PËRFUNDIMI I ZULLUMQARËVE

PËRFUNDIMI I ZULLUMQARËVE

0 2350

Hutbeja e parë

Falënderimi i takon Allahut udhëzues në rrugën e drejtë.

Ai është i drejtë dhe nuk i bën padrejtësi askujt.

E do drejtësinë dhe të drejtit, e urren zullumin dhe padrejtësinë.

Salavatet dhe përshëndetjet më të mira qofshin për të dërguarin mëshirë për botët, me të cilin Allahu i ka ndriçuar zemrat pasi që ishin errësuar, i ka udhëzuar shpirtrat pasi që kishin devijuar. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin edhe mbi familjen tij, mbi shokët e tij, sahabët të cilët u përudhën me udhëzimin e Allahut, i pasuan gjurmët e të dërguarit të Allahut sal-lallahu alejhi ue sel-lem. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë edhe mbi ata që ecën rrugës së tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Në historinë e këtij njerëzimi pat njerëz të drejtë dhe zullumqarë. Allahu me mëshirën e Tij vazhdimisht dërgoi të dërguar të Tij mes popujve për t’i udhëzuar në rrugë të drejtë. Këta, pati prej njerëzve që i përkrahën, por fatkeqësisht pati edhe prej tyre që i kundërshtuan dhe i refuzuan. Këta ishin njerëzit më të padrejtë në dynja. Prej tyre bënë shumë dëm, e shumë shkatërrime dhe çrregullime. Këta, Allahu i ka ndëshkuar me ndëshkime të rrepta.

Allahu i Madhëruar ka thënë: A nuk u arriti atyre lajmi i atyre që ishin më herët si: i popullit të Nuhut, i Adit, i Themudit, i popullit të Ibrahimit, i atyre të Medjenit dhe i të rrotulluarve (populli i Lutit). Atyre u patën ardhur të dërguarit e tyre me argumente. Allahu (që i shkatërroi) nuk ua bëri atyre padrejtë, por ata ia bënë vetes” Teube 70.

Popullin e Nuhut alejhi selam Allahu e ndëshkoi me tufan, sepse ata filluan të adhurojnë idhujt përpos Allahut. Allahu i Madhëruar ka thënë: Ne e dërguam Nuhun te populli i vet, e ai kaloi ndër ata një mijë pa pesëdhjetë vjet, e ata meqë ishin horra i përfshiu vërshimi “ Ankebut 14

Populli i Adit:

Allahu i Madhëruar ka thënë: Edhe tek (populli) Adi (dërguam) nga mesi tyre Hudin që tha: “O populli im adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër pos Tij, ju vetëm po hutoheni me trillime” Hud 50.

“Dhe ashtu ata e trajtuan atë (Hudin) gënjeshtar, e Ne atëherë i shkatërruam. Edhe ky është një fakt, po shumica e tyre nuk besuan” Shuara 139.

Ndërsa Adi është shkatërruar me një erë të fortë, të pakufishme. Atë Ai e lëshoi kundër tyre shtatë net e tetë ditë rresht, kur i shihje njerëzit në to të rrëzuar si të ishin trupa hurmash të zgavëruara” Hakka 6-7.

Populli i Themudit.

“Ndërsa ata që bënë zullum, i kapi (në ditën e katërt) krisma dhe gëdhinë kufoma (të ngrira) në vendin e tyre. (gëdhinë) Sikur të mos kishin qenë fare në të. Kuptojeni pra, (populli) Themud e mohoi Zotin e vet. Mallkimi qoftë kundër Themudit” Hud 67, 68.

Populli i Shuajbit në Medjenit

E në Medjen (dërguam) vëllain e tyre Shuajbin dhe ai u tha: “O populli im, adhurojeni Allahun dhe kini frikën ditën e fundit, e mos e teproni si shkatërrues në tokë. Po ata e përgënjeshtruan, andaj i përfshiu tërmeti dhe aguan të shtangur(të ftohur e të vdekur) në shtëpitë e tyre”. Ankebut 36, 37.

Populli i Lutit

“Përkujto kur popullit të vet Luti i tha: “A punoni të shëmtuarën, që asnjë nga popujt e botës nuk e bëri para jush. Përgjigjja e popullit të tij nuk ishte tjetër vetëm se të thonë: “Dëboni ata (Lutin me besimtarë) nga vendbanimi juaj, ata janë njerëz që ruhen shumë (i largohen të shëmtuarës) Araf 80,81.

“Ne lëshuam mbi ata një lloj shiu (me gurë). E shiko se si ishte fundi i kriminelëve” Araf 84.

Faraoni

Ashtu siç ishte traditë e popullit të faraonit dhe atyre që kishin qenë më parë, që i konsideronin të rreme faktet e Zotit të tyre, e Ne për këto të këqija të tyre i shkatërruam, e popullin e faraonit (edhe faraonin) e fundosëm, por të gjithë këta ishin dëmtues të vetes së tyre” Enfal 54.

Edhe këta zullumqarë të kohës bashkëkohore, faraonët e sodit, edhe këtyre po ju vjen fundi.

Njerëzit e urtë kanë thënë: të gjitha gjërat këputen kur të hollohen, përveç zullumit, këputet kur të trashet.

Allahu na ruajt nga sherri i zullumqarëve.

“Allahu thërret për në Venbanimin e Paqës (xhennet), dhe atë që do, e vë në rrugë të drejtë”. Junus 25

Hutbeja e dytë

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Salavatet dhe selamet qofshin për pejgamberin dhe të dërguarin tanë Muhamedin sal-lallahu alejhi ue selem për familjen e tij, për sahabet dhe për të gjithë ata që pasuan rrugën e tij me sinqeritet.

Vërtetë Allahu e bekon pejgamberin (me nderime) dhe melekët i luten Allahut për bekimin e tij. O ju që keni besuar, dërgoni salavat atij (lutne Allahun për bekimin e tij) dhe përshëndeteni atë me nderim (me përshendetjen Esselamu alejkum).  Ahzab 56

O Zot, ki mëshirë ndaj Muhamedit dhe fa­miljes së tij, siç pate mëshirë ndaj Ibrahimit dhe familjes së tij, se vërtet Ti je i Lavdëruar dhe i Madhëruar.

O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, se vërtet Ti je i Lavdëruar dhe i Madhë­ruar.

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kini drojë lutjen e atij që i kanë bërë zullum (padrejtësi), se nuk ka mes saj dhe Allahut pengesë”. Buhariu

Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je Dhuruesi i madh

Zoti ynë Ti je ai që në një ditë do t’i tubosh njerëzit, ditë që për të cilën nuk ka dyshim. Allahu nuk e shkelë premtimin e vet

Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira edhe në botën tjetër dhe na ruaj prej dënimit me zjarr

Zoti ynë! Më fal mua edhe prindërit të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria.

Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë!

Zoti ynë, mos na ngarko neve barrë të rëndë siç i ngarkove ata që ishin para nesh!

Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën ne nuk kemi fuqi!

Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqijat, na mëshiro.

Ti je mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër popullit pabesimtar.

Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.

Burimi; albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM