SHEMBULLI I BESIMTARIT GJATË FURTUNAVE TË SPROVËS

SHEMBULLI I BESIMTARIT GJATË FURTUNAVE TË SPROVËS

0 2909

E falënderojmë Allahun Zotin e botëve dhe pastaj themi:

Furtunat e sprovave për të cilat na ka paralajmëruar i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, tanimë kanë filluar. Erërat e stuhishme të këtyre furtunave tanimë i kanë lëkundur gjitha vendet e botës dhe e kaplojnë edhe Umetin e muslimanëve.

Por, falë mëshirës së Allahut dhe pastaj qëndrimit stoik i të zgjedhurve nga mesi i dijetarëve dhe i besimtarëve të thjeshtë të këtij Umeti, që nuk lejuan që aq lehtë të tunden,  lëkundjet po tejkalohen me lehtësi.  Sa i mrekullueshëm është shembulli Kuranor për kredon e teuhidit, për dëshminë La ilahe il-lallah për të cilin Allahu, subhanehu ue te’ala në Kuran thotë: “A nuk e sheh se si All-llahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart…”  (Ibrahim, 24)

Sa i bukur është edhe shembulli profetik i cili besimtarin e ngjasoi me palmën dhe tha: “Është një pemë, bereqeti i së cilës është sikur bereqeti i besimtarit. Transmetuesi i hadithit tha, mendova se e ka fjalën tek palma dhe desha të them është palma o i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, por e pash se isha në mes dhjetë pesonave ndërsa unë isha më i riu dhe heshta.  I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: Ajo pemë është palma.” (Buhariu dhe Muslimi ndërsa versioni i tekstit është i Buhariut)

Sa madhështore është kjo pemë e bekuar dhe sa i madh është bereqeti i saj. Nuk është për tu habitur ngase rrënjët e saja janë thellë në tokë, zgjaten me elegancë dhe e shpojnë madje edhe shkëmbin e fortë. Për ta çrrënjosur këtë pemë nevojitet fuqi e madhe dhe mjete ndihmëse ngase një vepër e tillë është e vështirë.

I këtillë është edhe besimtari, rrënjët e besimit të tij janë të thella, nuk lëviz nga parimet e tij, nuk ndryshon…

Kam jetuar në krahinën e Kasimit dhe palmat e hurmave ishin përditshmëria e jetës time. Ishin të qëndrueshme, dhe asnjëherë nuk ndodhi që së lloji i palmës “Berehijje”, të shndërrohet na palmë llojit “Sukerijje”  e as që lloji “Shakraa” të shndërrohet në llojin “Tul-lexhijje”. Po, ishin evidente dallimet në frytdhënie, ashtu si dallon edhe besimtari prej besimtarit në veprat e tij, por qëndrueshmëria e tyre nuk ndryshonte.

Kam parë se si stuhitë çrrënjosin lloje të ndryshme të drunjve që duken madhështorë dhe të qëndrueshme, kam parë se si shkulen dhe rrëzohen. Por palmat me bukurinë  dhe me rrënjët e saja thellë në tokë, qëndronte e pamposhtur na këto stuhi.

Ndoshta, krahas fuqisë së saj, sekreti i qëndrueshmërisë së kësaj peme është edhe fleksibilitetit i saj. Ajo lakohet dal ngadalë duke u përshtatur me fuqinë e erërave të stuhishme, por nuk mposhtet e as që dorëzohet. Qëndrueshmëria e besimtarit i ngjan qëndrueshmërisë së palmës me të cilën e ka ngjasuar Allahu i Lartësuar. Ai nuk është jo fleksibël si guri e as që është plotësisht i nënshtrueshëm, deri në shkallë kur lakimi i tij i ngjan sexhdes. Ai i ngjan palmës, gjethet e së cilës valiten, lartë në qiell.

Ashtu si degat plotë hurmash, edhe muslimani nuk është pasiv ndaj punës frytdhënëse. Ai dallohet me vepra të mira dhe angazhim të zellshëm, që i ngjan luftës, në gjitha sferat e jetës. Puna e tij me lejen e Allahut do të del në shesh. Këtë besnik nuk e rrëzon era me e dobët, por sikur palma në momentet e stuhisë i shton frytet e tij, përmirësohet me këto lëkundje, e pastron besimin e tij gjatë dridhjeve që shembin shumë gjëra.  Shtohet prodhimtaria e besimtarit, shtohet durimi dhe qëndrueshmëria e tij, angazhohet me pastrimin e veprave, kështu tejkalohen sprovat. Pasi që të del prej sprovës pasurohet me përvojë dhe bëhet sikur zonja e pemëve sa ma e moshuar aq më e dobishme!

Allahun e lus që të na forcon të gjithëve, të na mbron prej sprovave dhe le të jenë punët tona më të mira ato të fundit. O Allah bëje që dita jonë më e mirë të jetë dita e takimit me Ty, ja Allah.  Amin.

Përktheu: Talha Kurtishi

 

 

GJITHASHTU NË ALBISLAM