Si duhet të merr abdes apo gusl një person që ka plagë në trupin e tij?

Si duhet të merr abdes apo gusl një person që ka plagë në trupin e tij?

0 3981

Pyetje: Nëse një person është i plagosur në një prej gjymtyrëve të trupit të tij, a duhet të merr abdesin e plotë dhe pastaj në fund të merr tejemum në pjesën e plagosur, apo merr vetëm se tejemum?

Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut.

Nëse ke plagë në ndonjë gjymtyrë të trupit, e cila duhet larë gjatë abdesit, atëherë kjo plagë ose të jetë plagë e zbuluar ose është e mbuluar me leukoplast ose fashë.

Nëse ajo është e mbuluar me leukoplast ose fashë, atëherë ai duhet të lajë pjesët e shëndosha të trupit, më pas e lagë dorën e tij me ujë dhe fshinë mbi fashë. Nëse e bën këtë, atëherë ai nuk ka nevojë të merr tejemum.

Ekzistojnë hadithe që flasin për fshirjen (mes’hun) mbi fasha, por të gjitha ato janë të dobëta, por, kjo gjë është vërtetuar nga Abdullah ibn Omari.

Bejhakiu ka thënë: “Asgjë nuk është vërtetuar nga profeti, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, në lidhje me këtë temë … Përkundrazi ky është mendimi i fukahave prej Tabi’inëve dhe atyre që erdhën pas tyre, si dhe atë që kemi transmetuar nga Ibn Omer. Ai përmendi transmetimin e tij se Ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, morri abdes, ndërsa dorën e tij e kishte të plagosur, dhe ai fshiu mbi të dhe mbi fashë, dhe lau çdo pjesë tjetër. Ai tha: Ky transmetim nga Ibn Omeri është sahih.”

Por në qoftë se plaga është e zbuluar, atëherë ajo duhet të lahet me ujë, nëse është e mundur, por nëse e larja atë do ta dëmtojë, mundet vetëm se të fshihet me dorë, atëherë ai duhet të fshijë atë. Nëse edhe kjo nuk është e mundur, atëherë plaga duhet të lihet pa larë e pa e fshirë, e pasi të ketë përfunduar nga abdesi, merr tejemum.

Shejh Ibn Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Dijetarët, Allahu i mëshiroftë, kanë thënë: Plagët dhe të ngjashmet janë; të zbuluara ose të mbuluara.

Nëse plaga është e zbuluar, atëherë, ajo pjesë duhet të lahet me ujë. Nëse nuk është e mundur të lahet me ujë atëherë duhet të fshihet me dorë. Nëse nuk është e mundur të fshihet mbi tën atëherë ai duhet të merr tejemum. Kjo është me renditje.

Nëse ajo pjesë është e mbuluar me një lloj materiali, atëherë ajo pjesë vetëm fshihet me dorë. Nëse fshirja do ta dëmtojë atë edhe pse është e mbuluar, atëherë ai merr tejemum, sikur të ishte e zbuluar. Kjo është ajo që u tha nga fukahatë, Allahu qoftë i mëshirshëm ndaj tyre.”[1]

Shejh Ibn Bazi, Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Nëse ajo plagë ka  fashë mbi të, ai duhet të fshijë mbi të me dorë; e nëse është e zbuluar atëherë ai duhet të merr tejemum.”[2]

Shejkh Salih el-Fevzan, Allahu e ruajttë, është pyetur: Pas larjes që më bëri mjeku mua, nga dora ime, nga vendi i injektimit, më doli gjaku, kështu që ai vuri një fashë mbi të. Nëse e heq atë, fillon të rrjedh gjak dhe nuk do të ndalet deri në mbrëmje. Kjo fashë mbetet e mbështjellur rreth dorës sime të majtë. A më lejohet mua të fshij mbi të kur të marr abdes edhe pse fasha nuk është vënë e re (pastër) gjatë abdesit, por ajo vëdohet dhe në të ka gjak; si duhet ta fshij atë?

Ai u përgjigj:

Ju nuk duhet ta hiqni fashën që është mbi plagën tuaj, sidomos pasi që heqja e saj do t’ju dëmtojë dhe do të rrjedh gjak. Nuk lejohet që të hiqni atë në këtë rast, sepse kjo përbën një rrezik për ju. Pra, lëreni aty ku është, dhe kur të merrni abdes lani pjesën e dorës ku nuk ka fashë, e për pjesën ku është fasha, do të jetë e mjaftueshme të fshini me dorë të lagur pjesën e jashtme fashës. Kjo mjafton, në vend që të lahet pjesa që është ndër të, për aq kohë sa duhet të qëndrojë, edhe nëse është për shumë kohëra të namazit, ose për disa ditë. Nuk është e domosdoshme që fasha të jetë e re (e pastër), por e fshini, sipas mendimit më të saktë, edhe nëse nuk ka qenë e pastër në kohën kur është vënë në dorë, edhe nëse ndër vendin e injektimit ose plagës ka gjak.

Për fund: Nuk ka asgjë të keqe nëse mbetet fasha e lidhur; përkundrazi duhet ta leni atë sepse është në dobinë tuaj. Ju duhet vetëm të fshini me dorë mbi pjesën e jashtme të saj, kur ju e lani pjesën e dorës që nuk është e mbuluar me fashë.[3]

Islamqa.info / albislam.com

Përktheu: Hoxhë Shpend Zeneli

[1] Sharh al-Mumti’ (1/169)

[2] Fatava Ibn Baz, 10/118

[3] Al-Munteka min Fatava el-Shejh el-Fevzan, 5/15