SALIHU, ALEJHI SELAM

SALIHU, ALEJHI SELAM

0 4036

Një faqe tjetër e fletëve të historive njerëzore, e cila përmendet në detin e historisë, dhe një dështim i radhës i injorancës, një skenë prej skenave të ballafaqimit të së vërtetës dhe të kotës, një  dyluftim i ri në luftën me gënjeshtarët, na e rrëfen neve Kurani përmes historisë së të dërguarit Salih, alejhi selam,  i cili thërriste njerëzit në njëshmërinë e Allahut, në përkushtimin e adhurimit vetëm ndaj Atij, dhe braktisjen e gjithë zotave të kotë, të cilët nuk posedojnë asgjë hyjnore.

Tregimi i profetit Salih, alejhi selam, me popullin e tij Themud është përmendur në disa sure, në detaje është përmendur në suren; Araf, Hud, Hixhr, Shuara dhe Fusilet, ndërsa më pak e shtjelluar ka ardhur në suren; Isra, Neml, Dharijat, Hakah, Fexhr dhe Shems, dhe është përmendur tërthorazi në suret; Teube, Ibrahim, Haxh, Furkan, Ankebut, Sad, Gafir, Kaf, Nexhm dhe Buruxh.

NDODHIA E KËTIJ TREGIMI

Allahu e dërgoi profetin Salih, alejhi selam, tek fisi Themud, që ishte një prej fiseve arabe, Salihu ishte një prej tyre, vendbanimi i tyre ishte në “Hixhr”, një vend që tani ndodhet në kufirin verior të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe në lindje të Mbretërisë Jordanite.

Popullin e Salihut, alejhi selam, e kishte begatuar Allahu me shfaqje të civilizimeve, atyre të ndërtimit, qytetërimit, pos që ata ishin mohues ndaj këtyre dhuntive, mohonin njëshmërinë e Allahut, kërkonin nga profeti i tyre t’u sjell një mrekulli që do konfirmonte faktin që ai është profet i dërguar nga Allahu, e ai solli devenë, e i urdhëroi që ta lënë këtë deve, e mos ta dëmtojnë, por ata nuk i vënë re udhërvave të tij, e mbytën devenë, e Allahu i dënoi me një dënim të rëndë, e i shpëtoi prej tyre të dërguarin e Tij Salihun dhe besimtarët e tjerë.

ANALIZË RRETH DISA PIKAVE TË NGJARJES

Ndodhitë e këtij tregimi sillen rreth gjashtë pikave kryesore, ato janë;

Një: Thirrja e Salihut, alejhi selam, ndaj popullit të tij ishte që ta adhurojnë Allahun Një dhe të jenë besnik ndaj Tij, të braktisin çdo adhurim tjetër pos Tij, qoftë ai adhurim ndaj idhujve, apo gjërave tjera. Janë të shumta ajetet të cilat e citojnë këtë tjirrhe, prej tyre, fjala e Allahut: “Ai tha: “O populli im! Adhuronie Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij.” Araf,73.

Kur vëllai i tyre – Salihu, u tha: “Vallë, a nuk i druani ju Allahut?.” Shuara, 142.

vëllain e tij Salihun (me urdhër): “Adhuronie Allahun!.” Neml, 45.

andaj, kërkoni falje nga Ai dhe kthehuni tek Ai!.” Hud, 61.

Përse nuk kërkoni ju nga Perëndia faljen e mëkateve, që të mëshiroheni?.” Neml 46.

Dy: Përmendja e mrekullisë me të cilën ai kishte ardhur, si shenjë vërtetësie e profetsisë së tij, kjo është përmendur në fjalën e Allahut: “Madje, me të vërtetë, ju ka ardhur argument nga Zoti juaj: kjo deve e Allahut për ju, është një mrekulli.” Araf, 73.

 “e i dhamë popullit të Themudit – devën si mrekulli të qartë.” Isra, 59.

(Salihu) tha: “Ja, kjo është devja (dokument), – për të ka pije (uji) në ditë të caktuara; e për ju – në ditë tjetër të caktuar.” Shuara, 155.

Tre: Përkujtimi i popullit për dhuntitë që ua kishte dhënë Allahu, e për begatitë me të cilat i kishte begatuar, kjo është përmendur në disa ajete: “Dhe kujtohuni, ai juve ju bëri zëvendës pas Adit dhe ju vendosi në Tokë; në rrafshinat e saj po ngritni pallate, e në kodrina po gëdhendni shtëpia.” Araf, 74.

“ Ai ju krijoi nga toka (dheu) dhe ju dha të jetoni në të.” Hud, 61.

Katër: Mohimi i tij ndaj të këqijave dhe tiranisë në të cilën gjindeshin, dhënia pas jetës së kësaj bote, do lexojmë rreth kësaj këto ajete: “Kujtoni të mirat e Perëndisë dhe mos bëni çrregullime.” Araf, 74.

Ata gëdhendnin shtëpia me gurë-malesh, duke besuar se nuk do t’i gjejë asgjë.” Hixhr, 82.

Vallë, a mendoni ju – se do të lëheni këtu të sigurtë, në kopshtije dhe pranë burimeve, në të lashta dhe palme hurmesh, me frute të shijshme? E, ju po gdhendni shtëpitë në male me mjeshtri të shkathët.” Shuara, 146-149.

(Salihu) tha: “O populli im, përse e nxitoni të keqen para së mirës?.” Neml, 46.

Pesë: Qëndrimi i popullit të Salihut, alejhi selam,  ndaj thirrjes morri kahje të talljes, kryelartësisë dhe arrogancës, kjo është ajo që u tha në ajetet që vijojn: “Dhe therrën devën e nuk e përfillën urdhërin e Perëndisë së tyre dhe thanë: “O Salih, sillna atë që na premton, nëse je pejgamberë!.” Araf, 77.

Ata thanë: “O Salih! Ti ke qenë shpresa jonë, para kësaj (fjale). A mos vallë, ti don të na ndalosh ta adhurojmë atë, që e kanë adhuruar prindërit tanë? Me të vërtetë, na jemi në dilemë, që na bën të dyshojmë në thirrjen tënde.” Hud, 62.

Dhe Ne, u patëm dhënë atyre dokumentet Tona, por ata shmangeshin prej tyre.” Hixhr, 81.

Ata thanë: “Ti je vetëm njeri – nga të magjepsurit; ti je vetëm njeri – ashtu si ne, andaj na sjell një mrekulli, nëse thua të vërtetën!.” Shuara, 153-154.

Ata thanë: “Na po parandiejmë fatkeqësinë me ty dhe me ata që janëme ty.” Neml 47.

Vallë, në mesin (e sa) prej nesh, t’i dërgohet Shpallja atij?! Jo, ai është gënjeshtar mendjemadh!” Nesër (së shpejti), do ta dinë ata se kush është gënjeshtari mendjemadh!.” Kamer, 24-25.

Gjashtë: Qartësimi i përfundimit të refuzuesve ndaj thirrjes së Allahut, mohuesve të Tij, përfundimi i atyre që iu përgjigjën, dhe shpëtuan, kjo është shprehur në ajetet  në vijim: “Dhe ata i goditi një tërmet katastrofal e mbetën të vdekur në shtëpitë e tyre.” Araf, 78.

e ata, që bënë zullum, i kaploi zëri i tmerrshëm, të cilët në tokën e tyre u gëdhinë të vdekur – të palëvizshëm, thuajse, nuk kanë ekzistuar kurrë në të. Me të vërtetë, Themudi mohuan Zotin e tyre. Qe pra, le të jetë larg (nga mëshira e Zotit) Themudi!.” Hud, 67-68.

andaj, edhe ata në agim i goditi zë i tmerrshëm.” Hixhr, 83.

E, kur erdhi urdhëri Ynë (dënimi), Na e shpëtuam Salihun bashkë me besimtarët e tij – me mëshirën Tonë, dhe (i shpëtuam ata) nga poshtërimi i asaj dite.” Hud, 66.

dhe i goditi dënimi ata. Me të vërtetë, në këtë ka argument (këshillë), por shumica e tyre, nuk janë besimtarë.” Shuara, 158.

Pa, shiko, çfarë ka qenë fundi i ngatërresave të tyre. Na i kemi shkatërruar ata të gjithë dhe popullin e tyre, ja, shtëpitë e tyre të shkretëruara, për shkak të zullumit që kanë bërë. Në këtë, me të vërtetë, ka argument të madh për popullin që dinë.” Neml, 51-52.

andaj ata i goditi dënimi i stuhishëm, poshtërues, për atë që kanë punuar.” Fusilet, 17.

e pastaj i goditi rrufeja (zëri i tmerrshëm), e ata e shikonin atë (dënimin), dhe nuk mundën as të ngritën, as të mbrohen prej dënimit.” Dharijat 44-45.

e populli i Themudit është shkatërruar me një ulurimë (britmë) të madhe temrruese.” Hakah, 5.

Por ata nuk i besuan (atij), madje e prënë atë (devën) – dhe Zoti i tyre shkatërroi ata për mëkatet e tyre, duke i zhdukur deri në të fundit.” Shems, 14.

Vërehet që në ajetet janë shprehjet e ndëshkimit me të cilin ishte goditur populli i Salihut, alejhi selam, ndonjëherë me (zë të tmerrshëm), e ndonjëherë me (tërmet) e ndonjëherë me (stuhi) e ndonjëherë me (britmë të madhe), dhe se nuk ka kundërshtim mes këtyre shprehjeve, ngase janë të ngjashme në kuptim, dhe e plotësojnë njëra-tjetrën, e gjithë kjo aludon në dënimin e madh që i ka goditur ata.

Dhe e kundërta, përfundimi i besimtarëve ka qenë shpëtimi, ndihma e Allahut, Zotit të botëve dhe atë nga bereqeti i devotshmërisë së tyre, frikës nga dënimi i Krijuesit, pasimi i së vërtetës që u kishte ardhur, Allahut thoë: “Na e shpëtuam Salihun bashkë me besimtarët e tij – me mëshirën Tonë, dhe (i shpëtuam ata) nga poshtërimi i asaj dite.” Hud, 66.

e, i kemi shpëtuar ata që kanë besuar dhe të cilët ruheshin nga të këqiat.” Neml, 53.

e, i shpëtuam ata që besuan dhe që janë ruajtë (prej të këqiave).” Fusilet, 18.

E gjthë kjo është sqarim dhe vërtetim i ligjit prej ligjeve të Allahut, që nuk kundërshtohet e as që ndryshohet, e që është ndëshkimi i zullumqarëve dhe shpëtimi i besimtarëve.

NGA DOBITË E KËTIJ TREGIMI

Tregimi i Salihut, alejhi selam, me popullin e tij, si edhe tregimet tjera në Kuran, janë të stërmbushura me shembuj, përplot me këshilla, prej tyre do përmendim:

  1. Salihu, alejhi selam, dha mundin maksimal në inkurajim dhe tërheqje të vërejtjes, duke i thirrur që ta adhurojnë Allahun, dhe të heqin dorë nga çdo kush pos Tij, vazhdoi në këtë thirrje pa lodhje, as mërzi, derisa kumtoi mesazhin e Zotit në formën më të përkryer.
  2. Të mençurit marrin mësime nga pasojat e zullumqarëve, edukojnë vetën që mos t’i pasojnë, e mos të qëndrojnë në vendet ku ata bënë zullum, nga frika se mos i godet edhe ata çfarë i goditi zullumqarët më herët.
  3. Kur imani të depërton thellë në zemër, të përqëndrohet aty, lind guximi, fuqia, mundi e sinqeriteti.
  4. Të mençurit e të sinqertit çdoherë në thirrjet e tyre përdorin metodat e logjikshme dhe të urta me të tjerët, këtë e shohim shumë qartë në polemikën e Salihut, alejhi selam, me popullin e tij, si është në fjalën e Allahut: “(Salihu) tha: “O populli im, përse e nxitoni të keqen para së mirës?.” Neml, 46.
  5. Dhuntitë që ia dhuron Allahu robërve të Tij, nëse robërit e Tij nuk i shfrytëzojnë në adhurim ndaj Allahut, atëherë ato dhunti shndërrohen në ndëshkim.

ÇUDIRAT TË CILAT JANË PËRMENDUR RRETH KËTIJ TREGIMI

Përqëndrimi kryesor në tregimin e Salihut, alejhi selam, me popullin e tij ishte mrekullia e cil u erdhi atyre, deveja. Komentuesit e Kuranit kanë përmendur tregime të shumta rreth kësaj deveje, si ajo që deveja ishte krijuar nga shkëmbi, apo nga një rrafshnaltë, e pretendime të tjera të cilat nuk mbështeten në argumente qoftë citate fetare apo argumente logjikore. Shejh Rashid Rida rreth kësaj thotë: “Nuk është konfirmuar si e saktë asnjë argument për krijimin e devesë nga shkëmbi apo rrafshnalta, siç është transmetuar nga Ebu Tufejl.”

Si dhe disa komentues janë thelluar rreth kuptimit të qenurit deveja (argument), duke përmendur thënie që nuk mbështeten në argumente, gjë që shtyri Raziun, të thotë: “Dije se Kurani aludon se ajo (deveja) ka qenë një (argument), ndërsa në çfarë aspekti ka qenë ajo argument nuk është e përmendur, ajo që është e ditur se ka qenë një mrekulli në mënyrë të pashmangshme.”

Kjo është rruga më e shëndoshë në ballafaqim me kuptimin e jashtëm të Kuranit, duke mos u futur në detajet e ndodhive pa asnjë argument të pranuar. Kurani vazhdon të jetë vetë argumenti absolut, nuk përmend detaje rreth devesë më tepër pos asaj që është (argument) nga Zoti, se është (deveja e Allahut), aty ka (mrekulli), pra, le të mjaftohet me çfarë është treguar në Kuran.

Burimi: albislam.com / Islamweb.com

Përktheu: Shpend Zeneli