SHEMBULLI I UDHËZIMIT DHE DIJES ME TË CILËN U DËRGUA PROFETI, sal-Allahu alejhi ve selem

SHEMBULLI I UDHËZIMIT DHE DIJES ME TË CILËN U DËRGUA PROFETI, sal-Allahu alejhi ve selem

0 1845

SHEMBUJ NGA SUNETI PROFETIK

Ebu Musa, radijAllahu anhu,  tregon se i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Shembulli i udhëzimit dhe i dijes (Kuranit dhe Sunetit) rne të cilin Allahu më ka dërguar mua, është si shembulli i një shiu të bollshëm që bie në tokë. Një pjesë e saj është tokë pjellore, prandaj e thith shiun dhe rrit bimë e bar me begati. Një pjesë tjetër është e fortë, prandaj e mban ujin sipër dhe Allahu u sjell dobi njerëzve nëpërmjet saj, sepse ata e përdorin ujin për të pirë, për t’ua dhënë bagëtive dhe për të ujitur tokën. Bie edhe në një pjesë tjetër të tokës që është djerrë, as nuk e mban ujin dhe as nuk jep bereqet. E para është shembulli i atij njeriu, i cili e kupton fenë e Allahut dhe përfiton (nga dija) të cilën Allahu e ka shpallur nëpërmjet meje, e mëson atë dhe pastaj ua mëson të tjerëve. Shembulli i fundit është si ai i një njeriu, i cili nuk vret mendjen për të dhe nuk e pranon udhëzimin e Allahut me të cilin unë jam dërguar.”[1]

SHPJEGIMI I HADITHIT

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Sa i takon kuptimeve dhe synimit të hadithit, është një shëmbëllim i udhëzimit me të cilin erdhi ai, sal-Allahu alejhi ve selem, me shiun, që nënkupton se toka është tri llojesh, njashtu edhe njerëzit.
Lloji i parë; toka e cila e pranon shiun, e ngjallet pasi që ishte e vdekur, aty rritet bima, e kanë dobi prej saj njerëzit, kafshët e kopshtet, etj. Kështu është me llojin e parë të njerëzve, u arrin udhëzimi e dija, e ruajnë atë, e zemrat e tyre ngjallen, veprojn me të, i mësojnë të tjerët, kështu që ata përfitojnë dhe përfitojnë të tjerët prej tyre.

Lloji i dytë i tokës është ajo e cila nuk pranon të përfitojë, por ka një dobi, e që është se e mban ujin për të tjerët, e kështu përfitojnë njerëzit e kafshët. Kështu është edhe me llojin e dytë të njerëzve, kanë zemrat të ruajtura, mirëpo nuk kanë sy largpamës, e as që janë të thelluar në dije, që të nxjerrin kuptime e dispozita, nuk posedojnë mund në adhurime, ata e ruajnë  atë derisa të vijë ndonjë kërkues, nevojtar, e i etur për dijen që ata e posedojnë,  kërkues të dobisë dhe të dobishëm për të tjerët, e merr prej tyre, dhe përfiton, e këta u bënë të dobishëm me atë që e arritën.

Lloji i tretë i tokës, moçal ku nuk mbien asgjë, as që përfiton nga uji, e as që  e mban që të tjerët të përfitojnë, e kështu është me llojin e tretë të njerëzve, as që kanë zemra të ruajtura, e as që kanë ndërgjegje, kur dëgjojnë nga dija nuk përfitojnë, e as që e ruajnë që të përfitojnë të tjerët. Allahu e di më së miri.”[2]

Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kurtubiu dhe të tjerët kanë thënë: I dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem, solli një shëmbëllim të asaj me të cilën erdhi prej fesë, si një shi normal i cili zbret kur ata janë të nevojshëm për të. Kështu ishin njerëzit para shpalljes, ashtu si shiu që ngjall tokën e vdekur, njashtu shkencat e fesë e ngjallin zemrën e vdekur.

Më pas i ngjasoi ata që dëgjojnë dijen me tokën mbi të cilën bie shiu. Prej tyre është dijetari, i cili vepron sipas dijes dhe i mëson të tjerët, ai është në pozitën e tokës së mirë, e cila e pi ujin dhe sjell dobi për veten, mbinë në të bimët, e përfitojnë edhe të tjerët. Prej tyre është edhe tubuesi i dijes, që një kohë të gjatë ka kaluar në të, pos që ai nuk vepron sipas saj, ose nuk e kupton atë që ka tubuar, por e përcjell tek të tjerët, e ky është në pozitën e tokës në të cilën qëndron uji,  ku njerëzit përfitojnë prej saj. Ky është për qëllim në fjalën e tij, sal-Allahu alejhi ve selem: “Allahu e ndriçoftë fytyrën e atij personi që e dëgjon fjalën time, e më pas e përcjell atë ashtu siç e ka dëgjuar.”

E prej tyre ka të atillë që e dëgjon dijen, por nuk e ruan, as që vepron sipas saj, e as që e përcjell tek të tjerët, ky person është në pozitën e tokës së djerrë, apo të tharrë që nuk pranon ujin, apo e prish edhe për të tjerët.

Dy shembujt e parë të lavdëruar i ka përmendur bashkarisht, për shkak që marrin pjesë në sjelljen e dobisë, e grupin e tretë të nënçmuar e ka veçuar për shkak që nuk ka dobi prej saj. Allahu e di më së miri.”[3]

DOBI NGA HADITHI

  1. Vlera e dijes fetare, pasi që i dërguari, sal-Allahu alejhi ve selem e ngjasoi me shiun. Arsyeja e ngjasimit mes tyre është se shiu e ngjall tokën, kafshët e njerëzit. Njashtu edhe dija fetare e ngjall zemrën, pasi që përmes saj ai e njeh Zotin, është rrugë e arritjes së kënaqësisë së Tij, për këtë njerëzit janë të nevojshëm për të, po sikur që janë të nevojshëm për shiun.
  2. Vlera e dijetarëve, mendimtarëve, të cilët memorizuan dijen, meditojnë, i kuptojnë mësimet, nxjerrin dispozita e dobi prej saj, dhe duke vepruar sipas dijes. Këta janë njerëzit më të mirë.
  3. Vlera e atij i cili i memorizon citatet fetare nga Kurani dhe suneti, dhe i kumton ashtu siç i ka mësuar, e duke vepruar sipas saj, por nuk kanë aftësi të kuptimit të domethënieve që nxirren prej saj, e as që të nxjerrin dispozita e dobi. Këta janë në një mirësi të madhe, por janë në gradë më të ulët se të parët.
  4. Njerëzit më të këqij janë ata të cilët e refuzojnë dijen, as që mësojnë, as që e kuptojnë, po edhe nuk veprojnë me dije dhe nuk i mësojnë të tjerët.

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

____________

[1] Buhariu79, Muslimi 2282.

[2] Shpjegimi i Sahih Muslimit nga Neveviu, 47/15-48.

[3] Nga libri “Fet’hul Bari” 1/130.

GJITHASHTU NË ALBISLAM