Pse agjëruam 29 ditë, me muslimanët e vendit tonë?

Pse agjëruam 29 ditë, me muslimanët e vendit tonë?

4 21504

Edhe pse muaji i ramazanit kaloi – Allahu na e pranoftë, ende qarkullojnë zëra të cilët thonë se duheshte të plotësojmë muajin, pra të agjërojmë 30 ditë e jo 29. Këta zëra hodhën në skenë disa argumenta, mirëpo fakeqësisht, jashtë rrafshit të diskutimit dhe jo rreth meseles diskutabile. Ata duke i stërmbushur fjalimet e tyre me gjëra të pranueshme (المسلمات), ndërtuan qëndrimin se “fetfaja e cila thotë se duhet të agjërohet me muslimanët e vendit është e gabuar dhe në kundërshtim me hadithin profetik”. Atëherë cila është meselja?

1. Meselja nuk është: a duhet të punojmë me takvim (llogaritjet astronomike) apo me ru’jeh (shikim të hënës) për të përcaktuar fillimin dhe përfundimin e ramazanit, por: SI DUHET TË VEPROJNË MUSLIMANËT NËSE INSTITUCIONET PËRGJEGJËSE TË VENDEVE TË TYRE PUNOJNË ME TAKVIM? Dallimi mes dy formulimeve është i qartë dhe sqarimi i pikës së mospajtimit (تحرير موضع النزاع) dallon nga njëri formulim te tjetri. Këtë e thekson dijetari Albani në fetfanë e tij, duke thënë se agjërimi me muslimanët e vendit nuk është ndërtuar mbi bazë të pranimit të takvimit, por mbi parime të tjera të fesë (siç është bashkimi, flakja e përçarjes etj.). E njëjta kuptohet edhe nga fjalët e dijetarit El-Feuzan, i cili edhe përkundër qëndrimit të tij të prerë se duhet punuar me shikimin e hënës, prapëseprapë fetfaja e tij për muslimanët e Francës (ku fillimi dhe përfundimi i ramazanit bëhet me takvim) ishte që të bëjnë bajram me muslimanët e vendit të tyre. Kjo d.m.th. se krejt citatet e dijetarëve të vjetër dhe bashkëkohorë që sillen si argument se duhet të veprojmë në bazë të shikimit të hënës, nuk ndihmojnë në sqarimin e meseles por i bie sikur të kishim humbur një gjë në një vend të errët dhe të shkojmë ta kërkojmë diku tjetër ku ka dritë. Pra kemi dispozitën (الحكم) se duhet punuar me ru’jeh dhe kemi fetfanë (الفتوى) për ata muslimanë të cilët jetojnë në disa rrethana të caktuara dhe nuk vendosin ata se kur do fillojnë apo përfundojnë ramazanin. Hoxhallarët e dinë shumë mirë dallimin mes dispozitës dhe fetfasë.

2. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem thotë: “agjëroni kur ta shihni atë (hënën e re të ramazanit) dhe prishni agjërimin kur ta shihni atë (hënën e re të shevalit)”! Dijetarët kanë cekur një mesele kështu: nëse dikush e sheh hënën e re dhe dëshmon para kadiut, mirëpo dëshmia e tij nuk pranohet (për iks shkaqe), si duhet të veprojë ky njeri? Ka mospajtim mes dijetarëve, mirëpo shumë prej sahabëve siç është Abdullah ibn Omeri, Aishja, pastaj shumë prej imamëve të tabiinëve siç janë: Shabiu, Nehaiu, Hasen El-Basriu, Ibn Sirini1, Is-hak b. Rahuvej, pastaj Ibn Tejmije, Ibn Rexheb, Ibn Baz, Albani etj, thonë që ky njeri i cili e ka parë hënën, nuk duhet të fillojë agjërimin e ramazanit as që ta përfundojë atë vetë porse obligohet të agjërojë me xhematin. Askush nuk ju ka thënë këtyre se janë pasues të epshit, ndërsa nga meselja kuptojmë se: a) paska mundësi

dikush të shikojë hënën dhe të mos agjërojë madje as vetë ai e mos të flasim për muslimanët tjerë, shkaku i xhematit, b) fillimi i ramazanit apo mbarimi i tij nuk është obligim individual i secilit individ, secilës xhami, shoqatë apo katund, por është një ibadet të cilin muslimanët e një vendi duhet ta nisin bashkë dhe duhet ta përfundojnë bashkë. Nëse ekziston gjykatë islame, atëherë vendimi merret nga ata, e nëse jo, atëherë bashkësitë islame apo qendrat islame (atje ku nuk ka bëshkësi islame) mund ta luajnë rolin e tyre siç e kanë theksuar dijetarët bashkëkohorë. Nëse ato institucione gabojnë, mbajnë përgjegjësi. Në të kundërtën, do paraqiteshin me dhjetëra dëshmi të individeve apo xhemateve të ndryshme për të filluar apo për të mos filluar agjërimin dhe askush nuk do ishte argument për tjetrin, siç është rasti me muslimanët e disa vendeve të perëndimit ku secili agjëron apo bën bajram në bazë të pasaportës së tij.

3. Nëse Albani, Allahu e mëshiroftë, El-Feuzani, Allahu e mbroftë dhe dhjetëra dijetarë madje edhe qindra të tjerë që japin fetfa se duhet filluar dhe përfunduar ramazani me xhematin e vendit edhe nëse ata punojnë me takvim, kanë gabuar, përse nuk sjellin sqarime të dijetarëve tjerë të cilët kanë nxjerrë në pah gabimin e tyre? Nuk ka, nuk kanë nevojë apo nuk kanë besim te dijetarët? Nëse kanë arritur atë nivel që të mendojnë se janë të vetmit në botë të cilët e flasin të drejtën dhe të kuptuarit e tyre ua kalon të gjithë dijetarëve, atëherë kemi të bëjmë me një simbiozë të rrezikshme mes tragjedisë dhe komedisë tek ata që duhet parë me syrin e mëshirës.

Për fund po e përmendi fjalën e Imam Sufjan Theuriut i cili thotë: rigorozitetin ne fe di ta bëjë secili, ndërsa lehtësimi vjen nga (dijetari) i besueshëm.

Për të mos dalë shkrimi shuëm I gjatë, nuk kam cituar shumë dijetarë dhe argumentat e tyre, Allahu na mundësoftë të kuptojmë këtë fe në mënyrë të drejtë dhe na bëftë prej atyre që ndjekin rrugën e Pejgamberit dhe trashëgimtarëve të tij.

Agim Bekiri