RAMAZANI – MUAJI I PENDIMIT

RAMAZANI – MUAJI I PENDIMIT

0 1952

Muaji i Ramazanit është rast i volitshëm për pendim dhe kthim tek Allahu. Ai është muaji i mëshirës, i faljes së gabimeve, fshirjes së mëkateve, i shpëtimit prej zjarrit dhe i fitores me hyrje në xhenet. I lumtur është ai që e di këtë dhe që shpejton ti afrohet Allahut me pendim dhe kthim, me kërkim faljeje dhe keqardhje për atë që e ka bërë…

Nëse nuk pendohemi në Ramazan, atëherë kur do të pendohemi? Nëse nuk pendohemi tani kur dyert e xheneteve janë të hapur, kur dyert e zjarrit janë mbyllur, kur shejtanët janë në pranga, kur do të pendohemi? Kur do të largohemi nga mëkatet.

Me të vërtetë muaji i Ramazanit është muaji i pendimit, faljes dhe çlirimit të vetes nga zjarri i xhehenemit. Ka dështuar ai që e arrin dhe nuk lirohet nga barra e mëkateve. Në hadithin e njohur qëndron: “Ka dështuar njeriu që e ka arritur Ramazani, që i ka kaluar Ramazani pa falje të mëkateve.” (Tirmidhi, Albani e vlerëson si shih)

Pse nuk pendohesh kur Allahu ua ka shtrirë dorën të penduarve. Ebu Musa El Esh’ari, radijallahu anhu, tregon se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Allahu e zgjatë dorën natën që të pendohet mëkatari i ditës dhe e zgjat dorën ditën që të pendohet mëkatari i natës, derisa të lindë dielli nga perëndimi.” (Muslim)

Prej Ebu Dherr Gifariut, radijallahu anhu, transmetohet se i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, prej Zotit të Tij, subhanehu ue te’ala, i ka transmetuar këto fjalë: “O robërit e mi ju mëkatoni ditën dhe natën, ndërsa unë i fali gjithë mëkatet. Kërkoni falje prej mua që t’ju fali.” (Muslim)

O mëkatar dije se mëshira e Allahut është e gjërë. A nuk është Allahu ai që e hapi derën që të pendohen munafikët duke thënë: “Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe

të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës. Por ata që pendohen, përmirësohen, mbështeten fort tek Allahu dhe që besimin e tyre e kanë sinqerisht vetëm për Allahun, do të jenë me besimtarët e vërtetë. Allahu do t’u japë shpërblim të madh besimtarëve.” (Ali Imran, 145-146)

Nuk i ka përjashtuar as çifutët e as krishterët që e fyen Atë dhe e përshkruan me mangësi Zotin e gjithësisë. “Hebrenjtë thonë: “Dora e Allahut është e shtrënguar.”

Iu lidhshin duart atyre dhe qofshin të mallkuar për atë që thonë! Përkundrazi, të dyja Duart e Tij janë të hapura. Ai dhuron dhe jep si të dojë.” (El Maide, 64)

Askush nuk është përjashtuar nga mëshira e Tij që ka përfshirë çdo gjë: “Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë!” (El Maide, 74)

Për politeistët tha: “Megjithatë, nëse ata pendohen, falin namazin dhe japin zeqatin, atëherë janë vëllezërit tuaj në fe. Kështu ua shpjegojmë shpalljet njerëzve që dinë.” (Et Teube, 11)

A nuk është Allahu, Ai që i thërret ata që e kanë tepruar në mëkate që të përulen para Tij: “Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Ez Zumer, 53)

U bëri thirrje edhe imanlive që të pendohen: “O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë.” (Et Tahrim, 8)

Si të mos u drejtohet me këtë thirrje kur më i miri dhe më fisniku në mesin tyre ai për të cilin Allahu, subhanehu ue te’ala, ka thënë: “Ne të dhamë ty një fitore të qartë, për të t’i falur ty Allahu gabimet e mëparshme dhe të ardhshme.” (El Fet’h, 1-2), i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, në hadithin që e transmeton El Egarr ibën Jesari, radijallahu anhu thotë: “O ju njerëz pendohuni tek Allahu sepse unë gjatë ditës i kthehem Zotit me pendesë njëqind herë.” (Muslim)

A nuk e kemi obligim që nëkëtë muaj ti kthehemi me pendim më Bujarit i Cili gëzohet me pendimin tonë dhe i do ata që pendohen: “Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” El Bekare, 222)

Është i njohur hadithi që e transmeton Muslimi në të cilin përshkruhet gëzimi i Allahut, subhanehu ue te’ala, me pendimin e robit.

Është një pyetje që duhet t’ia parashtrojmë vetes. Sa është i saktë/i plotë pendimi jonë? A e pranon Allahu teuben tonë?

Pendimi i sinqertë ka disa shenja që e vërtetojnë. Disa prej tyre përmenden në librin Medarixhu Salikin:

Pendimi i saktë ka disa shenja:

Pas pendimit ka filluar një hair që s’ka qenë më herët.

Vazhdon frika e robit i cili nuk lejon të kaplohet nga siguria nga dënimi i mundshëm i Allahu. Frika e tij vazhdon derisa të dëgjojë fjalët e jelekut të dërguar për marrjen e shpirtit të tij: “Mos u frikësoni dhe mos

u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.” (Fussilet, 30)

Zemra e tij tmerrohet dhe gati se copëtohet nga frika dhe pendimi varësisht prej madhësisë së mëkatit. Kështu e komentoi Ibën Ujejne ajetin: “Godina që ata ndërtuan, mbjell gjithnjë dyshim në zemrat e

tyre, derisa zemrat e tyre t’u copëtohen.” (Et Teube, 110) dhe tha zemrat e tyre copëtohen nga pendimi i tyre. Nuk ka dyshim se tmerri i madh dhe frika e ashpër shkaktojnë krisjen e zemrës dhe copëtimin e saj. Ky është thelbi i pendimit të vërtetë i cili e mbush zemrën me frikë dhe keqardhje për atë që është anashkaluar. Ardhmëria është e pasigurt për shkak të dënimit të mundshëm. Pikëllohet në dynja për shkujdesin dhe do të pikëllohet në ahiret kur ta sheh shpërblimin e atyre që i janë bindur Allahut.

Prej aspekteve të pendimit është nënshtrimi i zemrës dhe përulja e saj që nuk arrihet as me ushtrim, as me uri e as me nje dashuri të thjeshtë. Ky është nënshtrimi i plotë i zemrës para Allahut, subhanehu ue te’ala, përulje e skajshme e zemrës e cila në çdo aspekt i përulet Allahut. I shtrirë, i frikësuar i dorëzuar para Allahut. Këtë përulje, frikë, dorëzim dhe kthim e do Allahu, subhanehu ue te’ala. Gjendja e robit sikur thotë: të lutem me Madhërinë Tënde dhe me pavlefshmërinë time të më mëshirosh. Ti je i Fuqishmi e unë i dobëti, Ti je i Pasuri e unë skamnori, nuk kam Zot pos Teje. Nuk ka shpëtim e as strehim te dikush tjetër përveç Teje o Zot i gjithësisë…të lutem me fal. (Medarixhu Salikin, 1/185-187 me shkurtim)

Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarit, familjen, shokët e tij dhe gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e gjykimit. Amin

Përktheu: M-r Talha Kurtishi

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM