SADAKAJA

SADAKAJA

0 10431

Allahu i Lartësuar i ka ndarë njerëzit në të pasur dhe të varfër, andaj mirësitë nuk plotësohen përpos se me ndihmesë ndaj të varfërve, andaj ai e obligon të pasurin ti ndihmojë të varfrit nga pasuria e tepërt që e posedon.

Besimtari dorëdhënë është i afërt tek Allahu, tek krijesat e tij, tek familja e tij, i afërt me Xhennetin, është larg zjarrit, ndërsa koprraci është larg nga krijesat, larg Xhennetit e afër zjarrit. Prandaj njeriun bujar e duan të tjerët, ndërsa koprracin e urrejnë edhe fëmijët e tij. Më i dashur tek Allahu është ai i cili ka këtë cilësi bujare, të cilën cilësi e ka edhe Allahu, Zoti i Lartësuar, i Cili është Bujar dhe i do robërit e Tij bujarë. Ai gjithashtu është i Ditur dhe i do dijetarët. Është mëshirues e i donë të mëshirshmit.

Ibn Kajjimi thotë: “Bujarit i cili jep, Allahu me bujarinë e Tij i dhuron shpërblim për veprën që e ka bërë atë që nuk ia jep tjetërkujt.”[1]

         Nga veprat më të mira që i bën besimtari është sadakaja ndaj të varfërve dhe atyre që kanë nevojë apo janë në vështirësi.

         Omer ibn Hattabi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Mua më kanë treguar se veprat mburren njëra përballë tjetrës, kurse sadakaja thotë: Unë jam më e mira në mesin tuaj.” Ndërsa rruga e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, bënte thirrje në: mirësi, sadaka, si dhe në nxitim të kryerjes së nevojave të muslimanëve.

Sadakaja më e vlefshme është kur vetë sadakadhënësi ka nevojë për të, po ashtu kur është e rrjedhshme, sadakaja e mbron robin nga dënimi i Allahut, sepse mëkatet e çojnë njeriun në shkatërrim, kurse sadakaja është ajo e cila e mbron njeriun nga dënimi. Nisur nga kjo i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ju tha grave ditën e Bajramit: “O ju turmë e grave jepni sadaka, qoftë edhe prej arit tuaj për zbukurim, ngase unë ju kam parë juve se ishit shumica e banorëve të zjarrit.[2]

Po ashtu në hadithin që e transmeton Buhariu dhe Muslimi qëndron: “Ki frikë Allahun qoftë edhe me një gjysmë hurme.

Sadakaja e shuan erën e mëkatit, andaj i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i ka thënë Muadhit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “A dëshiron të të tregoj për dyert e hajrit?” – Muadhi tha: Po, o i Dërguari i Allahut. –  Tha: “Agjërimi është mburojë, ndërsa sadakaja i shuan gabimet siç e shuan uji zjarrin.[3]

Sadakaja të mbron nga burimet e këqija, largon belatë, e ruan pasurinë, sjell riskun, e gëzon zemrën, të bën më të bindur ndaj Allahut që të kesh mendim të mirë ndaj Tij, e pastron shpirtin, e bën robin të dashur te Zoti i tij dhe ia mbulon të metat që i posedon.

Sadakaja e shton jetën, të mbron nga dënimi i varrit, bëhet hije për ty në ditën e gjykimit, ndërmjetësues për ty tek Allahu, stabilizues i vështirësive në dunja dhe në ahiret, thirrëse për çdo lloj mirësie, prandaj mos e largo nga vetja yte.

Sadakaja është mburojë me të cilën mbrohet robi nga zjarri, shpëtues nën hijen e të cilës do të strehohet ditën e kiametit, shkak që të thirresh për të hyrë në xhennet nga dera e sadakasë, pasi që i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush është nga ato që kanë dhënë sadaka thirret nga dera e sadakasë.[4]

Sadakaja ngrit belatë dhe me lejen e Allahut i largon vështirësitë.

Ibn Kajjimi thotë: “Sadakaja dhe mirësia ndikojnë shumë interesant në largimin e belave, syrit të keq, smirës së ziliqarëve, madje për këtë do të na mjaftonte përvoja e popujve në të kaluarën dhe në të tashmen. Prandaj rrallë mund të ndikojë syri i keq, smira ose dëmtimi mbi sadakadhënësin bamirës. Edhe poqëse e kaplon diçka e kaplon me butësi dhe me ndihmesë në atë sprovë. Sadakadhënësi shpesh del me përfundim të mirë, ngase ai është nën mbrojtjen e mirësisë së dhe sadakasë së tij, prej Allahut ka xhennetin si dhe mburojë nga çdo rrezik.”[5]

Po ashtu thotë: “Po ashtu sadakaja ndikon interesant në largimin e belave qoftë ai edhe zullumqari ose mëkatari më i madh, madje qoftë edhe kafir, sepse Allahu me të largon shumë lloje të belave, kjo gjë është e njohur ndër njerëzit qofshin ata të thjeshtë apo më të veçantë. Të gjithë njerëzit për këtë dukuri janë në pajtim ngase e kanë provuar.”[6]

Sadakadhënësi kur do që jep sadaka më të e zgjeron kraharorin e tij dhe i hapet zemra e tij.

Ibn Kajjimi thotë: “Në qoftë se dobi do të ishte nga sadakaja vetëm kjo, atëherë robi realisht do të jepte shumë sadaka dhe do të garonte për të, Allahu thotë:“Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.”[7]

Koprraci është i burgosur nga mirësia, i privuar nga bamirësia, gjoks-ngushtë,  zemrën e ka të ngushtuar, shpirtin e vogël, kënaqet shumë pak, gjithnjë është shumë i mërzitur, i trishtuar, i brengosur nuk mund ta kryej asnjë nevojë e as që ti ndihmohet në atë që e kërkon.

Andaj jep sadaka gjatë ditës qoftë ajo edhe shumë pak, ngase sadakaja më e vlefshme është kur ke pak. Dije se çdo mëngjes për çdo ditë zbresin dy melek, njëri prej tyre thotë: O Allah jepi atij që jep, ndërsa tjetri thotë: O Allah mos i jep atij i cili nuk jep.

Sadakaja është borxh i cili sjell shtimin (pasurimin).

 I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk pakësohet pasuria nga sadakaja.”[8]

Allahu thotë: “Kush është ai që i huazon Allahut një hua të mirë, e Ai t’ia shtojë atij shumëfish Atë? Allahu shtrëngon (varfëron) dhe çliron (begaton)dhe kthimi juaj është vetëm te Ai.”[9]

Jepi fukarasë me shpirt të mirë, me dorë bujare duke pasur mendim të mirë mbi Allahun, se ai të shpërblen me sevap dhe me pasuri.

 

Përgaditi: Nexhat Ceka

Burimi: albislam.com


[1] “Vabilu-sajib” fq. 56.

[2] Mutefekun-alejhi.

[3] Transmeton Tirmidhiu.

[4] Mutefekun-alejhi.

[5] “Bedaiul-fevaid” 2/467.

[6] “Ibid” fq. 49.

[7] Hashër: 9. “Vabil sajib” fq. 51.

[8] Transmeton Muslimi.

[9] Bekare: 245.

GJITHASHTU NË ALBISLAM