Përditësimi i fundit05:13:16 AM GMT

Albislam RSS
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
Tani je te: Revista 2008 Korrik (Nr.60) Avancimi personal Forca lëvizëse e sjelljes së njeriut (Motivet)

Forca lëvizëse e sjelljes së njeriut (Motivet)

Email Shtyp pdf
Forca lëvizëse e sjelljes së njeriut (Motivet)

A njeh ndokënd që ka pasur një vend pune të shkëlqyer dhe pagesë të mirë, mirëpo e ka braktisur punën e tij vetëm për arsyen se nuk ka pasur motive të mjaftueshme për punë?

Kur ti zotëron në vetvete motive[1], arsye dhe shtytës, edhe entuziazmin do ta kesh më të madh, kapacitet më të shumtë dhe arritjet e tua do të jenë më të larta. Në të kundërtën, kur synimet i ke të ulëta, nuk do të zotërosh forcë dhe kapacitet, si dhe përqendrimi dhe vëmendja e interesit tënd do të drejtohet vetëm nga gjërat negative. Në fund rezultati do të jetë mosefikasiteti në përmbushjen e detyrave.

Një herë një i ri shkon te një plak i urtë për të mësuar prej tij sekretin e suksesit dhe e pyet: “A ke mundësi të më tregosh për fshehtësinë e suksesit?” Njeriu i mençur i përgjigjet me qetësi: “Fshehtësia e suksesit janë motivet.” I riu e pyet: “Nga vijnë motivet?” Urtaku i përgjigjet: “Nga pasionet e tua të zjarrta.” Djaloshi i habitur ia kthen: “E si ngjallen tek ne këto pasione të zjarrta?” Plaku i kërkon falje djaloshit për një minutë dhe kthehet duke sjellë me vete një enë të madhe të mbushur me ujë dhe e pyet: “A je i sigurt se me të vërtetë dëshiron të dish burimin e pasioneve të zjarrta?” I riu përgjigjet me plot bindje: “Po, gjithsesi.” Plaku kërkon nga i riu që të afrohet dhe ta shikojë enën me ujë. Pasi djaloshi i hedh një shikim ujit, plaku papritmas ia kap kokën djaloshit dhe me tërë forcën ia fut kokën me të dy duart në ujë!” Megjithëse sekondat kalonin, plaku nuk ia lëshonte kokën djaloshit, ndërsa ky mundohej ta ngrinte atë lart. Kur nisi t’i zihej fryma, filloi të rezistojë me një forcë të madhe derisa arriti ta shpëtonte veten dhe ta nxirrte kokën nga uji. Paskëtaj i nervozuar i drejtohet plakut: “Çfarë është kjo që bëre?” Plaku i urtë me qetësi, duke i buzëqeshur e pyet: “Po ti ç’mësove nga e tëra kjo?” Djaloshi i mllefosur i thotë: “Asgjë.” Plaku i thotë: “Jo, biri im ti ke mësuar shumë. Në sekondat e para dëshirove ta nxirrje kokën nga uji, mirëpo motivet e tua nuk e kishin arritur shkallën më të lartë, ndërsa nga fundi te ti u ndez pasioni i zjarrtë që ta shpëtosh veten dhe vetëm atëherë ia dole me sukses, për arsye se në ato momente nuk pati asnjë forcë që të ndalë ty.” Në fund plaku i urtë i drejtohet djaloshit dhe i thotë: “Nëse ke dëshirë të zjarrtë për të korrur sukses, me lejen e Zotit askush nuk ka mundësi që të të ndalë.”

Nga kjo ngjarje përfitojmë se dëshira e madhe për diçka është parimi i parë i suksesit, sepse ajo është farë që mbillet në tokën e suksesit, ndërsa sekreti i suksesit është pasioni i zjarrtë. Për të kuptuar këtë gjë duhen sqaruar se ekzistojnë tri lloje motivesh:

I.  Motivi i mbijetesës (ekzistencës)

Motivi i mbijetesës është ai që e detyron njeriun t’i plotësojë nevojat e tij elementare si: ushqimi, uji dhe ajri. Në momentin kur paraqitet mungesa e njërës prej këtyre nevojave elementare, brenda njeriut aktivizohet motivi qendror, i cili vë në alarm sistemin vegjetativ në tru, duke e lajmëruar për këtë mungesë. Në saje të lëvizjes së shpejtë nëpër qeliza, trupi i njeriut vihet në veprim duke u bërë aktiv dhe tek ai paraqitet motivi për të vepruar, ajo që kërkohet për plotësimin e kësaj mungese. Pasi realizohet kjo, atëherë trupi kthehet në gjendjen e tij të natyrshme.

Le ta ilustrojmë këtë me një shembull: Në xhungël ekziston një tipar i përbashkët ndërmjet luanit dhe gazelës. Në mëngjes secili prej tyre fillon të vrapojë me shpejtësi. Luani ka parasysh se duhet të vrapojë më shumë sesa gazela, ose përndryshe do të vdesi nga uria. Në anën tjetër gazela e di se duhet të vrapojë më shpejt se luani, ose në të kundërtën do të jetë viktima e tij, edhe pse ndonjëherë nuk ekziston dëshira e ndonjërit prej tyre për të vrapuar, mirëpo që të dy patjetër duhet të vrapojnë sa më shpejt për të mbijetuar.

Lexues i dashur më lejo të të pyes një gjë: Kur je duke e kaluar rrugën dhe makinat lëvizin me shpejtësi të madhe dhe rastësisht një automjet vjen në drejtimin tënd me shpejtësi, si do të jetë reagimi yt? Sigurisht që do të vraposh me shpejtësi të madhe, apo jo? Kur kthehesh në shtëpi pas një dite të mundimshme dhe nuk ke forcë për të kryer më asnjë punë, ti vendos që të pushosh para ekranit televiziv, mirëpo befasisht dëgjon dikë duke bërtitur: zjarr, zjarr, si do të jetë reagimi yt? Pa dyshim që do ta braktisësh shtëpinë tënde sa më shpejt!!! Shtrohet pyetja, prej nga shfaqet kjo energji dhe forcë, e cila pak çaste më parë ishte inekzistente te ti?

Në bazë të kësaj mund të themi se pa marrë parasysh, se si është mënyra jote e jetesës, në momentin kur të kërcënohet ekzistenca do të zgjohesh dhe entuziazmi yt do të arrijë kulmin, me qëllim që ta shpëtosh veten. Paramendo sikur ky pasion të ishte përherë i pranishëm te ti, kush do të ishte fuqia dhe kapaciteti yt; si dhe sa e sa rezultate të shkëlqyera do të arrije në saje të kësaj.

II   Motivet e jashtme

Këto lloj motivesh e kanë burimin në botën e jashtme, si p.sh.: ndonjë ligjërues i shkëlqyer, shok, pjesëtar i familjes, revistë, libër apo drejtori në punë... etj. Problemi i motiveve të jashtme është se ato zhduken shumë shpejt.

A ju ka ndodhur ndonjëherë të jeni i pranishëm në ndonjë ligjëratë fetare, me qëllim që t’i aktivizoni dhe t’i veni në veprim motivet personale.

Nëse përgjigjja është po... sa ishte sasia e entuziazmit tënd pas një jave, pas një muaji ose pas gjashtë muajve? S’ka dyshim se shkalla e entuziazmit është në rënie, a nuk është kështu?  

Fatkeqësisht njeriu mbështetet shumë në motivet e jashtme, përderisa ndjen respektin dhe vlerësimin e menaxherit, e shokëve ose pjesëtarëve të familjes. Ne gjithmonë kemi nevojë për të arritur kënaqësinë e të tjerëve, të nderohemi, të jemi të respektuar, deri në atë masë sa ne të ndihemi të vlefshëm. Kjo është arsyeja përse ne nganjëherë bëjmë veprime, të cilat nuk përshtaten me dëshirat tona dhe që nuk burojnë prej nesh.

Përkitazi me këtë një mendimtar ka thënë: “Pikëpamjet e njerëzve ndaj nesh janë ato që na shkatërrojnë. Po të ishin të gjithë ata që më rrethojnë të verbër, nuk do të kisha nevojë për rroba ekstravagante e as për shtëpi të bukur dhe mobilie luksoze.”

Mund të konkludojmë se ajo që aspiron njeriu i ngritur gjendet në veten e tij, ndërsa atë që lakmon njeriu i thjeshtë e sheh te të tjerët.

 III  Motivet e brendshme

Këto lloj motivesh janë më të rëndësishmit dhe më të qëndrueshmit, sepse me këto njeriu udhëhiqet nga forcat brenda unit të tij, të cilat e shpijnë drejt realizimit të rezultateve të larta.

Më lejo të të shtroj një pyetje: Nëse ke pasion të stërvitesh në ndonjë klub sportiv dhe ke bërë marrëveshje me ndonjërin prej shokëve të tu për të të shoqëruar në stërvitje. Në momentin e fundit edhe përkundër marrëveshjes, shoku yt tërhiqet dhe e anulon takimin. A do të shkosh vetëm në stërvitje apo do ta anulosh edhe ti stërvitjen. Motivet e tua të brendshme të nxisin se stërvitja do të ta forcoj trupin, shëndeti yt do të jetë më i mirë dhe shkalla e forcës do të të rritet. Motivet e tua të brendshme do të të nxisin për të shkuar në stërvitje pavarësisht se çfarë ndodh, qoftë i vetëm apo i shoqëruar me ndokënd.

Motivet e brendshme janë stimujt që e bëjnë njeriun e zakonshëm të kryejë vepra që janë më të mëdha se sa shkalla e zakonshme (rëndomtë) dhe të arrijë rezultate të larta... Potencialet e fshehta të forcës, që gjenden brenda nesh qëndrojnë prapa suksesit të njeriut. Ato e vejnë në pah dallimin që ekziston ndërmjet njerëzve... Ato janë forca që të shtyjnë që ti vetë t’i mbjellësh lulet, në vend që të presësh që dikush tjetër t’i dhurojë ato... Motivet e brendshme janë dritë që buron prej nesh... Ato i ngjajnë një vullkani në thellësinë tonë, që në çdo moment pret të shpërthejë.



[1] Motivi është shkaku që nxit dhe vë në lëvizje dikë për të bërë diçka; arsyeja që të shtyn për një veprim, ose për një qëndrim a sjellje të caktuar. 

Google könyvjelzőLink megosztása: Del.icio.usTwitterAjánlás a linkter.hu-raFacebookDigg
JP-Bookmark