PJESËMARRJA E MUSLIMANËVE NË PARLAMENTE

PJESËMARRJA E MUSLIMANËVE NË PARLAMENTE

0 1503

Jurisprudenca islame ka ardhur për të realizuar e përmbushur dobitë dhe për të larguar e anuluar dëmet. Gjithashtu, kjo legjislaturë është e përhershme, universale, perfekte dhe realizon interesat e njerëzve deri në ekzistimin e kësaj bote. Absorbimi i aktualiteteve bashkëkohore, vëmendja ndaj rrethanave të ndodhive pa marrë parasysh vendin dhe kohën, aludon për gjithëpërfshirjen e këtij sistemi.

Në mesin e fushave te të cilat Islami u përqendrua më shumë është edhe ajo e politikës sheriatike (Sijasetu Sherije), duke i vënë baza e parime kësaj fushe të rëndësishme për jetën e umetit. Në shekujt e mëhershëm kanë rrjedhur zhvillime dhe ndodhi, të cilave dijetarët i kanë dhënë sqarime e saktësime. Ata kanë shkruar për këto dukuri libra e studime, të cilët ndihmojnë në përputhjen e këtyre dukurive me parimet themelore dhe përkatëse të sheriatit (jurisprudencës islame). Ndër librat më të rëndësishëm në këtë fushë është libri “Es Sijasetush Sherije”, “Politika Sheriatike”, i shkruar nga dijetari Shejhul Islam Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë. Ai në këtë libër paraqiti shumë realitete dhe sqaroi dispozitën sheriatike përkatëse rreth shumë problematikave të ndërlikuara.

Në mesin e problemeve aktuale bashkëkohore në fushën e politikës së shteteve dhe formës së qeverisjes së tyre janë parlamentet, kuvendet e popullit, këshillat shtetërorë dhe ato që u përngjajnë këtyre. Termat për këtë dallojnë varësisht prej sistemit të funksionimit të vendeve që i themelojnë këto kuvende. Specifika e legjislaturës në çdo kuvend ndërlidhet me sistemin ekzekutiv të shtetit dhe politikën e qeverisjes.

Pasi muslimanët janë pjesë e botës në të cilën veprojnë këto kuvende, paraqitet nevoja e sqarimit të dispozitës sheriatike rreth hyrjes së muslimanëve në këto parlamente.

Për ta qartësuar këtë problematikë dhe për të arritur te dispozita sheriatike përkatëse themi se sistemi qeverisës në cilindo shtet nuk përjashtohet nga këto tri forma

1- sistemi islam i drejtë 2- sistemi islam, por i padrejtë (zullumqar) 3- sistemi me të cilin gjykohet është sistem i kufrit.

Në vazhdim do të sqarojmë secilin lloj

1- Nëse forma e udhëheqjes dhe e qeverisjes është sistem islam i drejtë, pra gjykohet me ligjin e zbritur nga Allahu i Plotfuqishëm, atëherë krijimi i këtyre kuvendeve dhe metodika e futjes dhe e përzgjedhjes së anëtarëve në të ka të bëjë me lëmin e politikës islame sheriatrike (sijasetu sherije) dhe këtu nuk ka ndonjë të keqe për faktin se futja në këto kuvende dhe pjesëmarrja në to është një gjë e lejuar, madje mund të jetë edhe e detyrueshme, nëse urdhërohet nga udhëheqësi i muslimanëve. Futja në to mund të jetë njëra nga gjërat me të cilat ndërlidhet realizimi i një domosdoshmërie. Ekziston një parim themelor sheriatik që thotë se “ajo gjë pa të cilin nuk mund të realizohet obligimi (vaxhibi), është gjithashtu e obliguar (vaxhib)”. Por me kusht që futja në këtë kuvend të ketë pikënisje nga rregulli i pasimit të udhëheqësit në mirësi (ma`ruf) ashtu siç e vërtetojnë këtë citatet sheriatike.

2- Nëse shteti është me qeverisje islame (që gjykon me ligjin islam), por ka padrejtësi dhe zullume, atëherë futja në këto kuvende dhe pjesëmarrja në to varet prej modelit të kuvendit dhe mundësisë së realizimit të interesave (dobive) dhe mënjanimit të dëmeve. Kjo arrihet duke marrë në konsideratë parimin sheriatik “realizimi i dobisë më të madhe nga dy dobitë e pranishme dhe mënjanimi i dëmit më të madh nga dy dëmet e pranishme”. Me fjalë të tjera, që pjesëmarrja të mos shkaktojë dëm më të madh se dëmi i pranishëm ose që me atë pjesëmarrje të mos hiqet një dobi më e madhe sesa dobia e futjes në kuvend.

Këtu duhet të themi se në këtë lloj shteti pjesëmarrja në esencë është e lejuar, ndërsa ndalesa karakterizohet nga shkaqet dhe kushtet me të cilat rrethohet çështja gjatë zbatimit të parimit të përmendur pak më parë. Për këtë mund t’i referohemi lejueshmërisë së xhihadit me çdo udhëheqës të drejtë dhe zullumqar përderisa lufta është e përligjur. Kjo për faktin se xhihadi me udhëheqësin e padrejtë (zullumqar) nuk përjashton dëme domethënëse, por ato dëme, përballë dobisë që realizon xhihadi, janë të pakta dhe në këtë rast dëmi që shfaqet nëse lihet xhihadi me udhëheqësin zullumqar është më i madh sesa marrja pjesë me të.

3- Nëse sistemi i shtetit është sistem i kufrit (pra nuk është sistem me legjislaturë islame), atëherë në esencë pjesëmarrja në këto parlamente është e ndaluar për shkak të dëmeve të qarta që mbart me vete kjo. Por, duke pasur parasysh ndryshimin ndërmjet vendeve, dallimin e nevojave të muslimanëve në çdo vend, në të cilin qeveriset me sisteme të këtilla, pastaj duke u nisur edhe nga parimet thelbësore të mëdha të sheriatit që synojnë realizimin e dobive dhe mënjanimin e dëmeve dhe duke argumentuar me ngjarjen e të Dërguarit Jusufit alejhi selam me sundimtarin e Egjiptit, kemi arritur në përfundimin e lejimit të pjesëmarrjes në këto parlamente, nëse realizohen kriteret që do të përmendim më poshtë.

Kriteret e lejimit të pjesëmarrjes në parlamente

1) Pjesëmarrja të mos rezultojë me pohimin e kufrit ose të vepruarit me kufër.

2) Dobia e pjesëmarrjes të jetë e qartë dhe e realizueshme, jo të jetë e fshehtë, iluzore ose e pavlerësuar (pa leverdi).

3) Mos të vijë pas pjesëmarrjes ndonjë dëm më i madh se dobia e synuar ose që dëmi i futjes të jetë më i madh se dëmet të cilat synohen të mënjanohen.

Përmasat e vlerësimit të dobisë dhe dëmit

Gjatë shqyrtimit të problematikës së realizimit të dobive dhe mënjanimit të dëmeve përmes pjesëmarrjes në këto kuvende patjetër duhet të kihen parasysh gjërat vijuese:

  1. a) të kuptuarit se e drejta e përligjjes është ekskluzivitet i shpalljes (vahjit) dhe nuk i lejohet asnjërit prej njerëzve që ta rivalizojë atë në këtë të drejtë;
  2. b) pjesëmarrja në kuvende të këtilla nuk anulon parimin e dashurisë dhe urrejtjes për hir të Allahut (El Velau Vel Bera), në të kundërtën këto kuvende duhet të jenë mejdane në të cilat sqarohet, realizohet e deklarohet ky parim, varësisht se si e kërkojnë rrethanat dhe dobitë sheriatike;
  3. c) pjesëmarrja në këto parlamente të mos konsiderohet si alternativë e metodologjisë profetike për ngritjen e shtetit islam dhe ndryshimin e gjendjes së kufrit ekzistues, por ka për objektiv realizimin e dobive dhe mënjanimin e dëmeve;
  4. d) pjesëmarrësi në këto parlamente duhet t’ua bëjë me dije njerëzve se pjesëmarrja e tij nuk nënkupton pajtimin e tij me këtë rend dhe sistemin demokratik që kundërshton ligjin islam.

Fakte të rëndësishme në lidhje me këtë problematikë

Gjithashtu këtu duhet të bëjmë vërejtje rreth tri gjërave të rëndësishme.

Gjëja e parë: Dispozita e futjes apo e mosfutjes në parlament mund të ndryshojë varësisht edhe nga personi i përzgjedhur si delegat, nëse thellohemi në rregullat e aplikimit të parimit “realizimi i dobive dhe mënjanimi i dëmeve”.

Gjëja e dytë: Nuk ka të drejtë t’i aplikojë këto parime çdonjëri, por vetëm dijetarët e mirëfilltë, të cilët kanë mundësinë e ixhtihadit në këto problematika të mëdha dhe që zotërojnë aftësi që t’i përputhin ndodhitë me parimet thelbësore përkatëse të sheriatit.

Gjëja e tretë: Kjo çështje është nga meseletë në të cilat lejohet ixhtihadi. Prandaj, nëse dikush nga dijetarët që ka bërë ixhtihad prononcohet me ndonjë fetva të dhënë, qoftë edhe nëse e kundërshton atë që e themi ne, atëherë nuk ka vend për mohim e përgënjeshtrim të kësaj. Posaçërisht kur kemi parasysh se dijetarët e secilit vend mund të jenë më të aftë për ta kuptuar çështjen më drejtë se të tjerët dhe e kanë parasysh më qartë realizimin e dobive dhe mënjanimin e dëmeve. Gjykimi ndaj një gjëje duhet të jetë rrjedhojë e të kuptuarit të asaj gjëje. Në problematikat e këtilla aktuale, e rëndësishme është sinqeriteti (çiltërsia), kapja pas argumenteve, pasja parasysh e parimeve dhe rregullave të sheriatit. Këto nuk duhen bërë arena të mospajtimit dhe të përçarjes së zemrave për faktin se përderisa në baza dhe parime nuk ka ndarje, edhe nëse në formën e zbritjes së atyre parimeve ka mospajtime, atëherë kjo nuk prish punë.

Megjithëkëtë, është i drejtë sqarimi i ndërsjellë, debati, rrahja e mendimeve duke e ndeshur argumentin me argument, faktin me fakt, por gjithmonë duke ia shoqëruar kësaj takvallëkun (devotshmërinë), sinqeritetin dhe hulumtimin e së vërtetës pa fanatizëm në thëniet e njerëzve.Prej çdo njeriu merret thënia e tij dhe refuzohet, përveç thënieve të të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të.

Përktheu: Alaudin Abazi

Burimi në gj. shqipe: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 295