RINIA, THEMELI I SHOQËRISË

RINIA, THEMELI I SHOQËRISË

0 8019

Rinia janë udhëheqësit e të nesërmes dhe shpresa e të ardhmes. Mbi supet e tyre ngrihen qytetërimi dhe historia e lavdishme. Tek ata varen shpresat, ëndrrat dhe zemrat. Rinia është pasuria e një populli dhe fshehtësia e forcës së tij. Nëse doni të dini të ardhmen e një populli, mos pyetni për pasurinë që ka, por shiko të rinjtë e tij.

 Nëse ata kanë vlera e moral dije se ardhmëria e atij populli premton gjitha të mirat. Nëse rinia është e degjeneruar, pa vlera, që bie në gjëra të ulëta ashtu sikur insektet mbi ngordhësirë, atëherë atë popull e pret shkatërrimi.

Problemet e rinisë mund të analizohen nga shumë aspekte. Unë do të mundohem që nga pikëpamja islame të vë në pah rëndësinë e rinisë edhe atë duke përmend tekste të sheriatit ose fragmente nga historia islame.

Fillimi dhe mbarimi i fazës rinore:

Faza e rinisë fillon prej kohës së pubertetit d.m.th. prej moshës 15 vjeçare, përafërsisht, dhe zgjatë deri në moshën dyzetvjeçare përafërsisht, sepse në këtë moshë njeriu arrin pjekurinë maksimale. Semantika e fjalës “shab” ( i ri) aludon në dy gjëra: zhvillim dhe elan. Në Kuran e gjejmë se të dyzetat janë kulmi i pjekurisë:

وَوَصَّيْنَا الإِنسَانَ بِوَالِدَيْهِ إِحْسَاناً حَمَلَتْهُ أُمُّهُ كُرْهاً وَوَضَعَتْهُ كُرْهاً وَحَمْلُهُ وَفِصَالُهُ ثَلاثُونَ شَهْراً حَتَّى إِذَا بَلَغَ أَشُدَّهُ وَبَلَغَ أَرْبَعِينَ سَنَةً قَالَ رَبِّ أَوْزِعْنِي أَنْ أَشْكُرَ نِعْمَتَكَ الَّتِي أَنْعَمْتَ عَلَيَّ وَعَلَى وَالِدَيَّ وَأَنْ أَعْمَلَ صَالِحاً تَرْضَاهُ وَأَصْلِحْ لِي فِي ذُرِّيَّتِي إِنِّي تُبْتُ إِلَيْكَ وَإِنِّي مِنْ الْمُسْلِمِينَ

Ne e urdhëruam njeriun t’u bëjë mirë prindërve të vet, ngase nëna e vet me mundim e barti dhe me vështirësi e lindi, e bartja e tij dhe gjidhënia e tij zgjat tridhjetë muaj (e ai vazhdon të jetojë) derisa ta arrijë pjekurinë e vet dhe kur t’i mbush dyzet vjet ai thotë: “Zoti im, më inspiro mua që të falënderoj për të mirën Tënde që ma dhurove mua dhe prindërve të mij, që të bëj vepra të mira që i pëlqen Ti dhe m’i bën të mirë pasardhësit e mi, unë pendohem te Ti dhe unë jam me muslimanët.” (Ahkaf:15)

Rëndësia e kësaj faze të jetës së njeriut:

Kjo fazë e jetës është më e rëndësishmja. Rëndësia e saj del në shesh si vijon:

  1. Është faza e fuqisë dhe produktivitetit: njeriu, në jetën e tij kalon nëpër faza të ndryshme për nga aspekti i fuqisë dhe dobësisë. Në këtë botë vjen i vogël dhe i dobët, nuk di asgjë, pastaj rritet pak nga pak, i forcohet trupi, i zhvillohen shqisat dhe i pjekët logjika derisa të arrijë pjekurinë maksimale. Allahu na tregoi në Kuran për këto faza:

والله أخرجكم من بطون إمهاتكم لا تعلمون شيئاً وجعل الكم السمع والأبصار والأفئدة لعلكم تشكرون

Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues.” (Nahël:78)

Mirëpo kjo fazë, siç e dimë, nuk zgjat përherë. Përsëri pas kësaj faze kthehet dobësia:

الله الذي خلقكم من ضعف ثم جعل من بعد ضعف قوة ثم جعل من بعد قوة ضعفاً وشيبة

All-llahu është Ai që ju krijoi në një gjendje të dobët, pastaj pas asaj dobësie ju dha fuqi, e pas fuqisë, dobësi e pleqëri.” (Rum: 54)

  1. Njeriu në këtë fazë arrin kulminacionin – në suazat e së mundurës – për sa i përket percepcionit të tij mendor. Prej gjërave që flasin se kjo është faza më e mirë e jetës së njeriut është fakti se Allahu kur do t’i shpërblejë ata që do meritojnë xhenetin do t’i bëjë të gjithë në moshën 33 vjeçare.
  2. Nëse e marrim mesataren e jetës së njerëzve mes 60 dhe 70 viteve d.m.th. 65 vite siç ka thënë i Dërguari, atëherë themi se faza më e gjatë e jetës së njeriut është faza e rinisë dhe jeta e një njeriu që do jetojë 65 vjet është: 40 %
faza vitet përqindja
prej deri
Fëmijëria lindjes 14 22
Rinia 15 40 40
Fillimi i pleqërisë 41 50 15
Pleqëria 51 vdekje 23

Prej asaj që u tha më lartë kuptuam rëndësinë e kësaj faze të jetës. Duke pasur parasysh këtë, Islami i ka kushtuar rrëndësi të veçantë kësaj faze duke e udhëzuar kah ndërtimi dhe mirësia dhe duke e ruajtur nga shkatërrimi dhe e keqja.

Nëse meditojmë Kuranin dhe Sunetin e të Dërguarit, do të shohim rëndësinë që i është kushtuar rinisë, qoftë duke i lavdëruar dhe duke përmend të arriturat e tyre apo duke i udhëzuar dhe orientuar kah e mira.

Në suren Junus: 7, Allahu i madhëruar tregon se mbështetësit e Musait në thirrjen e tij që sfidoi tiranin e asaj kohe, faraonin ishin një grup të rinjsh.

Në suren Kehf 9-26,  Allahu na rrëfeu tregimin e banorëve të shpellës. Është një rrëfim i mrekullueshëm ku tregohet për një grup të rinjsh, të cilët ishin arratisur nga qyteti i tyre për të ruajtur besimin. Allahu thotë: “Ata ishin disa djelmosha, kishin besuar Zotin e tyre, e Ne atyre edhe më ua shtuam bindjen.” (Kehf:13)

Pasuesit e Muhamedit, shumica e tyre ishin në moshën e rinisë, Ebu Bekri, Omeri, Othmani, Aliu, Abdullah ibën Mesudi, e tjerë.

Faza e rinisë është një begati që duhet të shfrytëzohet. Të rinjtë janë ata që mund të bartin detyra të rënda, të ballafaqohen me sfida të ndryshme, të durojnë dhe të sakrifikojnë për ideale. I Dërguari ka thënë:

لا تزول قدما عبد يوم القيامة حتى يسأل عن أربع .. عن عمره فيما أفناه ، وعن شبابه فيما أبلاه ، وعن ماله من أين اكتسبه وفيما أنفقه ، وعن علمه ماذا عمل به ( رواه الترمذي).

Nuk do lëviz askush ditën e Kiametit derisa të pyetet për katër gjëra: për jetën si e ka harxhuar, për rininë si e ka vjetruar, për pasurinë si e ka fituar dhe ku e ka harxhuar dhe për punën e tij – ç‘bëri.”

اغتنم خمسا قبل خمس : شبابك قبل هرمك ، وصحتك قبل سقمك ، وغناك قبل فقرك ، وفراغك قبل شغلك ، وحياتك قبل موتك .

Shfrytëzo pesë gjëra para pesë të tjerave: rininë tënde para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para se të zihesh dhe jetën para vdekjes

Përvetësimi i vlerave në rini:

S’ka dyshim se të rinjtë janë më të prirë për të ndryshuar veten se të moshuarit. Është me rëndësi që gjatë kësaj faze, pra fazës së rinisë, të përvetësohen vlerat dhe personaliteti të ndërtohet në mënyrë të shëndoshë. Një prej grupeve që do gjejnë shpëtimin duke u vendosur nën hijen e Allahut, atë ditë kur nuk do ketë hije tjetër pos hijes së Allahut është “i riu i cili rritet duke adhuruar Allahun.” (Buhariu)

Prej vlerave më të larta që duhet t’i përvetësojë një besimtarë janë robëria ndaj Allahut (elubudije) dhe morali.

-Robëria ndaj Allahut (elubudije) ngrihet mbi dy shtylla: dashurinë dhe përkuljen ndaj Allahut. Pra, adhurimi nuk është thjeshtë zbatim i urdhrave por në vete mban edhe dashurinë e thelle ndaj Krijuesit. Sipas definicionit më të plotë, adhurimi përfshin të gjitha aspektet e jetës “është çdo fjalë apo vepër, qoftë e hapur ose e fshehtë, që e do Allahu.”

Adhurimi është thelbi i dëshmisë “la ilahe il-lallah” (nuk ka të adhuruar me meritë pos Allahut). Kjo ka qenë motoja e çdo profeti. Po qe se shfletojmë Kuranin do vërejmë se secili pejgamber erdhi në tokë me këtë moto: “o populli im adhuroni vetëm Allahun se s’ka zot tjetër përpos Tij

Në historinë islame përmendet rasti i Ribij ibën Amirit, të cilin i Dërguari e çoi të bisedojë me kryekomandantin e ushtrisë persiane Rustumin. Kur ai pyeti se çka solli Muhamedi, Ribiju përgjigjet: qëllimi i ardhjes së tij është për t’i larguar njerëzit nga adhurimi i njerëzve dhe për t’i mësuar të adhurojnë vetëm Allahun. Kjo është liria e vërtetë e njeriut. Të lirohet nga çdo varësi, nga çdo përkulje përpara krijesave dhe të bëhet rob i Allahut.

Pra, vlerën më të madhe që duhet të përvetësojë një i ri është të shpreh me fjalë dhe me vepra robërinë e tij ndaj Krijuesit. Sa më shumë që largohet nga kjo vlerë aq më i varur bëhet ndaj krijesave. Kjo varësi është lajthitje dhe quhet idhujtari sipas konceptit të besimit islam. Nëse Allahu nuk është synimi, i dashuri më i madh i dikujt, atëherë ai me siguri do ketë një synim tjetër qoftë ajo pasuria, fama apo dynjaja në përgjithësi.

Disa prej porosive që i Dërguari ua jepte të rinjve:

O djalosh, po t’i mësoj disa fjalë: kujdesu për fenë e Allahut, Allahu do kujdeset për ty. Kujdesu për fenë e Allahut, Allahu të gjendet në çdo rast. Kur të kërkosh kërko prej Allahut, kur të kesh nevojë për ndihmë kërkoje prej Allahut. Dije se sikur tërë bota të tubohej për të të bërë një të mirë, nuk munden përpos nëse e ka shkruar Allahu. Nëse e tërë bota tubohet për të të bërë një dëm, nuk do munden përpos nëse e ka shkruar Allahu. Lapsat janë ngritë kurse letrat janë tharë” (Tirmidhiu, sahih)

Të rinj, kush ka mundësi prej jush të martohet, le të martohet, sepse kjo ia ruan shikimin dhe nderin, ai që nuk mund të martohet le të agjërojë sepse kjo i dobëson epshin” (Buhariu)

Ke frikë Allahun kudo që je, pas ndonjë gabimi bën një vepër të mirë sepse e mira e fshin të keqen dhe me njerëzit sillu mirë.” (Sahih Xhami)

Morali islam si vlerë:

Prej synimeve madhore të sheriatit është përsosja e virtyteve të moralit. I Dërguari thotë: “jam dërguar që t’i përsos virtytet e moralit.” (Hejthemiu, sahih)

Ç’do të thotë të kesh moral të lartë? Të jesh i turpshëm, të mos i dëmtosh të tjerët, i përkushtuar ndaj adhurimit, të kesh gjuhë të pastër, të flasësh pak, të punosh shumë, të kesh pak gabime, të mos zhytesh shumë në gjëra të lejuara, të jesh bamirës, t’i mbash lidhjet me akrabanë, të kesh respekt ndaj të tjerëve, të jesh durimtar, të mos kundërshtosh pa vend, të jesh i dhembshur, i butë, i ndershëm, të mos mallkosh, të mos shash, të mos bartësh fjalët, të mos përgojosh, të mos shpejtosh, të mos kesh mllef, të mos jesh koprrac, të mos jesh ziliqar, të jesh i buzëqeshur, fytyrëçelur, të duash për Allah, të urresh për Allah, të pajtohesh për Allah, të hidhërohesh për Allah.

Literatura e konsultuar:

  1. Kurani i madhërishëm
  2. Komentar i dyzet haditheve të Neveviut, Uthejmin
  3. Shebab sahabe, Muhamed Duvejsh
  4. Le ta dijë rinia, Abdullah Ulvan
  5. Mekanetu shebab fil islam, Sulejman Id
  6. Elkijem bejnel Islami vel garb, Mani ibën Muhamed

GJITHASHTU NË ALBISLAM