PENDIMI I SHEJH SEID IBN MUSFIR EL KAHTANIT

PENDIMI I SHEJH SEID IBN MUSFIR EL KAHTANIT

0 1575

Në një takim të hapur me shejhun Seid ibën Musfir el Kahtanin Allahu e ruajttë dikush nga të pranishmit kërkoi nga ai që të flet për hapat e fillimit të udhëzimit të tij.

Ai tha se realiteti është se çdo udhëzim ka fillim…pastaj tha natyrisht unë besoja në Allah, kur isha në moshën e re, madje mundohesha të bëja edhe ibadet shpesh, mirëpo shpesh më kaplonte një dobësi dhe shpresë për këto gjëra të jap kontribut kur të rritem. Kështu që fillova të mos i jap rëndësi në disa raste edhe namazit, mirëpo kur prezantoja në varrime apo në ndonjë ligjëratë në xhami më shtohej besimi dhe kjo më bënte që unë përsëri t’i kthehem namazit madje duke mos i anashkaluar edhe sunetet e atij namazi për një kohë të caktuar një javë apo dy javë apo një muaj.

Pra nuk kalonte shumë kohe dhe unë i leja fillimisht sunetet e namazeve dhe për një kohë edhe farzet derisa vinte ndonjë rast tjetër i cili më jepte kurajë për të filluar përsëri të fal namazin. Më pas kur hyra në pubertet në këtë kohë nuk përfitova shumë pasi nuk i jepja rëndësi më shumë namazit sepse me atë çfarë je rritur me të vazhdon edhe kur rritesh. Më pas u martova e në këtë periudhë nuk kujdesej për namazin siç duhet, ndonjëherë falesha dhe ndonjëherë jo edhe pse besoja bindshëm në madhërinë e Allahut. Kështu vazhdova derisa e takova vëllanë tim të cilin e dua për hir të Allahut Selman ibën Muhamed Faiun (Allahu e nderoftë). Kjo ndodhi në vitin 1387 H (1967 G) kur unë dola nga zyra ime ku punoja si vëzhguesi i edukatës fizike dhe isha i veshur me tesha sportive. Kur u ndesha me të në dyert e zyrave të mësimit u përshëndetëm sepse kishim mësuar bashkë në shkollë dhe më pas u desh që të përshëndetem për tu ndarë nga ai, kurse ai më pyeti:

– Ku po shkon? – ndërsa ishte muaji i ramazanit – i thashë:

– Në shtëpi të fle pak – pasi që e kisha traditë kur dilja nga puna shkoja në shtëpi për të fjetur deri në aksham, madje edhe nëse nuk kishte hyr koha e ikindisë unë bija te fle e nëse zgjohesha para akshamit e falja dhe më pas hapja iftar kur hynte koha e akshamit. Atëherë ai më tha:

– Nuk ka ngelur shumë deri në namazin e ikindisë vetëm se pak kohë, si mendon sikur të ecnim pak e të bashkëbisedojmë?! – U pajtova me të dhe ecëm derisa arritëm në luginën Ebha, aty kishte ca drunj nën të cilët u ulëm e biseduam deri sa hyri koha e ikindisë. Morëm abdes, u falëm, pastaj rrugës duke u kthyer më kapi për dore dhe ma lexoi një hadith të cilin mu duk sikur e dëgjoja për së pari herë edhe pse e kisha dëgjuar shumë herët sepse ishte i njohur… Mirëpo, kur e dëgjova prej tij sikur mu hap zemra dhe mu duk sikur po e dëgjoj hadithin për së pari herë.

Ky hadith është hadithi i Bera ibën Azibit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, të cilin e transmeton imam Ahmedi në Musnedin e tij, Ebu Davudi në Sunenin e tij. Thotë Bera ibën Azib, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: Dolëm me të Dërguarin e Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ta përcjellim një xhenaze, xhenaze kjo e njërit prej burrave të ensarëve. Kur u ndalëm tek varri i tij duke i vendosur dërrasat, i Dërguari i Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) u ul dhe në u ulëm bashkë më të sikur të kishim zogj mbi kokat tona, e ai në dorën e tij kishte një shkop, pastaj e ngriti kokën dhe tha: “Kërkoni mbrojtje tek Allahu nga dënimi i varrit.” – këtë e tha dy apo tri herë. Pastaj tha: “Robi besimtar para se t’i del shpirti prej kësaj bote për të kaluar në botën tjetër zbresin melek me fytyra të bardha…” dhe e ceki hadithin deri në fund. Pasi që koha nuk na premtonte dhe ne duhej të ndahemi i thashë:

– Ku e gjete këtë hadith? – më tha:

– Ky hadith gjendet tek libri Rijadus Salihin. – e pyeta:

– Po momentalisht tani cilin libër je duke e lexuar? – më tha:

– El Kebair të imam Dhehebiut. – dhe këtu u ndamë. Si pasojë e kësaj gjëja e parë që bëra ishte blerja e librit “Rijadus Salihin” dhe “el Kebair” ne librarinë “Teufik” për t’i lexuar. Rrugës duke u kthyer në shtëpi thash me vete:

– Unë tash duhet të zgjedh sepse përpara meje kam dy rrugë: E para, rruga e besimit dhe bindjes ndaj Allahut që do të më shpie në xhenet dhe e dyta rruga e kufrit, nifakut dhe mëkateve e cila më shpie drejt në zjarr. Tash jam duke menduar se cilën rrugë ta zgjedh?…

Logjika më bën ta zgjedh rrugën e parë, ndërsa epshi im më urdhëron të ndjek rrugën e dytë, madje më bënte vesvese dhe lloj mendimesh dhe pëshpëritjesh më mundonin derisa arrita në shtëpi. Kur mbërrita në shtëpi prita dhe hapa iftar e fala akshamin dhe pas saj shkova dhe e fala edhe jacinë duke ndenjur edhe në taravi dhe duke u falur deri në fund, gjë të cilën nuk e mbaj mend ta kisha bërë më herët. Pasi që zakonisht i falja dy rekate apo katër në taravi kur e shihja babën në xhami  përndryshe dilja nga xhamia. Atë natë e fala taravinë të tërën, më pas u nisa për kah shtëpia e vëlla Sulejmanit i cili ishte ligjërues i njohur në vendin tonë, të cilin e takova në dalje të xhamisë dhe bashkë me të vazhduam për tek shtëpia e tij. Atë natë insistova të lexojmë diçka bashkë nga libri “el-kebair” dhe falënderimi i takon Allahut i lexuam katër temat e para. Siç dihet kapitulli i parë–t’i  përshkruash Allahut shok në adhurim, e dyta-sihri, e treta–vrasja, e katërta–lënia e namazit. I gjithë ky lexim zgjati deri pak para syfyrit, atëherë i thashë shokut tim:

– Ku jemi ne nga këto fjalë? – ai më tha:

– Këto fjalë ekzistojnë në libra por sa neve punojmë me to ajo është diçka tjetër. –I thashë:

– Po ashtu është, njerëzit janë të pakujdesshëm ndaj këtyre fjalëve, kështu që duhet patjetër këto fjalë tua lexojmë edhe atyre! – më tha:

– E kush do tua lexojë? – i thashë:

– Kuptohet se ti. – më tha:

– Jo, ti duhet tua lexosh! – Filloi polemika se kush duhet tua lexojë dhe këtë hoxha i nderuar e bëri vetëm e vetëm që të më bind se gjithkush nga ne duhet të jetë thirrës në fenë e Allahut, se vetëm në këtë mënyrë mund të përmirësohet gjendja e këtij umeti duke u munduar të gjithë për t’i drejtuar njerëzit nga e mira dhe për t’i larguar nga e keqja. Pas gjithë kësaj vendosëm se edhe unë edhe pse nuk jam si ai në pozitë duhet t’ua kumtoj këto fjalë njerëzve. Mora një fletore dhe i shënova me shpjegim katër kapitujt e parë që i lexuam me shokun tim Sulejmanin.

Kështu ditën e xhuma të të njëjtës javë, pasi u falëm hoxha i nderuar më dha mua hapësirë që në xhaminë e Ebhasë t’ua lexoj njerëzve të cilët kishin dëshirë pas xhumasë të dëgjojnë ndonjë këshillë katër kapitujt e parë të librit “el Kebair”, kapituj të cilët ishin dhe shkaku i udhëzimit tim në islam siç duhet.

E lusim Allahun të na forcojë në fenë e Tij e ai pa dyshim është Gjithëdëgjuesi dhe Pranuesi i lutjeve tona.

Burimi; albislam.com

Përktheu dhe përshtati: Nexhat Ceka

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 293