STOLISU ME DREJTËSI

STOLISU ME DREJTËSI

0 1563

Stolisu me drejtësi

Drejtësia është prej vlerave më të larta të moralit, është një ndër cilësitë më fisnike të njerëzisë, është prej bazave të besimit. Me të tregohet ngritja, ambiciet e larta, me të stolisen burrat që merren shembull, me këtë cilësi cilësohen ata të cilët e mbajnë premtimin nga besimtarët. Shiko Ebu Bekër es-Siddikun, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, nuk mbahet mend të ketë gënjyer ndonjëherë në jetën e tij.

Musab ibn Zubejri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, duke e cilësuar Ebu Bekrin thotë: “I gjithë ummeti janë të pajtimit me emërimin e tij për siddik (I drejtë) ngase ai shpejtoj për ta vërtetuar drejtësinë e të Dërguarit të Allahut, çdoherë i përmbahej drejtësisë, nuk ka pasur të meta në jetën e tij e as ndonjë rast që mbahet mend për keq.”1

Allahu e ka urdhëruar të Dërguarin e Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, që hyrjen dhe daljen e tij ta ketë me drejtësi. Allahu thotë: “Dhe thuaj: “Zoti im, më shpjer në vend të mirë, më nxjerr në mënyrë të ndershme dhe nga ana Jote më dhuro fuqi ndihmuese.”2

Drejtësia është simbol që e ngrit poseduesin e saj, ajo është stolisja e robit, më këtë cilësi e ngrit njeriun në shkallën e bamirësve, prandaj kur të shohësh një njeri të drejtë në fjalën dhe veprën e tij, ky njeri është në piedestal të lartë të moralit dhe me ambicie të shëndosha.

El-Xhunejdi thotë: “Realiteti i drejtësisë është të jesh i drejtë në raste në të cilat nuk të shpëton prej tyre vetëm se gënjeshtra.”

Andaj kur të stolisesh me drejtësi dije se: kjo është një prej begative të mëdha ndaj teje nga ana e Allahut Fuqiplotë.

Ibn Kajjimi thotë: “Dhurata më e madhe që Allahu ia jep robit të tij pas islamit është drejtësia, e cila është ushqim dhe jetë e islamit, ndërsa belaja më e madhe për robin është gënjeshtra e cila është sëmundje e rëndë dhe prishësja e islamit tek një besimtarë.”3

Në ditën e gjykimit një nga gjërat me të cilat robi mund të shpëtojë është drejtësia e tij. Allahu thotë: “Allahu tha: Kjo është dita që të drejtëve u bën dobi drejtësia e tyre. Ata kanë xhennete në të cilët rrjedhin lumenj, janë për jetë të pasosur në ta. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Ky është shpëtim i madh.”4

Prandaj bëhu çdoherë i drejtë në fjalë dhe në vepër, që ta arrish shkallën e siddikëve (të drejtëve) në xhennet.

Hoxhë: Nexhat Ceka

Burimi: albislam.com

1 “Tehdhibu-lugat”2/181.

2 Isra: 80.

3 “Zadul-mead” 2/591.

4 Maide: 119.

GJITHASHTU NË ALBISLAM