SI TË PËRGATITEMI PËR MUAJIN RAMAZAN?

SI TË PËRGATITEMI PËR MUAJIN RAMAZAN?

0 1890

Para se të filloj këtë bisedë me ty lexues i nderuar, fillimisht të gjithë ne jemi të pajtimit se muaji i Ramazanit nuk është muaj i rëndomtë si muajt tjerë, Allahu çdo gjë e veçoi me urtësinë dhe drejtësinë e Tij absolute, nuk është muaj i njëjtë po si muajt tjerë, duke qenë në dijeni për vlerën dhe pozitën e lartë të tij, është një muaj i nderuar, madhështor, që duhet të veprohet me të në mënyrë të veçantë, në këtë muaj ka vlera që janë të njohura për çdo mysliman, se muaji i Ramazanit i shumëfishon veprat e mira, dhe është një shans i volitshëm për shlyerjen e mëkateve e gabimeve.

Por, pse e humbim këtë muaj, e ne i dimë vlerat, veçoritë dhe pozitën që ka?

Shkaqet janë të ndryshme, të shumta, mirëpo ndoshta do të fokusohem në atë rreth së  cilës unë do të flas, e që është se NE NUK PËRGATITEMI MIRË PËR KËTË MUAJ.

Dije, Allahu të ruajt, se askush nuk ka mundësi të përfiton nga shanset e ofruara pos nëse është i përgatitur për to. Dhe Ramazani është shansi më i mirë për një besimtar e besimtare. Kështu i ka rregulluar Allahu çështjet e kësaj bote, se asgjë nuk fitohet nëse nuk veprohet për atë gjë, nëse nuk merren hapat konkrete për të qenë i suksesshëm në çfarëdo lloj veprimtarie, të kësaj bote, apo për ndonjë lloj ibadeti, në këtë rast agjërimi. Dallim i madh është mes atij qe përgatitet, mendon, planifikon se si do ta kalojë këtë muaj, çfarë planprogrami do t’i vendos vetes, për të realizuar, dhe mes atij që këtë muaj nuk e dallon me asgjë prej muajve tjerë.

Është shans për përfitimin e të mirave bile edhe shumëfishimin e tyre.

Shans për shlyerjen e mëkateve.

Shans për të qenë fitimtar me adhurim të natës, adhurimi në atë natë (kadrit) është më shumë se adhurimi i tetëdhjetë e tri viteve.

Shans për pastrimin e zemrës nga çdo ndyrësirë dhe e keqe.

Shkurtimisht, është shans i çdo mirësie, dhe të vëndosh mes teje dhe çdo të keqes një hendek të gjerë.

A e kuptove tani se pse duhet të përgatitemi për këtë muaj?!

Të përkujtoj për mirësinë e Allahut ndaj teje, pasi që arrite këtë muaj, me çfarë Allahu ty të veçoi për këtë dhuratë e cila -betohem në Allahun se- të gjitha thesaret e dynjasë nuk mund të arrijnë vlerën e tij, e sidomos për disa të tjerë që gjenden nëntokë, e që janë peng të veprave të tyre. Do të dëshironte të agjëronte me agjëruesit, të falet me namazfalësit, të lexon Kuran me lexuesit, e të afrohet tek Zoti me adhuruesit, pasi që i është bërë e qartë atij madhështia dhe pozita e lartë e këtyre adhurimeve “Kur t’i arrijë vdekja ndonjërit prej tyre (mohuesve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe (në këtë Botë), që të punoj më mirë në ato që i kam lënë!” – Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është ajo fjalë të cilën ai kot e thotë, – para tyre do të ketë barrierë deri në ditën kur do të ringjallen. ”

Ndërsa, gjërat me të cilat duhet të përgatitemi për muajin e Ramazanit janë të shumta, prej tyre do të veçojmë:

Pendimi i sinqertë dhe istigfari

Për të kaluarën, atë që kemi vepruar deri tani, me padije apo me vetëdijen tonë, të kërkojmë falje prej Allahut që të jemi të lirë, që prej fillimit të Ramazanit, e të veprojmë atë që është më e mira.

Erdhi një njeri tek Hasan el Basriu, Allahu e mëshiroftë, e i tha: O Ebu Said: “Unë përgatitem me abdes për namaz të natës, por nuk mund të ngrihem, cili është shkaku?

Hasan el Basriu i tha: “Të kanë prangosur mëkatet”.

Po! Mëkatet janë shkak i të privuarit prej çdo mirësie.

Sa shumë që shohim humbje të kohës, neglizhencë dhe mosshfrytëzim të sezoneve të hajrit, si muaji i Ramazanit, etj, duke e ditur vlerën e tyre, padyshim se prej shkaqeve kryesore është se mëkatet na kanë prangosur dhe na kanë penguar nga kjo mirësi.

Me të vërtetë adhurimi dhe qëndrimi para Allahut është nderë, shfrytëzimi i sezoneve të hajrit ganimet-përfitim, ia dhuron Allahu atij që dëshiron prej krijesave të Tija.

Sa adhurues sheh gjatë Ramazanit?

Ky shpeshton sexhdet e rukutë, e ai tjetri e mbyll veten në shtëpitë e Allahut për itikaf, e tjetri vepron bamirësi duke përgatitur sofrat e agjëruesve, dhe ushqimet e fukarave dhe të gjorëve, ndërsa të tjerët e kalojnë muajin mes lojës dhe ndejave të kota!

Është  sukses i dhuruar nga Allahu, dhe përkujdes i tyre që të largohen nga çdo gjë që i pengojnë nga mirësitë, e që janë mëkatet.

Më tepër nga ajo që privohet njeriu janë adhurimet, e të fundoset në mëkate edhe gjatë muajit të Ramazanit, nuk përfundon nga njëri pos që fillon me tjetrin. Me të vërtetë kush privohet nga mirësia e këtij muaji është i privuar, e kush nënçmohet në sezonet e bamirësisë, me të vërtetë është i nënçmuar, e për këtë nuk ka shërim pos pendimit të sinqertë para arritjes së këtij muaji.

Një pendim, që do të largon njeriun nga çdo mëkat që ndërhyn mes tij dhe mëshirës së Allahut.

Pendim që ia mundëson njeriut të hyn në grupin e atyre me të cilët është i kënaqur Allahu.

Të jemi prej tyre, është shans që nëse na humb, na humbin shumë mirësi.

Nijeti i sinqertë

Nijeti ka ndikim që njeriu të ketë sukses në adhurime, e para se të vijë ky muaj të bëjmë nijet të shfrytëzojmë çdo moment, dhe dije se Zoti i Madhërishëm i sheh nijetet dhe i dhuron robit sipas sinqeritetit të tij.

Kurani Fisnik ka regjistruar  nijetit e të sinqertëve, të devotshmëve, Allahu thotë:

E kush del prej shtëpisë si migrues te All-llahu dhe i dërguari i Tij, dhe e zë vdekja (në rrugë), te All-llahu është shpërblimi i tij. All-llahu është mëshirues, mbulon të metat”.

E bëri nijet hixhretin, por vdekja e arriti para se të arrinte qëllimin që kishte dhe Allahu Bujar e shpërbleu për nijetin  dhe mundin që e dha, e bëri pjesëtar të muhaxhirëve.

Sa njerëz do të vdesin ca ditë para Ramazanit, por edhe sa orë?!

Po të bënin nijet shumica e tyre të shfrytëzojnë Ramazanin e të afrohen tek Allahu, sa shpërblim i madh do t’u regjistrohej.

E kujt Allahu ia zgjat jetën dhe e arrin muajin, e ai ka pas nijet veprimin e të mirave, përfiton nga ky nijet me begati nga Allahu dhe llogaritje të vetes gjatë çdo lëshimi, ai do të kthehet e do të thotë: A nuk ke pasur nijet të shfrytëzosh këtë muaj , ti je në një shpresë, andaj qëndro me të sinqertit. Syno të mirën, shto vullnetin, ngrit ambiciet të jesh prej fitimtarëve.

Vendim serioz

Vendimi serioz e pason nijetin

Shumica e njerëzve pretendojnë se do të shfrytëzojnë këtë muaj dhe se do të vepron kështu e ashtu, prej adhurimeve, derisa kur të arrijë anashkalon vendosjen që kishte, e dobësohet ajo fuqi, por ai që e di shpërblimin e madh e të shumtë për adhuruesit nuk mund të dobësohet tek ai fuqia, atij i mjafton që Allahu është dhuruesi, nderuesi dhe begatuesi.

Shto kësaj edhe kohën e shkurtë që ka ky muaj, janë ditë të numëruara.

Të kemi pra vendosje për ruajtjen e namazeve, kryerjen e tyre në xhami dhe të zbatohen në fillim të kohës.

Të kemi vendosje për shtimin e veprave vullnetare, prej namazit të teravive, suneteve, etj.

Të kemi vendosje për të kryer leximin e Kuranit, me meditim dhe dobi nga mësimet e tij.

Të kemi vendosje të sinqertë për të kryer umre, përkushtim të dhikrit, itikafit, sadakasë dhe shumë adhurimeve tjera.

A e di se numri i orëve të muajit të Ramazanit është shtatëqind e njëzet orë, që nëse çdo ditë bën gjumë nga tetë orë, ai që është i mençur vepron duke qenë në dijeni me vlerën e kësaj kohe, që do të mbesin katërqind e tetëdhjetë orë.

Largimi nga preokupimet e kësaj bote

Mundohu që sadopak të largohesh nga angazhimet e kësaj bote gjatë këtij muaji, përgatiti valixhet e Ramazanit para që të kesh kohë të lirë për adhurim, shumicës së njerëzve Allahu ua ka lehtësuar këto shkaqe që të jenë të lirë gjatë këtij muaji, përdallim nga ata që janë me profesione, e përse të mos shfrytëzon ai që ka kohë të lirë këtë muaj me adhurime të shumta, si namazi , duaja, etj.

Mësimi i dispozitave të agjërimit

Agjërimi si adhurimet tjera që çdo mysliman duhet të mëson dispozitat e tij, të mësojnë këto dispozita para se të arrijë ky muaj.

Lexo një libër rreth dispozitave të agjërimit dhe namazit, dhe para dhjetëshit të fundit për dispozitat e itikafit.

Prej gjërave që shumica e njerëzve i anashkalojnë është mosdija e këtyre dispozitave që mund të mangësojnë shpërblimin e tyre për shkak të shkeljes së ndonjë ndalese dhe gjëra që prishin agjërimin duke qenë të shkujdesur.

Poashtu preferohet që njeriu të lexon edhe ndonjë libër rreth komentimit të shkurtë të Kuranit, ngase ky muaj është muaji i Kuranit, lexohet e dëgjohet, pra duhet që myslimani të kupton në përgjithësi ajetet që të kupton qëllimin e tyre.

Duaja

Muaji i Ramazanit pritet me shumë lutje.

Po, që njeriu të ketë sukses në adhurim, e të ketë begati në kohë, dhe në çdo mirësi.

Të gjitha çështjet janë në dorë të Allahut, suksesi është prej Tij, ndihma vije nga Ai, andaj trokit derën e Fisnikut para hyrjes së muajit dhe pasi të hyn ky muaj.

Kërko prej Tij që të bën prej të sinqertëve e fitimtarëve, dhe dije se Allahu është Fisnik, Bujar dëshiron që të kërkojmë prej Tij.

Nëse ai që e kërkon dynjanë e Allahu ia dhuron atij, e si nëse kërkohet prej Tij atë që Ai dëshiron, prej adhurimeve, padyshim se është më parimor të ndihmohet dhe më afër të i përgjigjet lutjeve të tij.

O Allah na jep sukses në adhurimet tona, dhe na largo prej mëkateve tona.

Na bë prej atyre që më së miri do të shfrytëzojnë këtë muaj, dhe pjesën e mbetur të jetës.

O Allah na përmirëso punët tona, na bë prej fitimtarëve, pastro mëkatet tona, na lehtëso jetën e kësaj bote dhe na shpëto ditën e ringjalljes nga dënimi i zjarrit.

Adil ibn AbdulAziz Mahlavi

Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi: albislam.com

GJITHASHTU NË ALBISLAM

0 300