SHIRKU DHE LLOJET E TIJ

SHIRKU DHE LLOJET E TIJ

0 15098

Në këtë hytbe inshallah do t’i trajtojmë katër çështje, ato janë:

  1. Kuptimi, definicioni dhe domethënia e shirkut, ndarja e shirkut dhe dispozita për çdo lloj të shirkut.
  2. Dallimet ndërjmet shirkut të madh dhe shirkut të vogël.
  3. Përse obligohemi ta mësojmë këtë kapitull.
  4. Shkaqet e përhapjes së shirkut në botë.

E para: Definicioni i Shirkut dhe llojet e tij:

Shirk domethënë: T’i shoqërosh Allahut dikë apo diçka në adhurim, ose t’i përshkruash dikujt tjetër pos Allahut diçka që është e veçantë dhe i takon vetëm Madhërisë së Tij.

Shirku ndahet në dy lloje: 1. Shirku i madh 2. Shirku i vogël.

Shirku i madh: Është t’i përshkruash dikujt tjetër pos Allahut diçka që është e veçant vetëm për Allahun, siç është: therja e kurbanit, rënia në sexhde, duaja, etj.

Të gjitha këto nëse i përshkruhen dikujt tjetër pos Allahut, janë shirk dhe ky shirk e nxjerr njeriun nga Islami, dhe nëse vdes në këtë gjendje, ai do të jetë përgjithmonë në zjarrin e Xhehenemit.

Muhamedi,- alejhi selam!,- ka thënë: “Ai që vdesë duke lutur (adhuruar) dikë tjetër pos Allahut, do të hyjë në zjarrë.”[1]

Shirku është mëkati më i madh, ai e nxjerr njeriun nga Islami dhe ia humb lumturinë e vërtetë vepruesit të tij në dynja dhe ahiret.

Allahu,- xhele ue ala!,- thotë: “Vërtetë, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush a diçka tjetër veç Atij, por gjynahet tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shirk Allahut, ka bërë gjynah të tmerrshëm.” (Nisa: 48)

“Kushdo që i bën shirk Allahut, ai me të vërtetë ka humbur dhe është larguar shumë prej rrugës së drejtë.” (Nisa: 116).

Allahu na lajmron se ia ka ndaluar Xhenetin atij që i përshkruan Atij shok, dhe e kërcënon me vendqëndrim të përhershëm në zjarrin e Xhehenemit.

“Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut. Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij, do të jetë zjarri i Xhehenemit. Për keqbërësit nuk ka ndihmues.” (Maide: 72).

Allahu do t’ua bëjë veprat pluhur dhe nuk do t’ua pranojë, atyre që i përshkruajnë Atij shok.

” Dhe ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata, dhe veprat e tyre do t’ua shndërrojmë në pluhur e hi.” ( Furkan: 23)

Shirku i vogël: Është ai që në Kur’an dhe Sunet është quajtur shirk, porse nuk e ka arritur shkallën e shirkut të madh.

Siç është: syefaqësia, betimi në dikë tjetër pos Allahut, thënia-, “çfarë do Allahu dhe ti”, etj.

Shirku i vogël është prej mëkateve më të mëdha, vjen në rënditje menjëherë pas shirkut të madh.

Shirku i vogël nuk e fut vepruesin e tij përgjithmonë në zjarr.

Vepruesi i shirkut të vogël është në mëshirën dhe vullnetin e Allahut, nëse do Allahu e falë, nëse do e dënon.

Pejgamberi alejhi selam tha: ” Ajo që më së shumti frikësohem për ju është shirku i vogël. E pyetën sahabët për të, tha: Pejgamberi alejhi selam: Shirku i vogël është syefaqësia.”

Transmetohet nga Omeri,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Muhamedi,- alejhi selam!,- ka thënë: ”Kush betohet në dikë tjetër pos Allahut, ai veçse ka bërë kufër ose shirk.”[2]

Gjithashtu, pejgamberi, alejhi selam, ndaloi të thuhet: “Çfarë do Allahu dhe ti”.

Transmetohet nga Hudhejfe,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se ka thënë: “Mos thuani: “Çfarë do  Allahu dhe filani, por thuani: “Çfarë do Allahu, e pastaj filani.”[3]

Në një hadithë tjetër thotë: “Çfarë do vetëm Allahu.”

Ajo që ndalohet të thuhet është: “Çfarë do Allahu dhe ti”.

E lejuar: ” Çfarë do Allahu, e pastaj filani.”

Ajo më e plota dhe më e mira është: “Çfarë do vetëm Allahu.”

Sidoqoftë, muslimani duhet të largohet nga shirku, qoftë i madh apo i vogël, dhe të ruhet prej shirkut në përgjithësi.

Muslimani duhet të kapet për Kur’an dhe Sunet, ta mësojë akiden mirë, ta ruajë veten e tij nga shirku, bidati dhe gjërat që pa i vërejtur fare po bien në to muslimanët e ditëve të sodit.

E dyta: Dallimi ndërmjet shirkut të madh dhe atij të vogël:

  1. Shirku i madh rrënon të gjitha veprat, kurse shirku i vogël i rrënon vetëm veprat që i shoqëron ai.
  2. Shirku i madh shkakton që vepruesi i tij të qëndrojë përgjithmonë në zjarr, ndërsa shirku i vogël nuk është i tillë.
  3. Shirku i madh e nxjerr vepruesin e tij nga feja, ndërsa i vogli jo.

E treta: Përse obligohemi ta mësojmë këtë kapitull

Shirku është mëkati më i madh që mund t’i bëhet Allahut. Muslimani obligohet ta mësoj mirë këtë kapitull, psh: Çka është shirku, rreziku i shirkut, pasojat e shirkut, si të ruhemi prej shirkut etj.

Shumë shkaqe na shtyejnë ta mësojmë shirkun, disa nga to janë:

  1. Muhamedi, alejhi selam, nuk flet nga vetja e tij e as me hamendje, por ai flet me shpallje nga Allahu i madhëruar.

Na lajmroi se do të ketë nga umeti i tij që do t’i bëjnë shirk Allahut, do të adhurojnë zota tjerë pos Allahut, do t’i pasojnë jobesimtarët, hap pas hapi etj.

Muhamedi,- alejhi selam!,- ka thënë: “Nuk do të ndodhë kiameti derisa disa nga fiset e umetit tim të ndjekin në mendime jobesimtarët dhe të adhurojnë idhujt.”[4]

Muhamedi,- alejhi selam!,- thotë: “Nuk do të ndodhë me kalu nata apo dita e të mos adhurohet Lati dhe Uzaja (idhujt).”[5]

Muhamedi,- alejhi selam!,- ka thënë: “Do t’i pasoni ata që ishin para jush, pëllëmb pas pëllëmbi, bërryl pas bërryli (aq shumë do t’i pasoni ata) saqë po të hynin ata në vrimën e hardhucës edhe ju do të hynit aty (me ta).”[6]

  1. Kërkohet nga muslimani ta mëson të keqen (sherrin) në mënyrë që të ruhet prej të keqes dhe te largohet prej saj.

Por, nëse nuk e mëson të keqen, ai ka mundësi ta veproj atë pa mos e ndjerë apo e ditur fare.

Transmetohet se Hudhejfe,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- ka thënë: “Njerëzit e pyesnin Muhamedin alejhi selam për të mirën, ndërsa unē e pyesja për të keqen, nga frika që mos të bie në te.”[7]

  1. Shpërblimi nga ana e Allahut për ata që nuk i bëjnë shirk Atij.

Transmetohet nga Xhabiri,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- se Muhamedi,- alejhi selam!,- ka thënë: ”Kush e takon Allahun duke mos i shoqëruar Atij asgjë, do të hyjë në Xhenet.”[8]

  1. Muhamedi, alejhi selam, lutej nga rënia në shirk: “O Allahu, kërkoj mbrojtjen Tënde që të mos shoqëroj Ty diç me dijen time dhe kërkoj falje prej Teje për atë që nuk e di.”[9]
  2. Allahu është i Vetëmjaftueshëm, nuk ka nevojë për ortak. Muhamedi, alejhi selam, transmeton se Allahu,- ka thënë: “Unë jam më i Vetëmjaftueshmi, që nuk ka nevojë për ndonjë ortak. Kurdo që ndokush bën ndonjë vepër pjesërisht për Mua e pjesërisht për një ortak të imagjinuar, Unë jam plotësisht larg asaj vepre, dhe ajo është e tëra për ortakun i cili më është shoqëruar.”[10]

E katërta dhe e fundit: Shkaqet e rënies në shirk dhe përhapjes së tij tek njerëzit

Një nga shkaqet kryesore është; Teprimi në lidhje me njerëzit e mirë. Shkak i kësaj është injoranca e njerëzve. Shejtani ua zbukuron atyre njerëzit e mirë, dhe i shtyen ata të kërkojn prej tyre ndihmë, e më vonë edhe t’i adhurojnë ata.

Allahu,- xhele ue ala!,- thotë: ”Dhe thanë: Mos i lini zotrat tuaj kurrsesi! Kurrsesi mos e lini Vedan as Suvan, Jeguthen, Jeuken dhe as Jusran.” (Nuhë: 23).

Ibn Abasi,- Allahu qoftë i kënaqur me të!,- në tefsirin e këtij ajeti thotë: “Këta emra të cekur janë emra të njerëzve të mirë prej popullit të Nuhit alejhi selam. Kur këta vdiqën, shejtani i këshilloi ata që t’i vendojnë emra apo diçka speciale mexhliseve ku rrinin njerëzit e mirë. Në fillim vetëm i kujtonin dhe nuk i adhuronin ata, derisa u shtua injoranca në mesin e tyre dhe filluan t’i adhuronin ata që vinin pas tyre, të kërkomin ndihmë prej tyre etj.

Allahu ua tërhoqi vërjetjen ithtarëve të librit duke u thënë: “O Ithtarë të Librit, mos e teproni në fenë tuaj.” (Nisa: 171).

Muhamedi, alejhi selam, tha: “Ruajuni nga teprimi, sepse ata që u shkatërruan dhe devijuan para jush, shkak i devijimit të tyre ishte teprimi (ekstremizmi).”[11]

Në fund!

O Allahu im, na mbrojë nga shirku që e dimë dhe na fal për mëkatet që nuk i dimë!

Autor: Shejh Dr. Abdurrezak el Bedr,- Allahu e ruajtë!

Nga arabishtja: Suad B. Shabani

Burimi: albislam.com

[1] (Shënon: Buhariu: Kapitulli mbi tefsirin- 176).

[2] ( Shënon: Tirmidhiu: 1535, Hakimi: 1/18, Ebu Davudi: 3251).

[3] (Shënon: Ebu Davudi: 4980, Imam Ahmedi: 5/384, Neveviu në librin e tij el edhkar: 308).

[4] (Shënojnë: Ebu Davudi: 450).

[5] (Shënuan: Buhariu- 9/126, Muslimi: 8/57).

[6] (Shënon: Buhariu: 9/126, Muslimi: 8/57).

[7] (Shënon: Buhariu: 13/35 dhe 6/615, Muslimi: 3/1475).

[8] (Shënon: Muslimi: 30).

[9] (Shënon: Ahmedi: 19606).

[10] (Shënon: Muslimi: 2985).

[11] (Shënuan: Buhariu: 13/275, Nesaiu – 5/218, Ibn Maxhe- 2/1008, Ahmedi- 1/215).

GJITHASHTU NË ALBISLAM