SHEMBULLI I DORËDHËNËSIT DHE KOPRRACIT

SHEMBULLI I DORËDHËNËSIT DHE KOPRRACIT

1 2033

SHEMBUJ NGA SUNETI PROFETIK

 Ebu Hurejra, radijAllahu anhu tregon se e ka dëgjuar të dërguarin e Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem, duke thënë: “Shembulli i një kopraci dhe i një dorëdhënësi është si shembulli i dy personave të veshur me xhybe të hekurta, që nga gjoksi deri në fyt. Kështu, kur dorëdhënësi jep lëmoshë, xhybja zmadhohet dhe ia mbulon krejt trupin derisa nuk i duken as majat e gishtave dhe ia fsheh gjurmët e këmbëve (duke ia fshirë ato). Por, kur koprraci dëshiron të shpenzojë, ajo ngjitet fort dhe çdo unazë ngec në vend, e, ndërsa ai përpiqet ta zgjerojë atë, e ajo nuk zgjerohet.”[1]

SHPJEGIMI I HADITHIT

Hatabi dhe të tjerët kanë thënë: “Këtë shembull e solli i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, për koprracin dhe dorëdhënësin, të cilët i ngjasoi me dy burra, që secili prej tyre dëshironte të vesh mburojë, me çfarë do mbulohet për të shpëtuar nga arma e armikut, e vuri në kokë që ta vesh, e mburojat së pari bijnë mbi gjoks derisa njeriu t’i fut duart në mënga. Dhe e vendosi dorëdhënësin në shembullin e atij i cili vesh mburojë të gjatë, e i zgjatet për aq sa të mbulon gjithë trupin, ndërsa koprraci është si shembulli i atij njeriu të cilit i janë prangosur duart ne fyt, saherë që dëshiron ta veshë i mblidhet në fyt, e bëhet copë copë. Kuptimi i kësaj është se njeriu bujar kur jep lëmoshë i zgjerohet gjoksi, ndjehet mirë, dhe e shtrin dorën e tij në dhënie, ndërsa koprraci kur i përmend vetes lëmoshën, bëhet kurnac, i ngushtohet gjoksi dhe e shtrëngon dorën e tij.”

Muhelebi ka thënë: “Hadithi ka për qëllim se Allahu dorëdhënësin e mbulon në dynja e në ahiret, ndërsa koprracin e turpëron.”

Njashtu është thënë se ky ngjasim është për shtimin e pasurisë me anë të lëmoshës, ndërsa koprracia është e kundërta.  Dhe është thënë: është një shembullim i numrit të madh të dorëdhënësve dhe të koprracave, dhe se ai i cili jep, kur të jep e shtrin dorën dhe i bëhet shprehi për të, e nëse e shtrëngon dorën, atij i bëhet shprehi e zakon.

Tibiu ka thënë: “Të ngjasuarën e ka cilësuar me hekur, për të treguar se mosdhënia, e shtrëngimi është natyrshmëri e njeriut, dhe dorëdhënësin e ka vendosur në vend të bujarisë për shkak se qëndron përball koprracit, kështu për të shënjestruar se bujaria është ajo çfarë urdhëroi Allahu dhe nxiti për të që të shpenzohet, e jo atë që e bëjnë keqpërdoruesit.”

DOBI NGA HADITHI

  1. Ky hadith sqaron gjendjen e dorëdhënësit dhe koprracit, pasi që dorëdhënësi kur jep lëmoshë i zgjerohet gjoksi, buzëqeshet, e gëzohet, ndërsa koprracit i ngushtohet gjoksi e tkurret, e mbledh dorën, po sikur të jetë i prangosur me dy duart në fyt.
  2. Dorëdhënësit i zgjerohet e shtohet pasuria, e i jipet bereqet në të, ndërsa koprracit Allahu i pakon pasurinë, apo sprovohet me probleme në të, apo ajo mund të jetë shkak i lodhjes dhe gjendjes së tij të keqe.
  3. Lejueshmëria e veshjes së mburojës në gjendje lufte, dhe se kjo nuk bie në kundërshtim me tevekulin (mbështetjen në Allahun), njëherit kjo është vërtetuar edhe në veprat e të dërguarit të Allahut, sal-Allahu alejhi ve selem.
  4. Vlera e lëmoshës, e shpenzimit në bamirësi, dhe nënçmimi i koprracisë dhe dorështrëngimit. Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Pasi që koprraci është i prangosur nga bamirësia, i ndaluar nga veprat e mira e mirësia, që edhe shpërblimi i tij do jetë në bazë të veprës, ai është njeri zemërngushtë, është i penguar nga zemërgjërësia, njeri i vrazhdë, shpirtvogël, jo i hareshëm, i stërngarkuar me brenga, probleme e mërzia, që gati se nuk i kryhet asnjë nevojë dhe nuk ndihmohet në gjërat që ai kërkon. Ky është si personi i cili ka veshur një pallto prej hekuri, e cila ia ka mbledhur duart në fyt, saqë nuk mund t’i lëviz e as t’i nxjerr, apo ta zgjeron atë pallto, në të cilën çdo hallkë ka zënë vendin e vet. I tillë është koprraci çdo herë që dëshiron të jep lëmoshë, e pengon koprracia, e mbetet zemra e tij e burgosur, sikur që është.

Ndërsa, dorëdhënësi saherë që jep lëmoshë, i zgjerohet zemra, i rritet gjoksi, ai është në pozitën e zgjerimit të asaj paltoje, për aq sa ai jep lëmoshë, zgjerohet, rritet, hapet, e forcohet gëzimi e hareja. Po të mos kishte nga lëmosha dobi tjetër pos kësaj, robi vërtetë do shpeshtonte atë dhe do shpejtonte të jep. Allahu i Madhëruar ka thënë: “E, ata që ruhen nga koprracia e shpirtit, me siguri, do të jenë fitues.” Hashr, 9.

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

[1] Buhariu 1443, Muslimi 1021.

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 281

0 943