RESPEKTIMI I PRINDËRVE NË ISLAM

RESPEKTIMI I PRINDËRVE NË ISLAM

0 9643

– Respektimi i prindërve është nga gjërat më të rëndësishme dhe prej punëve më të mëdha që të afron tek Allahu, nga veprat më të larta, prej obligimeve më primare ndërsa mosrespektimi i prindërve është prej mëkateve të mëdha, krim i rëndë, shkatërruesi më i trishtueshëm duke u bazuar në argumente të shumta.

Argumentet për respektimin e prindërve i kemi të shumta edhe atë tepër të qarta nga Kurani dhe suneti siç do ti cekim në vijim:

 1 – Allahu i Lartësuar të drejtën e prindërve dhe mirësinë ndaj tyre e ka cekur bashkë me adhurimin ndaj Tij, njëjtë siç e ka bashkangjitur falënderimin ndaj Tij, me atë ndaj tyre. Pasi që Allahu është Krijuesi i vetëm, ndërsa prindërit i ka bërë shkak për ekzistencën e fëmijës, kjo aludon për të drejtën e pakontestueshme dhe mirësinë e lartë që duhet ta ketë fëmija ndaj tyre si në fjalë ashtu edhe në vepër. Kjo ngase prindërit e duan fëmijën shumë, qoftë kur ai është i vogël dhe i dobët, kjo e bën që fëmija të ketë të drejtat e tij ndaj prindërve të tij, e si pasojë kur të ndryshojnë raportet ai obligohet ti respekton ata, si dhe e ka të ndaluar rreptësisht ti dëmton në çdo aspekt. Madje këtë ndalohet ta bëj qoftë edhe duke i shqetësuar, kundërshtuar për çështje të dynjasë, apo mërzitur ata si: ta ngrej zërin gjatë mosmarrëveshjeve, madje të ndjehet i bezdisur nga ata, të tregoj pakënaqësi ndaj tyre ose edhe të lëshoj zëra që tregojnë mërzi ndaj tyre si “of” ose “oh” pra ofshama të ndryshme. Pikërisht si pasojë e këtyre rregullave tepër të detajizuara që kanë ardhur në lidhje me respektimin e prindërve Allahu ua ka tërheq vëmendjen  besimtarëve për këtë çështje edhe më shumë kur atë e ka renditur në një vijë apo renditje me adhurimin ndaj Tij, pra si “dizpozitë” e cila aspak nuk duhet anashkaluar porse duhet trajtuar seriozisht, pasi që dështimi në këtë çështje sjell pasoja të rënda për shoqërinë, madje edhe është shkatërruese për atë person i cili nuk i respekton prindërit e tij[1]. Në shumë ajete Allahu pas adhurimit e tij cek respektimin e prindërve, prej tyre do të cekim:

Fjala e Allahut: “Adhuroni Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve”[2].

Allahu thotë: “ Thuaj: “Ejani t’ju lexojë atë që me të vërtetë ju ndaloi Zoti juaj: Të mos i shoqëroni Atij asnjë send, të silleni mirë me prindërit”[3].

Allahu thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve”[4].

Gjithashtu Allahu thotë: “Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, pse vetëm te Unë është kthimi juaj[5].

2 – Respektimi ndaj prindërve është xhihadi më i vlefshëm, si dhe nga gradat më të larta të xhihadit në rrugë të Allahut; Kjo bazuar në hadithin e Abdullah ibn Omerit-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë:

Erdhi një njeri dhe kërkoi leje nga i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, për xhihad, e ai i tha: “A i ke prindërit gjallë?” –  Sahabiu tha: Po. – I Dërguari i Allahut tha: “Kthehu te ata dhe bëre xhihadin tek ato“.

Në një version tjetër të Muslimit qëndron: Një njeri erdhi tek i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, dhe i tha: Të besatohem për emigrim (hixhret) dhe xhihad, e me këtë synoj bindje ndaj Allahut. – I Dërguari i Allahut i tha: “A e ke ndonjërin prej prindërve gjallë?” –  Sahabiu tha: Po që të dy. -Tha: “A dëshiron vallë shpërblimin prej Allahut?” – Tha: Po. – I tha: “Kthehu tek prindërit e tu dhe sillu mirë me ta“[6].

Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: Që do të thotë nëse i ke prindërit gjallë mundohu sa më shumë tu shërbesh e që nuk diskutohet ti respektosh ata, ngase kjo e zëvendëson xhihadin[7]. Pasi qëllimi i xhihadit tek prindërit është: Dhënia e mundit, sa ke mundësi ti respektosh ata, nisur nga kjo rëndësi e madhe dijetarët kanë thënë se nuk lejohet të dalësh në xhihad pa lejen e tyre, pra me kusht që të jenë musliman ngase respektimi i prindërve është farz ajn-individual ndërsa xhihadi është farz kifaje-kolektiv. Ndërsa nëse xhihadi bëhet farz ajn-individual atëherë nuk kërkohet leje prej prindërve për t’ju bashkangjitur ushtrisë muslimane për në luftë. Pasi që në këto rrethana xhihadi është bërë farz për të gjithë ose me thirrjen e imamit, ose kur sulmon armiku vendin e muslimanëve ose kur është i rreshtuar në rreshtat e ushtrisë që përgatitet për luftë.[8]

3 – Respektimi i prindërve është ndër veprat më të vlefshme; Kjo vepër pa dyshim është ndër veprat më të vlefshme si dhe vepër e cila të afron më shumë afër xhenetit, prej punëve më të dashura të Allahut pas namazit e cili është shtyllë prej shtyllave të fesë. Pasi që i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka lajmëruar kështu dhe i ka renditur me lidhëzën “thume-pastaj” e cila shërben për renditje të veçantë kronologjike[9].

Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: E kam pyetur të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, cila vepër është më e vlefshme? – Ai më tha: “Namazi në kohën e vet“. – I thashë: Po pastaj? – Më tha: “Respektimi i prindërve“. – I thashë: Po pastaj. – Më tha: “Xhihadi në rrugë të Allahut“[10]. Këto mi tregoi i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, sikur ta pyetja më shumë ai do ti shtonte.

Në një version tjetër qëndron: U pyet i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: Cila vepër është më e dashur tek Allahu” – Tha  i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “Namazi na kohën e vetë”…. Hadithi deri në fund[11].

Ndërsa në versionin tjetër: U pyet i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: Cila vepër të afron më shumë në xhenet? – Tha: “Namazi që kryhet në kohën e vetë…”[12].

 4 – Respektimi i prindërve e kënaq Allahun e Lartësuar:

Abdullah ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindërve, hidhërimi i Allahut është në hidhërimin e prindërve“.[13]

 5 – Respektimi i prindërve të fut në xhenet:

Ebu Derda, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: “Prindi është dera e mesme e xhenetit, ruaje atë derë ose humbe“[14].

Nga Muavije ibn Xhahimete, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcillet se ka ardhur tek i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, dhe i ka thënë: O i Dërguari i Allahut, dëshiroja të luftoj, mirëpo para kësaj kam ardhur të konsultohem me ty. – I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “A e ke nënën?” – Tha: Po. – Më tha: “Respektoje atë, ngase xheneti është nën[15] këmbët e saja“[16].

Teksti i Taberaniut është: “A i ke prindërit gjallë” – I thashë: Po. – Tha: “Respektoi ata, sepse xheneti është nën këmbët e tyre“[17].

 Andaj mundohu ti respektosh prindërit sa ke mundësi, ngase ato i ke shkas për tu futur në xhenet, janë ata që të duan ty më shumë se çdokush tjetër prandaj mos e harro kurrë respektimin ndaj tyre Allahu na bëftë prej fëmijëve që i respektojnë prindërit e tyre dhe na bëftë neve prindër që na respektojnë fëmijët. Amin.

Përgatiti: Nexhat Ceka

[1] Shiko:”Tefsir Ibn Kethir”: 3/35, “Fet’hul kadir” Sheukani :3/218, “Tejsirul-Kerimi Rahman Fi tefsiri kelamil-menan Es Sadij:4/270, “Edvaul bejan fi tefsiril bil Kuran” Shenkiti: 3/497.

[2] Nisa:36.

[3] Enam:151.

[4] Isra:23.

[5] Llukman:14

[6] Mutefekun alejhi: Buhariu nr. 3004, 5972, Muslimi nr. 2549.

[7] “Fet’hul bari” 10/403.

[8] Shiko:”Sherhu mushkilil athar” Tahaviu: 5/563, “Mealimu sunen” Hatabi: 3/378, “Mufhim li ma eshkele min telhisi kitabi Muslim”, Kurtubi: 6/509.

[9] “Xhamiul-Ahkam-Kuran”, Kurtubi: 10/243.

[10] Mutefekun alejhi: Buhariu nr. 527, 2780, 7534, Muslimi nr. 85.

[11] Transmeton Buhariu nr. 527, 5970, Muslimi nr. 139, 85.

[12] Transmeton Muslimi nr. 138, 85.

[13] Transmeton Tirmidhiu 4/310, nr. 1899, Hakimi i cili e saktëson hadithin me kushtet e Muslimit, me të pajtohet edhe Dhehebiu: 4/152, shejh Albani e saktëson hadithin në “Silsiletu Ehadith Sahiha”: 2/29, nr. 516 si dhe në “Sahihul edebul-mufred” fq. 33, nr. 2.

[14] Transmeton Tirmidhiu i cili thotë: Hadithi është i saktë: 4/311 nr. 1900, Abdul Kadër Arnauti thotë: Ashtu është si ka thënë, shiko: “Tahkik xhamiul-usul”: 1/404.

[15] Pra pjesa jote e xhenetit në të cilën mund të hysh vetëm përmes kënaqësisë së saj, sikur kjo hyrje në xhenet me qenë e saj dhe ajo të çon për nga ajo.Shiko: – “Hashjetu Sindij ala suneni Nesai”: 6/11.

[16] Transmeton Nesaiu 6/11 nr. 3104, Ibn Maxhe nr. 2781, Ahmedi në “Musned” 3/429, Hakimi dhe e saktëson. Me të pajtohet edhe Dhehebiu: 4/15, Hejthemiu në “Mexhmeu zevaid”: 8/138 ku thotë: E transmeton Taberaniu në “Eusat” dhe burrat e zinxhirit janë të besueshëm. Abdulkadër Arnauti hadithin e bën të mirë, hasen në “Xhamiul usul”: 1/403, ndërsa shejh Albani në “Sahihu Sunen Nesai”: 2/372 thotë: Hadithi është Hasenu-sahih.

[17] Transmeton Taberaniu në “El kebir” nr. 2202, 2/189, Mundhiri në “Tergib ve terhib” 3/285 dhe thotë: E transmeton Taberaniu me zinxhir të mirë, shejh Albani në “Sahihu tergib ve terhib” 2/650 dhe thotë: Hadithi është hasenu-sahih, i mirë i saktë.

GJITHASHTU NË ALBISLAM