PËRSE ?

PËRSE ?

0 1800

Justinian Topulli

https://m.facebook.com/jtopulli

 

Në lëvrimin e sotëm të shkencës nuk ekziston pyetja “përse” ose më saktë është eklipsuar nga pyetja “si”.

Sipas filozofisë së sotme të shkencës pyetja “si” përcakton drejtimin e shkencës dhe zhvillimin e saj, sepse ajo si qëllim të saj ka kuptimin e botës dhe duke qenë se bota – sipas këtij këndvështrimi- është vetëm materiale, për ta kuptuar atë duhet ta njohim, dhe për ta njohur duhet të dimë sesi ajo funksionon.

Fizika, kimia, biologjia dhe të tjera disiplina të shkencave natyrore, në këndvështrimin modern, synojnë të zbulojnë dhe përshkruajnë mënyrën sesi funksionon bota, dhe më pas gjetjen e mundësisë për të ndërhyrë në të e për ta përdorur në favor të fuqisë, pushtetit, pasurisë, shëndetit, jetës, mirëqenies dhe kënaqësisë së njeriut.

Edhe pse pyetja “përse” është ajo që fillimisht ka nxitur dhe nxit në nënvetëdije zhvillimin e shkencës, ajo, sipas këndvështrimit materialist mbi botën, nuk na ndihmon të kuptojmë sesi ajo funksionon, sepse është një pyetje që të çon drejt përgjigjeve metafizike dhe për rrjedhojë ndal zhvillimin e shkencës dhe të kuptuarit gjithmonë e më të thellë të botës, qoftë në nivel makro qoftë mikro.

Ndërkohë, pyetja “përse” është ndoshta pyetja më natyrshme që bëjnë njerëzit në jetën e tyre të përditshme, ajo nuk bëhet rëndomtë vetëm në gjykata dhe hetime, për të kuptuar qëllimin e një akti që pritet të gjykohet, por në çdo aktivitet të jetës sonë njerëzore ne duam të dimë përse njerëzit bëjnë atë që bëjnë. Duke qenë kaq e natyrshme dhe e përhapur kjo pyetje shpesh është edhe “tabu”, në rastet kur merret e mirëqenë se përgjigja për të dihet, në dallim me shkencën kur ajo nuk bëhet fare për arsyen që thamë më sipër.

Përse ka diçka dhe jo asgjë? Përse ekziston bota? Përse ekziston materia? Përse ekziston jeta?

Shkenca e sotme laike përgjigjet se të gjitha këto janë produkt i një zinxhiri ngjarjesh dhe efektesh, forcash dhe ndërveprimesh tepër të ndërthurura dhe të komplikuara dhe të panumërta, fundin e të cilave akoma nuk e kemi mësuar dhe ndoshta kurrë nuk do ta mësojmë!

Në biologji shpesh na bie rasti që ngjarje dhe fenomene të shumta të shpjegohen me një fjali në dukje të thjeshtë “instinkti i mbijetesës”. Me këtë përgjigje të shkurtër dhe “përfundimtare” përballesh sa herë që futesh në studimin e kësaj disipline!

Por përse përfundimtare, ndërkohë që shkencat fizike nuk kanë një cak të tillë?! A nuk duket vallë kjo përgjigje si një përgjigje metafizike?! Pse është e tillë ndaj dhe biologjia ndalet këtu. Ndalet për të mos vazhduar më tej, sepse përgjigje materiale për të nuk ka. Instinkti i mbijetesës nuk është gjë tjetër vetëm se një nocion me të cilin tregohet se qeniet e gjalla biologjike kanë vetëdije, qoftë kjo e shfaqur edhe në formën e nënvetëdijes. Nëse shkenca pohon se qeniet e gjalla janë të përbëra nga materia fizike dhe se materia fizike vepron nën ndikimin e forcave të ndryshme, të cilat në vetvete janë të verbra, dhe nuk mund të përshkruhen si të vetëdijshme, atëherë pyetja e natyrshme që lind është nga i erdhi vetëdija qenieve të gjalla? Pse ato kanë vetëdije dhe nuk janë si materia e pajetë dhe e pavetëdije nga e cila ato përbëhen?!

Sipas biologjisë njësia themelore e jetës është qeliza dhe qeliza ka vetëdijen e mbijetesës, ajo ushqehet dhe mbrohet, për të vazhduar ekzistencën e saj si njësi biologjike e përbërë nga materia e pavetëdijshme. Edhe pse sipas shkencës shpërbërja apo vdekja e qelizës nuk e zhduk atë nga ekzistenca fizike e saj, sepse mbetet tërësisht materiali i saj që e përbën, përsëri ajo ka një vetëdije që kërkon të mbijetojë me këtë identitet që krijon përbërja e saj dhe kurrsesi nuk pranon vetvetiu ta humbasë atë.

Vetëdija e jetës shfaqet tepër interesante nëpërmjet instinktit të ushqimit dhe mbrojtjes, por edhe nëpërmjet riprodhimit. Edhe pse riprodhimi sjell në jetë një individ të ri, dhe një identitet të ri e të pavarur vetëdije, përsëri kjo konsiderohet formë mbijetese, vetëm për faktin se ky individ është i vetëdijshëm se nëpërmjet këtij akti ai riprodhon vetveten në njëfarë mënyre dhe vetëdijen e tij për vazhdimësinë e jetës së tij, duke lënë trashëgimi një pjesë të materies së tij dhe mbi të gjitha vetëdijen për jetën dhe strukturën e tij të ndërtimit, çka garanton vazhdimësinë e llojit dhe të jetës.

E gjitha kjo është një mrekulli, sepse asnjë shpjegim shkencor bindës nuk mund ta shteroj përse ndodh. Ndaj dhe shkenca e sotme laike dhe shkencëtarët e tillë kanë hequr dorë nga “përse-ja”, sepse kjo pyetje të shpie pashmangshëm drejt pranimit të faktit se jeta është një mrekulli dhe jo një rastësi.

Ne jetojmë çdo ditë me mrekullinë e papërsëritshme të jetës dhe mes saj, dhe sa shpesh e harrojmë Atë që e krijoi këtë mrekulli!