SHOQËRIA QË KAM NUK MË MOTIVON PËR PUNË TË MIRA SI TË VEPROJ?

SHOQËRIA QË KAM NUK MË MOTIVON PËR PUNË TË MIRA SI TË VEPROJ?

0 1480

Shoqëria që kam nuk më motivon

për punë të mira si të veproj?

 

Shoqëria e sotme ka hasur në ndryshime të shumta. Në të është përhapur gënjeshtra, mos mbajtja e premtimit, mos respektimi i lidhjeve farefisnore, mos respektimi i prindërve, neglizhenca në kryerjen e obligimeve fetare, mos ruajtja nga gjërat e dyshimta etj.

Njerëzit garojnë në dunja për të mirat e saj me njëri tjetrin, armiqësohen për të, ndërsa garat për çështjet e ahiretit i kanë harruar. Allahu i Lartësuar na tregon për rastet e profetëve, gjendjen e tyre, moralin e tyre, për adhurimin e tyre, pastaj na urdhëron ti pasojmë ata në çështjet në të cilat nuk vijmë në kundërshtim me sheriatin tonë ku thotë: Ata (të dërguarit e përmendur) ishin që Allahu i vuri në rrugë të drejtë, andaj ti merri shembull në udhëzim.”[1]

Na tregohet në Kuran për familjarët e njeriut të mirë Zekerijaut, paqja e Allahut qoftë mbi të, për djalin, gruan e tij të cilët iu përulën Allahut. Si dhe në të njëjtën kohë garonin, nxitonin në çdo punë të mirë. Allahu thotë: “Ne ia pranuam lutjen e tij, ia dhuruam atij Jahjanë dhe ia përmirësuam bashkëshorten atij. Ata përpiqeshin për punë të mira, na luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar, ishin respektues ndaj Nesh.”[2] Ndërsa kur dëshiron të shohësh se çfarë është respektim i prindërve, atëherë ec pas hapeve të Jahjasë, paqja e Allahut qoftë mbi të. Allahu Fuqiplotë atë e lavdëron me fjalët: Edhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte kryelartë e i padëgjueshëm.”[3]

Andaj kur të vëresh se shoqëria yte me të cilën jeton lundron në cilësitë e hipokrizisë duke mos e mbajtur premtimin, atëherë ti përkujtoje rastin ku Allahu e lavdëron Ismailin, djalin e të dashurit të Tij Ibrahimit, paqja e Allahut qoftë mbi ta, se e çonte premtimin në vend ku thotë: Përkujtoju në këtë Libër Ismailin! Ai ka qenë shumë besnik (premtoi të bëhet kurban) dhe i dërguar, pejgamber.”[4]

Kur të shohësh në shoqëri koprraci në pasurinë e tyre dhe se janë larg cilësisë së bujarisë, atëherë përkujtoi pejgamberët e Allahut të cilët janë prijës të bujarisë. Allahu rrëfen për bujarinë e Ibrahimit, paqja e Allahut qoftë mbi të, se urdhëroi familjen e tij të pjek një viç të majmë për tre mysafirët e tij, kurse i Dërguari ynë Muhammedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kur dikush kërkoi prej tij diçka, ai i dha një tufë me dele që gjendeshin në mes dy kodrave.

Kur të vështrosh në degjenerimin e disa shoqërive të cilët nuk kanë turp, rinia e së cilës vrapon pas marrëdhënieve jo legjitime me gra të huaja, atëherë mendo se ka pasur nga robërit e Allahut të cilëve Allahu u pat dhënë bukuri, origjinë të lartë dhe gratë e asaj kohe kanë tentuar të bëjnë imoralitet me to, ndërsa ato nuk kanë pranuar, madje për to ka qenë më i dashur burgu se sa kjo vepër e shëmtuar. Veç kësaj kanë hy edhe në burg pasi që nuk kanë pranuar të jenë nga protagonistët e kësaj vepre. Allahu i Madhëruar thotë për Jusufin, paqja e Allahut qoftë mbi të: Ajo tha: Qe, ky është ai për të cilin më qortuat mua, e unë e mësyna atë, po ai u ruajt fort. Po që se nuk e bën çfarë e urdhëroj, ai gjithqysh do të burgoset dhe do të nënçmohet.”[5] Andaj merri për shembull shkëlqyes të dërguarit e Allahut në ruajtje nga haramet dhe për ndershmëri, shpëtimi i të riut sot është ti fitojë epshet e tij që i vijnë në kokë, si pasojë e vërshimit të mëkateve në çdo anë, e kjo mund të bëhet vetëm duke u bindur se profetët janë shembulli më i mirë për të shpëtuar nga këto sprova dhe se vetëm ata duhet të merren si shembull për tu ndjekur në këtë jetë.

Kur hapet dunjaja te disa njerëz, të cilëve ju shërbejnë të tjerët në shtëpi, atëherë sikur shpirti fillon të mburret dhe të bëhet mendjemadh, e kur ta shijojë robi këtë në shpirtin e tij, le ti thotë: O Shpirti im ngadalë. Njeriu më autoritar, më i ndershëm, më i lartë në pozitë tek Allahu e ka mjelë delen e tij dhe i ka shërbyer vetes së tij, i ka arnuar nallanet e tij, ka fjetur në hasër, derisa kur është ngritur në mëngjes janë dukur shenjat e hasrës në fytyrën dhe trupin e tij.

Në oqeanin e zhurmës së jetës së rëndë, më të pasurit punojnë me shumë njerëz, bëjnë gabime, prej gojëve të tyre dalin fjalë të shëmtuara, kurse e gjitha kjo shënohet si mëkat i veprave të tyre. Në këto raste ti shkëlqe me qetësinë e fjalës tënde, me dritën e faljes tënde, me durimin përballë të pasjellshëmve dhe mbi gjithë ato që të bëjnë keq në jetën e kësaj bote. Dhe mos harro se dikush është hedhur në bunar i vetëm, i huaj nga vendi, i vogël në moshë, porse përsëri atyre që ia bënë këtë ju kthye si njeri me pozitë shumë të lartë, madje pasi që ua fali i ndihmoj sikurse mos ti kishin bërë asnjë të keqe. Allahu thotë për Jusufin, paqja e Allahut qoftë mbi të: Ai tha: Sot nuk ka qortim kundër jush, Allahu ju faltë juve; Ai është më mëshirues i mëshiruesve!”[6]

 

Përgaditi: Nexhat Ceka

[1] En’am: 90.

[2] Enbija: 90.

[3] Merjem: 14.

[4] Merjem: 54.

[5] Jusuf: 32.

[6] Jusuf: 92.

GJITHASHTU NË ALBISLAM