e sa shpejton zemra për tek ti

Kam duruar një vit për ty duke shpresuar të kthehesh përsëri

Shpirti im a thua afrohet dalja e tij

Allahu na ka begatuar kur na vjen me gjithë ato begati

Gjatë teje të devotshmit ngrihen në shkallë të larta

Kurse për përtacët të korrat e tyre janë thatë janë boshë

Kanë thënë për agjërimin:

– Kënaqësia e vetmisë

– Burrëria e hapur

– Vullneti i fuqishëm

– Muaji i lirisë dhe liria është adhurimi i plotë ndaj Allahut, kurse me plotësimin e adhurimit arrihet liria e plotë.

Ramazani muaji i forcës: (Nuk është i fortë ai i cili del në dyluftim, mirëpo ai i cili e përmban veten kur hidhërohet). Kanë thënë: Agjërimi është: durim, respektim dhe ligj. A mundet një Umet t’i ketë këto cilësi e t’i shkojnë punët huq, apo ushtri e cila i ka këto cilësi e të mposhtet?!

Dije se Allahu me agjërim dëshiron të na bëjë të fortë dhe besnik, ki kujdes vëlla dhe motër të mos na vjen Ramazani dhe të na gjejë të dobët e frikacak. Nuk premton koha të flasim përGurabatë -Të huajt” në raportet e tyre me Kuranin, leximin e tyre, namazin e natës, adhuruesit, lutësit, modestët, dhuruesit e sadakave, trimëritë e trimave, flijimet e tyre në xhihad mirëpo na mjafton kjo e cila dëgjuam për ta nga lajmet e tyre, ndërsa i mençuri kupton me shenja.

Ramazani ka qenë më parë muaji i adhurimit, ixhtihadit dhe për ta ka qenë njëjtë si gjatë tij ashtu edhe pas tij, kurse si është halli ynë sot?! Dëgjuat disa nga lajmet prandaj tani të përsërisim të gjithë me një zë: Ndjesë Ramazan…

Në disa hulumtime dhe ankesa të cilat u janë bërë njerëzve të lëmenjve të ndryshme, studentëve, punëtorëve se si ata e kalojnë kohën gjatë muajit të Ramazanit, e gjithë puna e tyre vërteton fjalën e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ku thotë:Ka filluar islami i huaj dhe do të kthehet përsëri i huaj”.

Dikush prej tyre thotë: E kaloj kohën tërë natën duke shikuar televizor, duke shikuar programe satelitore derisa të hy koha e sabahut, kështu veproj unë bashkë me shokët e mi, na fal Ramazan…

Një tjetër thotë: Mua koha më kalon duke i ndjekur rresht ndeshjet sportive gjatë tërë Ramazanit, na fal Ramazan…

Tjetri thotë: E kaloj kohën gjatë Ramazanit duke luajtur letra tërë natën, na fal Ramazan…

Një tjetër thotë: E kaloj Ramazanin duke shëtitur nëpër kopshte dhe rrugë të ndryshme. Të Allahut jemi dhe tek Allahu do të kthehemi!?

Mjerë Umeti i cili luan me këtë lojë siç luan fëmija me fëmijët, ndërsa kur imami lexon në namaz ndonjë sure gjatë këtij muaji dhe e zgjat pak, e llogarisim atë sure shumë të gjatë. Kurse klasa punëtore thotë: Qëndrimi gjatë gjithë natës pa gjumë pastaj përtaci e lodhje gjatë tërë ditës, e rezultati i kësaj është: vërejtje për ta lëshuar nga puna, fjalë të rënda nga drejtorët etj.

Dikush tjetër thotë: Unë jam më mirë se tjerët ngase unë mund të fli në zyrë…, pra ka humbur amaneti me të cilën janë ngritur toka dhe qielli.

Dikush tjetër thotë: Në Ramazan mungoj shumë në punë dhe shpesh kam mosmarrëveshje me kolegët e mi të punës.

Kurse imamët e xhamive edhe ata ankohen duke bërë thirrje bashkë me ne “na fal Ramazan…”

Në disa takime me imamët e xhamive disa prej tyre tregojnë dhe thonë se xhematlitë shtohen gjatë Ramazanit, kthehen njerëzit në rrugën e Allahut ndërsa të tjerët ankohen dhe thonë se edhe gjatë Ramazanit ka të tillë të cilët janë përtacë në veçanti kur bëhet fjalë për namazin e drekës dhe të ikindisë, ku ata mungojnë me të madhe, kurse në namazin e sabahut me xhemat prezentojnë me të madhe, e kjo pasi që tek ata është bërë nata ditë e dita natë.

Ndërsa për sa i përket tregjeve dëgjoi haberet e tyre: Sa ju përket kafehaneve, njëri nga kafexhitë është pyetur se si shkon puna në kafe gjatë ramazanit dhe jashtë saj. U përgjigj: Puna në Ramazan shtohet shumë sepse shtohen myshteritë dyfish më shumë se jashtë ramazanit. Kështu pra është gjendja jonë, muslimanët e kalojnë tërë kohën e tyre në letra,duhan shishe. Andaj !!!! si të mos bërtasim me zërin më të lartë dhe të themi :Na fal Ramazan, ndjesë”.

Ndërsa djemtë lozin me vetura tërë natën… pyet vëlla se ku është kujdestari i tyre. Ndërsa gratë duke shëtitur nëpër tregje duke bërë pazarllëqe prej më të ndryshmeve, si ato ushqimore, të ëmbëlsirave, pijeve e kështu me radhë. Vallë a për kësi gjëra është bërë obligim Ramazani!? Disa nga nënat e shkreta i presin djemtë e tyre deri në syfyr t’u kthehen djemtë e tyre. Ndërsa tregu… fol e mos u ndal! Ku është ibadeti ? Ku shkon mundi?! Vallë jeta a nuk është e kufizuar me afat?

Dikush prej tyre thotë :Bie të fle pas namazit të sabahut pastaj çohem pas namazit të iqindisë, sepse gjumi është ibadet! Dikush tjetër thotë : Babai im më zgjon për iftar, bile në disa raste iftarin e ha pak para jacije. Them të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Me disa myshteri nëpër kafe ishin këto pyetje: që prej kur jeni këtu? Tha: prej në ora 00:00. Deri kur do të qëndroni këtu? Thotë: deri në syfyr. A punoni diku? Po, jam në punë shtetërore. Po vallë a nuk vonoheni në punë? Thotë: Vonohem pak, pastaj e vazhdoj gjumin në zyrë.  Ky është Ramazani i sodit, tek shumica e njerëzve.

Mjerë për boshllëkun e këtyre agjëruesve.

Mjerë për neglizhencën e tyre.

Edhe njëherë na fal Ramazan, nuk ta dimë vlerën aq sa e ke.

Mjerë për ne çka na ka mashtruar!

Mjerë për ne sa injorant që jemi!

Mjerë për ne për çfarë jemi krijuar!

Për xhenet apo për xhehenem!

O terr i mjegullave të pakujdesisë në zemër shpërndahu

O shkëlqimi i devotshmërisë lind dhe ndriço

Oj vepër në fletushkën e mirë çohu dhe përgëzo

Oj zemër e agjëruesit frikohu përulu

O këmbë e namazfalësit të natës çohu

bjer në sexhde dhe në ruku për Zotin tënd

O syri i atij që është vigjilent mos flejë po çohu falu

O mëkat i gjunahqarëve ik dhe mos u kthe

Oj tokë me ajër përmbyt me ujin tënd

O qiell i shpirtit rrëmbe

Oj logjikë e shëndoshë zgjohu

Oj ambicie e të dashuruarve jo për Allah mos u kënaq

Ju ofrova juve materialin e agjëruesve, prandaj çdokush dëgjoi se Ramazani ju thërret dhe ju thotë: O populli ynë, përgjigjuni thirrësit të Allahut dhe besoni atij! Ai jua falë mëkatet tuaja dhe ju shpëton prej një dënimi plot vuajtje. E kush nuk i përgjigjet atij që thërret në rrugën e Allahut, ai nuk është i pamposhtur në tokë dhe pos Atij, ai nuk ka mbrojtës, të tillët janë në një humbje të hapët!”  Myzhde për atë i cili i përgjigjet thirrjes dhe ia qëllon, mjerë për atë i cili largohet nga dera e hyrjes.. a nuk të mjafton fjala e Allahut: “Agjërimi është i imi dhe unë shpërblej për të”

O Zot faljen tënde shpresoj nga nuri yt i kam ngritur duart

Qaj qan loti im si dhe qan vajtimi im

Lotët e mi e kanë mbushur një enë plot

Asnjëherë nuk ka ilaç o Zot kënd ta thërras pos teje

Ti je shpresa ime pas errësirës

Lësho o Zoti im dritën tënde sepse unë jam i etur

Sepse nuk e di nga të pij ujë të freskët e të pastër

Sepse as uji i bregdetit nuk e shuan etjen time në mua

Mëshirën tënde o Zot e pres

ky është gjynahu im që më pengon nga devotshmëria

Ajo ishte rruga ime ndërsa më ka mbet rruga me njolla

O Zot nga Ti kërkoj të mi falësh mëkatet

Në dallgët e errëta që s’ka shpëtim nga to

Zhytem fundosem mirëpo nuk e humbi shpresën tek Ti

Nuk e di deri tash a më ke fal apo jo unë prapëseprapë të lutem

O Zot, shumë interesant me atë i cili të njeh Ty pastaj lut tjetërkënd pos Teje, interesant me atë i cili e dëgjon thirrësin Tënd pastaj vonohet prej Teje! Na fal Ramazan …Na fal sepse nuk ta dimë vlerën ashtu siç e meriton.

O Allah mos na privo nga të mirat e Tua nga shkaku i të këqijave tona, O Allah na mundëso ta mbërrijmë Ramazanin, O Allah na mundëso ta mbërrijmë Ramazanin, O Allah na mundëso ta mbërrijmë Ramazanin, na mundëso të agjërojmë gjatë tij, të falemi natën në të, me besim dhe shpresë në shpërblimin Tënd, O më i Lartëmadhëruari, o Allah na mundëso që gjatë tij të bëjmë vepra të mira, të largohemi prej mëkateve dhe gjynaheve, na bashko gjithë neve, na i bashko safet tona, na drejto prijësit tanë, ndihmoju muxhahidëve, dijetarëve, thirrësve në rrugë të Allahut, jepu sukses rinisë sonë, pleqve tanë, grave tona, që të pendohen sinqerisht dhe na përforco deri në vdekje o Zot i botëve! O Zot ne i bëmë padrejtësi vetes sonë, po qe se Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, atëherë ne do të jemi prej të humburve. Kërkoj falje nga Allahu i Madh. Përshëndetjet qofshin mbi Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij në përgjithësi.

Përktheu dhe përshtati: Nexhat Ceka

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

[1] Ali imran,140.

[2] Nur:44.

[3] Transmeton Hakimi.

[4] Bekare:185, a) transmeton Talha ibën Ubejdullah -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe thotë: Një beduin me flokë të shprishura erdhi te i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, dhe tha: O Lajmëtar i Allahut! Më informo çfarë ka bërë Allahu të obliguar për mua lidhur me faljen (namazin)!” Ai u përgjigj:Je i detyruar t’i kryesh pesë faljet e detyrueshme gjatë ditës dhe natës (24 orëve) me përkryerje, përveç nëse dëshiron të falesh edhe vullnetarisht (nafile).” Beduini pastaj pyeti:Më informo çfarë ka bërë Allahu të obliguar për mua lidhur me agjërimin (saum)?” Ai u përgjigj:Duhet të agjërosh gjatë tërë muajit të Ramazanit, përveç nëse dëshiron të agjërosh edhe vullnetarisht (nafile). Beduini pastaj pyeti:Më trego çfarë sasie zekati ka urdhëruar Allahu për mua?” Kështu i Dërguari i Allahut –paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, e njoftoi për të gjitha ligjet (fundamentale) të Islamit. Atëherë beduini tha:Pasha Atë që të ka nderuar, unë as nuk do të bëj ndonjë vepër vullnetare, e as që do të pakësoj diçka nga ajo që më ka urdhëruar Allahu.” I Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, tha:Nëse e thotë të vërtetën, do të ketë sukses (do të hyjë në Xhennet).” (Transmeton Buhariu vëll. 3, nr. 115).

  1. b) Transmetoi Ebu Hurejre -Allahu qoftë I kënaqur prej tij, se I Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:Agjërimi është mburojë (prej zjarrit)prandaj agjëruesi duhet ta lë kontaktin seksual me gruan e vet dhe nuk guxon të sillet keq dhe me paturpësi, dhe nëse dikush e sulmon ose e shan, le t’i thotë dy herë “Unë agjëroj”. (ShihFet’hul bari vëll. 5 fq. 5) Gjithashtu i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, era që vjen nga goja e agjëruesit është më e mirë te Allahu sesa era e miskut”. Transmeton i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, prej Zotit të tij se Ai ka thënë:Agjëruesi ka lënë ushqimin, pirjen dhe kënaqësitë për hir Tim. Agjë­rimi është për Mua, dhe unë do ta shpërblej për këtë, dhe shpërblimi për veprat e mira i është shumuar për dhjetë herë”. (Transmeton Buhariu, vëll. 3, nr. 118). Edhe pse të gjitha veprat e adhurimit janë për Allahun, këtu Allahu e veçon agjërimin, sepse agjërimi nuk mund të praktikohet për t’u treguar, siç nuk mund ta dijë askush se a agjëron ndonjë njeri apo jo, përveç Allahut. Prandaj, agjërimi është vepër e pastër që nuk mund të kryhet me dyfytyrësi. (ShihFet’hul-bari vëll. 5, fq. 10).
  2. c) Transmeton Ebu Hurejre -Allahu qoftë i kënaqur prej tij se Dërguari i Allahu -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:Allahu nuk ka nevojë që dikush ta lë ushqimin (për hir të agjërimit) nëse nuk i le të folurit e rrejshëm, dëshminë e rrejshme, të vepruarit me këto (rrena) dhe veprat e këqija. (D.m.th. Allahu nuk do t’ia pranojë agjërimin)” (Transmeton Buhariu, vëll. 3, nr. 127). (ShihFet’hul-bari” vëll. 5, fq. 18)

[5] Transmeton Ahmedi, Nesaiu

[6] Bekare:183

[7] Nisa:131

[8] Zuhruf:35

[9] Kamer:54-55

[10] Mudhethir:37

[11] Transmeton Buhariu dhe Muslimi

[12] Insan:11-14

[13] Insan:22

[14] Enbija:101-107

[15] Merjem:63

[16] Enbija:90

[17] Tur:25-29

GJITHASHTU NË ALBISLAM