PERLAT PEJGAMBERIKE – 2 –

PERLAT PEJGAMBERIKE – 2 –

0 982

Abdullah Ibën Omer,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- transmeton se i Dërguari i Allahut,- salallahu alejhi ve selem!,- ka thënë: “Pjesa më e madhe e gjynaheve të bijve të Ademit vijnë si pasojë e gjuhës.” Hadithi Sahih.[1].

E takova të Dërguarin e Allahut,- salallahu alejhi uv selem!,- dhe e pyeta: Ku qëndron shpëtimi? Ai tha: “Ruaje gjuhën, shiko shtëpinë tënde dhe qaj për gjynahet e tua.” Hadithi Sahih:[2]. Ndërsa, është saktësuar nga Shejh Albani në Silsiletul Ehadith Es Sahiha,nr.890).

Pejgamberi,- salallahu alejhi ve selem!,- ka thënë: “Keni kujdes prej veprave të shpikura, sepse çdo shpikje është Bidat dhe çdo Bidat është humbje dhe çdo humbje shpien në Zjarr”. Hadithi është i vërtetë.[3].

Muhamedi,- salallahu alejhi ve selem!,- ka thënë: “Ai, qëllimi i të cilit është Ahireti, Allahu e bën të përqëndruar, ia vendos prioritetin e tij në zemrën e tij dhe i vjen dynjaja e robëruar. Kurse ai, qëllimi i të cilit është kjo dynja, Allahu e bën të shpërqëndruar dhe ia vendos varfërinë mu përpara syve të tij dhe asgjë nga kjo dynja nuk i vjen atij përveç asaj që është shkruajtur për të.” Hadithi Sahih.[4].

Pejgamberi,- salallahu alejhi ve selem!,- ka thënë: “Ruaju mos u bëjë keq të tjerëve, e kjo do të jetë sadaka (lemosha) jote për veten tënde.”[5].

Transmetohet prej Ebu Hurejres,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Pejgamberi,- salallahu alejhi ve selem!,- ka thënë: “Shenjat e munafikut janë tri: Kur flet, gënjen, kur premton e then premtimin dhe kur i jepet diçka në besim ai tradhëton”. [6].

Bëhu shembull, leje polemikën, gënjeshtrën, çfarë të kushton !? Transmetohet prej ebi Umames,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Pejgamberi,- salallahu alejhi ve selem!,- ka thënë: “Unë jam përgjegjës për një shtëpi në rreth të Xhenetit për atë person i cili e len polemikën me dikënd edhe nëse është në të drejtë dhe për një shtëpi në mes të Xhenetit për atë person i cili e len gënjeshtrën dhe për një shtëpi në Xhenetin më të lartë për atë që ka moral të mirë”. Hadithi Sahih.[7].

Transmetohet prej ibën Omerit,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Pejgamberi,- salallahu alejhi ve selem!,- ka thënë: “Kush lexon dhjetë ajete për çdo natë nuk shkruhet prej neglizhentëve(gafilave).” Hadithi Sahih.[8].

Muhamedi,- salallahu alejhi ve selem!,- ka thënë: “Allahu,- xhele veala!,- ju ndalon të betoheni në baballarët tuaj. E kush betohet le të betohet në Allahun apo më mire le të hesht”.[9]

Tranmsetohet prej Ebu Hurejres,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se e ka ndëgjuar Muhamedin,- salallahu alejhi ve selem!,- duke i thënë Avad el Minberah,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- : “Ose disa popuj do ndalen nga lënia e namazit të xhumasë ose All-llahu do tia vulosë atyre zemrat e më pastaj ata do të jenë prej neglizhentëve (gafilëve)”. Hadithi Sahih.[10].

Transmetohet nga Musab Ibën Sadi se babai i tij ka thënë: ”O i Dërguari i Allahut, cilët nga njerëzit janë sprovuar më së shumti? I Dërguari,- salallahu alejhi ve selem!,- tha: ”Pejgamberët, pastaj të devotshmit, pastaj më të mirët, e pastaj më të mirët prej njerëzve. Njeriu do të sprovohet në bazë të devotshmërisë së tij fetare. Nëse ka fortësi në përkushtimin e tij, sprovat e tij do të jenë më të rënda dhe nëse ka mangësi në përkushtimin e tij fetarë, sprova do të lehtësohet për të. Njeriu do të vazhdojë të jetë i sprovuar derisa të ecë i pastër nga gjynahet mbi faqen e tokës.” [11].

Muhamedi,- salallahu alejhi we selem!,- ka thënë: “Së shpejti ummetit tim do ti vijë një kohë e atillë, saqë ata do të pëlqejnë pesë gjëra ndërsa do të harrojnë pesë gjëra: 1 – Umeti im do të pëlqejnë këtë botë ndërsa do të harrojnë ahiretin. 2 – Umeti im do të pëlqejnë jetën ndërsa do të harrojnë vdekjen. 3 – Umeti im do të pëlqejnë të kenë vila ndërsa do të harrojnë varret e tyre. 4 – Umeti im do të pëlqejnë mallin dhe pasurinë ndërsa do të harrojnë llogarinë para Allahut. 5 – Umeti im do të ushqejnë dashuri për krijesat ndërsa do të harrojnë Allahun. Hadithi Sahih.[12].

Transmetohet nga Omer ibën el Hattabi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!, i cili ka thënë: Një ditë, derisa ishim duke ndenjur tek i Dërguari i Allahut,- salallahu alejhi ve selem!,- u duk një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zinj. Në të nuk shiheshin shenja udhëtimi dhe askush prej nesh nuk e njohu. U ul pranë Pejgamberit,- salallahu alejhi ve selem!,- duke i mbështetur gjunjët e vet në gjunjët e tij, i vendosi duart e veta në kofshët e veta dhe tha: “O Muhamed, më trego, ç’është Islami?” I Dërguari i Allahut,-salallahu alejhi ve selem!,- tha: “Islami është të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Allahut, të kryesh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin, të vizitosh Qabenë, nëse ke mundësi udhëtimi tek ajo!” Ai tha: “Të vërtetën e the.” Ne u çuditëm. Po e pyet dhe po ia vërteton përgjigjen! Ai tha: “Më trego, ç’është imani?” (Pejgamberi) Tha: “Të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të Dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe të besosh në caktimin e Tij, qoftë i mirë apo i hidhur.” Tha: “Të vërtetën e the.” Tha: “Më trego, ç’është ihsani?” (Pejgamberi) Tha: “Ta adhurosh Allahun sikur ta shohësh Atë, edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai vërtet të sheh ty.” Tha: “Më trego, kur do të ndodhë kiameti” (Pejgamberi) Tha: “Për këtë i pyeturi nuk di më shumë se ai që pyet.” Tha: “Atëherë, më trego shenjat e tij.” (Pejgamberi) Tha: “Kur robëresha t’i lindë vetes zonjushë, kur të shihen barinjtë të varfër, të zhveshur e të mjerë se si garojnë në ndërtimin e ndërtesave të mëdha.” Pastaj shkoi, kurse unë (Omeri) mbeta një kohë. Më pas (i Dërguari) salallahu alejhi ve selem!,- tha: “O Omer, a e di kush ishte pyetësi?” Thashë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Tha: “Ai vërtet ishte Xhibrili, erdhi t’ua mësojë fenë tuaj.” Hadithi Sahih.[13].

Përzgjodhi dhe Përshtati- Suad Shabani

Burimi: albislam.com

_______

Referenca:

[1] – Shënuar nga Taberani (3/87/1-2) dhe të tjerë, ndërsa Hafidh el-Mundhiri e ka saktësuar hadithin.

[2] – Shënuar nga Abdullah Ibën Mubaraku në Zuhd- nr.134, dhe prej tij Ahmedi- 5/259, dhe gjithashtu Tirmidhiu- nr.2531.

[3] – Shënuar nga Ahmedi,Tirmidhiu, ibën Maxhe, Hakimi,- Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!.

[4] – Shënuar nga Ahmedi (5/183) dhe Ibn Maxheh (2/524-525). E vlerësoi si Sahih, Shejh Albani,- Allahu e mëshiroftë!.

[5] – Buhariu dhe Muslimi .

[6] – Buhariu, Muslimi .

[7] – Shënon Ebu Davudi,- Allahu e mëshiroftë!.

[8] – Shënon Darimiu me nr.2256, poashtu e ka shënuar Hakimi në Mustedrekun e tij prej Ebu Hurejres,- Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë! (556-1). Shejh Albani,- Allahu e mëshiroftë!,- e vlerësoi si Sahih, në Sahihi Tergib, 2/81.

[9] – Shënon Buhariu (3836) dhe Muslimi (3-1646),- Allahu qoftë i kënaqur me të ta!.

[10] – Shënuar nga Muslimi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- me nr. 865.

[11] – Shënuar nga Imam Ahmedi në ”Musned”, me nr.1481. Ndërsa Shejh Albani ka thënë se hadithi është i saktë, shiko në ”Sahih El Xhami”, me nr.992.

[12]- Shënon Imam Buhariu,- Allahu qoftë i kënaqur me të!.

[13] – Shënuar nga Muslimi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!.

GJITHASHTU NË ALBISLAM